Home / Histori / DY VËSHTRIME PËR DIMITËR NIKOLLËN (DIMITAR OBSHTIN), HEROIN KOMBËTAR TË BULLGARISË ME PREJARDHJE SHQIPTARE

DY VËSHTRIME PËR DIMITËR NIKOLLËN (DIMITAR OBSHTIN), HEROIN KOMBËTAR TË BULLGARISË ME PREJARDHJE SHQIPTARE

(Sipas burimeve bullgare: Dimitër Nikollov – Nikoliç, i njohur edhe si Dimitër Obshti, Mitri Nikollov, Gjakovçanin (Gjakovari), Makedonski –Makedonçeto (Maqedonasi), Kosovci, Kosoveca (Kosovari), ka qenë revolucionar bullgar, luftëtar dhе bashkëpunëtor (zëvendës) i revolucionarit të shquar bullgar, ideologut, strategut dhe organizatorit të lëvizjeve të para të rezistencës kundës sundimit osman në shek. XIX, Vasil Levskit.)

(1835 – 1873)

Version i shkurtë për jetën dhe veprimtarinë revolucionare e luftarake të një figure të rëndësishme nga gjysma e dytë e shek. XIX, i cili sipas burimeve historike dhe dëshmive del se ka qenë me prejardhje shqiptare, e që nga politika e kohës dhe studiuesit bullgarë është shndërruar në hero kombëtar i tyre!

KUSH KA QENË DIMITËR NIKOLLA OBSHTI?

Si ndodhi që shqiptari ortodoks nga Maqedonia, Dimitër Nikolla, të shndërrohet në hero kombëtar bullgar?

Kush ka qenë në të vërtetë Dimitër (Dimitar) Obshti, i lindur rreth vitit 1835 në qytetin e Gjakovës, Republika e Kosovës, i cili sipas burimeve të historiografisë bullgare, citohet të ketë thënë për veten e tij: „Mua më quajnë Dimitër Obshti i Maqedonisë, bullgar nga Gjakova e Maqedonisë…“? Mbiemri Obshti sigurisht është pseudonimi i tij, për shkak të veprimtarisë së fshehtë, por për këtë nuk kemi ende të dhëna të sakta. Këtë e vërteton edhe fakti se lëvizjet e tij kanë qenë të vazhdueshme dhe në një hapësirë shumë të gjerë, në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik dhe përtej në Itali. Sipas disa burimeve ka poseduar disa dokumente identifikimi, serbe, rumune, bullgare, ndoshta edhe italiane, si dhe pasaportë greke.

Mes shkëndijave të para të ndërgjegjësimit dhe zgjimit kombëtar

Për sqarimin e kësaj çështje për të cilën kemi ngritur dyshime të bazuara dhe që duhet më tej të thellen hulumtimet për sqarimin e plotë të kësaj çështje, për fillim në mënyrë telegrafike mund t’i përmendim disa rrethana të asaj kohe në Maqedoni, një krahinë e lashtë ilire emri i së cilës gjatë disa shekujve nuk u përdor nga pushtetet e kohës, por që ishte ngulitur në kujtesën e banorëve të saj, jo vetë si emër krahine por edhe për lavdinë e dikurshme, sidomos ndër shqiptarët autoktonë.

Vala e shpërnguljes së shqiptarëve, sidomos të atyre të krishterë, sa herë që rritej shtypja dhe zullumi i sunduesve osmanë në krahinat shqiptare, si nga Shkupi me rrethinë, Manastiri, Pollogu, apo Reka e Dibrës. Gjatë kësaj kohe një numër i madh i familjeve ortodokse shqiptare, për ta ruajtur qenien e dhe identitetin e tyre, u detyruan të shpërngulen në vise të tjera, më tepër në drejtim të Shkodrës dhe Gjakovës, por edhe jashtë vendit.

Siç duket, i frymëzuar që nga fëmijëri e hershme nga të parët e tij, Dimitri do të krijojë ëndrrën e madhe të tij që në rininë e hershme, duke ia përcaktuar vetes qëllimin madhor të jetës, me çdo kusht të krijojë mundësi, pasuri dhe përvojë për ta rikthyer edhe një herë faqen e historisë së lavdishme të paraardhësve të tij.

Që në takimin e parë që e realizoi me udhëheqësin e lëvizjes kryengritëse bullgare, ideologun dhe strategun e saj Vasil Levski, sigurisht i ndihmua nga qarqet atdhetare të shqiptarëve në Bukuresht, Dimirët Nikolla i kishte kërkur atij një kusht të vetëm, që të caktohej udhëheqës i Maqedonisë (apustull). Kjo ka qenë kërkesa e vetme për të gjitha shërbimet që do t’ia bënte lëvizjes bullgare, por e cila nuk iu pranua. Megjithatë, nga veprimet e mëvonshme do të vërejmë se Dimitri nuk ishte një luftëtar i paditur, një i person i verbët që kërkonte të luftojë si mercenar për para, për plaçkë lufte ose qëllime të tjera të ulëta, po kishte një qëllim të tij madhor, një ideal, një ëndërr të fshehur që e mbante të fsheur në vete, kudo ku shkoi, në të gjitha vendet dhe betejat si luftëtar kryengritës.

