Home / Histori / “Masakra” e Martaneshit

“Masakra” e Martaneshit

Nga Dilaver Goxhaj

Armatës së atyre që urrejnë LANÇ-in e veçanërisht Brigadës I Sulmuese, Heroinë e Popullit, iu shtua kohët e fundit edhe gazetaxhiu i vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim, Mero Baze. Dhe kjo luftë mediatike bëhet në kuadrin e 75 vjetorit të asaj Brigade. “Hapi i parë në likudimin e një populli, -shkruan ish-radio korrespondenti amerikan më i vrullshëm i Luftës II Botërore, Edward R.Marrow (1908 – 1965)-, është të fshini kujtesën e tij, të shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë ishte.” Këtë gjë po përpiqen të bëjnë këto 30 vjet “demokraci”, “Gazetaxhinjtë tanë policorë,/ që veç të shpifin dinë,/ mbi varret tona me dëshmorë / të bardhën krejt e nxijnë.”, sikundër i anatemon këtë lloj kategorie poeti Euzhen Potje.
Unë jam bir partizani si dhe nipi i atij partizanit të vrarë nga ballisto-xhandarët, në fshatin Peshk të Martaneshit, për të cilin shkruan pa përgjegjegjësi Mero Baze. Mero, populli ynë thotë, se nipi për dajën qet pushkë. Por, besoj se më kupton, që pushka e nipit nuk është pushkë mercenari. Madej, ti Mero, ndoshta mund ta marrësh me mend se çfarë kuptimi ka, për mua dhe sivëllezërit e mi, Lufta Nacional-Çlirimtare dhe Br1S. Të qenët pasardhës i tyre është një emocion. Por, me sa kuptoj, ti nuk i përket asaj kategori që të kesh të tillë emocione. As unë dhe as mijëra pasardhës të 70 mijë partizanëve nuk do ta tradhëtojmë idealin e tyre. Prandaj, është mirë të mos merresh me kërë histori lufte, jo për gjë, por ngaqë nuk e njeh. Unë e njoh, se më është vrarë dajua dhe plagosur tjetri, si dhe babai im në atë luftë çlirimtare. Por e njoha më shumë kur m’u dha rasti të luftoja pesë ditë dhe unë, në radhët e UÇK-së, dhe po të them, se edhe mua nëse ndonjë fshat do të më kishte bërë pritë të pabesë e rrethim të formacionit luftarak, sikundër i bëri fshati Peshk Brigadës I, ka gjasa se edhe unë ashtu do kisha vepruar, edhe pse isha në moshën 50 vjeçare; por edhe sot sikur të më ndodhte, ashtu do të bëja. Gjithashtu, do ta mbroj të vërtetën për Brigadën I sulmuese edhe për një fakt tjetër, se me atë inkursion të saj, që ju kërkoni ta shtrembëroni të vërtetën e atij misionini, ajo Brigadë shpëtoi Luftën Nacional-Çlirimtare, e cila i riktheu Shqipërisë pavarësinë.
Parimisht, lufta, pa marrë parasysh sa e nevojshme ose e justifikuar të jetë, përsëri është krim. Mirëpo nga krimi lind krimi. Kush e bëri krimin i pari, partizanët apo xhandaro-ballistët e fshatit Peshk? Të parët që bënë terror kundër Br1S dhe e vranë, ishin xhandaro-ballistët. Dhe, si rrjedhojë, pushkatimi i tyre ishte një ndëshkim. Ndëshkimi është bërë nga shoqëria njerëzore për të ndëshkuar atë që ka ndëshkuar më herët. Pra, patëm një lidhje domosdoshmërie të ngjarjeve, nga të cilat, mbajtja në rrethim të pabesë e Br1S, për nëntë orë, për ta asgjësuar atë, dhe vrasja e partizanit me tradhëti, quhet shkaku, nga i cili lindi domosdoshmërisht pasoja, pushkatimi.
Dhe nuk është e vërtetë ajo që thuhet nga ti Mero, në gazetën tënde “Tema”, dt. 18 korrik 2018, se partizani që u vra “ishte pjesë e praparojës së Brigadës”. Dhe këtë gënjeshtër ti e thua për t’u bërë sa më i besueshëm, se gjoja Br1S, kur ka mësuar se i është vrarë partizani i fundit i praparojës së asaj kolone luftëtarësh 3 km të gjatë, është kthyer prapa për të bërë masakër; e që me këtë kërkon të bindësh brezat e sotëm, se gjoja Br1S kishte shkuar në Veri vetëm për të bërë masakra. Këtë shkruan edhe i biri i ballistit, Uran Safet Butka, në librin e tij “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, v.2, f.33-35, ku je mbështetur zotrote.
Këto që ju shkruani, nuk janë fakte, janë vetëm interpretime, Mero. Nuk jam i mërzitur pse gënjen, jam i mërzitur se nga tani e tutje, nuk të besoj dot për gjithça as unë dhe as ata që ta kanë lexuar gazetën deri sot. Ju e shtrembëroni të vërtetën e asaj lufte çlirimtare dhe të asaj ngjarjeje, sepse nuk doni që të humbisni iluzionet e krijuar prej urdhërdhënësve tuaj.
