Home / Intervista / “Për sjelljen e Ramës, studentët dhe gjirizet e sistemit anti-sistem”

“Për sjelljen e Ramës, studentët dhe gjirizet e sistemit anti-sistem”

December 16, 2018 

“Për sjelljen e Ramës, studentët dhe gjirizet e sistemit anti-sistem”

Nga Arkiva

Pse Rama i mëshon gjithnjë e më shumë lojës së ftesave që u drejton mes rrjeteve sociale studentëve?

“Mjerisht në formë të papërshtatshme, provokative e jo serioze, duke i trajtuar studentët si fëmijë të llastuar, ndaj të cilëve ai “detyrohet” të bëjë edhe bufonin për t’i tërhequr në tryezën e bisedimeve” – thotë Pëllumb Xhufi në këtë intervistë për DITA, duke e quajtur këtë sjellje një “lojë të padenjë dhe joedukative për një Kryeministër, që është edhe prind studentësh”.

Për Xhufin, një nga ikonat e mendimit të majtë në Shqipëri PS dhe PD janë bashkëfajtore për situatën e sotme të universiteteve dhe gjendjes së shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

“PD e pushtoi universitetin me gjysmë analfabetë e të korruptuar për të ushqyer mitingjet histerike të saj. PS u shkeli syrin universiteteve private dhe drejtuesve të tyre milionerë. PD  krijoi një sistem krejtësisht të molepsur e të korruptuar, ku sot, gjithçka e gjithkush, duhet të kalojë në vetting sepse tek të gjithë ka hyrë e keqja. Rlindja e Ramës ndoqi të njëjtën hulli të hapur nga PD të bazuar në plaçkitjen e pasurive publike”- thotë ai në intervistën dhënë gazetarit Erion Habilaj, botuar sot në DITA.

 


Pëllumb Xhufi:
 Një shkundje e fuqishme, një tentativë për të dalë nga letargjia, një rilindje e vërtetë, një yll polar që do udhëheqë sot e tutje betejat për demokraci. Duke thënë këtë, jam edhe unë i ndërgjegjshëm si shumë kolegë të mi dhe si vetë studentët, për kufizimet e të metat që barti, e nuk mund të mos bartëte kjo protestë, e para protestë vërtet demokratike dhe e sinqertë në vitet e fundit.Erion Habilaj: Profesor, si e vlerësoni protestën e studentëve që vijon prej më shumë se 10 ditësh? 

Protesta e studentëve ishte shkolla më e mirë e kulturës dhe e demokracisë që iu dha politikës, mediave dhe gjithë shoqërisë shqiptare, të barbarizuara, të brutalizuara e të korruptuara pikërisht atëherë kur gjithkush mendonte se kishte filluar era e transformimit evropian të Shqipërisë.

Protesta demaskoi rolin e mbrapshtë që ka luajtur politika në këta 30 vjet të tranzicionit post-komunist. Partia Demokratike e shpërdoroi konsensusin popullor dhe shansin e saj për ta udhëhequr transformimin demokratik të vendit, duke krijuar një klimë konflikti e frike, duke shkatërruar nga themelet gjithçka të trashëguar nga e kaluara, të keqe e të mirë, duke besuar se gjithçka duhej ngritur nga e para: ekonomia, arsimi, shkenca, kultura, drejtësia, policia, ushtria, diplomacia. Pra, një shtet nga e para!

Sot, në dritën edhe të protestës studentore, ne konstatojmë se PD, duke tundur fort flamurin e antikomunizmit, krijoi një sistem krejtësisht të paaftë, të molepsur e të korruptuar, ku sot, gjithçka e gjithkush, duhet të kalojë në sitën e vettingut: gjyqtarët, prokurorët, policët, partitë politike, shoqatat jo fitimprurëse, universitetet, profesorati, federatat e sportit, shoqatat e të përndjekurve politikë. Tek të gjithë ka hyrë e keqja.

Siç vëren mjeshtërisht politologu i ri B.Kajsiu në një analizë të pak ditëve më parë, edhe qeverisja e Partisë Socialiste ndoqi të njëjtën hulli të hapur nga demokratët. PS u kthye në një alter ego të Partisë Demokratike në përqafimin e një politike ekonomike të stilit neo-liberist të zbatuar “alla shqiptarçe”, d.m.th. të bazuar jo në zhvillimin makar edhe të pakontrolluar e të paharmonizuar të ekonomisë, por të bazuar në plaçkitjen e pasurive publike, nëpërmjet koncesioneve e privatizimeve të pasurisë publike me qëllim përfitimin personal.

