Home / Opinion / Viti i Skënderbeut dhe fushata e mohuesve të tij

Viti i Skënderbeut dhe fushata e mohuesve të tij

Një mysliman i devotshëm dhe i indoktrinuar nga ndonjë imam shkurtpamës, do të thotë çka na duhet një atlet i Krishtit i cili ka vrarë myslimanë?! Shumë argument “i fortë”! Pikërisht teza se Skënderbeu “ka vrarë myslimanë” bën që disa të tallen me përmendoren e tij në Shkup dhe ta quajnë “kali”( “shihemi te kali”, diç që është e ngjashme me atë shprehjen e beogradasve (“vidimo se kod konja”) duke aluduar te përmendorja e Knjaz Mihajlit hipur në kalë! Për të keq sa mirë i kopjojmë serbët!)

 

Nga Daut DAUTI

Viti i Skënderbeut kaloi. E përkujtuam kryetrimin shqiptar me të gjitha mënyrat e mundshme, ashtu siç e meriton, me tubime shkencore e manifestime të shumta kulturore, artistike… 550 vjetori i vdekjes së tij ma shtyri edhe një herë ta rikujtojmë periudhën e lavdishme të tij, të sjellim ndonjë gjë të re nga historianët, ndonjë vlerësim ose rivlerësim, mite ose çmitizime…

Në gjithë këtë vit të gjatë të Skënderbeut, përveç atyre që e ngritën në qiell, nuk ndenjën anësh as ata që Skënderbeut ia kërkonin njollat për ta ulur vlerën që ka si figurë qëndrese në historinë kombëtare, gjer në mohim. Do të isha ndalur në dy tipa mohuesish, të cilët çuan krye. Të parët janë ata të cilët në emër të “objektivitetit shkencor” i dhanë kosës gjerë sa të shkojnë gjer në mohim të përkatësisë kombëtare dhe të dytët, që e flakin Skënderbeun duke e vlerësuar nga realiteti i shekullit 21 kur shqiptarët janë me fe dominuese islame, si luftëtar të krishtërizmit. Me këtë, haptas, jo vetëm që nuk duan të dëgjojnë për të si hero kombëtar, por e shpallin si armik pasi “ka luftuar kundër myslimanëve”. Po të jetonte sot, amerikanët do ta kishin vrarë me dron si terrorist, guxoi të thotë njëri që e quan veten historian, të cilit i shkëlqenin sytë në një emision të një antishqiptari me tapi!(S’po ua përmend emrat për shkaqe “higjienike”!)

Në nivelin akademik-shkencor, për çdo ngjarje ose figurë historike debati mund të jetë i hapur. Shkenca, pra edhe ajo e historisë, është një hapësirë e pafund ku mund të zbulohen përherë momente e fakte të reja. Kjo vlen edhe për Skënderbeun. Por, në emër të debatit shkencor, te disa shihet qartë instrumentalizimi për ta zhvlerësuar Skënderbeun në shkallë sa të thonë se atë as që e kemi ditur se ka ekzistuar, por austrohungarezët na e zbuluan dhe “ua dhuruan shqiptarëve” për qëllimet e tyre gjeostrategjike! Këtë tezë e kanë lansuar disa autorë të vetëshpallur, për të cilët tashmë mund të dyshojmë haptas mos janë mercenarë flamujsh të huaj, sepse nga pena dhe goja e tyre del vetëm duhmë e neveritshme e zhvlerësimit të figurave më të ndritshme të kombit. Goditja figurës qendrore historike është që të lëkunden në themel të vërtetat historike për shqiptarët(krahas Skënderbeut mohojnë edhe origjinën…).