Mësoje Mero, se partizani që u vra ishte komandanti i pararojës së Br1S, dhe jo partizani i fundit i praparojës, dhe është vrarë porsa pararoja mori me sulm kodrat para se të mbrihej te ura e përroit të Çiçullit, i vetmi kalim nga mund t’i ngjitej Brigada Shkallës së Valit. Ato dy kodra mbaheshin prej gjithë natës nga xhandaro-ballistët e fshatit Peshk, që partizanët të mos dilnin dot nga rrethimi. Dhe, sikundër do ta shohim, kjo thuhet jo vetëm në Historikun e Br1S, f.272: “Kodrat u muar me sulm. Nga ana jonë ra dëshmor skuadërkomandanti Kambr Sadiku.”, por edhe prej disa partizanëve të saj. Nëse nuk do të ishin marrë ato kodra, Brigada e parë do të ishte vrarë e gjithë në fshatin Peshk, Mero.
Që partizani u vra nga xhandaro-ballistët, porsa pararoja u hodh në sulm për të marrë ato dy kodra, duke u qëlluar pas shpine nga xhandarët e tjerë zogistë që qëllonin nga dritaret e shtëpive të fshatit Peshk, e thotë në ditarin e tij edhe Bedri Gjergji, zv.komisari i kompanisë ku bënte pjesë partizani që u vra: “Hidhemi në sulm. Në këtë kohë, nga penxheret e një shtëpie na vranë Kamberin, shokun tonë më trim e më komikun nga të gjithë. Lajmi i vrasjes së tij na bani që ne të qajshim të gjithë.”, (A.Q. i F.A. Fondi:Br1S, viti 1945,D.15, f.24).
Të njëjtën gjë tregon edhe partzani tjetër, Xhafer Peçi, në librin e tij “Monografi”, shkruar nga Skënder Hasko: “Vrasja e Kamber Sadikut tronditi gjithë Brigadën. Nuk ngeli partizan pa qarë”.
A e kupton ti, z.Mero, se çdo të thotë të qajë një ushtri e tërë, në momentin kur u vritet njeriu më i dashur i asaj ushtrie? A mund ta merrni me mend se çfarë urrejtje lind në zemrat e tyre, në ato momente? Ata ishin 450 luanë të egërsuar; më i moshuari i tyre ishte komandanti brigadës, dy muaj kishte që kish mbushur 31 vjeç, të gjithë të tjerët më të rinj! Pëfytyro t’i dalësh përpara kësaj ushtrie me luanë të kësaj moshe e të egërsuar në të tilla pabesi. Ke qenë ndonjëherë djalë i kësaj moshe, ti Mero? “Është e ndaluar vrasja, -thotë Volteri – prandaj dhe të gjithë vrasësit dënohen, përveç rastit nëse ata vrasin në numër të madh dhe pas zërit të trumbetës.” Dhe borizani brigadës i kishte rënë trumbetës për të kaluar në sulm ata luanë, Mero. S’ta paska thënë Urani këtë detaj të rëndësishëm?
Mos harro edhe tjetrën që, në kushtet e një luftimi në rrethim të një ushtrie të tillë, është më e lehtë të veprosh sesa të mendosh. Ajo luftë çlirimtare ishte njëkohësisht edhe rvolucion shoqëror, Mero, dhe jo thjesht mjet për lirinë; prandaj u egërsuan aq shumë ata djelmosha partizanë, që ishin gati të digjnin edhe gjithë fshatin, si pasojë e atij rrethimi dhe të asaj vrasjeje tradhëtisht. Po vallë, a e di ti Mero, se ç’do të thotë revolucion shoqëror? Pyete Uranin, se e ka lexuar në librat e babait të tij.
Se në ç’momente u vra ai partizani “i praparojës” tënde, na tregon edhe një ish-partizan tjetër i asaj brigade, Sotir Andon Foto, në f.236 të librit të tij “Në gjurmët e inkursionit”: “Na grinte sidomos një mitraloz “Breda”, i cili qëllonte mbi ne pej një shkëmbi përpara shtëpive të reaksionarit Ram Dervishi, përtej përroit, në fshatin Gjon. U pa se nga të gjitha anët ndodheshim midis pritash e të rrethuar. Të shtënat me armë vinin edhe prej një grupi shtëpish afër nesh, të cilat bënë që partizanët, pa marrë parasysh të goditurat e gjithanshme të reaksionarëve, me inisiativën e tyre, të hidhen në sulm në të gjitha drejtimet… Pikërisht në këtë çast një plumb i një dore tradhëtari goditi për vdekje shokun tonë, partizanin e vjetër trim, komunistin Kamber Sadiku.”
