Home / Opinion / DIALOGU NË BRUKSEL DHE KUTIA E PANDORËS

DIALOGU NË BRUKSEL DHE KUTIA E PANDORËS

 

Serbia e viteve të fundit qeveriset nga radikalët sheshelistë si dhe nga nacionalë-socialistët millosheviqianë. Ish-kryetari serb – Tomisllav Nikoliqi ishte sheshelistë. I tillë ka qenë edhe kryetari i përtashëm – A. Vuçiqi. Ndërkaq, ministri i Jashtëm serb – Ivica Daçiq ishte i rrethit më të ngushtë të Millosheviqit. Objektivi i tyre ka qenë dhe mbetet – sendërtimi i “Naçertanies” së Ilija Garashaninit dhe krijimi i Serbisë së Madhe.
Për ta arritur këtë qëllim, politikanët serbë kanë ndjekur gjatë historisë dhe vazhdojnë të ndjekin edhe sot – politikë hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste. Qëllimi i Serbisë është që me ndihmën e Rusisë dhe Putinit, të dominojë në Gadishullin Ballkanik. Për këtë arsye Serbia, si dikur ashtu edhe sot, ndjek politikën e forcës.
Politika serbe, e dikurshmja dhe e sotmja, është politikë destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse.
Për këtë arsye, Serbia sot është në mosmarrëveshje me shumë vende të rajonit:
– Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën Ortodokse Maqedonase;
– Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën Ortodokse të Malit të Zi;
– Serbia e destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën, duke nxitur tendencat secesioniste në Republikën Serbe, me qëllim aneksimi të saj;
– Serbia ndaj Kroacisë vazhdimisht ka manifestuar aspirata territoriale, duke i shfrytëzuar serbët e atjeshëm si kolonë të pestë;
– Serbia ndaj Kosovës haptazi manifeston tendenca territoriale.
Pikërisht kjo Serbi, në vitet ’90 të shekullit XX, nëpërmjet Armatës Popullore të Jugosllavisë – të kontrolluar nga gjeneralët serbë – bëri agresion ndaj Sllovenisë, Kroacisë, BH-së dhe Kosovës. Një Serbi e këtillë nuk e ka vendin në BE.
* * *
Ka kohë që Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjike. Një shtet që në kohë paqeje ndjek ndaj fqinjit të vet luftë speciale dhe luftë psikologjike, nuk është i denjë për të zhvilluar bisedime për arritjen e një marrëveshjeje.
Statusi i Kosovës është përcaktuar me Planin e Marti Ahtisarit, ndaj çfarëdo dialogu tjetër rreth Kosovës dhe lidhur me të, është i panevojshëm. Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë fare i panevojshëm, për arsye se liritë dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë, përfshi edhe ato të pakicës serbe, kanë qenë të garantuara sipas standardeve evropiane më të larta. Mirëpo Beogradit kurrë nuk i kanë interesuar të drejtat e serbëve të Kosovës, por territori i saj (i Kosovës).
Serbia e sotme, është Serbi e Madhe, për arsye se nën sundimin e saj ndodhen territore të banuara me popullsi joserbe, siç janë Kosova lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), e banuar nga shqiptarë; Sanxhaku, i banuar nga myslimanë si dhe Vojvodina, e banuar nga 26 pakica kombëtare dhe me një përqindje të madhe të bashkësisë etnike hungareze. Në vitet ’90 të shekullit XX, Serbia anembanë Ish-Jugosllavisë bëri dy revolucione të mëdha: jogurt revolucioni dhe ballvan revolucionin. Gjatë jogurt revolucionit, të udhëhequr nga Millosheviqi, Beogradi ia suprimoi Vojvodinës autonominë. Duhet shtuar se në vitin 1945 Serbia bëri pastrimin etnik të Vojvodinës, duke dëbuar qindra mijë gjermanë, nën akuzën se qenkëshin kolaboracionistë. Në vend të tyre solli në këtë rajon kolonë serbë dhe malazias, me qëllim ndryshimi të strukturës etnike të popullsisë.
Kur është fjala për Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) duhet thënë se që nga dita kur kjo pjesë e Kosovës iu mor asaj dhe iu dha Serbisë, Beogradi ndaj shqiptarëve të kësaj zone ka ndjekur politikën e gjenocidit dhe të getoizimit. Të njëjtën politikë të gjenocidit dhe të getoizimit ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) Beogradi ndjek sot e kësaj dite.
Rrjedhimisht, më parë se për serbët e Kosovës, të cilëve nuk u mungon asnjë e drejtë, Beogradi duhet të kujdeset për sigurimin dhe garantimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), të myslimanëve në Sanxhak si dhe të hungarezëve në Vojvodinë, të cilëve ua mori autonominë.