Nëse i lëmë anësh autorët që kanë qëllime të mbrapshta, që ngrenë tri gishta në Gazimestan dhe flasin për krijim të kombit nga ana e Austrohungarisë(sepse në kohën e Perandorisë Osmane qenkan deklaruar turq!-ja gjer ku shkon logjika e tyre!), mbetet që për disa aspekte, madje dhe për vetë Skënderbeun t’i shikojmë pa paragjykime, tema të cilat mund të jenë në kondicional(çka kishte qenë sikur të kishte qenë…). Në aspektin e vlerësimit historik është vënë theksi në dy momente epike: e para, në rezistencën e jashtëzakonshme të një principate apo mbretërie të vogël kundrejt një perandorie të madhe. Shumë autorë shqiptarë dhe botërorë ndër shekuj janë mahnitur nga strategjitë luftarake që ka përdorur Skënderbeu, me ushtritë e tij të vogla me forcat shumëfish më të forta pushtuese. Çështja e dytë pse e lartësojnë Skënderbeun është se rezistenca e tij ka qenë një frymëzim i atdhedashurisë nëpër shekuj, një ide që nuk ka vdekur asnjëherë edhe në kohët kur shqiptarët kanë udhëhequr në Perandorinë Osmane. A ka vend për rivlerësim për epokën e Skënderbeut? Ndoshta aspekti që do rivlerësuar është pikërisht ajo rezistencë e tij! Nëse e lexojmë Barletin, do të shohim një detaj që nuk e hasim fort te autorët tanë, e kjo është se rezistenca e tij pabarabartë ndaj pushtuesit, e ka sjellë vendin e tij dhe të fqinjëve aleatë buzë greminës në kuptimin e shterjes së burimeve njerëzore. Vetë Barleti vë në dukje momentet dramatike kur Skënderbeu e ka vështirë që pas çdo beteje të rekrutojë ushtarë të rinj, sepse me mijëra kanë mbetur të vdekur në beteja, saqë në betejat e reja është detyruar të rekrutojë ushtarë në moshë fare të re. Cila është dilema që ndoshta duhet të debatohet? Ndoshta pakti që nuk e ka bërë me Turqit, përveçse në disa raste për dorëzim-pranim të kështjellave(Svetigradit ose Beratit). Për çfarë pakti? Turqit osmanë i kanë ofruar mundësinë që të qeverisë me vendin e tij në këmbim të lojalitetit ndaj sulltanit. Edhe pse historia nuk shkruhet me supozime, do të ishte me interes të trajtohet kjo, ngase ka pasur shumë princër në Ballkan që me vasalitetin ndaj një perandorie të madhe, në masë të madhe kanë kursyer humbjet e panevojshme. Lavdia që e ka epoka e Skënderbeut, mund të jetë e kufizuar në afatin sa ka zgjatur ajo periudhë, por kjo nuk e ka penguar pushtimin pas vdekjes së tij. Çka do të ndodhte nëse ai do të pranonte të ishte lojal ndaj Portës së Lartë, athua Shqipëria do të mbetej me shekuj si një njësi administrative me qeverisje autonome, që më lehtë në shekujt vendimtarë do të kishte shtrirje më të gjerë…Të gjitha këto janë supozime, por, të debatueshme, të cilat nuk do ta zbehnin figurën e Skënderbeut.

Më mirë një temë e tillë, se bie fjala të harxhohej energjia nga disa autorë të dëshmonin me ngulm se a ka qenë nëna e Skënderbeut shqiptare apo sllave, një debat fare i parëndësishëm, sepse edhe po të mos kishte qenë, ai fakt nuk e mohon kombësinë e tij shqiptare përderisa ka qenë nga familje bujare shqiptare. Ata që u futën në këtë debat e që kishin qëllime të mbrapshta duke pohuar se nëna e Skënderbeut ishte sllave, mund të thuhet se morën përgjigjen e duhur nga historianë seriozë.

Por, ajo që është më brengosëse sa i përket mohimit të Skënderbeut, janë kategoria e dytë e njerëzve, ata që mohojnë duke u nisur nga motivet fetare. Sepse më nuk bëhet fjalë për ndonjë autor me qëllime të mbrapshta për shkaqe mercenarizmi, por për vetëdije të ngulitur si rezultat manipulimi me ndjenjat fetare. Çka mund të thotë një mysliman i devotshëm nëse dikush del e thotë se Skënderbeu nuk ka luftuar aq për vendin e tij, sa për të mbrojtur krishtërizmit. I keqpërdorin edhe fjalët që i ka thënë ose nuk i ka thënë vetë Skënderbeu, ose i stërdimensionojnë në kontekstin që duan ta paraqesin, si “atlet i Krishtit”. Një mysliman i devotshëm dhe i indoktrinuar nga ndonjë imam shkurtpamës, do të thotë çka na duhet një atlet i Krishtit i cili ka vrarë myslimanë?! Shumë argument “i fortë”! Pikërisht teza se Skënderbeu “ka vrarë myslimanë” bën që disa të tallen me përmendoren e tij në Shkup dhe ta quajnë “kali”( “shihemi te kali”, diç që është e ngjashme me atë shprehjen e beogradasve (“vidimo se kod konja”) duke aluduar te përmendorja e Knjaz Mihajlit hipur në kalë! Për të keq sa mirë i kopjojmë serbët!).