Është edhe një dëshmitar tjetër okular, z.Mero, zv.komandanti i b2Br1S, Dilaver Radshi, i cili në kujtimet e tij “Inkursioni”, botuar menjëherë pas lufte, f.80-81, shkruan: ““Brigada mbeti e rrethuar plotësishtë. Sipas armikut, ajo kishte rënë në një thes që s’kishte për të dalë kurrë e gjallë. I vemi varjant i mundshëm ishte çarja e rrethimi drejt Shkallës së Valës dhe kapja e Gurabardhit… Ishin xhandarët e Abas Kuptit dhe tradhëtarët e Martaneshit. Ata kanë për qëllim që, në mos na asgjësofshin, të na ngujojnë të paktën një ditë në Martanesh, për t’u dhënë kohë dhe mundësi forcave gjermane të mbrinin aty, të nisura nga Dibra dhe Burreli apostafat për këtë qëllim. Lufta u ndes përpara, anash dhe prapa. Pikat mbizotëruese në të dy anët e kolonës sonë i kishte armiku, kurse për ne përtzanët terreni ishte krejtësisht i panjohur. Nata ishte shumë e errët. Agimi i ditës nuk duhej pritur, pasi situata luftarake do të keqësohej edhe më shumë. Duhej shfrytëzuar nata për të dalë nga rrethimi… Armiku në lagjen Peshk kishte zënë kodrat, të cilat përbënin një pozicion të fortë, sepse nga ana e poshtme mbyllte Shkallën e Valës, prandaj ajo duhej marrë me çdo kusht, natën. Të merrej Shkalla e Valës me sulm ditën, do të thoshte të jepnin jetën dhjetra partizanë…Pasi u muar kodrat e lagjes Peshk, ku na u vra komandanti i pararojës, trimi Kamber Sadiku, Batalioni i tretë zbriti poshtë në përruan e Çiçullit dhe filloi të ngjitej përpjetë Shkallës së Valës, që ka 72 të përdredhura… Brigada luftoi në rrethim për 9 orë rresht, pa pushim, kundër forcave armike që kishin zënë me kohë të gjitha pikat zotëruese të fshatit dhe në të dy anët e rrugës, në një gjatësi prej disa kilometra.”
Ja se si e tregon edhe Qerim Lila, autori i monografisë për historinë e Martaneshit (v.2000), në f.74: “Kur kanë arritur në fshatin Peshk, partizanët janë goditur përsëri nga mercnarët që i shërbenin pushtuesit; kanë qenë vendosur nëpër prita. Në këtë çast, në afërsi të përroit të Xhanit në përpjekje është vrarë skuadërkomandanti Kamber Sadiku”.
Por edhe në Historikun e Batalionit të parë të Br1S, hartuar në 3 mars 1945, kur Br1S ishte në Koplik për pastrimin e Malësisë së Madhe nga reaksioni, thuhet shprehimisht: “Në të dalë të Martaneshit, batalioni u përpoq me një grup ballistash-xhandarësh, që kishin dalë për pritë dhe i shpartalloi. Mbeti i vrarë, i qëlluar pas shpine nga tradhëtarët, komunisti Kamber Sadik Golemi”. (A.Q. i F.A., Fondi Br1S,, viti 1945, D.3, f.5)
Ja që gënjshtra, z.Mero, i ka këmbët e shkurtëra. Bindja juaj, se Br1S dhe komandanti i saj ishin kriminelë, është më armiqësore ndaj së vërtetës për atë luftë çlirimtare, dhe më e rrezikshme se gënjeshtrat që keni botuar. Është kjo arsyeja që ju, z.Mero, vijoni ta meroni veten për të shpifur sa më shumë, duke na thënë, se “Fjalët dolën se mund të kishte qenë ndonjë reagim nga fisi Biçaku, që njihej si antikomunist, por nuk u vërtetua kurrë.”, gjë që tash duhet ta keni të qartë, se ishin gjithë burrat e fshatit Peshk të veshur xhandarë e ballistë, që donin të bënin masakër mbi 450 partizanë, sikundër e theksuan gjithë këta dëshmitarë okularë të ngjarjes, që i cituam më lartë. Kjo luftë e armatës tuaj, e intensifikuar kundër Luftës Nacional-Çlirimtare dhe figurave të saj të shquara, bëhet ngaqë jetojmë në një kohë të turbullt, e cila është e përshtatshme për demagogët. “Demagogët, -thotë Aristofani,- janë si ata peshkatarët e ngjalave; në ujëra të qeta ata nuk zënë asgjë, por nëse e turbullojnë tërësisht kënetën, atëherë gjuetia iu ecën.” Me këto shpifje denigruese, tarafi juaj kërkon t’i shkëputi njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita, vendi dhe nga koha. Jo më kot Ajnshtajni pat thënë, se “Demokracia, është një sistem shoqeror, ku një budalla vlen më shumë se dy të mënçur.”
Po të lexohet ajo çka shkruani ju Mero Baze, e të krahasohet me ato çka shkruan Uran Butka, kuptohet se ju e keni kopjuar gjithçka prej tij, pasi që të dy ju, ngjarjen e çoni në 5 mars 1944. Mero, ai që kopjon nuk e vë mendjen në punë. Mos kopjo herë tjetër. – VIJON –

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...