Home / Opinion / Hydajet Hyseni: Padrejtësi të një drejtësie të padrejtë

Hydajet Hyseni: Padrejtësi të një drejtësie të padrejtë

 Analiza / Hydajet Hyseni: Padrejtësi të një drejtësie të padrejtë
Hydajet Hyseni: Padrejtësi të një drejtësie të padrejtë

 31/10/2018 Analiza

 Vrasja mizore dhe zhdukja misterioze e trupit të gazetarit disident Xhamal Khashoggi po trazon, me të drejtë, opinion ndërkombëtar gjithandej dhe, si rezultat, me sa duket, rasti po ndërkombëtarizohet dhe po nis të zbardhet kurse lëmshi i ndërlikuar po zhvillohet. Në mënyrë të ngjashme qe reaguar edhe në rastin e disidentit Seregj Magnicky, në Rusi dhe më vonë rasti i kontaminimit të familjarëve rusë, Sergej dhe Julia Skripal, të emigruar në Londër. Për rastin Magnicki janë hartuar raporte të posaçme dhe madje janë miratuar edhe rezoluta përkatëse edhe në Asmeblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE – së…

Jo rastësisht u aktualizua edhe një herë ajo thënia paradoksale: “një vrasje është një tragjedi, kurse një milion vrasje janë statistikë…” Mjerisht bota e sotme vazhdon të ketë gjithandej shumë, tepër shume raste vrasjesh masive qe këthehen në statistikë.

Në shembullin e Kosovës sonë “sui generis” i gjejmë bashkë edhe vrasjet masive të statistikuara edhe tragjeditë individuale, por me një qasje po ashtu “sui generis”, të injoruara dhe të minimizuara si rrallëkund tjetër.

ZBARDHJE APO ERRËSIM I SË VËRTETËS?!

Reagimet qytetare e humanitare, politike e diplomatike, si në rastin e gazetarit saudit, padyshim që janë të qëlluara, të mirëpritura dhe do të ishin inkurajuese dhe rrezatuese edhe ndër ne dhe më gjerë, përtej rasteve të përmendura, sikur të mos ndaleshin e ndaloheshin para murit të padrejtësisë me qasje injoruese, zvarritëse bllokuese dhe ngulfatje  të së vërtetës, me kute krejtësisht të ndryshme trajtimi të rasteve të ngjashme tek ne e përreth nesh.

As një çerek shekulli më vonë nuk u zbuluan dorasit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve mizore, midis Evrope, të veprimtarëve atdhetarë e prijatarë të lëvizjes sonë çlirimtare, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, të Vehbi Ibrahimit e Enver Hadrit dhe sa e sa te tjerëve!

Nuk u zbardhën dhe nuk u përballen me drejtësinë as vrasjet mizore dhe vrasësit e prijësve të Lëvizjes së pa dhunshme politike e të drejtës humanitare, si Fehmi Agani, Bajram Kelmendi, Latif Berisha, Bardhyl Çaushi, sindikalistë si Agim Hajrizi, dhe sa e sa personaliteteve te shquara jetës politike, intelektuale, mediatike, arsimore, shëndetësore, artistike e sportive… Nuk u hodh dritë as në zhdukjen misterioze të personaliteteve atdhetare e çlirimtarë si Ukshin Hoti, Xhavit Haziri, Behajdin Hallaçi, Hafir Shala, dhe sa e sa emrave të njohur e të rrespektuar të zhdukur pa gjurmë e pa nishan.

Nuk u zbardh ende as e vërteta për rrëmbimin përdhunimin e dhjeta mijëra grave dhe vajzave dhe masakrimin e dhjeta mija qytetarëve të pambrojtur, pleq, gra e fëmijë, për të vetmin “faj” pse ishin shqiptarë… Nuk u zbardh dhe as u dënua sa e si duhet as mënyra e masaakrimit dhe pasaj edhe zhdukjes së trupave dhe gjurmëve të krimit të shumëfishtë gjenocidal mbi mijëra jetë të pambrojtura dhe krejt të pafajshme…!