* * *
Çështjen e Kosovës Beogradi ka synuar ta paraqesë së çështje “që duhet të zgjidhet” midis Serbisë dhe Shqipërisë. Duke e shtruar Kosovën si “çështje midis Shqipërisë dhe Serbisë”, Beogradi synon ndarjen e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Beogradi duhet ta dijë se nuk ekziston çështje e Kosovës. Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik i rregulluar me Planin e Ahtisarit dhe i njohur nga 117 vende të botës. Është njohur nga ShBA-ja, nga Britania e Madhe, nga Gjermania, nga Franca, nga Italia, nga Japonia, nga Kanadaja, nga Australia etj.
Ndarja territoriale do të komprometonte vendimet dhe veprimet e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe të Brukselit. Do të vihej në dyshim Plani i Ahtisarit, do të diskreditohej edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës, shpallja e pavarësisë së Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ka qenë akt i justifikueshëm.
Vitet e fundit, diplomacia serbe s’ka lënë derë pa trokitur për t’i bindur qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes se “çështja e Kosovës” nuk është zgjidhur dhe se kërkuaka zgjidhje. E zgjidhja, sipas millosheviqistëve dhe sheshelistëve, na qenka ndarja e saj. Por, Beogradi duhet ta dijë se millosheviqistët dhe sheshelistët janë forca të mundura. Të mundura, jo nga bashkësia ndërkombëtare por nga ideologjia vetanake retrograde dhe antidemokratike. Krerët politikë serbë, të nxitur edhe nga klerikët serbë, duan ta ringjallin një ideologji anakronike.
Beogradi duhet ta dijë se:
– kurrë në histori ndarjet territoriale nuk janë bërë pa luftë;
– ndarja territoriale shpie në krijimin e shteteve etnike, gjë që është në kundërshti me parimet dhe me vlerat themelore të Bashkimit Evropian;
– krijimi i shteteve etnikisht të pastra është në kundërshti me parimet themelore demokratike;
Si mund të kërkojë Beogradi ndarje territoriale me Kosovën, përderisa nën sundimin e Serbisë ndodhen Kosova lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), Sanxhaku dhe Vojvodina e banuar nga 26 minoritete.
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli – e dinë mirëfilli se ndarjet territoriale mund të çelin në rajonin e Ballkanit kutinë e Pandorës:
– ndarje në Maqedoni mund të kërkojnë shqiptarët me qëllim që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Mali i Zi mund të kërkojnë shqiptarët në mënyrë që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Greqia mund të kërkojnë shqiptarët që kanë mbetur në Çamëri me qëllim që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Serbia mund të kërkojnë shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) me qëllimtë t’i bashkëngjiten Kosovës;
– ndarje nga Serbia mund të kërkojnë myslimanët e Sanxhakut me qëllim bashkimi Bosnjës dhe Hercegovinës;
– ndarje nga Serbia do të kërkonin hungarezët e Vojvodinës me qëllim bashkimi Hungarisë.
Nuk duhet harruar se hungarezë ka edhe në Rumani edhe në Sllovaki. Pas ndarjeve territoriale, mbase do të shtoheshin edhe orekset e Bullgarisë për pjesën juglindore të Maqedonisë. Ndarjet territoriale do të trimëronin Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u shkëputur prej saj dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Pa u preku nuk do të mbetej as Kroacia. Beogradi do të trimëronte atje kolonën e pestë të vet. Ballkani do t’i ngjante një fuçie baruti ku në fillim të shekullit XX dhe në fund të tij ka ndodhur bellum omnium in omnes. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë.
Ndarjen e popujve mbi parime etnike, Moska do ta shfrytëzonte për t’i legjitimuar ekspansionet apo synimet e veta në Osetinë Jugore, në Abhazi, në Moldavi, në Krime, në pjesën lindore të Ukrainës, me pretendime edhe ndaj vendeve të Baltikut.
In ultima linea, 117 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë bërë këtë me kufijtë e saj të përtashëm. Ndryshimi eventual i kufijve do të dukej si akt joserioz para tyre.
* * *