E keqja është se këta që thonë se Skënderbeu ka vrarë myslimanë është se ata “kanë të drejtë”, nëse e vërteta shikohet njëanshëm. Nëse ushtritë që kanë ardhur ta robërojnë vendin e tij kanë qenë myslimane, atëherë gjithçka është e saktë, sepse vërtet ka vrarë ushtarë të ushtrive që kanë tentuar ta pushtojnë vendin e tij. Por, pyetja që nuk e shtrojnë dhe nuk duan të ballafaqohen një numër jo i paktë i këtyre shqiptarëve të indoktrinuar është se a ka bërë luftë të drejtë Skënderbeu që ka luftuar kundër robëruesve apo jo? Ata nuk duan të vihen në pozitën e Skënderbeut e as të popullit që ai e ka organizuar në rezistencë kundër pushtuesve. Ky mysliman i devotshëm i ditëve të sodit, bie fjala, si do të shikonte ndaj një ushtrie që vjen me daulle e shpata të pushtojë trojet e tij? A do ta priste me lule, apo edhe ai do t’ia kundërvinte shpatën. Ky mysliman i sodit që Skënderbeun e shikon me sytë e sodit, të kthehej 550 vjet prapa kur nuk ka mundur të jetë mysliman, si do ta trajtonte ushtrinë e huaj të ardhur prej kushedi ku për t’ia prishur rehatinë, t’ia marrë mbretërinë dhe ta nënshtrojë e bëjë shërbëtorë? A ka lidhje feja me lirinë? A ka lidhje se i çfarë feje është ai që të vjen dhe të pushton e të nënshtron?

Nuk dua t’i quaj ashtu, por të ashtuquajturit “mjekrosha”, sikur janë të zhveshur nga nacionalja dhe sikur janë të verbuar deri në atë shkallë, saqë edhe të keqes i thonë të mirë, vetëm pse ka ardhur nga një “ushtri myslimane”, anise pushtuese, robërësuee e nënshtruese si të doni. Në vazhdim do t’u përcjell shkurtimisht pjesë të një “debati” “pa teklif” midis të njohurish, që nuk mund t’u them se bien nën grupin e përmendur, por, gjykimi i tyre kundrejt të kaluarës, dhe Skënderbeut, ishte përplot paragjykime. Unë parapëlqej këta dialogjistë t’i quaj besimtarë të devotshëm, me të cilët këmbyem mendimet pro dhe contra Skënderbeut në një ndeje. Duke parë se anonin nga pushtuesit vetëm pse kanë qenë myslimanë, unë u mundova në disa “pyetje logjike” t’i shtyj t’i gjejnë vetë përgjigjet.

U thashë sa është myslimane dikush të vijë e të ta marrë shtëpinë, tokën, mallin tënd…? A ia jep këtë të drejtë Kur’ani dikujt vetëm në emër të islamit?

M’u përgjigjën: nuk është e thënë…

Pyetja tjetër logjike: Sa ka elemente myslimane, bie fjala, të vijë ai pushtues në shtëpi, të të rrëmbejë djemtë siç ia bënë osmanët Gjon Kastriotit dhe shumë shqiptarëve që ua merrnin djemtë(i ashtuquajturi “haraç në gjak”) dhe pastaj t’ua shpërlajnë trurin dhe t’i kthejnë si ushtarë të çartur kundër baballarëve të tyre? Sa ka myslimane në këtë veprim?

Me gjysmë goje m’u përgjigjën se nuk është e drejtë dikujt t’i rrëmbehen fëmijët dhe t’i kthejnë kundër baballarëve të tyre.

Pastaj pyeta aspektin moral: ç’lidhje ka me parimet islame ushtria pushtuese t’i marrë “robëresha” vajzat më të bukura dhe t’i çojë në haremin e Sulltanit? Si do ta kishit pranuarju si prind që t’ua rrëmbejnë me zorr bijat prej shtëpie për t’i çuar si vajza haremi? Dhe çfarë lidhje ka kjo me moralin islam?

Jo, po nëse e kanë bërë nuk është në rregull…thanë, por sikur nuk u pëlqente të jetë e vërtetë kjo.