Po aq e ngjashme ka qenë PS me PD edhe për sa i përket ndërtimit të sistemit politik. Mjafton të shohësh se si këto dy parti nuk flasin fare për nevojën e anulimit të ndryshimeve liberticide të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të realizuara me ujdinë PD-PS të vitit 2008. Siç përvoja e këtyre viteve ka treguar tashmë, ato ndryshime ishin atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit. Nuk bëzan për zhbërjen e atyre ndryshimeve as partia që atëherë i kundërshtoi me forcë ato. Me sa duket, në gjirizet e sistemit anti-sistem të inauguruar nga ndryshimet në fjalë, edhe LSI ka gjetur strofkën e saj të ngrohtë të pushtetit.

I keni dëgjuar kërkesat e studentëve, janë të drejta dhe të realizueshme nga qeveria?

Të gjitha të drejta, por dy prej tyre i gjej tejet dinjitoze që lidhen drejtpërsëdrejti me statusin e me aspiratat e një studenti të vërtetë: kërkesa për të patur kushte të përshtatshme studimi: libra, biblioteka, laboratore dhe, gjithashtu, kërkesa për të patur pedagogë të denjë, të aftë e të ndershëm.

Përse u arrit në këtë gjendje. A ka përgjegjësi qeveria në këtë situatë?

Përgjegjësitë fillojnë me PD, që e pushtoi universitetin në mënyrë të programuar, me militantë gjysmë analfabetë e të korruptuar, drejtues të emëruar e të përjetshëm, që u përpoqën ta kthejnë universitetin, me studentë e pedagogë, në një detashment blu për të ushqyer mitingjet histerike të saj.

Patjetër ka përgjegjësitë e saj edhe PS që u soll sikur të ishte një parti lordësh të epokës elizabetiane. Me Ligjin e ri të Arsimit të Lartë (2015) u shkeli syrin universiteteve private dhe drejtuesve të tyre milionerë, dhe u tregua indiferente e shpërfillëse ndaj universiteteve publike, madje i plaçkiti ato: u mori auditorët e zyrat për të futur aty “agjencitë” e veta të panumërta, të paemra e të papuna, ku sot e gjithë ditën qëllon të shkëlqejnë me kotësinë e tyre shumë nga djemtë e çupat e “rilindjes”.

Të njëjtën linjë sjelljeje ndaj institucioneve publike, ka mbajtur në këto vite qeverisja e PS edhe ndaj RTVSH, ndërkohë që begenisjet e përkujdesjet e saj e të Kryetarit të saj janë të gjitha për televizionet private. Me këtë raport të përmbysur mes publikes e privates, socialistët dhe vetë z. Rama nuk kanë pse çuditen për incidente si ai i protestës “ovale” (me vezë) të ndonjë viti të shkuar, kur Kryeministri e pa me vend të shkelë për herë të parë në një auditor të Universitetit të Tiranës, por jo për t’u takuar me studentët, por me përfaqësuesit e biznesit! Natyrisht, në këtë kontekst, kuptohen fare mirë edhe arsyet e pakënaqësive që studentët po shprehin sot.

Mendoni se do ketë një reflektim nga ana e Qeverisë?

Deklarata e Kryeministrit mbi “shuplakën” që qeveria mori nga manifestimet e studentëve,  më në fund le të shpresosh për një reflektim të ndjerë e të sinqertë nga ana e tij dhe e qeverisë socialiste. Megjithatë, nga momenti kur studentët artikuluan qartë e seriozisht grup-kërkesat e tyre, Kryeministri për mendimin tim duhet të ishte përgjigjur po aq seriozisht duke thirrur një mbledhje urgjente të qeverisë, ku të diskutohej ekskluzivisht për protestën dhe për kërkesat e studentëve dhe ku të vendosej krijimi i një grupi pune për trajtimin e tyre.

Nuk e bëri këtë, preferoi një komunikim në distancë, ndonjëherë me tone fyese e irrituese. Preferoi, gjithashtu, të bëjë protagonistin, duke nxjerrë jashtë loje, si gjithnjë, strukturat institucionale, shtetërore e partiake. Në kushte të tilla, komunikimi ra pashmangërisht në nivelin e cinizmit, fobive e të humoreve të paqëndrueshme të kryeministrit. Duhet pranuar, se studentëve iu desh të ndeshen edhe me këtë vështirësi-shtesë, që është natyra e karakteri i shefit të qeverisë. Por e kapërdinë edhe këtë, me një pjekuri e tolerancë të admirueshme, nga e cila mund të mësonte, pse jo, edhe vetë z. Rama.

