Home / Opinion / NATO-ja përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

NATO-ja përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Letër-përgjigje z. S.

Dilaver Goxhaj

Disa ditë pasi u botua më 5 mars 2018, në portalin pashtriku.org, si dhe në disa portale të tjera të Kosovës, shkrimi im “Adem Jashari përballë Ibrahim Rugovës”, mora një letër nga një miku im në Prishtinë, në datë 8 Mars 2018 at 7:17 PM, ku, midis të tjerave, ai më shkruan:
“Pershendetje, i nderuari Dilaver. E lexova shkrimin Tuaj dhe, me keqardhje te thelle, me duhet t’ju them se, eshte nje shkrim krejtesisht i shpifur dhe qellimkeq… Adem Jasharin ti e njeh nga ordineret e ilegales mafioze marksiste-enveriste kosovare, qe i kane duart e pergjakura deri ne berryle, ndersa Ibrahim Rugoven ti e njeh nga urrejtja e rivaleve te tij institucionale te Shqipeirise, per te cilet, eshte e papranueshme qe nje figure brilante si Ibrahim Rugova te jete shfaqur ne Kosove! “
Meqenëse z.S., letrën e ka konfidenciale, edhe mua nuk më lejon morali që t’ia ekspozoj emërin. Por menëherë i ktheva një përgjigje të gjatë, bazuar në përmbajtjen e letrës së tij, dhe një pjesë të shkurtër të asaj përgjigjeje mendova ta botoj tashti, thjesht për të sqaruar jo vetëm letërshkruesin tim, por shumë persona që ende nuk e kanë kuptuar Pse-në e vërtetë të angazhimit të NATO-s përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Midis të tjerave, z.S. i them: Unë nuk e shoh figureën e Rugovës me syrin që ju e shihni LPK-në, duke e cilësuar të gjithë anëtarësinë e saj: “ordinerë të ilegales mafioze marksiste-enveriste kosovare, që i kanë duart e përgjakura deri në berryle”. Nëse unë do të shprehesha me këtë gjuhë për gjithë anëtarësinë e LDK-së, do pranoja që të më varrnin në mes të Prishtinës. Si guxoni dhe shpreheni me këtë gjuhë?! Kjo, sipas jush, do të thotë se e gjithë anëtarësia e LPK-së paska qenë terroriste, mafioze, marksiste dhe enveriste etj! Por mos harrojmë se ilegale ishte edhe LKÇ-ja, edhe Partia Revolucionare Shqiptare, edhe Fronti i Rezistencës dhe, të gjithë këta mund t’i quamë “illegalë mafiozë”? Pse u thua kështu, apo ngaqë edhe Titua i burgosi pse ata respektonin dhe mbështesnin qëndrimin e Enver Hoxhës në interes të pavarësisë së Kosovës? A janë burgosur mbi 100 mijë shqitarë në ish Jugosllavi me këtë akuzë? Mos vallë, ngaqë ata kanë qenë të tillë, të dashuruar ndaj politikës nacionaliste të Enverit, dhe arritën të ngrenë shumicën e popullit shqiptar në Kosovë të rrëmbejë armët kundër pushtuesit serb, dhe ju për këtë gjë i akuzoni “mafjozë marksistë-enveristë”?!; për këtë gjë ju i akuzoni ata njerëz që, “i lyen dart me gjak deri në bryla”?!
Derisa thoni edhe sot “ilegalia mafioze marksiste-enveriste kosovare”, si mundet që të kundërshtoni vetveten në disa rreshta më poshtë, ku shpreheni: “Rugova UCK-n nuk e ka quajtur kurre terroriste.”(!!!), përderisa ajo, sipas jush, ishte mafioze, por, nga ana tjetër, “nuk ishte terroriste”! Ma shpjegoni dot?
E, mbi të gjitha, ç’ështe kjo, që e shprehni me kaq patos urrejtjen kundër LPK-së: dashamirësi për bashkimin e shqiptarëve nën një flamur, apo urrejtje për të thelluar përçarjen? Analiza ime, duke ballafaquar strategjinë e Adem Jasharit me strategjinë e Ibrahim Rugovës është ajo që nxit përçarjen dhe urrejtjen mes shqiptarëve, apo janë këto fjalitë Tuaj? Është e vërtetë që gjuha kocka s’ka, por kocka thyen, i nderar S. Kjo tregon se ju vijoni t’i qëndroni besnik asaj propagande që ka bërë denbabaden dhe po bën udhëheqja e partisë suaj dhe shtypi i saj kundër LPK-së dhe UCK-së, apo nuk është kështu?
