Home / Të ndryshme / Enverizmi ose nacionalizmi i kuq shqiptar

Enverizmi ose nacionalizmi i kuq shqiptar

 
Xhevat Gjini

 

 

Nga libri: Ismail Kadare – Bisedë përmes hekurash me Ushkin Hotin

Është interesant se gjatë qëndrimit tim në Harvard (1978), njërit nga profesorët e vjetër që punonte në M.I.T. (Massachussettes Institut of Technology) iu kishte ngulitur në kokë ta mësonte mendimin tim intim për Enver Hoxhën. Mirëpo ai këtë e bënte në mënyrë pak si të çuditshme. Ishte një ekspert i njohur standard amerikan mbi çështjet e komunizmit dhe si duket, kujtonte se çdo zyrtar apo ish-zyrtar shqiptar në Jugosllavi, për të arritur në shkallën e një zyrtari, duhej patjetër të ishte jo vetëm një anti-enverist i përbetuar, por edhe të fliste keq për të si person. Ai nuk e dinte se unë kisha një mendim timin origjinal për këtë punë dhe se nuk kisha ndjerë nevojë ndonjëherë të deklarohesha në mënyrë të tillë. Për këtë shkak, për çdo mëngjes kur takoheshim, me rastin e shkuarjes në zyrë, pas përshëndetjeve formale, gjithnjë më pyeste se ç’mendoja për “crazy old man”-in?

Ndonëse, e dija se amerikanët, fjalën “crazy” ngandonjëherë e përdorin për të shprehur simpati në kuptimin: “një plak i sertë” dhe jo “një plak i krisur”, përsëri përdorimi i kësaj fjale më pengonte. Mirëpo e dija se sekretaresha e tij ishte me origjinë serbe dhe se mund të më shkaktonte ndonjë telashe kur të kthehesha në shtëpi, dhe për këtë shkak nuk dëshiroja t’i përgjigjesha. Megjithatë, ai nuk hiqte dorë nga qëllimi i vet dhe më ngacmonte në këtë drejtim sa herë që më takonte.

E dija se ishte njëri nga këshilltarët e Presidentit Charter për çështjet e komunizmit dhe ky fakt ndikoi që edhe unë, nga ana ime, ta provokoja qëndrimin e tyre ndaj çështjes shqiptare. Shkuam në një kafe të afërt dhe e shtruam bisedën. Tha që fjalën “crazy” e përdorte ngaqë vazhdimisht e fascinonte fakti se një njeri i vetëm si ai e kishte izoluar një popull të tërë dhe e mbante të mbyllur.

Kjo gjë e iritonte për shkak se nuk mund ta kuptonte arsyen. I dhashë të drejtë, por e pyeta nëse njëmend e dëshironin hapjen e Shqipërisë dhe ndryshimin radikal të politikës së saj?

“Gjithsesi”, – u përgjegj profesori plak.

“Mirë” – thashë unë, – “kam bindjen se ai do të hiqte dorë fare nga komunizmi sikur Ju t’ia garantonit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Kjo gjë e habiti, sepse nuk e kishte pritur, kurse unë nuk kisha kurrfarë haberi nëse Enveri njëmend do ta bënte një gjë të tillë. Natyrisht se ai u thirr në argumentin e keqësimit të raporteve me rusët, por nuk ishte i përqendruar në këtë çështje. U mendua bukur një kohë dhe pastaj m’u drejtua:

“Mendoni se ai është një nacionalist?”

“Par excellence”, – thashë, -“një nacionalist i skajshëm i kuq shqiptar” – shtova.

U kujtua sërish një kohë bukur të gjatë dhe pastaj tha se pajtohej plotësisht. E kishte shkruar një libër bukur të trashë për politikën dhe për ideologjinë shqiptare, por tani, tha ai, iu bënë të qarta shumë gjëra që i kishte kujtuar si të pashpjegueshme. Madje edhe më falënderoi për bisedën, përderisa unë e kisha hallin te sekretaresha e tij. Megjithatë, me rastin e kthimit nuk pata ndonjë konsekuencë. Më vonë bisedat e rastit me kolegët për tema delikate do të më kushtonin shtrenjtë. Megjithatë nuk pata mundësi të hiqja dorë nga e drejta ime për të menduar lirisht dhe për t’i shprehur ato kur pandehja se nuk do të lëndohej askush. E besoja si një të drejtë me rëndësi kapitale.

About admin

x

Check Also

VOA lëshon “bombën”: Marrëveshja Serbi-Kosovë është firmosur!

16 Nentor, 2019 Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i ...