Studentët kanë vënë si kusht se nuk do të ulen në asnjë negociatë me qeverinë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Në gjykimin tuaj, a duhet të ketë një tryezë për të shqyrtuar kërkesat?

Duhet të ketë, dhe këtu bashkohem me gjithë miqtë e kolegët që janë shprehur për këtë çështje këtu në DITA, si M. Zeqo, F. Tarifa, si edhe N. Ceka apo A. Fuga. Thuhet se studentët kanë frikë se mos Kryeministri i sygjestionon, i ndan, i manipulon. Vërtet është i aftë për aq shumë? Vërtet të jenë ata aq të pafuqishëm?

Studentët duhet ta dinë, se edhe kasaphanat më të përgjakshme, siç janë luftrat botërore, përfundojnë ditën kur palët e interesuara vendosin një firmë mbi një copë letër të shkruar. Në një logjikë demokratike, siç është kjo e lëvizjes së tyre të protestës, bisedimet e akordimet përbëjnë rregullin. Nuk duhet të kenë frikë, e as të impresionohen nga gjatësia e as nga logoreja e Kryeministrit, nëse këtu qëndron problemi. Gjatësia e logoreja e z. Rama, më shumë se forca janë fatkeqësia e tij: zullumet apo gënjeshtrat e burrave trupmëdhenj e fjalëshumë shfaqen në përmasa kolosale, edhe kur janë të vogla.

Pra, të shkojnë e ta takojnë Kryeministrin, i cili pretendon se është akoma “një prej tyre”. Jam i sigurt, se do jetë ai që do druhet prej studentëve. Sidomos, kur do shohë se studentët do shkojnë tek ai jo për të kërkuar bojra e penela, nuk do të shkojnë për të kërkuar para për një kafe qyl në ditë apo për një “disko” falas në javë në lokalet e Bllokut, por do i kërkojnë më shumë libra, më shumë biblioteka, më shumë laboratorë, më shumë shkencë. E njëherësh, do i kërkojnë spastrimin e katedrave nga mediokriteti, nga militantizmi politik e nga korrupsioni.

Nëse studentët duan ta sfidojnë e t’ia mbledhin vërtet Kryeministrit, të dërgojnë tek ai një përfaqësi ku të mos mungojë “marksisti” me emrin e tmerrshëm Arlind Qorri. Kanë për të parë se nuk do guxojë ta shohë në sy. Megjithatë, për të mos rënduar estetikisht veshët delikatë të Kryeministrit, nëse duan të jenë këmbëngulës, por edhe tolerantë, le të përfshijnë në delegacion edhe studentë me emra fisnikë të tipit “Konti”, “Komneni”, “Duka”, “Beu”, “Pasha”, “Kardinali”, “Papa”, “Mullai”, “Bektashi”, “Hoxha” (jo, “Hoxha” jo!).

Por edhe këta nuk mund të jenë veçse “marksistë” për sa kohë që shkojnë aty si përfaqësues të një shtrese të varfër e të neglizhuar nga qeveritë “aristokrate” demo-socialiste të këtyre 30 vjetëve. Mos kompleksohen nga “antimarksizmi” i Kryeministrit. Produkt i një lëvizje të ngjashme studentore me tone të forta “marksiste”, asaj të vitit 1968, ishin edhe disa burra të shquar shteti, si Klinton, Blair, Robertson, Solana, Fischer, d’Alemma, Fassino, Veltroni të cilët në vitet ’90 drejtuan gjysmën e botës dhe që në vitin 1999 udhëhoqën fushatën për çlirimin e Kosovës. Sot shqiptarët u pijnë atyre dollinë, siç shpresoj që një ditë do pijnë edhe dollinë e vajzave e të djemve të tyre, studentëve të vitit 2018.

Përse kryeministri këmbëngul kaq shumë për të pasur dialog?