Njerëzit kryengritës nuk kanë fëmijëri, jeta u kalon si në grykë të pushkës

Në moshën 12 vjeçare e braktisi vendlindjen dhe shkoi në Serbi, për të siguruar ekzistencë dhe fat. Atje punoi plot tetë vjet si shërbëtor, pastaj shkoi në Vllahi (Bukuresht të Rumanisë), për pak kohë, prej nga sërish u kthye në Serbi, kësaj radhe për t’u inkuadruar në lëvizjet kryengritëse të kohës, sigurisht me porosinë dhe nën urdhërin e ndonjë autoriteti shqiptar të asaj kohe që vepronte në Bukuresht të Rumanisë.

Dimitri u rreshtua në radhët e Ligës së parë të vullnetarëve bullgarë, një formacion ushtarak i cili foromua në Beograd më 1862, pas konfliktit të serbëve me pushtetin osman. Ky formacion në urdhërin e Gjorgji Rakovskit, kishte për qëllim ngritjen e bullgarëve në kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Në radhët e këtij grupi vullnetarësh nuk kishte vetëm bullgarë, por edhe të tjerë nga vise të ndryshme dhe me përkatësi të ndryshme kombëtare, por kryesisht ishin të krishterë ortodoksë. Ky formacion ka marrë pjesë edhe në një aksion luftarak në Beograd, por vetëm pas tre muajve u shpërnda me urdhër të organeve të pushtetit serb, për shkak të presionit nga Fuqitë e Mëdha.

Nga luftërati pa emër e famë deri te komandanti i luftës përkrah Garibaldit

Pas shpërndarjes së legjionit të vullnetarëve në Beograd, Dimitri u kthye sërish në Vllahi (Rumani) dhe inkuadrohet në çetën e vojvodës Stojan, i cili ishte mik i Panajot Hitovit, gjatë vitit 1865, një kryengritës bullgar i asaj kohe. Këto fakte tregojnë se gjatë asaj periudhe kishin filluar të krijohen çetat e para kryengritëse kundër Perandorisë osmane, në trekëndëshin Beograd-Bukuresht-Sofje. të koordinuara sigurisht nga një qendër e jashtme, e cila mund të paramendojmë se ka qenë në Rusi.

Dimitri tërë jetën e kaloi me armë në dorë, duke marrë pjesë që në rininë e hershme në çetat vullnetare në Serbi, Rumani dhe Bullgari, kundër Perandorisë Osmane, por edhe në Kryengritjen e Kretës (ishull në jug të Greqisë së sotme) dhe në njësitë vullnetare përkrah Garibaldit, në luftën për bashkimin e Italisë, ku ka pas edhe rol udhëheqës për çka edhe është dekoruar.

Si u ndërruar Dimitër Nikolla në figurë qendrore e rezistencës antiosmane në Bullgari?

Sidomos në lëvizjen revolucionare bullgare të gjysmës së dytë të shek. XIX, Dimitër Obshti ka luajtur rol tepër të rëndësishëm, duke u radhitur si person e dytë për nga rëndësia, pas Vasil Livskit, ideologut dhe strategut kryesor të çetave kryengritëse dhe luftës nacionalçlirimtare bullgare kundër Perandorisë Osmane.

Për shkak të veprimtarisë së tij, Dimitër Obshti bashkë me Vasil Levskin u dënuan me vdekje. Dënimi me varje u ekzekutua më 10 janar të vitit 1873, në Sofje të Bullgarisë.
Për figurën dhe veprimtarinë e Nokolla Obshtit, deri më sot autorë bullgarë kanë hartuar një monografi të përbashkët për këto dy figura kresore të lëvizjes çlirimtare bullgare të shek. XIX, Levskin dhe Dimitrin, kanë shkruar dy romane, kanë realizuar një film dokumentar dhe kanë shkruar dhjetëra studime me karakter shkencor, dhe jo vetëm.

Pse ne shqiptarët nuk kemi bërë asgjë deri më sot për ta studiuar, hulumtuar dhe shpalosur të vërtetën për këtë figurë kaq të rëndësishme, së paku për shkak të prejardhjes së tij, që padiskutueshëm nuk mund të mohohet se ka qenë shqiptare?!

(8 gusht 2018)

* * *

DIMITËR OPSHTI, FIGURË HISTORIKE KONTRAVERSE – MERCENAR APO REVOLUCIONAR?

