Home / Lajme / E DREJTA PËR PËRDORIMIN E FLAMURIT SHQIPTAR NË MAQEDONI

E DREJTA PËR PËRDORIMIN E FLAMURIT SHQIPTAR NË MAQEDONI

 Abdulla Mehmeti

Si është e rregulluar kjo çështje me ligj në Republikën e Maqedonisë, në vazhdim mund të lexoni pjesë nga një analizë më e plotë për këtë çështje:

Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni, i cenon të drejtat themelore qytetare dhe kombëtare.

Në vitin 2005 u soll Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive (etnike) në Republikën e Maqedonisë, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve të të gjitha bashkësive etnike në këtë shtet, por pa theksuar në mënyrë të veçantë se për flamujt e cilave bashkësi etnike bëhet fjalë.
Për dallim nga ligji i vitit 1973, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve në nivel të kësaj ish republike jugosllave, si e flamurit republikan dhe e kombësive, me emërtim të saktë të tyre sipas përkatësisë etnike.

Me sjelljen e ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2005, jo që nuk u zgjidh në mënyrë të drejtë përdorimi i flamurit shqiptar, por edhe më tepër u përkeqësua mënyra e përdorimit të tij, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e tij, të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, më 18 korrik 2011.

Përderisa në nenin 6, alineja 1, të Ligjit për përdorimin e flamujve, i vitit 1973, thuhej:

,,Pjesëtarët e kombësisë shqiptare, turke dhe kombësive të tjera e grupeve etnike, dhe përfaqësuesit e kombeve të tjera të RSFJ, flamurin e kombësisë, grupit etnik, përkatësisht të republikës socialiste, mund ta përdorin lirisht në të gjitha rastet për të cilat është paraparë përdorimi i flamurit të RSM”.

Ndërsa, në lidhje me dimensionet e flamujve të kombësive, në radhë të parë të flamurit shqiptar, në nenin 8 të këtij ligji thuhej:

,,Dimensionet e të gjithë flamujve, gjatë përdorimit të njëkohshëm të tyre, patjetër duhet të jenë të barabarta”.

Për dallim nga këto përcaktime, me Ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, të vitit 2005, në asnjë rast nuk përmenden bashkësitë etnike, as asaj shqiptare, të cilave u njihet kjo e drejtë.

Për aq më tepër, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, në vitin 2011, u cenua rëndë e drejta e përdorimit të këtij flamuri në vendbanimet dhe komunave ku shqiptarët përbëjnë më pak se 50% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale (komunë).

Sipas neneve 2, 3, 4 dhe 5, të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2011, pas fjalës ,,pjesëtarët e bashkësisë”, u shtuan fjalët:

,,që janë më tepër se 50% e popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale”.

Ndërsa në nenin 6, thuhet: ,,Pas nenit 8 shtohet neni 8-a, i cili thotë:

„Neni 8-a
Flamuri i Republikës së Maqedonisë ngrihet me flamuj të tjerë në pajtim me ligjin dhe është me dimension më të madh nga flamujt tjerë për një të tretën.“

Shqiptarëve në Maqedoni, përveçse me këtë ligj u mohohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar në nivel të shtetit, kjo e drejtë u mohohet edhe në komunat ku nuk përbëjnë mbi 50% të popullsisë.

Po me këtë ligj, flamurit shqiptar, si edhe flamujve të bashkësive të tjera etnike, u janë zvogëluar dimensionet për 1/3 e tyre, në të gjitha rastet e përdorimit, sidomos gjatë përdorimit përkrah flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë.

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...