Nëse do mendoja keq, do thoja se Kryeministri këmbëngul për dialogun, pasi e ka kuptuar se dialogu është thembra e Akilit, pika e dobët e një lëvizjeje, që ka shumë shpirtra e që ende nuk është homogjenizuar në idealet e kërkesat e saj. Kërkesa për dialog nga ana e z. Rama e vë gjithashtu në pozitë të vështirë lëvizjen studentore në raport me opinionin e gjerë publik, që e ka mbështetur fuqishëm atë, por që gjithashtu mendon se lëvizja nuk duhet të rrëshqasë drejt një përplasjeje “për jetë a vdekje” me qeverinë, aq më shumë kur vetë studentët deklarojnë se nuk e duan një gjë të tillë.

Z. Rama po i mëshon gjithnjë e më shumë lojës së ftesave që u drejton mes rrjeteve sociale studentëve, mjerisht në formë të papërshtatshme, provokative e jo serioze, duke i trajtuar studentët si fëmijë të llastuar, ndaj të cilëve ai “detyrohet” të bëjë edhe bufonin për t’i tërhequr në tryezën e bisedimeve. Jam i bindur se kjo lojë e padenjë e joedukative për një Kryeministër, që është edhe prind studentësh, duhet të marrë fund.

Por duke lënë mënjanë stilin katastrofik të komunikimit, për të cilin më në fund është i ndërgjegjshëm edhe ai vetë, duhet të them se edhe nëpërmjet këtij dialogu në distancë me studentët, më duket se shoh një dëshirë reale të Kryeministrit, që ashtu si në rastin e vettingut për gjyqësorin, dëshiron të rrëmbejë flamurin e meritën e një zgjidhjeje ballore të problematikës së universitetit. Z. Rama e ka deklaruar më se njëherë, se është gati për ta shfrytëzuar një moment të tillë për të shkuar edhe përtej kërkesave të studentëve. Dhe nuk shoh arsye për të mos ta shfrytëzuar këtë rast për një kapje globale të çështjes universitare në Shqipëri.

Dhe nëse studentët do duan të shohin përtej 8 kërkesave e do duan t’i bëjnë një shërbim të paçmueshëm shoqërisë shqiptare, le të shtrojnë tek takimi me Kryeministrin edhe problemin e reformës zgjedhore e të asaj kushtetuese, për të cilin qeveria dhe akoma më shumë opozita heshtin. Kjo do të sillte hapjen e sistemit dhe mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqiteshin parti të reja.

Dhe për ta thënë deri në fund dëshirën time, do të doja që këto parti të reja, qofshin të majta, të qendrës apo të djathta, të ishin produkt i kësaj lëvizje të madhe studentore të vitit 2018.

Shikoni një tentativë për ta instrumentalizuar protestën, duke u përdorur politikisht? Mendoni se kjo protestë mund të përshkallëzohet në dhunë?

Kaloj çdo ditë afër vendit të protestës, kur shkoj e kthehem nga puna, dhe nuk e kam të vështirë të dalloj se si në marzhet e protestuesve lëvrijnë hiena partish e shoqatash çfarëdolloji. Ndonjë prej tyre, armatosur me kallashnikovë e kundratankë, e kemi parë të veprojë në ngjarje të viteve të shkuara, kur sulmoheshin institucione, komisariate, reparte të ushtrisë e vetë selia e Kryeministrisë.

Rrotull studentëve sillen pjesëtarë të kontingjenteve paraushtarake të partive, njerëz barbarë e të dhunshëm, nga ata që gjatë çdo fushate zgjedhore kryejnë sulme kundër kundërshtarëve politikë, merren me zbatimin në terren të skemave të vjedhjes së votave, apo që kanë për detyrë ta kthejnë çdo manifestim paqësor në një sulm të dhunshëm kundër intitucioneve. Edhe kur vijnë nga partitë politike, edhe kur vijnë nga sindikatat e “pavarura” apo nga shoqatat e të përndjekurve politikë, edhe kur paraqiten mbuluar me flamurin kombëtar, edhe kur sot, në vitin 2018, vazhdojnë të thërrasin “Liri, Demokraci”, edhe kur thërrasin “Poshtë Komunizmi”, edhe kur ulurasin “Poshtë hajdutët”, këta individë janë armiqtë e përhershëm të shtetit e të shoqërisë shqiptare.

Historia na mëson se individë të tillë më së shumti janë paguar nga qendra të huaja. Ndaj tyre duhet t’i mbajnë sytë pishë organet e sigurisë, por edhe vetë studentët, të cilët kanë axhendë të ndryshme nga zjarrvënësit e Shqipërisë. Unë mendoj, se me një ndjenjë përgjegjësie e patriotizmi, studentët duhet ta shikojnë seriozisht rrezikun e infiltrimeve të tilla në lëvizjen studentore. Nga ana tjetër, një gjë rrezik i tillë  e bën më urgjente e të arsyeshme pranimin e dialogut me qeverinë, dhe e bën më të paarsyeshme e të rrezikshme këmbënguljen për të refuzuar çdo dialog me të.

