Kurti ka thënë se nuk mund të ketë pajtim me Serbinë ashtu siç pretendon presidenti Hashim Thaçi, pa pasur pajtim edhe subjektet politike mbi raportin me Serbinë.

Lideri i VV-së ka thënë se ashtu siç është votuar me shumicë dërmuese Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ngjashëm do të mund të votohej edhe qëllimi VV-së për raportin e ri me Serbinë.

“Nuk mund të pajtohemi me Serbinë, siç pretendon p.sh. presidenti, nëse nuk pajtohemi me njëri tjetrin mbi raportin me Serbinë. Unë jam shumë optimist që për qëllime tona që përkthehen në kërkesa ndaj Serbisë, ne mund të bëhemi bashkë në kuvendin e Republikës. Ashtu siç është votuar me shumicë dërmuese projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës ngjashëm do të mund të votohej qëllimi ynë për raportin e ri me Serbinë, e të cilin do ta karakterizon fqinjësia e mirë, paqja dhe integrimi evropian”, theksoi Kurti.

Ai është optimist se do të konsensusi në kuvend dhe në qeveri për kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë, pasi siç tha Kurti, faktet janë të forta.

“Jam optimist se do të mund ta ndërtojmë konsensusin parlamentar e qeveritar, konsensusin kombëtar, nacional dhe shoqëror për kërkesat tona ndaj Serbisë, sepse faktet janë kokë forta dhe ato i dimi që të gjithë ne. është dëm I madh për shtet ndërtimin, demokracinë, zhvillimin, drejtësinë , që neve në Kosovë na ka hyrë Serbia në mes dhe na ka përçarë. Ne mund të mos e ndërtojmë konsensusin për çështje të ndryshme të brendshme të Kosovës, andaj edhe e kemi pluralizmin partiak”, theksoi ai.

Kurti ka folur për dëmet e luftës të shkaktuara nga Serbia, si në njerëz dhe dëme materiale, duke thënë se Serbia i ka shumë borxh Kosovës, andaj kërkoi që të konkretizohet kjo kërkesë për këtë borxhli ndaj vendit tonë. Sipas tij, dëmi i përgjithshëm tejkalon 22 miliardë euro.

“Serbia nuk po na i kthen regjistrat civil dhe librat kadastralë. Ekonomia e Kosovës ngecë edhe për shkak të kadastrës të munguar ose të dobët. Sipas vlerësimeve nga viti 2001 të Institutit Riinvest, dëmet dhe pasojat nga lufta në ndërmarrjet shoqërorë janë rreth 1.3 miliardë marka gjermane. Dëmet në ndërmarrjet publike komunale arrin rreth 130 milionë marka gjermane. Vlerësohet se rreth 92 për qind e ndërmarrjeve private pësuan dëme të konsiderueshme nga lufta. Dëmi i përgjithshëm tejkalon 22 miliardë euro, sipas Institutit Riinvest. 22 miliardë euro na i ka Serbia borxh neve”, tha Kurti.

Ai shtoi se ka ardhur koha që Serbisë t’i bëhet një listë ku rreshtohen dëmet që ajo ia ka shkaktuar Kosovës. Kurti ka thënë se Fondi Pensional i Kosovës, i plaçkitur nga Serbia gjatë periudhës 1993 deri më 12 qershor 1999, Serbia iu ka mbetur borxh pensionistëve shqiptarë të Kosovës mbi 76 milionë euro.