Home / Opinion / INJORANCA NUK ËSHTË ARGUMENT

INJORANCA NUK ËSHTË ARGUMENT

Shkruan Kolonel,Dilaver Goxhaj
Tiranë 01 12 2018
Para pak ditësh, një dashamir i imi më dërgoi përmes postës elektronike një opinion të shkruar nga një farë opinionisti në gazetën “Bota sot”, me emërin Milazim Maraj. Ky opinion qenka botuar në datën 11 tetor 2018. Shkrimi i Milazim Meraj është një reagim akuzues ndaj intervistës sime dhënë TV Dukagjinit disa ditë më herët nga ajo datë, ku unë qortoj mosrealizmin e detyrës nga ana e forcave tona në Koshare dhe në mal të Pashtrikut. Synimi i atij operacioni sulmues ishte hapja me çdo kusht e një korridori për të furnizuar me armë e municione gjithë formacionet e zonave operative të UÇK-së. Kjo detyrë ishte urgjente për ne, pasi kishim të dhëna se edhe NATO do të hynte me forca tokësore nga drejtimi i Maqedonisë. Gjë që ne na duhej të kalonim sa më shpejt në mësymje të përgjithshme.
E lexova shkrimin e Milazimit me kujdes e me qetësi, për ta kuptuar se ku donte të delte. Por ai vetëm se fyen e akuzon deri në tradhëti mua dhe shokët e tjerë hartues të atij plani. Kur shihja gjithë ato pyetje-akuzë ndaj nesh, e veçanërisht ndaj meje, dukej sikur kishte rreshtuar një batalion të tërë me akuza me synim që të na asgjësoi moralisht.
Emëri autorit, Milazim, sepse më dukej një emër i dëgjuar shpesh, por nuk po lidhja ngjarjen me emërin.
Dy Milazimët
Dhe më në fund m’u kujtua kënga popullore me vargjet: “Milazim, largo taborë, / se të skuq të bëj me bojë, Çerçis Topulli më thonë!”. Pra, Milazim quhej komandanti i taborit (batalionit) turk që rrethoi çetën e Çerçis Topullit para 110 vitesh, në Mashkullorën e Gjirokastrës time. “Me sa duket, thashë me vete, autori i shkrimit, Milazim Maraj, i paska vënë vetes detyrë të na “asgjësoi” ne, “çetën” që hartuam atë plan-operacioni. Por me një ndryshim. Milazimi i Turqisë donte ta asgjësonte fizikisht gjithë çetën e Çerçizit, kurse Milazimi i Kosovës kërkon të na asgjësoi moralisht gjithë “çetën” planizuese të Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së që hartoi planin e operacionit “Shigjeta”. Madje, Milazimi i Kosovës na akuzon ne edhe si vrasës të shokut tonë të luftës, Ekrem Rexhës, komandant Drinin.
Më rezulton gjithashtu se të dy Milazimët kanë edhe një përafrim tjetër mes tyre: nëse Milazimi i Turqisë u bë trim se kishte në dispozicion një tabor me ushtarë të një Perandorie të tërë, Milazimi i Kosovës, duhet të jetë bërë trim se ka pas vetes një gazetë të tërë me një staf sa një tabor, të një prej partive më të mëdha të Kosovës. Dhe ngaqë është kaq i fuqizuar, ka gjasa të ketë menduar se, ne të mbeturit gjallë nga “çeta” planizuese do të mund të pranojmë çdo shpifje-akuzë të tij. Kuptohet, kjo trimëri atij i vjen edhe për faktin se duhet të na masë me kutin e tij.
E di pse ti, Milazimi i Kosovës, m’u duke si Milazimi i taborit turk? Sepse ti nuk e ke vetëm me mua, por e ke me të tre ne që hartuam planin e opercionit “Shigjeta”: me mua, Drinin dhe Bislimin, gjë që në sasi i përafrohemi pak a shumë çetës së Çerçizit. Të kuptohemi, jo se ti Milazimi i Kosovës je si Milazimi i Turqisë, mos e dhëntë Zoti, por je i ngjashëm në qëllime me Milazimin e Turqisë. Të dy keni qëllim të asgjësoni kundërshtarin. Por përsëri ekziston edhe një dallim në qëllimet tuaja, që në duke duket si i vogël, por me shumë rëndësi. Në qëllimet e atyre të vitit 1908, Milazimi i Turqisë dhe çeta e Çerçizit përdorën armë zjarri, ndërsa ti Milazimi i Kosovës dhe unë, (përfaqësuesi i “çetës” së SHP të UÇK-së), përdorim mes veti bombardim me fjalë. Por, mos harro që plaga e fjalës ka pasoja më të dhimbshme se plaga e plumbit.
Ti Milazim, ngaqë ndoshta ke marrë pjesë ca ditë në luftë, pretendon se e njeh shumë mirë artin e luftës, sidomos atë të luftës frontale, pasi të tillë ishin luftimet, si në mal të Pashtrikut ashtu edhe në Koshare. Madje, ngaqë unë them të vërtetën, se forcat tona nuk e realizuan detyrën, pasi ushtria armike nuk i la të kontaktonin as me forcat e zonës së tretë operativ dhe as me të dytën, e quan: “Vlerësim i turpshëm”!
Po mirë, mor Milazimi i Kosovës, sipas teje cili është turp, mosrealizimi i detyrës, apo të thuash të vërtetën, e cila është: detyra për hapjen e korridorit të furnizimit nuk u realizua. Sipas teje është turp të thuash të vërtetën, apo është turp të mos realizosh detyrën, kur i ke pasur të gjitha mundësitë?! Madje, forcat tona sulmonin nga lartë-poshtë, një favor edhe më shumë pë forcat tona, sepse armiku e kishte tepër të vështirë për t’u marrë krahët apo për t’i rrethuar forcat tona. Apo, sipas teje, ngaqë u vranë rreth 200 luftëtarë mund të quhet fitore, edhe pse nuk realizohet detyra?
O Milazim i Kosovës, më vjen keq që po ta them, por nuk duhet lënë pa ta thënë një shprehje të Ajnshtajnit, që për faktin konkret të përshtatet shumë mirë: “Dy gjëra janë të pakufishme: gjithësia dhe injoranca, megjithëse për të parën kam rezerva”. A e merr vesh Milazim që injoranca nuk ka kufi?
Gjithashtu, o ti Milazim, që të bësh specialistin e një profesioni që nuk e njeh, sikundër bën ti, është imoraliteti dhe injoranca më e pakufishme. Dhe për të vërtetuar këtë injorancë tënden, po i marr me radhë të gjitha “turpet”-akuza që m’i ke reshtuar në formën e një tabori.

Intriga është krijimtari
Ti Milzim na thua se përmes fjalëve të mia kuptohet që: “Agim Çeku paska qenë fajtori për dështimin e këtij operacioni, pse u kishte mbyllur gojën këtyre kur u kishte thënë se është i porositur nga Amerikanët që të ndërhyhet nga Gorozhupi”. Dhe më tej vazhdon: “Kjo deklaratë e tij, ( e ke fjalën për mua), nxjerr në pah shumë gjëra: Agim Çeku paska qenë fajtori për dështimin e këtij operacioni.”
Milazim, pse je lodhur kaq shumë? Çekun atje e ke, shko e pyete, por lodhesh duke i rënë larg e larg. Apo ngaqë është politkan me funksione shtetërore dhe nuk ta mban fërcka. Apo, i tillë trim je ti? Prandaj dhe je çuditur, se si unë mora guximin e thashë një të vërtetë? E thashë atë të vërtetë se ashtu bëjnë të gjithë njerëzit e ndërgjegjshëm, o Milazim. Njerëzit e ndërgjegjshëm e kanë tepër të vështirë të falin atë të keqe, gjëmën për të cilën kanë lajmëruar se do të ndodhi, dhe që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë.
Sipas teje, Milazim, nuk është mirë të jesh i guximshëm e me karakter, se ndodh ajo që ka thënë dikur filozofi frances Paskal Blez (162ç-1662): “Duke treguar të vërtetën, mbyt besimin tek ajo”. Prandaj dhe ti nuk e beson. Thuhet se e vërteta triumfon gjithmonë, po ja që nuk është e vërtetë. U dashka dinakëri për të thënë edhe të vërtetën, por ja që nuk e zotëroj atë lloj dinakëri.
Ne, tre hartuesit e atij plani, (unë, Drini dhe Bislimi), e paralajmëruam me guxim të keqen që do të ndodhte nëse forcat kryesore i hidhnim në sulm në drejtim të Gorozhupit. Paralajmëruam, duke thënë, se po të jepej godija kryesore në drejtim të Gorozhupit, jo vetëm që do të pësonim humbje, por edhe operacioni nuk do ta realizonte detyrën. Dhe ashtu ndodhi. Madje, mësoje, se të gjithë të vrarët në mal të Pashtrikut janë vrarë në atë drejtim. Lufta ndryshon nga loja e shahut, Milazim, pasi në lojën e shahut ke kohë të mendohesh, për çdo lëvizje që bën, ngaqë je jashtë konditave të kohës, ndërsa në luftë mëndja duhet të jetë orë e çast në alarm. Prësa i përket përfundimit që ke nxjerrë, ndoshta nuk ke gabuar.
Po a e din ti, o Milazim, se ç’do të thotë të sulmosh në një terren malor shkëmbor duke qenë i pambrojtur nga zjarri i përqëndruar i një grupi artilerie obuzash, kur ti që sulmon nuk disponon të tillë artileri që të mund ta neutralizosh artilerinë e armikut? A e din ti, o Milazimi i Istogut, se për thyerjen e sulmeve të tilla, kjo lloj artilerie prandaj dhe është quajtur mbreti i maleve? Po, kë pyes dhe unë! Lodhja më e madhe mendore është kur mundohesh të bindësh të paditurin.

Intelektuali që me vetëdije thotë gjëra të rreme,
pavarësishtë nga dukja, përkrah forcat e së keqes.
Herman Hesse
Në një akuzë tjerë, ti Milazim beu thua: “Anëtari i shtabit Dilaver Goxhaj ka refuzuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK për të udhëhequr operacionin. Çka është kjo në Luftë?” Sipas teje, kam bërë tradhëti, prandaj më poshtë shprehesh: “Po të ishte çdo gjë në rregull ju zotëri do të duhej të përgjigjeshit para gjyqit ushtarak për kundërshtimin e urdhrit.”
Nuk thonë më kot se intriga qëndron më lart se talenti, pasi ajo nga hiçi krijon diçka. Dhe kjo aftësi intrigantit i kultivohet ngaqë është fëmijë i së keqes që rritet në gjirin e saj dhe nuk ndahet nga ajo. Këtë aftësi ti Milazimi i Kosovës e paske në mënyrë të përkryer. Nuk duhet me ta ngrënë hakun. Shtiresh sikur nuk më ke kuptuar dhe thua: “Goxhaj ka kundërshtuar urdhërin në luftë”. Jo, mor lumë madh, jo. Nuk më urdhëruan, por kur unë u propozova se ai operacion nuk mund t’i besohej një kuadri dosido, ata, duke mos dashur që të shkonte Bislimi, (për këtë pyeti ata se i ke atje), më sugjeruan nëse ishte mirë që të shkoja unë.
Pra, më sugjeruan nëse pranoja unë të kthehesha në Shqipëri e të organizoja e drejtoja atë operacion. Por jo se më urdhëruan. Si thua ti, nuk doja unë të isha në Shqipëri e pranë familjes, por doja të rrija në mes të plumbave dhe predhave të armëve të këmbsorisë dhe artilerisë serbe? Apo, sipas teje kam pas “mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota”. Kjo shprehje të len të kuptosh se duhet të kesh qenë ose të jesh punonjës a bashkëpuntor i ndonjë shërbimi të fshehtë, vendas a të huaj. Kam goditur vallë në shenjë, Milazim?
Helbete, një “atdhetar” si puna jote, i kujton të gjithë si veten e vet. Por ti, ngaqë ke ligësinë në shpirt, sidomos ndaj ne shqiptarët e shtetit amë, prandaj e quan urdhër sugjerimin e atyre. Me sa duket, vecse po të isha me “mission te caktuar” mund të vija unë nga Shqipëria e të luftoja në Kosovë, ndërkohë që ti e soi yt u larguat me kuç e me maç? Me sa duket, të gjithë ata shqiptarë që guxuan dhe u kthyen pushkën barbarëve pushtues serbë, të duken spiunë, ngaqë zotrote, me sa po duket, të qan zemra pse janë përzënë serbët nga Kosova. Kjo duhet të jetë baza urrejtjes së soit tënd ndaj ne të Shqipërisë së brendshme, si pasojë e atij bashkim-vëllazërimit. Por, nuk dua ta besoj këtë, duhet ta kesh nga padija, prandaj dhe nuk dallon dot urdhërin nga sugjerimi.
