Home / Histori / Perandorët ilirë që zyrtarizuan krishtërimin e sotëm

Perandorët ilirë që zyrtarizuan krishtërimin e sotëm

Aurelio Costantini, i njohur dhe si Kostandini i madh, lindi më 27 shkurt 274 dhe vdiq më 22 maj 337. Kostandini ishte një nga figurat më të rëndësishme të perandorisë romake që e riformoi atë, dhe realizoi zyrtarizimin e Krishtërimit.

Është konsideruar si shenjt, i ngjashëm me apostujt e Kishës ortodokse, nga kisha ortodokse lindore dhe nga Kisha katolike.

Konstandini (Flavius Valerius Constantinus ) ishte një nga ilirët e shumtë që arritën të ishin perandorë të Romës. Ai sundoi 31 vjet (306- 337).

Emri i tij i lindjes ishte Flavius Valerius Constantinus. Ishte djali i komandantit ilir Constantinus Chlorus . Në vitin 305 i ati ishte bashkë perandor.

Konstandini qe perandori i parë romak që mbështeti dhe toleroi krishterimin në perandorinë e tij. Shumë legjenda janë krijuar rreth emrit të tij. Ai eliminoi sistematikisht Cezarët e tjerë dhe zhduku tetrarkinë e Dioklecianit. Volteri e ka përkufizuar karakterin e tij në një fjali: “Objektivi kryesor i Konstandinit qe të ishte zot në gjithçka”.

Pa dyshim, ai e ka merituar titullin Konstandini “i Madh” për reformat që bëri në ushtri, në sistemin monetar, si dhe në integritetin e administratës së tij. Kjo ishte, gjithashtu, shprehje e ambicies së tij të pakufishme

Është i pamohueshëm fakti, që ai ka lënë gjurmë të qëndrueshme në histori. Transferimi i kryeqytetit perandorak nga Roma në Kostandinopojë dhe adoptimi i fesë së krishterë, ia ndryshuan rrënjësisht fytyrën perandorisë.

Konstandini u shpall August i Perëndimit, në Jork, në vitin 306, pas vdekjes së babait të tij, njëri nga 4 tetrarkët. Konstandini ishte mbajtur rob nga Galeri, Cezari i Perandorisë Perëndimore, për ta penguar që të trashëgonte funksionin e të atit. Por djali i ri arriti të shpëtonte dhe bëri që të dështonin të gjitha tentativat e ndjekjes, duke vrarë rrugës të gjithë kuajt e trupave perandorake që e ndiqnin.

Konstandini ushtronte pushtetin në Britaninë e Madhe dhe në Gali, por për të qeverisur të gjithë perandorinë, atij iu desh të mundte dy rivalë të fuqishëm. Në vitin 312, Konstandini marshoi mbi Romë që të rrëzonte tiranin Maksenc. Në urën e Milvianit, ai mundi një ushtri shumë më të madhe në numër, të dërguar për të mbrojtur qytetin. Lumi i fryrë shembi urën, duke vrarë mijëra vetë, midis të cilëve edhe Maksencin.

Sipas legjendës, Konstandini u kthye drejt krishterimit, sepse pa në qiell një vizion, që e porositi t’ia besonte fatin e ushtrisë së tij perëndisë së krishterë.

Ai vuri si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që i qe shfaqur në qiell, me moton: “Me këtë shenjë, do të fitosh”. Por, megjithatë, ai e festoi fitoren sipas mënyrës tradicionale romake, me një Hark Triumfi. Sapo Konstandini e ndjeu (pas një pritjeje 9-vjeçare) se zotëronte forcat e nevojshme për të kaluar në sulm, ai e prishi aleancën e tij me Licinin, i cili qeveriste gjysmën tjetër të perandorisë.

Ai e mundi Licinin një herë në Adrianopojë, pastaj e përzuri përfundimisht nga Bizanti në betejën e Krizopolisit.

Dy ndryshimet spektakolare të ndërmarra nga Konstandini qenë ndërtimi i “Romës së Re”, Konstandinopojës, dhe përqafimi i krishterimit prej tij. Zhvendosja e qendrës gravitacionale të perandorisë në Lindje, ishte filluar nga Diokleciani, por qyteti i Bizantit, i zgjedhur nga Konstandini, ishte shumë më tepër strategjik se ai i Nikomedisë, kryeqytetit të Dioklecianit. Mendohet se transferimi i kryeqytetit të perandorisë në Bizant ishte motivuar si nga një ndjenjë fajësie, ashtu edhe nga arsye strategjike.