Unë nuk marr në mbrojtje, në analizën për të cilën po diskutojmë bashkë, asnjë nga ata persona me, apo pa pergjegjësi në rradhët e UÇK-së, që mund të kenë bërë krime a vrasje të pajustifikueshme gjatë luftës e pas luftës. Nëse ka të tillë, të ndëshkohen qoftë edhe me vdekje. Por të siguroj se sa kohë që unë isha në luftë dhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, jo vetëm që nuk pashë një gjë të tillë, por as nuk kam dëgjuar një gjë të tillë. Dhe këtë e them me përgjegjësinë e një ushtaraku të lartë dhe të ushtarit të popullit tim.
Nga ana tjetër, analiza ime nuk kishte atë qëllim, por as që mund të mendohet ajo që ju shpreheni, se e gjithë LPK-ja dhe anëtarësia e organizimeve të tjera politike ilegale na paskanë qenë “me duar të përgjakura deri në berryle”. Si ua nxën goja, xhanëm! Të thush që LPK-ja ishte një “mafje kriminelësh”, madje me zë të lartë edhe sot, do të thotë se ju edhe sot e quani gjithë UÇK-në, që e inicoi dhe e ngriti LPK-ja, një ushtri kriminelësh! Për mua, nuk ka se si të kuptohet ndryshe. Dal në këtë përfundim sepse atë ushtri çlirimtare, UÇK-në pra, e ngriti, e organizoi, e armatosi, e furnizoi dhe e ushqeu anëtaresia, familjarët e asaj force politike dhe simpatizantët e saj, e cila në Kosovë vepronte në ilegaitet, ndërsa në Perëndim vepronte në legalitet të plotë. Mirëpo “mafje kriminelës” nënkuptohen edhe gjithë ata shqiptarë që e donin me të vërtetë shkëputjen e Kosovës nga Serbia përmes luftës së armatosur, ndaj të cilës ju ishit kundër.
Njëkohësishtë, po të pranojmë si të vërtetë këtë shprehjen tuaj: “LPK-ja i ka duart të pergjakura deri në berryle”, nuk qëndron edhe për vet faktin, se pjestarët e UÇK-së nuk ishin që të gjithë anëtarë të LPK-së; dhe, në qoftë se kjo që ju shpreheni, do të ishte e vërtetë, atëherë ajo do të kuptohet se e thoni për gjithë pjetarët e UÇK-së, sepse ajo luftoi, ajo do t’i “ketë lyer duart me gjak”, dhe jo thjeshtë anëtarësia e LPK-së, e cila në shumicë ishte jashtë Kosove. Ja pra që gjithë mëllefin e keni kundër UÇK-së.
Njëkohësishtë, ky mëllef i juaj është edhe ndaj gjithë asaj pjese të popullit shqiptar që iu bind thirrjes, politkës ushtarake dhe strategjisë politiko-ushtarake të LPK-së, e cila më bëri dhe mua, e shumë shokë të tjerë nga Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare dhe e tërë diaspora jonë, që t’u bashkoheshim formacioneve të UÇK-së brenda në Kosovë. E nga ana tjetër me thoni, se nuk e etiketuam keq UÇK-në! O Perëndi! Pse, ç’u ka mbetur tjetër të thoni kundër saj?
E gjithë kjo letër, ku ju shfryni gjithë urrejtjen tuaj kundër LPK-së, (dhe që nuk është thjeshtë urrejtja juaj personale, por historia tregon se është e gjithë udhëheqjes kryesore të LDK-së dhe udhëheqjeve të degëve të saj, por kurrë e gjithë anëtarësisë së saj), më falni për shprehjen, por kjo tregon miopinë politike tuajën dhe të asaj “ figure brilante si Ibrahim Rugova që te jete shfaqur ne Kosove! “. Nuk mundem ta kuptoj se si është e mundur që gjithë këta akademikë, profesorë-doktorë dhe intelektualë, që arrini në mijëra shifra, të mos keni kuptuar as dje dhe as sot, se Luftën Çlirimtare në Kosovë dhe UÇK-në, LPK-ja nuk i ka pas veç nga koka e saj?!