Nuk u zbardh, madje, as rasti i ish deputetëve kosovarë Mileta Petković e Oliver Ivanoviq, plagosur e vrarë, kur po kontestonin politikat e Beogradit?!

Çështja e krimeve te gjenocidit në Kosovë, jo vetëm që u neglizhua dhe u injorua pakuptueshëm nga qendrat evropiane e ndërkombëtare të vendosjes, por u harrua dhe u trajtua si një çështje “ad acta”, madje edhe nga përfaqësuesit e Kosovës në forume e instanca ndërkomëbtare, e madje edhe në procesin e palavdishëm dhe aq shumë dëmtues, të ashtuquajtur të “dialogut dhe normalizimit” me Serbinë dhe me pinjollët e Milosheviqit me shokë.

Në kohën kur edhe ndër ne flitet me aq të drejtë e përkushtim, madje edhe me lehtësi për rastet si vrasja e gazetarit saudit Xhamal Kashogi dhe disidenteve tjerë nga vendet e ndryshme, vazhdon të mbahet e ndryrë dhe e ngulfatur e vërteta për mbytjen misterioze të veprimtarit të ri e të dalluar Astri Deharit, si dhe e vëllait të tij Arbnorit, të dy të kthyer bashkë me prindërit e tyre të dëshmuar atdhetarë nga parajsa zvicerane me bindje e me motiv entuziastë për të ndërtuar, në atë pjesë të Atdheut të tyre, një Zvicër të re shqiptare, siç ishte ëndërruar e disenjuar qysh nga rilindësit e këtej, brez pas brezi…

Astriti, studenti shembullor aktivisti opozitar dhe zyrtari i ri i dalluar i qeverisjes së reformuar në shëndetësinë e Kryeqytetit, u mbajt në paraburgim, për katër- pesë muaj, me pandehje monstruoze, pa u marrë fare në pyetje, dhe në qeli të përbashkët me të burgosur tjerë që quhen “ordinerë`”, nga të cilët njëri që mund të ishte dëshmitari i së vërtetës, vdiq në rrethana tejet të dyshimta. Në mungesë të çfarëdo faktesh Astriti u shpall siç edhe ishte -i pafajshëm, ashtu si edhe të bashkë-burgosurit tjerë… Dhe kurrgjë kurrkujt!

, Edhe përkundër insistimit të familjes Dehari dhe opinionit të gjerë, ky rast misterioz u mbyll pa u zbardhur dhe pa hetim të duhur. U konstatuan dyshime e shkelje të shumta e të rënda, politike, zyrtare, procedurale e profesionale, madje edhe kriminale dhe për këto, nuk u mor askush në përgjegjësi dhe nga askush nuk u kërkua llogari as politike e institucionale, pa le më përgjegjësi ligjore e penale!

Thonë me të drejtë: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ndërkaq, edhe librat e shenjtë e cilësojnë vrasjen e një njeriu, si vrasje të njerëzimit dhe rrjedhimisht shpëtimin e një jete, si shpëtim të njerëzimit.

PREZUMIMI I PAFAJËSISË APO PRESUPOZIMI I FAJËSISË?!

Ka vite të tëra që drejtuesit kryesorë ose nga më kryesorët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ndonjë rast madje edhe dy-tre vëllezër luftëtarë, janë bërë dhe vazhdojnë të jenë objekt i preferuar dhe i fokusuar i lojërave tejet të dyshimta, djallëzore e speciale politiko juridike që të kujtojnë historinë e tmerrshme të “ndjekjes së shtrigave’