Në fakt, Roma ishte qyteti ku Konstandini (sipas zhurmës së përhapur) kishte vrarë gruan e tij, Fausta, dhe djalin Krisp. Cilado qoftë arsyeja e zgjedhjes së Konstandinopojës, qyteti u ndërtua me shpejtësi dhe u përurua me bujë të madhe që në vitin 330.

Tani që kanë kaluar shumë kohë, mund të themi se është e qartë se zhvendosja e qendrës gravitacionale të Perandorisë Romake në Lindje shënon perëndimin e qytetërimit tradicional greko-romak. Konstandini ishte shumë bujar kundrejt Kishës, edhe pse dhuratat e tjj, në përgjithësi, rridhnin nga plaçkitja e tempujve paganë.

Kleri nuk paguante taksa, kështu që Kisha grumbulloi pasuri. Konstandini ndërtoi shumë kisha, prej të cilave mund të përmenden bazilika e Shën-Sofisë, në Konstandinopojë, dhe e Shën-Pjetrit, në Romë. Konstandini u mor personalisht me çështjet fetare dhe u bë ndërmjetës i Kuvendit ekumenik të Nikesë, i cili saktësoi parimet themelore të besimit të krishterë modern, duke konfirmuar natyrën hyjnore të Krishtit. Arianizmi, i cili i kundërvihej këtij parimi, u shpall heretik.

Kulti popullor i Mitrës ishte njëri nga kultet që mund të ketë rivalizuar me krishtërimin. Adhuruesit e Mitrës besonin se forcat e të mirës dhe të keqes, të dritës dhe errësirës, ishin vazhdimisht në luftë. Në anën e dritës gjendej perëndia Mitra, që paraqitej duke sakrifikuar demin kryesor të tufës, për të shtuar pjellorinë e tokës me gjakun e tij. Ky kult u përhap shumë në ushtrinë romake.

Krishterimi primitiv u mbrojt me shumë tradita të mëparshme, të cilave u modifikoi temat dhe simbolet. Kështu, dita e 25 dhjetorit, e zgjedhur për të festuar lindjen e Krishtit, përkon me datën e lindjes së Mitrës dhe me datën e solsticit të dimrit, moment ky vendimtar i luftës së diellit kundër errësirës.

Në artin bizantin, kurora e dritës e Krishtit të kujton pa dyshim, rrethin diellor që shoqëronte figurat e Mitrës.

HISTORI NGA JETA E KONSTANDINIT

Konstandini ishte i motivuar, pa dyshim, nga arsye sa politike, aq edhe fetare. Nëna e tij, Helena, u kanonizua pasi kishte zbuluar “kryqin e vërtetë”. Jeta e Konstandinit u bë një temë klasike e artit të krishterë. Madje, emri i tij është lidhur me një pikturë false të Mesjetës (“Dhurata e Konstandinit”), për të justifikuar pushtetin e përkohshëm të papatit. Konstandini shpalli si të paligjshme shumë praktika tradicionale pagane dhe mori pjesë në kryerjen e riteve dhe të festave kristiane, por ai nuk pranoi ta shpallte krishterimin fe zyrtare të perandorisë. Ai ruajti titullin e vet pagan, Pontifex Maximus dhe praktikonte ndonjëherë ritet hyjnore romake.

Me gjithë politikën e tij në favor të krishterimit, Konstandini nuk ishte i krishterë në kuptimin e plotë të fjalës. Ai u pagëzua vetëm në shtratin e vdekjes, nga një prift arian.

Kostandini i madh është një nga perandorët më ndriçues të Romës. Nga që nuk ishte as romak as  grek, nuk duan ta cilësojnë si me të madhin, por në fakt ai ishte me i madhi ndër perandorët e Romës, shtetin e të cilës e riorganizoi dhe ndërtoi fitoren përfundimtare të krishterimit në fundin e shekullit të katërt.

Sjellja e Kostandinit në temat  fetarë ka pasur shumë diskutime ndërmjet historianëve. Disa prej tyre mendonin se feja për Kostandinin ishte një instrument për të mbretëruar. Historiani zvicerian Jakob Burchart shprehet:”Bëhet fjalë për një njeri gjenial, tek i cili ambicia dhe dëshira për dominim nuk patën qetësi.

Një njeri i tillë mund të konsiderohet dhe fetar, dhe jo”. Por ai dallon bindjen personale me atë të sjellje publike. Gjëja më e rëndësishme është se ai kërkoi unifikimin dhe dakordësinë e Kishës, nevojë e cila vinte nga një dizenjim i saktë politik dhe që ai e konsideronte si uniteti i botës së krishterë, që në fakt ishte e domosdoshme për stabilitetin e fuqisë së perandorisë.

