Home / Opinion / MOIKOM ZEQO – MISIONARI I NJË ARTI ELITAR

MOIKOM ZEQO – MISIONARI I NJË ARTI ELITAR

Fotografia e Besim Cengu

Ese

Nga Besim CENGU

Ka krijues që në rrugën e tyre artistike synojnë të mos i ngjajnë askujt. Jo për ndonjë ego. As për shkakun e thjesht se duan të jenë ndryshe prej të tjerëve. Jo. Si të tillë, autorë si Moikom Zeqo, kanë shtegun e vet në rrugën e artit.

Synimi i tyre është gjetja e rrugëve të reja për të thyer klishetë dhe dukuritë dogmatike në art. Artistë të tillë kanë misionin historik për të thyer tabu, për të ndryshuar psikologji e shije estetike.

Me veprën e vet krijuese dhe intelektuale Moikom Zeqo synon kapërcimin e “gardhit” tradicional dhe shprishjen e standardeve dhe koncepteve artistike skematike që kanë penguar këtë “kapërcim ylberi”. Mu për këtë tek ky personalitet janë ngjizur shkencëtari me artistin.

Mendoj se dy personalitete artistike e kanë bërë deri tani një gjë të tillë: Migjeni dhe Moikom Zeqo. Zeqo në librin e tij të shkëlqyer “Arkitekt i nëndheshëm i qiellit” e konsideron Migjenin si “të jashtëm” në letërsinë shqipe, artist “pa paraardhës” dhe “pa pasardhës”. Unë e konsideroj Moikomin vetë si “të jashtëm” në letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe si “pasardhës i Migjenit” në aspektin e misionit që ai ka marrë përsipër me veprimtarinë krijuese për këtë shekull.

E misioni është një letërsi e art “tjetërlloj”. Produkt artistik joprovincial që e shkëput prej tradicionalizmit e narracionit bezdisës që nuk përcjell mesazh të ri, që nuk zgjon e trondit shpirtrat njerëzor, që nuk fut në këta shpirtra dritën e një ere të re krijuese në veçanti dhe konceptimi të jetës në përgjithësi.

Në kritikën e sotme shpesh herë lë të kuptohet ose përdoret termi “letërsi moikomiane” apo “art moikomian” (Dritëso Agolli, Rexhep Qosja, Alfred Uçi, Leka Ndoja, Frederik Rreshpja, Fatmir Minguli, Ali Aliu, Vasil Vasili, Vladimir Muça etj). Kjo do të thotë se ndoshta është i vetmi “krijues-shkencëtar” siç e konsideron Frederik Rreshpja që ka identitetin brenda trupit krijues kombëtar sot dhe që ka krijuar opusin letrar të vetin, universin krijues që ka karakteristikat e veçanta, trillin e tij, raportet e tij specifike me artin e kohës nga njëra anë dhe lexuesin nga ana tjetër.

Vetë fakti se produkti artistik “tjetërlloj” i Moikom Zeqos, dëshmon se jo vetëm se është një erudit i madh, por edhe një krijues pa u ndikuar prej askujt duke skalitur profilin e vet të dallueshëm. Ai lexon shumë, përjeton shumë dhe krijon shumë. Shpesh herë “ankohet” se “nuk ka kohë të mjaftueshme fizike”. Me një fjalë nuk i mjafton “koha fizike” për të që të shprehë atë që ai i ka vënë synim vetes. Shkurt Moikom Zeqo është një “shitës dhe konsumator i madh kaosit të sotëm” (social dhe artistik) (lexo “Shitësit e kaosit”). Prandaj është edhe një analizues dhe interpretues i pashoq i realitetit të sotëm edhe social, edhe artistik.

Zeqo beson në “ripërtëritjen krijuese” prandaj është krejt tjetër edhe konceptualisht edhe në aspektin e strukturës së krijimit. Ky personalitet i madh i letërsisë tonë bashkëkohore i qëndron larg letërsisë “laboratorike” të pas viteve 90 që zhvillohet në Shqipëri. Duke qenë një shkencëtar-artist që qëndron midis artit dhe shkencës, produkti artistik i Zeqos mbështetet në përvojën e pasur jetësore, në analizat e thella që ai i bën këtij realiteti që e prek me dorën e vet dhe e sheh me syrin e vet dhe pastaj produktin e analizon në mënyrën e vet ndryshe nga të tjerët.