Pa u përzier në punë të organeve të drejtësisë dhe pa mohuar e përjashtuar edhe ” kontributin`”vetanak, vetë-rrënues dhe vetë-rëndues të ndonjë të vetë-shënjestruari, në lehtësimin e realizimit të këtyre skenarëve, nuk mund të mos bëjë përshtypje dhe nuk mund të mos fokusohet dioptria tek sfondi i synimeve të pa fshehura për t’i joshur, a për t’i shantazhuar, për t’i tërhequr a për t’ i shtyrë e pastaj për t’i kapur në grackë e në flagranca të qena apo të sajuar e të kurdisura, për t’ i cfilitur me akuza të qena e të paqena, dhe pastaj për t’ua zhveshur mjeshtërisht respektin, prestigjin dhe autoritetin që kishin dhe për t’ i përplasur brutalisht për toke, jo vetëm ata vetë, por edhe atë që përfaqësojnë ata, – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerat që përfaqëson ajo për të shkuarën dhe po ashtu për të ardhmen e Kosovës. Me dashje apo pa dashje, me vetëdije apo pa të, kjo prirje nuk mund të mos funksionojë si komponentë e rëndësishme në luften vijuese speciale kundër Kosovës, kombit dhe gjithë të ardhmes shqiptare.

Në raste të tjera edhe shumëfish më të rënda se këto, por nga tabori i qarqeve pushtetare dhe atyre mafioze, praktikohet, pa përjashtim, mbrojtja në liri dhe media e prokuri e prokuror, theksojnë si në kor, insistojnë deri në absurd në parimin e ‘

“prezumimit të pafajësisë”. Si ndodh dhe pse ndodh që në rastet e shumë luftëtarëve të lirisë dhe në rastet tjera të  ngjashme, jo vetëm që harrohet “prezumimi i pafajësisë”, por me lehtësi prezumimi i pafajësisë zëvendësohet me prezumimin e fajësisë ose presupozimin e fajësisë, madje edhe duke e fuqizuar me harangën e dënimit paraprak e pargjyqësor, ndëshkimit e persekutimit publik, politik, moral e shoqëror?!

Se ku është drejtësia jonë e padrejtë dhe deri ku mund të shkasë e të shkallojë ajo flet vetiu edhe ajo që po ndodh qe një vit e më tepër me veprimtarin atdhetar, ish të burgosurin politik, intelektualin e ligjëruesin universitar, Sadri Ramabaja, edhe ky i kthyer në Kosovë bashkë me gruan shumëfish të persekutuar dhe me fëmijë të rritur e të shkolluar në Zvicër. Një vit e më shumë kohë prapa grilave dhe pa u lejuar madje as të marrë pjesë në varrimin e vëllait, edhe pse sipas të gjitha gjasave edhe për vetë kuestorët dhe urdhërdhënësit e tyre është krejtësisht e qartë se ai po mbahet në burg krejtësisht dhe plotësisht i pafajshëm dhe për arsye puro politike e politizuese..!

“Të drejtat e çdo njeriu zvogëlohen kur të drejtat e një personi kërcënohen”, thoshte presidenti amerikan Gjon Kenedi.

FAJSIA E FAJSIMIT TË TË PAFAJSHMËVE

Për të qenë e keqja edhe më e madhe, edhe pasi të konstatohet fajësia e fajësimit të padrejtë të pafajshmëve, siç ka ndodhur në shumë raste, kuestorët dhe kadilerët e instrumentalizuar| që ndajnë fajësime e shfajësime jo sipas të drejtës e sipas ligjit por sipas kajtjes e sipas Maliqit, nuk e prishin fare tymin e cigares, por vazhdojnë avazin e vjetër me raste të reja…

Nuk mund të mos të të kujtojë, kjo dukuri e përsëritur, dënimin drakonian e pa asnjë argument fajësie, të Adem Demaçit, me dhjetëra të dënuar të tjerë, në procesin e vitit 1975. Prokurorët e gjykatësit e atëhershëm ashtu si edhe zyrtarë e gazetarë të oborrit, mjerisht shumica shqipfolës e dinin të vërtetën, por e gëlltisnin dhe e kollofisnin bashkë me marren, pak nga frika e më shumë nga lakmia.

Pas ndryshimeve historike te viteve nëntëdhjetë, ata ishin  gati t’ i hanin e t’i përbinin paçavuret “penalo-juridike” që kishin stisura e firmosur. Atëbotë ata i lëpiheshin e i vardiseshin Demaçit të liruar nga burgu i pafajshëm dhe brezit zemërgjerë e shpirtmadh ’68, që, megjithatë i ftonin në bashkim, e bashkë-angazhim çlirimtar e demokratizues, por megjithatë, nuk patën kurrë burrërinë dhe as qytetarinë që të thoshin një fjalë të sinqertë pendimi dhe kërkim faljeje në funksion të së paku një vetëlustrimi… Dhe jo vetëm kaq, por, pas vendosjes se administrimit ndërkombëtar, me ndonjë përjashtim të respektueshëm, ata u pleksën menjëherë dhe lehtësisht me ombrellën e re politike duke shfrytëzuar përvojën e pasur vasaliste dhe në këtë mënyrë, jo vetëm që u ri restauruan dhe u ristrukturuan në mekanizmat e drejtësisë, por edhe riaktivizuan aty këtu edhe prirjet e dikurshme të diferencimeve politiko – profesionale dhe përvojën e inxhineringut politiko – juridik gjithnjë në konkordoance me strukturat politike, pushtetore e qeveritare, po ashtu të shfytyruara, të tjetërsuara e të riformatizuara sipas kallëpeve koniunkturale.

Në mungesë të një reformimi të mirëfilltë dhe sidomos duke anashkaluar me mjeshtëri e dinakëri procesin e vetingut dhe lustrimit si komponente të domosdoshme të drejtësisë tranzicionale, sistemi i drejtësisë Kosovare mbeti si pjesa më e pa transformuar e sistemiy institucional madje me tendencën e brendshme për ri inkarnim të mendësisë së vjetër dhe rikthim në praktikat e sprovuara të “drejtësisë” së instrumentalizuar politiko-partiake…

Mbajtja në burg hetues për një vit e më tepër të një veprimtari, ligjëruesi dhe intelektuali të shquar me një akuzë monstruoze me dimensione e implikime fatkëqia, të dyshimta e problematike neuropsikiatrike, pa asnjë fakt e argument të mirëfilltë fajësie s’ka se si të mos konsiderohet si një recidiv shqetësues i praktikave te proceseve te porositura e të montuara politiko- ideologjike të drejtësisë tatalitariste.

Në kohë toralitarizmi edhe mund të kuptohen disi mendësitë dhe praktikat e instrumentlizimit politiko-partiak, por në kohen e sotme të demokracisë, evropeizimit dhe globalizimit, ato as nuk mund të kuptohen dhe as nuk mund të lugatizohe dhe as nuk guxojnë të legalizohen.

Pos mekanizmave të rëndësishëm institucionalë, politikë e shoqërorë vendorë ka edhe struktura evropiane e ndërkombëtare të përcaktuar dhe të obliguara për t’ i denoncuar dhe pamundësuar prirjet e tilla jo vetëm antikombëtare por edhe antidemokratike antiligjore e antievropiane… Në themel të vlerave të drejtësisë evropiane është edhe maksima sipas së cilës është më keq të mbahet në burg një i pafajshëm se sa njëqind të fajshëm të mbeten jashtë burgut…

Është më së keqi, nëse vazhdohet fenomeni i të dy këqijve paralele: edhe të pafajshëm në burg, edhe të fajshëm në liri.

Thonë me te drejtë se një popull meriton pushtetin e keq nëse e ka zgjedhur vetë.

A mund te thuhet dhe sa mund të thuhet kjo për padrejtësitë e drejtësisë sonë të padrejtë?!

Me gjuhën tragjike të Laokontit mitologjik, shkrimtari Ismail Kadare dikur dhe mbase i prangosuri i pafajashëm, sot, do të mund të përgjigjej:

…Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra nga marazi,

siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak”

jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,

po indiferenca juaj do të bëhet shkak.

Hydajet Hyseni

 

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...