Pamje nga protesta

A duhet të largohet ministrja e Arsimit?

Sot (dje), ditë e shtunë, duke kaluar para Ministrisë së Arsimit vura re se muret e jashtme të saj ishin pastruar nga parullat e “memet” e lëna nga studentët gjatë ditëve që manifestuan përpara atij institucioni. Mu duk një tentativë qesharake për të “shpëlarë kujtesën”, për të fshirë historinë e bukur të këtyre ditëve. Dhe u binda përfundimisht që zonja Nikolla duhet të iki, megjithëse studentët nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë.

Kam qenë gjithnjë i prirur ta respektoj e ta vlerësoj zonjën Nikolla në rolin e saj institucional. Por nuk mund ta fsheh se jam ndër më të zhgënjyerit. Mandatin e parë të saj, plot 4 vjet, ajo dhe gjithë stafi i saj e kaluan të shpërndarë si zoqtë e korbit, në ndërtesa të ndryshme nga njeri cep i Tiranës tek tjetri, ndërkohë që ndërtesa e Ministrisë pësonte transformimin e “lyerjen” e radhës, edhe pse një punë e tillë ishte bërë pak vite më parë nga paraardhësi i saj. U bënë shpenzime kolosale, besoj, për ta ndryshuar kryekëput pamjen e brendshme të Ministrisë, me tavanë të varur, me kondicionerë superluksozë të padukshëm, me lojna e me bojna, duke kryer edhe një masakër estetike ndaj një ndërtese, që është ndërtesë historike dhe si e tillë nuk duhej shpërfytyruar në atë farë feje.

Kush ka patur rastin të hyjë në Ministritë e ndryshme të Francës, të Italisë, Britanisë Madhe apo Austrisë, ka vënë re se ato janë po ato që kanë qenë edhe para 300-400 vjetësh. Aty një ministër i vitit 2018 e ka për nder të barisë nëpër të njëjtët korridore, të hyjë nëpër të njëjtat zyra e të punojë në të njëjtat tryeza ku kanë baritur, hyrë e punuar ministra të shek. XIX, pale pale ata të shek. XVII! Sigurisht, Ministrja e ka baltosur edhe me gjëra të tjera, ku kryesorja, sipas meje, është vrasja e meritokracisë dhe betonizmi i mediokritetit në universitete, të cilin sot studentët sot kërkojnë ta shfuqizojnë me kërkesën e zgjuar për rivlerësimin e titujve shkencorë.

Por gjesti i fundit, bojatisja me nxitim e parullave të lëna nga protesta studentore vetëm një ditë pas saj, tregon se ndryshe nga Kryeministri, Ministrja e Arsimit nuk zotëron sensin e shakasë e të ironisë me të cilën studentët “maskuan” revoltën e tyre të ligjshme, dhe se ajo ende nuk e ka ndjerë“shuplakën” e studentëve të saj. Ndaj, më mirë të largohet, do shpëtojë arsimi e shkenca, do shpëtojë edhe ajo vetë nga një barrë që është tepër e rëndë për shpatullat e saj.

Dhe me që është rasti, do doja shumë që ndër kërkesat “shtesë” që Kryeministri thotë se ua ka lejuar studentëve në një bashkëbisedim të pritshëm me ta, të jetë edhe kërkesa për krijimin e një ministrie të re të Arsimit të Lartë e të Shkencës që të merret seriozisht me të ardhmen e këtyre dy sektorëve jetikë për formimin e rinisë dhe zhvillimin perspektiv të vendit. Ndërkohë, mund të mbyllen ministri apo agjenci shtetërore të kota, degë të thara që s’japin gjë, siç ishin deri dje Ministria e Integrimit apo Ministria e Administrimit Dixhital (në mos gaboj quhej kështu, apo diçka e ngjashme), të cilat u mbyllën pa mundur të lënë ndonjë kujtim, të ëmbël apo të hidhur qoftë.

*****

Intervistoi Erion Habilaj / Botuar sot në DITA

About admin

x

Check Also

Spartak Braho: Berisha është agjent i serbëve, kam prova!

22  Shkurt 2019 1 Ish-Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho ...