Home / Opinion / (kushtuar Adem Demaçit)

(kushtuar Adem Demaçit)

 

duke përkrahur sfidën më të re akuzë gurit të kufirit
në shitoren më të afërt të luleve bleva trëndafila të kuq
me dorën e mendjes i vendosa në majën e lartë të Pashtrikut
tashti trëndafilat flasin shqip anembanë Arbërisë së Vjetër
për rrugën e kombit tonë të lashtë që po zgjat sot e njëqind vjet
konferencave çnjerëzore të paqes traktateve të fshehta të pabesa
postblloqeve të historisë së re pritave të ushtrive kolonialiste
vendosur padrejtësisht mbi trungun e dënuar e të copëtuar ilir
pushkatime mizore vrasje të kurdisura gjëmë të shqiptarit
kalvar golgotë bashkëkohore shtrungë e ngushtë e eksodit biblik
luginë gjaku varreza masive fushë minash tela gjemborë
anembanë atdheut të masakruar për turp e faqe të zezë
një komb i vrarë në bërthamë për hatër të këlyshëve të Rusisë
me bekimin e perëndive tokësore në Berlin Londër Paris Bruksel
vasalisht të pranuar puthadorësh të marrë bajraktarësh të shitur
dashnorë të pasionuar kolltuqesh palaço të cirkut të verdhë
dikush ndërto dikush shkatërro besë e pabesi lidhur dorë për dorë
disi krejt ngjashëm me legjendën e Doruntinës e Rozafatit
ndaj duke përkrahur sfidën më të re akuzë gurit të kufirit
në shitoren më të afërt të luleve bleva trëndafila bojë gjaku
me dorën e mendjes i vendosa në Kodrën e Diellit në Prekaz
tashti trëndafilat flasin shqip anembanë Arbërisë së Vjetër
për rrugën e kombit që po ngjizet me mundime të mëdha
për gurët e Murit të Berlinit shqiptar që do të bien patjetër

Kadri Rexha

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...