(Me rastin e përvjetorit të Kryengritjes së Ilindenit (2 gusht 1903 – 2018), e cila këtë vit u shënua për herë të parë me aktivitete të përbashkëta mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, në frymën e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, mirëkuptim dhe bashkëpunim mes këtyre dy shteteve, të nënshkruar një vit më parë në Shkup, mes qeverisë së Bullgarisë dhe qeverisë së Maqedonisë, më 1 gusht 2017.)

Dimitër Obshti (1835-1873), figurë e dytë qendrore e lëvizjes revolucionare bullgare (ballkanike) nga gjysma e dytë e shek.XIX.

Kush ka qenë në të vërtetë Dimitër (Dimitar) Obshti? A ka qenë shqipart nga Gjakova e Kosovës, apo shqiptar ortodoks nga Maqedonia i shpërngulur në Gjakovë, një person me ndikim të madh në ngjarjet e kohës, në gjysmën e dytë të shek. XIX? Cila ka qenë prejardhja, përkatësia kombëtare e vërtetë e këtij personi kontrovers, i cili vetë ka deklaruar se është nga Gjakova, por ka pretenduar të merr rol udhëheqës në lëvizjen revolucionare bullgare antiosmane (apo lëvizjes çlirimtare të popujve ortodoksë të rajonit) të saj kohe, në krahinën e Trakisë dhe krahinën e Maqedonisë të cilat synonin pavarësinë e tyre në kuadër të Perandorisë Osmane? Sipas një tradite të njohur të kishës ortodokse, shumica e veprimtarëve politikë dhe fetarë kanë mbajtur pseudonime, emra dhe mbiemra të rrejshëm, por edhe dokumente personale të falsifikuara për ta fshehur identitetin e tyre të vërtetë.

Dimitër Obshti, figurë enigmatike që besojmë se ka qenë shqiptar ortodoks

Për këtë person thuhet se ka qenë me ndikim të madh në radhët e lëvizjes nacionaçlirimtare të popujve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane, në gjysmën e dytë të shek. XIX, e cila siç flasin dëshmitë e kohës dhe burimet historike, nuk ka pasur vetëm karakter bullgar (dhe maqedonas), por ka qenë një lëvizje e gjerë, e shtrirë sidomos ndër pjesëtarët e besimit ortodoks, shqiptarë, vllehë, bullgarë dhe të tjerë, e cila është koordinuar nga dy qendra të rëndësishme të kohës, Konstandinopoja dhe Bukureshti. Këto lëvizje siç duket kanë qenë të frymëzuara nga kryengritja e Garibaldit për bashkimin e Italisë, në të cilën kanë marrë pjesë me formacionet e tyre vullnetare edhe shumë shqiptarë, vllehë, bullgarë dhe të tjerë nga rajoni i Gadishullit Ilirik (Ballkani).

Identiteti i Dimitër Nikollës (Obshtit) sipas burimeve bullgare

Siç dëshmojnë edhe vetë burimet bullgare, Dimitër Obshti (Dimitar) nga Gjakova e Kosovës, si ndihmës i Levskit (ideolog dhe themelues i Organizatës së fshehtë revolucionare bullgare-maqedonase) është dërguar nga Komiteti Qendror Revolucionar (bullgar) i Bukureshtit. Opshti ka kërkuar nga Levski të emërohet Apostull (i emëruar special) për gjithë Maqedoninë dhe ta krijojë rrjetin e Organizatës së Brendshme (të fshehtë) Revolucionare (VRO) atje, por Levski duke mos pasur besim në këtë person e ka refuzuar kërkesën e tij. Me insistimin e Komitetit revolucionar të Loveçit (rajon në Bullgari), Dimitër Obshtit i është dhënë e drejta të ndërmerr aksione në rajonin mes Tetovenit dhe Sofjes (një qytet i vogël në rajonin e Dobruxhës në kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë). Në këtë rajon, Obshti ka organizuar plaçkitjen e konvojit shtetëror të shërbimit të financave shtetërore turke, më 22 shtator 1872. Ky aksion është organizuar me paramendim që të sigurohen mjete financiare për lëvizjen nacionalçlirimtare (jo vetëm bullgare). Aksioni nuk dali i sukseshëm dhe u shndërruar në plaçkitje të zakonshme. Më vonë Obshti u burgos nga organet e pushtetit osman. Duke mbajtur shpresën që t’i jep karakter politik këtij procesi, dhe që t’i shtyjë të intevenojnë Fuqitë e Mëdha, Opshti ka e zbuluar tërë rrjetin e komitëve. Dëshmitë e tij kanë qenë bazë për aksionet e pushtetit osman, të cilat i dhanë goditje të fortë VRO (Organizatës së Brendshme Revolucionare), që çoi edhe në borgosjen e Levskit, me çka seriozisht u dobësua kjo organizatë. Obshti dhe Levski u dënuan me varje nga pushteti osman.