Për këtë disa studiues e kanë konsideruar artist të ndërlikuar.

Në fakt pikërisht këtu qëndron rëndësia dhe pesha e artit moikomian: Moikom Zeqo nuk merr përsipër asnjëherë të diskutojë se a është apo jo i “vështirë” për lexuesit, Substanciale është se ai grish lexuesit ta kuptojnë. Dhe për ta kuptuar vepra e Zeqos nuk mjafton të lexohet; ajo duhet të studiohet. Këtu qëndron edhe thelbi i elitarizmit letrar dhe intelektual i Zeqos, por që në fakt është edhe esenciale për artin tonë në përgjithësi.

Sepse misioni i artit elitar është të ftojë njerëzit në lartësinë ku ai është.

Në aspektin tjetër duke u udhëhequr nga ky parim xhoisian (për një art elitar), Zeqo shprehet vetë ashtu sikurse pat thënë në shekullin e XIX Stendali për veprën e vet se ndoshta duhet do kohë që krijimtaria e tij të kuptohet. Në fakt ne sot kemi nevojë për këtë elitarizëm kulturor nëse kërkohet domosdoja e arratisjes prej skematizmit të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar që e mundon ende sot artin tonë, nëse duam të mos ngelemi në periferi të artit të sotëm evropian e botëror.

Letërsi provinciale krijohet edhe sot, por nuk na shërben për të trokitur tek “shpirtrat e rinj”. Kjo lloj letërsie dhe ky lloj arti lëviz brenda “gardhit” metafizik. Përtej këtij gardhi nuk shohim “asgjë të re”. Ne na duhet një art “tjetërlloj” që na bën të shikojmë “të renë” përtej gardhit.

Na duhet një art “pa kufij” që imponon interes që të na lexojnë e vlerësojnë ata që sot janë avangardë e krijimit.

Migjeni e bëri këtë në shekullin që iku. Ai qe ndoshta i vetmi i asaj periudhe që dritën e kërkoi “përtej gardhit” duke krijuar një art krejtësisht të ri jashtë traditës. Këtu shpjegohet fakti se Migjeni sot është aktual, i ri, sintetik deri kë kufijtë e përsosmërisë.

Sot një gjë të tillë me veprën e vet po e bën Moikom Zeqo përmes një arti “tjetërlloj” që çelë hulli të reja. Hulli të reja në ide, konceptime, teknikalitete, interpretime, analiza e gjykime… Art i fjalës konceptualisht ndryshe, ndërtimi kompozicional i veprave deri në “pakuptimshmëri”, ikja prej klasikes në përcaktimin e gjinisë së krijimit janë risi që na thonë qartë se ky është krijimi i nesërm.

Këta “traktate” siç i cilëson dhe Rreshpja janë “hopi cilësor artistik” që shikon të renë “përtej gardhit”. E gjithë krijimtaria e këtij autori prej viteve 70 e deri sot, në poezi e prozë e dëshmon këtë. Duke u ndalur kryesisht në veprat e viteve të fundit, “Miscellanea-t”, “Centauri i ri”, “Kështu foli Monaliza”, “Grishja e Florimontit”, “Shitësit e kaosit”, “Refuzimi i shkrimit”, “Libri i sinopseve”, “Papagajt e Nembrodit”, “Vetullat Hyjnore”, “Ofelia me mjekër”…janë vepra që dëshmojnë dinjitet krijues që zënë vendin e vet të merituar në panteonin e letërsisë evropiane.

About admin

x

Check Also

“Për sjelljen e Ramës, studentët dhe gjirizet e sistemit anti-sistem”

il December 16, 2018  Nga Arkiva Pse Rama i mëshon gjithnjë e ...