Vitet e fundit, diplomacia serbe u shndërrua në një makineri propagande të egër, thellësisht antishqiptare. Diplomatët serbë u thonë politikanëve të kancelarive të fuqive historike të kontinentit të vjetër që të mos krijojnë dy shtete shqiptare në Evropën e krishterë:
– ngase shqiptarët janë të fesë islame;
– ngase shqiptarët funksionojnë me sistem oriental vlerash;
– ngase shqiptarët janë të lidhur me Turqinë, me vendet arabe dhe me Iranin;
– ngase shqiptarët i binden presidentin të përtashëm të Turqisë;
– ngase shqiptarët janë përçues të interesave të vendeve islamike;
– ngase një numër i caktuar shqiptarësh të trojeve shqiptare, në kuadër të shtetit islamik, kanë luftuar në Irak dhe në Siri;
– ngase me rastin e votimit në OKB lidhur me kryeqytetin e Izraelit, Shqipëria nuk votoi në anën e Uashingtonit, për dallim nga vende të caktuara të rajonit dhe të Evropës që abstenuan.
Diplomacia serbe ka punuar me të madhe për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit, diplomacia serbe ditë e natë shëtit nëpër botë për t’i bindur vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta tërheqin njohjen. Duhet thënë se shumë vende islamike, sot e kësaj dite nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nga kjo rezulton se propaganda e egër serbe se shqiptarët na qenkëshin popull pro Turqisë, pro vendeve arabe dhe pro Iranit është një shpifje e kulluar. Kuptohet, Shqipëria dhe Kosova, në përputhje me normat ndërkombëtare, zhvillojnë marrëdhënie politike apo ekonomike me shumë vende demokratike të botës, përfshi edhe vendet me popullsi islamike. Dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Por, përcaktimi strategjik i shqiptarëve është: partneriteti strategjik me ShBA-në dhe integrimi në strukturat euroatlantike.
Bota shumë e di se shqiptarët janë popull që u përkasin tre religjioneve: katolike, ortodokse dhe islame. Si na qenkëshin pra shqiptarët pro orientit?! Vizita që ia bënë Shqipërisë dy papët e Vatikanit, flet qartas se diplomacia antishqiptare e Beogradit zhvillon luftë speciale kundër shqiptarëve. Gjergj Kastrioti ishte hero shqiptar, por edhe evropian, ndaj e quajtën antemurales christianitatis. Nëna Tereza ishte shqiptare, por i përkiste njerëzimit.
Duke e ditur ndikimin e lobit hebre në politikën amerikane, para ca ditësh Beogradi priti për vizitë kryetarin e Izraelit. Mirëpo, një ditë para ardhjes së tij nga Zagrebi, në disa rrugë të kryeqytetit serb u shfaqën grafite me përmbajtje antisemitiste. E tërë bota e di se gjatë Luftës së dytë Botërore, shqiptarët ishin i vetmi popull në Evropë që nuk ia dorëzoi gestapos gjermane, as edhe një hebre të vetëm. Lidhur me mbrojtjen e interesave kombëtarë, diplomacia shqiptare – e Shqipërisë dhe e Kosovës – duhet të jetë më e gjallë, më vepruese, më vigjilente dhe më kreative.
Shqipëria dhe shqiptarët vazhdimisht kanë ndjekur politikë të fqinjësisë së mirë, politikë të bashkëpunimit në dobi të ndërsjellë dhe politikë stabilizuese e paqeruajtëse në rajon, në të mirë të të gjithëve. Beogradi nuk duhet ta keqpërdorë këtë. Në vend të ndarjes së Kosovës, Serbia duhet t’u kërkojë shqiptarëve falje për krimet e bëra gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në vend të ndarjes, Beogradi duhet t’u paguajë shqiptarëve zhdëmtim për politikën kolonialiste dhe për gjenocidin të kryer ndaj tyre prej vitit 1877 deri në ditën e çlirimit.
* * *
Administrata e Presidentit Tramp e di mirë se shqiptarët janë populli më proamerikan i rruzullit tokësor. Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit strategjik amerikan në rajon. Serbët ndërkaq, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë satelitë politikë i Rusisë. Shqiptarët besojnë se Perëndimi do të zotohet për ta mbrojtur sovranitetin, tërësinë e tokave dhe integritetin e Kosovës demokratike. Roli dhe kontributi i presidentëve amerikanë – Udro Uilson, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush në mbrojtje të shqiptarëve, ka zënë kryet e vendit në historinë e këtij populli.

Xhelal Zejneli

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...