Menjeherë porsa do ta lexoni ketë pyetje timen, e kam të qartë se do të më thoni: “E nxiti Enver Hoxha dhe Shqipëria”. Edhe kjo përgjigje pranohet. Por kryesoria nuk është vetëm kjo; kryesoria është se janë të tjera rrethana dhe të tjerrë ustallarë, që në forma tepër konspirative e tepër të padukshme, të cilët janë kryesorët e atyre ngjarjeve luftarake që Ti dhe Rugova, dhe gjithë ithtarët e verbër të tij, nuk i keni kuptuar kurrë dhe as që mund t’i kuptoni, pasi deri aty arrin inteligjenca e juaj pacifiste.
Dhe atëherë më del mua për detyrë t’ua shpjegoj. Ju harroni se në vitin 1992, në marrëveshjn e Bukureshtit, midis SHBA dhe Gobaçovit, u vendos që të shkriheshin të dy paktet ushtarako-politke: Traktati i Varshavës dhe NATO-ja. Gorbaçovi e zbatoi menjëherë atë marrëveshje, duke tërhequr edhe të gjitha forcat e Bashimit Sovjetik nga të gjithë shtetet e atij Traktari Ushtarak, gjë që duhej ta bënin edhe SHBA, sipas asaj marrëvshjeje.
Mirëpo, që SHBA-të, të ishin ato që janë sot, u duhej patjetër ekzistenca e NATO-s. Por si ta justifikonin? E gjetën më në fund zgjidhjen: duhej të organizohej në Evropë një ngjarje që të ishte e domosdoshme ndërhyra ushtarake e NATO-s, dhe kjo ndërhyrje të quahej një lloj lufte e re, e panjohur më parë nga njerëzimi: “luftë humanitare”, ndryshe ose do të shkrihej NATO, ose do të bënte ringritjen e paktit tjetër ushtarak. Dhe për këtë u erdhi në takim ekzistenca dhe strategjia politiko-ushtarake e LPK-së, dhe jo ajo e LDK-së. Si, kur, ku dhe nga kush u arrit kjo nxitje, këtë do ta shpjegoi historia nesër, ose edhe mund të mos publikohet kurrë, pasi janë dashur shumë kohë, shumë punë, shumë diplomatë e agjentë dhe shumë mënyra.
Nëse nuk do të ekzistonte LPK-ja, kjo “mafje kriminelësh enveristë”, sikundër ju e anatemoni, nuk do të kishte as Ushtri Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishte as Luftë Çlirimtare në Kosovë, nuk do të kishim sot as NATO, nuk do të kishim sot Kosovë të pavarur e të lirë, por thjeshtë një Kosovë me statusin e asaj që ka sot Vojvodina.
Ngaqë u përputhën interest e SHBA e të ekzistencës së NATO-s me interest e popullit shqiptar në Kosovë dhe me strategjinë politiko-ushtarake të LPK-së, prandaj ndërhyri NATO-ja, edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, madje duke pranuar që ta njihte UÇK-në si aleate, edhe pse në Rambuje nuk preferuan t’ia përmendnin as emrin, por vetëm deri në 12 qershorin e vitit 1999; pas asaj date, NATO-ja as që dëshironte e nuk dëshiron t’ia dëgjoi më emërin UÇK-së, ngjashëm si Ju, që do të thotë: E hodha lumin, të dhjefsha kalin.
Dhe kali ishte UÇK-ja dhe LPK-ja, prandaj ju, ngaqë nuk i keni kuptuar dhe nuk i kuptoni këto manovra politike, ndaj dhe gëzoheni kur dëgjoni se edhe SHBA e përkrah Gjykatën Speciale; ndaj dhe shumë naivë, si puna ime dhe shokët e mi, habitemi kur dëgjojmë se ish aleatët tanë në luftë janë dakort me Gjykatën Speciale.
Tirane, 9.7.2018

About admin

x

Check Also

Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën

Intervista / Arbanë Qeriqi-Gashi: Intervistë me Nexhmije Hoxhën 03/11/2018 Gjatë vizitës së paralajmëruar në ...