Home / Opinion / AMBASADORI I BE, LUIGJI SORECA, PËR NGJARJEN E BULARATIT:

AMBASADORI I BE, LUIGJI SORECA, PËR NGJARJEN E BULARATIT:

“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë është një çështje dypalëshe. Është e rëndësishme për ne si BE që të dy vendet të gjejnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Po ashtu është e rëndësishme që minoritetet dhe pakicat në Shqipëri të mbrohen”.

(Këtë qëndrim europian, po e përcjell me fragmentin e mëposhtëm)

“MOJ EUROPE, MOJ……. !”

“… … kurvë e motit…”! Kështu pati shkruar Patër Gjergj Fishta këtu e një shekull më parë. Dhe jo në mënyrë të rastësishme. As në një moment nervozizmi e pakënaqësie të çastit, por i bindur në këtë përcaktim për kontinentin plak. Madje, për ta konkretizuar përcaktimin në fjalë, vargut “Moj Europë, moj kurvë e motit”, i shtoi edhe vargun tjetër: “Që i re mohit, besës e zotit”. Po për cilin mot e kishte fjalën Fishta ynë? Vetëm për vitin 1913, kur Europa na cungoi e na copëtoi pothuaj gjer në eliminim si shtet e si komb? Jo, poeti ynë i madh e kishte fjalën për shumë mote. Madje për të gjitha motet e historisë së Europës.
Saktësia e përcaktimit të Patër Fishtës është absolute. Gjatë gjithë historisë së saj Europa e kancelarive shtetërore e politike ka bërë “kurvën” në marrëdhënie me fqinjët e vegjël, veçanërisht me Shqipërinë tonë. Plot njëzet e pesë, Gjergj Kastrioti me arbërit e tij të pathyeshëm, u bë mburojë e Europës nga vërshimi otoman. Por Europa, pas vdekjes së prijësit tonë, ndonëse e pati quajtur “Kalorësi i Krishtit”, i harroi bashkëluftëtarët e tij, arbërit, për plot pesë shekuj nën thundrën e perandorisë otomane. Për më keq, kur kjo e fundit filloi të “tundte” këmbët, Europa hileqare, me traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit planizoi shpërbërjen e “barinjve shqiptarë” të Ballkanit, plan që e realizoi në vitin 1913, kur, atdheun e “Kalorësit të Krishtit” e cungoi në një të tretën e territoreve të tij etnike.
Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të njëzet, do të ishte përsëri vendi i Kastriotit me Enver Hoxhën në krye që, duke përzënë bazën ushtarake ruse nga Vlora, do t’i krijonte frymëmarrje të lirë jugut të Europës. E megjithatë kjo e fundit nuk begenisi të lëvizte prapanicën, qoftë edhe me një rezolutë, apo ligjëratë përshëndetëse e kurajoze.
Shembja e Murit të Berlinit, hapi për shqiptarët një epokë të re e gjithë shpresë për të ashtuquajturën “demokraci perëndimore”. Por kaluan tri dekada dhe “demokracia” e ëndërruar mbeti ëndërr. Dhe kjo për faktin se Kancelaritë europiane kanë mbetur në të njëjtat “shina” të kohës së Bismarkut.
Plot tri dekada Shqipëria po rrotullohet rreth boshtit të saj në përpjekje për të gjetur rrugën e integrimit në BE. Europa politike, sodit nga larg, duke lëshuar fraza e ligjërata si shashkat tymuese. Në këto tri dekada të aplikimit të “demokracisë perëndimore”, Shqipëria jo një herë u gjend buzë greminës. Dhe vetëm në momentet e fundit, kur “rreziku shqiptar” rrezikonte interesat e saj, Europa ka ndërhyrë, jo për të zgjidhur problemin, krizën apo kolapsin, por vetëm për ta përcjellë atë gjer tek stacioni tjetër i “ngërçit”, apo i krizës.
Ç’ e pengon Europë) të ndërhyjë për t’i dhënë fund këtyre ngërçeve tona permanente tridhjetë vjeçare? Detyrimi për të mos ndërhyrë “në punët e brendshme të Shqipërisë”, siç justifikohen përfaqësuesit e saj?!
Pallavra!
Nëse do të prekeshin interesat e Europës, ajo do të ndërhynte jo vetëm me kancelaritë e saj, me diplomacinë e saj, por edhe me muskujt luftarakë të NATO-s. A nuk ishin kancelaritë europiane, që së bashku me SHBA nuk lane gurë pa lëvizur gjer sa përmbysën sistemin socialist në Shqipëri dhe sollën këtu “demokracinë” e tyre të modelit perëndimor?
Po atëherë?
Dihet nga të gjithë, Europës politike i duhet një Shqipëri e qetë, me fasadë demokratike dhe e përdorshme për çdo nevojë të saj në brigjet e Adriatikut dhe në rajonin e Ballkanit. Për këtë qëllim ajo ka zgjedhur e seleksionuar “udhëheqësit” dhe “liderët” shqiptarë më të përshtatshëm, të cilët, pasi i ka vënë në krye të punëve, duke i korruptuar me rroga e privilegje të majme (siguruar nga taksat e popullit shqiptar), u kërkon edhe haraçin për planet e saj strategjike. Nga ana tjetër edhe liderët tanë, duke vënë në punë djallëzinë e tyre, dhe me pasuritë kombëtare “që ua la babai”, kanë akaparuar secili sipas ngjyrave, përfaqësuesit përkatës në stanin e madh të Europës, me të cilët marrin e sigurojnë pushtetin. Kështu puna është ngërthyer në atë mënyrë sa, lëmshi i “ngatërresës” zor se do të shkokolepset, veç kur të këputet fija. Dhe “fija” gjithnjë këputet në kurriz të popullit.
Është kjo situatë që na kujtoi thënien e famshme të Gjergj Fishtës: “Moj Europë, moj… … ”. Ç’ka na tregon se Europa shtetërore e politike, kurrë nuk do t’i zgjidhë punët tona me ndershmëri e me demokraci të vërtetë. Sepse këto dy parametra i mungojnë vetë asaj, pavarësisht nga pelerina blu me yje të bardhë që ajo mban mbi supe. Punët tona ne duhet t’i zgjidhim vetë. Po a do të mundemi me këta liderë të konsumuar moralisht ? Shpresa është shumë e pakët, për mos me thënë se nuk ekziston fare. Klasa jonë politike, realisht kanë dalë jashtë loje. Korrupsioni galopant tridhjetë vjeçar i ka kthyer ato në klane, dhe si të tilla, nuk përfaqësojnë asnjë klasë e as një shtresë të shoqërisë, ku të mund të mbështeten. Dhe klanet me mbështetje vetëm klanore nuk mund të ndërtojnë as shtet e as demokraci, por vetëm autokraci, që përfundojnë në junta diktatoriale.
Klasa aktuale politike është në antipod me popullin dhe interesat e tij. Në këto kushte ajo ose duhet “të ndërrojë” popullin, ose duhet të largohet nga skena politike. E para është e pamundur, ndaj mundësia e vetme mbetet e dyta.
Dhe këtë e ka në dorë populli, nëse ai do të arrijë të kuptojë forcën e tij.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...