Ai ishte i bindur se forca e tij vinte nga mirësia e Zotit.

Justiniani

Ndërsa Perandoria romake e Perëndimit ishte zhdukur nën sulmin e barbarëve, në fronin e Kostandinopojës shkëlqente Justiniani i parë, i kënduar aq bukur nga Dante Aligieri në kryeveprën “Komedia hyjnore”.

Veprat e këtij perandori janë të mëdha dhe të pavdekshme. Vepra më e madhe është kodifikimi i tagrit romak. Një punë që u mbështet nga një komision i përbërë prej 17 juristësh, të kryesuar nga Triboniani. U shqyrtuan 2000 libra dhe mbi 3 milion tekste dhe u përpilua “Corpus Juris” që është themeli i Jurisprudencës moderne.

Në këtë vepër vigane Justiniani, nën ndikimin e Krishterimit ndërroi dhe zbuti shumë pika të tagrit të moçëm, si atë të pushtetit atnor, përmirësoi gjendjen e gruas dhe shpalli barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.

Justiniani i dha nxitje dhe tregëtisë, artit dhe letërsisë. Ai ndërtoi bazilikatën e famshme Agia Sofia, për të cilën u punua 6 vjet rresht.

Historiani i madh rus Vasiliev, në veprën monumentale të tij, “Historia e Bizantit” thotë se Justiniani i parë dhe i dytë që mbretëruan ndër vitet 518-568,  kanë qenë ilirë dhe shqiptarë.

Justiniani u lind në Petrus Sabbatius të Tauresium në provincën e Dardanisë, në vitin 483 pas Krishtit..

Gjatë mbretërimit të Justin (518-527), Justiniani ishte shok i ngushtë i perandorit. Justiniani tregoi ambicie dhe punoi fillimisht si funksionar dhe ishte shok i perandorit. Falë kësaj miqësie dhe aftësive të tij ai u bë perandor më 1 prill 527, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi bindëse për këtë.

Gjatë kohës së sundimit të Justinianit, perandoria bizantine arrin kulmin e lulëzimit në të gjitha lëmenjtë e jetës. Falë tij perandoria bizantine u shtri nga Armenia në brigjet e Spanjës dhe nga Danubi në Afrikë.

Politika fetare

Justiniani rregulloi çdo gjë si në fe dhe në ligje. Ai nxori me ligj besimin e Kishës në Trini dhe atë të Mishërimit, duke i kërcënuar heretikët me gjoba. E ktheu Kostandinopojën simbol të kishës, duke patur fuqi ligjore mbi katër këshillat ekumenikë. Justiniani mbrojti pastërtinë e kishës nga heretikët. Ai i dha rëndësi Kishës dhe Klerit dhe pati një vëmendje të veçantë ndaj zgjerimit të monasticizmit.   Murgjërit fituan të drejtën të trashëgonin pronat nga qytetarët privatë dhe të merrnin dhuratë vjetore nga thesari perandorak, ose nga taksat e krahinave. Edhe pse karakteri despotik i masave të tij është në kundërshtim me sensibilitetin modern, ai ishte me të vërtetë një “baba” i Kishës. Dy Codex dhe Novellae përmbajnë akte në lidhje me donacionet, fondacionet, dhe administrimin e pronës kishtare, zgjedhore dhe të drejtat e peshkopëve, priftërinjve dhe Abatëve; jetën murgjërore, obligimet për banim të klerit, kryerjen e shërbimit hyjnor, juridiksionit peshkopal, etj

Justiniani rindërtoi edhe Kishën e Hagia Sophia (e cila kushtoi £ 20000 monedha ari). Hagia Sophia, me faltoret e saj të shumta dhe tempujt, kube praruar tetëkëndësh, dhe mozaikë, u bë qendra dhe monumenti më i dukshëm i Ortodoksisë Lindore në Konstandinopojë.

Justiniani hyri në arenën e shtetformimit duke i dhënë fund përçarjes Monophysite që kishte mbizotëruar në mes të Romës dhe Kostandinopojës që nga viti 483. Njohja e papatit të Romës  si autoriteti më i lartë kishtar, mbeti guri i themelit të politikës së tij perëndimore. Përpjekjet e tij të sinqerta ishin për pajtim, me miratimin e organit të madh të kishës. Ishte i pari perandor që i dha fund luftës së perandorëve kundër kishës.

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...