Sipas teje, Milazim, cila do të ishte më e mirë për Shtabin e Përgjithshëm të UCK-së: të lija detyrën e bashkëveprimit që mbaja me aviacionin e NATO-s e të kthehesha në Shqipëri dhe të drejtoja atë operacion, (ndërkohë që si unë Shqipëria kishte me qindra oficerë, për mos të thënë me mijëra), apo të shkonte një nga djemtë e Kosovës, sikundër u caktua koloneli Bislim Zyrapi? Si thua ti, ishte shumë mirë të largohesha unë që isha oficeri profesionist i mbajtjes të atij bashkëveprimi të forcave tona me aviacionin e NATO-s, kur oficerë të kësaj kategorie për momentin nuk kishte në UCK? Për këto arsye më quan me “mission te caktuar” e sabotator të atij operacioni?! Ç’mendje të hollë që paske! Lum Istogu që ka një instruktor për arsimin si ti!
Mësoje një herë e mirë, o ti Milazimi i taborit të akuzave dashakeqe: Është e pamundur të çnderosh atë që nuk e ka frikë vdekjen, sado që ta kesh shndërruar intrigën në art. Mua më urdhëroi detyra njerëzore të sugjeroja: “Është më e dinjitetshme që atë operacion ta drejtoi një djalë Kosove”. Kjo ndërhyrje e imia nuk ishte kundërshtim urdhëri, por meritë, o Milazim.
Çështja është se e njeh apo nuk e njeh ti dinjitetin! Kjo është çështja. Unë dhe shokët e mi që lamë familjet, duke u arratisur nga liria dhe erdhëm në luftë, nuk është se e kishim borxh që t’i bashkangjiteshim UÇK-së. Borxh dhe detyrë e kishit ju, të gjithë qytetarët e Kosovës me në krye “Komandanin tuaj të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës” (FARK-ut), që e kishte emërin Ibrahim Rugova. Por shumica absolute e trimave të Rugovës ia mbathi nga sytë këmbët, kurse Komandantin e nisët në Beograd t’i bënte thirrje NATO-s që të ndalonte bombardimet, dhe e latë Kosovën në mëshirën e fatit, dhe jo ne. Thonë se ti je kthyer e ke shkuar në Koshare, (nuk di sa është e vërtetë) kur doli thirrja për mobilizim të përgjithshëm. Megjithatë ai kthim, edhe në qoftë i vërtetë, nuk të justifikon, pasi, nëse është e vërtetë që je kthyer, je kthyer kur e pe se lufta do fitohej. Ta shpjegova më lartë se për cilët ishte thirrja.
Dhe, çuditërishtë, o ti Milazim trimi, arratisja e ime dhe e shokëve të mi nga liria në luftën për çlrimin e Kosovës rezultoi se ne u duheshim të gjithë atyre që luftonin, sikundër u duheshe edhe ti me shokët e tu. Ajo arratisje e jonë (jo e juaja) tregoi se pushteti i ndërgjegjes shoqërore tek ne ishte shumë i madh, i pakrahasushëm me ndërgjegjen tënde hipokrite. Ata që i bashkangjiten vullnetarisht e jo me mobilizim të përgjithshëm një lufte çlirimtare, kanë diçka të veçantë, Milazim; tek ata diçka kalit besimin në vetvete. Pikërisht për këtë arsye ata edhe vriten në luftë, ndërsa kallëpi yt jeton 1000 vjet.
Pa lene mo, thonë tiranasit, më akuzon edhe për “mision të caktuar, për të cilin ende nuk ka tregime të plota”! E di si i thonë kësaj,o Milizim: Thërret hajduti, kapni hajdutin! Nuk thonë më kot: Mos e pvet se flet vet.
-VIJON –

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...