Home / Opinion / Elvis Hoxha: “Jemi ndoshta në nivelin publik më të ulët të parë ndonjëherë, jemi popull sekret”

Elvis Hoxha: “Jemi ndoshta në nivelin publik më të ulët të parë ndonjëherë, jemi popull sekret”

04/07/2018

I nderuar bashkëqytetar,
Ne kemi kaluar gjithnjë jo nëpër histori armiqësore, por nëpër epoka të tradhtisë së vetes. Shqipëria e sotme, në të gjitha format e saj është ajo çka mbetet. Siç duket, cdo brez shqiptarësh do të jetë dëshmitar i një Shqipërie gjithnjë e më të vogël, çdo brez do të jetë mbartës i një shprese gjithnjë e më të pakët.
Nuk është se do i them gjërat më mirë se të tjerët. Ne e përsërisim stërmundimin tonë, por asgjë nuk ka lëvizur në aspektin e themelimit politik të popullit. Në këto ditë, pa asnjë arsye shoqërore, pa asnjë qëllim drejtësie, bëhet plan qeveritar shembja e gjurmës më të vjetër të një teatri që është ndërtuar në historinë e vijueshme të shtetimeve shqiptare, i pari teatër kombëtar, vendi i një sasie ngjarjesh dhe mase krijimtarie në shtetformimin tonë. Do të thotë se në formë qeveritare, bëhet plani të zhduket gjurma më e vjetër e shtetformimit në lidhje me artin. Dhe kjo me bashkëpunimin edhe të ca njerëzve që e quajnë veten artistë.
Moskrijimi i popullit i dashur mik qëndron pikërisht në të jetuarin edhe të arteve edhe të shkencës si mbijetesë. Ne kemi plot persona që i thonë vetes akademikë, por ne nuk kemi Akademi. Ne kemi plot që i thonë vetes artistë dhe kanë jetuar me buxhete të dhëna për artin, por po e mbështesin qeverinë kur thotë se nuk ka buxhet për institucionet e artit. Ne kemi shumë pedagogë dhe studentë, por komunitete të natyrës universitare nuk kemi. Pra ne e jetojmë çdo përpjekje krijimtare njerëzore si një aftësi të importuar e që na shërben vetëm për të mbijetuar. Ne i marrim me qira aftësitë e artit, shkencës, zejes, si dhe titujt që shkojnë me to, jo për të jetuar përkatësitë e pavdekshme të tyre me njerëzimin, por vetëm për të mashtruar vetë aftësitë e njeriut.
Sepse nuk kemi shpresë se mund të bëjmë realisht, këtu, shkencë dhe art. Prej ku dhe sjellja jonë me pronën publike. Aftësitë e krijimtarisë janë publike. Kur i tradhtojmë ato, kemi themeluar sjelljen tonë hajdute në lidhje me pronën publike. Sepse po tradhtuam pjesën publike të vetes, aftësitë e artit dhe të shkencës, si mendoni se mund të respektojmë vendet e publikimit të këtyre aftësive? Së dyti, prej këtej rrjedh edhe dëshira për të ikur që këtu. Sepse atdheu është vendi më i menjëhershëm dhe më i domosdoshëm i shfaqjes publike të vetes, pra dhe i përkatësisë së pavdekshme me njerëzimin. Këto që po them në ditët e sotme të cinizmit tregtar quhen romantizma. Sepse cinizmi ka nevojë ta hedhë artin e shkencën nëpër vende të pasigurta dhe të përfitojë prej tij në mënyrën më jocilësore.
Kështu që njerëzit të lodhur prej sjelljes së tyre as kolektive e as cilësore, prej të jetuarit privat, do të largohen një ditë të gjithë. Ne do jemi gjithnë e më pak, më të ndrydhur në territor e në shtet. Të gjithë do të mbrojnë ndonjë ideologji të përkohshme dhe jo imanente dhe kur të kenë bërë dëmin, do të ikin. Më habit, për shembull, që nuk krijohet një qëndrim unik në lidhje me teatrin, pasi shumë votues të PD-së duan më shumë PD-në se sa Teatrin, deputetët dhe votuesit e PS-së do të përpiqen t’i pëlqejnë më shumë udhëheqësit të tyre se sa veprimtarisë, kategorisë, fakultetit dhe institucionit të artit. Në këtë mënyrë këta votues kanë marrë pjesë e do të marrin pjesë në shkatërrim. Ne nuk e shpikëm këtë formën tonë të pluralizmit për të zhvilluar demokracinë, por për të vrarë shpresën. Ne i importojmë gjërat për të vërtetuar se asgjë nuk na bën dot popull politik. A thua se detyra jonë e vetme si bashkësi njerëzore është të vërtetojmë se asnjë formulë që zbatohet diku tjetër nuk është e mundur te ne.
Teatri Kombëtar ishte arsyeja më e mirë për të krijuar një perceptim të domosdoshëm politik. Kishim mundësinë të bëheshim të gjithë shtetformues. Por ne pamë mediat që heshtën ose prodhuan fake news tërë kohës, ne pamë kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë që me arrogancën e tyre shkatërronin natyrën politike të qytetit, ne pamë opozitën që heshti gjatë. Dhe sot e lëmë Teatrin Kombëtar në dorë të një parlamenti rastësor, të një politike që nuk ka qenë kurrë publike, të një populli që individualisht do të largohet që këtu. Jemi ndoshta në nivelin publik më të ulët të parë ndonjëherë, jemi popull sekret. Por publikja dhe kombëtarja nuk është objekt i rastësores, por i besimit e besnikërisë. Me një parlament rastësor, më parti biznesore, kombëtarja nuk ka se si të lulëzojë.

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...