Pjesëmarrja e Dimitër Nikollës (Obshtit) në kryengritjen e Garibaldit për bashkimin e Italisë

Luftat e Garibaldit për bashkimin e Italisë u shndërruan në inspirim edhe për popujt ballkanikë. Në radhët e luftëtarëve të tij morrën pjesë një numër tepër i madh vullnetarësh nga Iliriku (Ballkani), mes të cilëve edhe nga krahinat shqiptare, Maqedonia, Kosova dhe Çamëria. Mes tyre edhe Dimitër Obshti nga Gjakova me shumë shokë të tjerë.
Sipas disa dëshmive dhe shënimeve të kohës, pa përfundimit të kësaj lufte, shumë bashkëluftëtarë të Garibaldit nga viset ballkanike mblidheshin zakonisht në pijetoren „Bajoneta e kuqe“ e cila ndodhej në rrugën e Bukureshtit „Moshilor“, nr.77. Mes vullnetarëve të dikurshëm në çetat kryngritëse të Garibaldit kishte vllehë, bullgarë dhe shqiptarë, mes të cilëve edhe Dimitër Obshti nga Gjakova e Kosovës, i cili tregonte edhe dokumente për pjesëmarrjen e tij në radhët e luftëtarëve të Garibaldit (1866). Ai nganjëherë deklaronte se e quajnë Dimitër Obshti i Maqedonisë, edhe pse ishte me prejardhje nga Gjakova.

Dimitër Obshti, mercenar apo luftëtar i kauzës për çlirimin e popujve ballkanikë nga sundimi osman?

Si rezultat i aktiviteteve avanturiere të Dimitër Obshtit, i cili e plaçkiti arkën e Kazasë së Orhanisë (të gjitha tatimet e mbledhura nga pushteti osman në këtë kaza) në ngushticën Arabakonakut disa kilometra në afërsi të qytetit të Sofjes, Organizatës së brendshme revolucionare bullgare i solli goditje të fiqishme nga pushteti, që u reflektua edhe ndaj Komitetit qendror të organizatës revolucionare bullgare në Bukuresht. Nga pushteti u kapër një numër i madh aktivistësh të kësaj organizate, mes të cilëve edhe udhëheqësi i saj Levski, i cili u dënua me vdekje dhe u var në Sofje bashkë me Dimitër Obshtin, në vitin 1873.

Në vend të përfundimit

Sidoqoftë, kjo figurë nuk duhet të lihet në harresë, por të sigurohen burime historike relevante dhe historiografia ta thotë fjalën e saj. Përmes kësaj figuro do të ndriçohen edhe shumë çështje të tjera që i ka mbuluar pluhuri i kohës. Sidomos, përmes kësaj figure do të thuhet e vërteta se, lëvizja çlirimtare antiosmane a ka qenë në fillimet e saj me karakter ballkanik, apo ka pasur edhe karakter nacional, siç i ka dhënë historiografia e shteteve sllave ortodokse deri më sot.

Në lidhje me këtë çështje duhet të merren parasysh edhe këto faktet:

1. Si ndodhi një shqiptar ortodoks nga Gjakova (apo Maqedonia) të bëhet figurë e dytë qendrore, pas ideologut dhe udhëheqësit kryesor të saj, Vasil Levskit, në një lëvizje revolucionare bullgare?

2. Pse kjo organizatë deri në ndërhyrjen serbe brenda saj, mbante emrin: Organizata e brendshme revolucionare e Maqedonisë dhe Edrenesë (Odrinska, në gjuhën sllave), e jo Oganizata e brendshme revolucionare bullgare, pa qoftë të shtohej vendi ku ajo duhej të veprojë, në Maqedoni dhe rajonin e Edrenesë në Traki?

3. Pse ngjarja më e rëndësishme me të cilën edentifikohet kjo lëvizje, Kryengritja e Ilindenit, të cilës i jepet kryesisht karakter bullgar, nuk shpërtheu në vendbanimet me popullis shumicë bullgare, ku vepronin shumë të ashtuquajtur Komitete revolucionere të rretheve, por shpërtheu vetëm në njërin prej tyre, në Krushevë, ku më së paku kishte popullsi bullgare, në qytetin e banuar kryesisht me shqiptarë ortodoksë dhe vllehë?

(2 gusht 2018)

Fotografia e Abdulla Mehmeti
Fotografia e Abdulla Mehmeti
Fotografia e Abdulla Mehmeti
Fotografia e Abdulla Mehmeti
Fotografia e Abdulla Mehmeti
+2
Shkruaj një koment…

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...