A nuk e dini që ka pasur hareme dhe se me qindra vajza të rrëmbyera pas pushtimeve që kanë bërë ushtritë osmane, kanë pritur “në rend” për qejfet e Sulltanit?

Mbetën pa tekst…

Ndoshta debati që zhvilluam rrëshqiti në banalitet për këta bashkëbiseduesit e mi, por kur Skënderbeun e akuzojnë se ka vrarë myslimanë, duhet të dinë se çfarë myslimanësh ka vrarë dhe ku i ka vrarë. Se ata myslimanë kanë qenë pjesëtarë të një ushtrie pushtuese, e cila ka ardhur të luftojë në vendin e Skënderbeut, e nuk ka shkuar Skënderbeu t’i pushtojë myslimanët në vendin e tyre. Ka dallim qenësor këtu, apo jo. Se ajo ushtri pushtuese, si forma nënshtrimi i ka pasur rrëmbimin e fëmijëve në emër të haraçit në gjak dhe se pas çdo fushate ushtarake në plaçkën e luftës janë marrë pa vullnetin e tyre dhe të prindërve, qindra vajza të reja për t’i bërë robëresha në oborrin e sulltanit ose qeveritarëve të sulltanit.

Dhe pyetja që do të duhej një mysliman shqiptar që ia mohon Skënderbeut të drejtën për për mallin e babës që me forcë ia kishin, për popullin e vet që e kishin robëruar, është se si do të silleshin sot po të vinte një ushtri, siç ka ardhur ajo e Perandorisë Osmane, duke rrëmbyer djem e vajza? A do të thotë se i krishteri nuk duhet ta mbrojë atdheun e vet nga një ushtri pushtuese vetëm pse ajo qenka myslimane? Kush ia jep të drejtën kësaj ushtrie myslimane të pushtojë e nënshtrojë toka e popuj të tjerë? Këto janë faktet dhe parimet që duhet peshuar gjatë vlerësimit. Këto pyetje, çdo besimtar shkurtpamës duhet t’ia shtrojë imami të cilit do t’i rrëshqiste goja e ta shante Skënderbeun pse ka vrarë myslimanë. Janë pyetje që duhet të japin përgjigje e jo të mundohen të relativizojnë në emër të fesë. Asgjë nuk mund të bëhet në emër të fesë që është në kundërshtim me parimet e fesë. Çdo ushtri pushtuese shkel me dy këmbë dhe i përdhos në ato parime. Sepse nuk mbajnë as argumentet e xhihadit që ndoshta dikush e parapëlqen, sepse nëse kanë ardhur, të na e sjellin fenë, siç ndonjë naiv mundohet të argumentojë si “dobiprurje” nga pushtimi, sepse, me çka arsyetohet pushtimi dhe robërimi i popujve myslimanë, prej të cilëve vetë pushtuesit osmanë e kanë marrë fenë?

Këto debate vërtet janë jashtë binarëve, të vlerësosh një figurë historike me kontekstin e shekullit 21, është naiv dhe joproduktiv, sidomos nëse dikush niset nga fakti që shqiptarët sot janë mbi 70 për qind(apo ç’thonë statistikat?) myslimanë dhe me këtë, t’i besojnë ndonjë dallkauku që do të thotë se si i krishterë Skënderbeu shqiptar, “nuk i përfaqëson të gjithë shqiptarët”! Po shqiptarët në kohën e tij kanë qenë 99 për qind të krishterë dhe normalisht, duke i mbrojtur dhe i ka përfaqësuar ata. Por, në këtë vit të Skënderbeut, historianët e mirëfilltë e kanë përsëritur faktin, që të indoktrinuarit nuk duan ta dinë, se në shekullin 15-të, sikundër edhe sot, ka pasur aleanca politike e ushtarake. Në ushtritë e Skënderbeut ka pasur ushtarë që janë rekrutuar nga principatat fqinje, qoftë shqiptare, qoftë të tjera, për të luftuar kundër pushtimit osman(mysliman), porse Skënderbeu ka qenë edhe në aleanca të krishtera(me mbretin e Napolit) kundër të krishterëve që kanë qenë armiq të tij!

About admin

x

Check Also

Si i manipuluan grekët dokumentet e Venedikut për Shqipërinë

July 31, 2019 Që Çamëria e Himara ishin shqiptarë në mesjetë, historiani ...