Home / Lajme / Mobilizim masiv kundër pazareve të Thaçit për copëtimin e Kosovës

Mobilizim masiv kundër pazareve të Thaçit për copëtimin e Kosovës

Hashim Thaçi

“Kundrejt një procesi të errët, pa asnjë përkrahje dhe me dëme e pasoja të paparashikueshme duhet bërë dhe përdorur të gjitha format për ta ndalur. E gjithë opozita politike dhe qytetarët duhet të bëhen bashkë për ta kthyer funksionimin kushtetues të institucioneve. Kosova nuk është pronë private e askujt”, është shprehur analisti Haki Abazi.

Të mërkurën opozita ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pjesë e kësaj kërkese përpos LDK-së, janë edhe Vetëvendosje dhe PSD.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një njoftimi në Facebook, ku sipas tij seanca po thirret për të shprehur qëndrimit institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës, derisa opozita kërkon që të miratohet një rezolutë ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Hoti ka shkruar se duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota.

Sipas tij, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve.

“Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë. Nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura. Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Seanca është thirrur për datën 4 shtator, ndërsa është përkrahur nga shumica e partive parlamentare me përjashtim të PDK-së.

Kurteshi: Jemi të gatshëm ta ndalim Presidentin

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se janë të vendosur për ta ndalur presidentin.

Image

Ismail Kurteshi

FOTO GALERI

“Po edhe ne jemi për t’u mbajtur seanca. Ne jemi të vendosur që ta ndalim presidentin”, është shprehur ai.

Sipas tij, ekzistojnë dy mënyra që ai të ndalet, njëra është me rezolutë, e nëse përmes saj nuk do të ndalet, atëherë thotë se do të ketë protesta.

“Është më mirë që ai të ndalet me një rezolutë që jam i sigurt që do të aprovohet në Kuvend. Nëse jo, atëherë qytetarët e Kosovës janë më të gatshëm se kurdoherë që ta ndalin presidentin dhe të kërkojnë llogari nga ai, nëse ai veç nuk ndalet me rezolutë”, ka deklaruar deputeti Ismail Kurteshi për gazetën “Bota sot”.

Në seancën e thirrur, opozita do të kërkojë që të miratohet rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Hoti: Nënshkrimet janë mbledhur

Image

Shkodran Hoti
Në anën tjetër, zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se janë 40 nënshkrime të opozitës për të thirrur seancë, të cilët janë të mjaftueshëm.

“Tashmë e dini se kjo seancë është propozuar javë më parë. Tani jemi duke bashkëpunuar tri partitë opozitare, pra ne bashkë me LDK-në dhe Vetëvendosjen. Ideja është që kjo seancë të mbahet para datës 7. Sa i përket partive të pozitës nuk kam ndonjë informacion nëse e mbështesin këtë seancë, por dihet që për seancë të jashtëzakonshme nevojiten 40 nënshkrime, kështu që për mbajtjen e kësaj seance ka nënshkrime të mjaftueshme sa i përket mbajtjes së saj dhe nuk duhet ndonjë bashkëpunim shtesë”, është shprehur Hoti.

Kundër edhe pozita

Përpos partive opozitare, pra LDK-së, VV-së e PSD-së, pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe Nisma Socialdemokrate, ku kjo është bërë e ditur nga shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.

“Nisma Socialdemokrate në parim merr pjesë në çdo seancë. Në këtë rast do të marrë pjesë edhe në seancën e ftuar nga opozita! Nisma si pjesë e qeverisë që është në seancë do të mbajë qëndrimin që ka qeveria. Të njëjtin qëndrim ka edhe kryeministrin Haradinaj i cili ka thënë se presidenti dhe askush tjetër nuk ka mandat për të diskutuar për territore, po ashtu zëvendëskryeministri dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se presidenti dhe askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës”, ka thënë Sherifi.

Ai ka shtuar se, Nisma do të përkrah çdo rezolutë që përfshinë edhe qëndrimin e saj si subjekt dhe që është kundër shkëmbimit apo korrigjimit të territoreve.

Pjesëmarrjen në seancë e ka konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa PDK ende nuk dihet a do të jetë e pranishme në seancë.

AAK është shprehur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, e kjo është bërë e ditur nga Pal Lekaj, pas takimit që të mbajtur të udhëheqësve të lartë të AAK-së me kryetarin e tyre Ramush Haradinaj, ku ai është shprehur se kufijtë e Kosovës nuk negociohen dhe se AAK është pro çdo nisme që për qëllim ka paprekshmërinë e kufijve të Kosovës.

“Kufijtë e Kosovës nuk negociohen! Në takimin e udhëheqjes më të lartë të AAK-së, e ku i pranishëm ishte edhe kryetari partisë, Ramush Haradinaj, njëzëri është rikonfirmuar qëndrimi se kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm dhe AAK e deputetët e saj janë në favor të çdo nisme, që është pro këtij qëndrimi. Ajo që do të jetë krejtësisht e papranueshme për ne si AAK, janë nismat që për qëllim mund të kenë përplasjet e kursuritjet personale ndaj përfaqësuesve politikë e institucionalë, duke mos përjashtuar këtu as presidentin. Për hir të informimit të opinionit publik, ne jemi pro çdo nisme që për qëllim ka paprekshmërinë e kufijve të Kosovës”, ka shkruar Lekaj.

Abazi: Të përdoren të gjitha format për ta ndalur këtë proces

Image

Haki Abazi

Lidhur me këtë seancë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova nuk është pronë private e askujt dhe opozita e qytetarët duhet të bëhen bashkë që ta kthejnë funksionimin kushtetues të institucioneve.

“Kundrejt një procesi të errët, pa asnjë përkrahje dhe me dëme e pasoja të paparashikueshme duhet bërë dhe përdorur të gjitha format për ta ndalur. E gjithë opozita politike dhe qytetarët duhet të bëhen bashkë për ta kthyer funksionimin kushtetues të institucioneve. Kosova nuk është pronë private e askujt”, është shprehur Abazi.

Kujtojmë që për seancën e jashtëzakonshme, opozita ka marrë përkrahjen edhe të një pjese të shoqërisë civile.

Instituti Demokratik i Kosovës i ka bërë thirrje të gjitha partive që të thërrasin seancën dhe që Kuvendi të jetë epiqendra e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ndryshe, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve, me ndërmjetësim të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...