Home / Të ndryshme / Gazeta Zvicrane: A e bleu Thaçi biografinë me para të taksapaguesve kosovarë

Gazeta Zvicrane: A e bleu Thaçi biografinë me para të taksapaguesve kosovarë

12/06/2018

Një politikan që dëshiron ta përjetësojë veten, zakonisht i ka tri mundësi: e para – ai kërkon një autor (ghostwriter) që ia shkruan kujtimet.

E dyta – ai u përgjigjet pyetje të gazetarëve të pavarur, të cilët hulumtojnë për një libër dokumentar.

E treta – ai angazhon autorë, të cilët për një honorar të duhur shkruajnë atë që politikani dëshiron të lexojë për veten, shkruan gazeta e njohur zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» në një tekst thumbues për të ashtuquajturën biografi të Hashim Thaçit, të shkruar nga dy gazetarë britanikë, të cilët për Ballkanin me gjasë kanë dëgjuar për herë të parë kur janë kontaktuar nga këshilltarët e presidentit të Kosovës me ofertën për të shkruar një libër.

Sipas NZZ angazhimi i autorëve për të shkruar biografinë e një politikani është metoda ideale që përdorin politikanët me imazh të dëmtuar, siç puna e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ish-shefi i gueriles është «i mbështetur për muri», një gjykatë speciale në Hagë mund ta akuzojë për krime lufte.

«Thaçi, i cili i ka hedhur poshtë akuzat, viteve të fundit thuhet se ka lidhur kontrata në vlerë prej disa milionë me firma lobuese dhe zyra avokatie në SHBA dhe Angli. Tani ky 50-vjeçar me flokë të thinjura zgërdhihet nga ballina e një libri të sapo shtypur.

Po aq përkëdhelës është edhe titulli: New State, Modern Statesman. Autorët janë dy gazetarë britanikë, të cilët deri më tani nuk kanë raportuar as nga Kosova, as nga rajoni».

NZZ shkruan se në Prishtinë libri i Thaçit ka ngjallur debate – jo vetëm për shkak se në këtë «vepër» ai krahasohet me Churchillin, Mandelën dhe George Washingtonin. Gazetarët i akuzojnë autorët e librit se kanë manipuluar faktet dhe kanë thurur legjenda.

Opozitarët kosovarë kërkojnë hetim parlamentar, i cili do të kërkonte përgjigje në këtë pyetje: a e bleu Thaçi biografinë me para të taksapaguesve kosovarë?

«Në Vjenë, ku Thaçi prezantoi librin në Akademinë e renomuar Diplomatike, duket se askush nuk e shtron këtë pyetje. Diplomatë të pensionuar ia rrahin supet. Në vend të diskutimit kritik në podium kishte vardisje dhe himne – edhe nga mikpritësi, drejtori i Akademisë.

Mërgimtarë kosovarë merrnin librin me autograf dhe bënin selfie me presidentin, i cili garonte me buzëqeshjen e vet në ballinë. Katër kanale televizive i transmetuan pamjet në atdhe». Diplomatët e pensionuar, të cilët NZZ nuk i përmend me emër dhe të cilët u rreshtuan për të duartrokitur «biografinë» e Thaçit, ishin Wolfgang Petritsch dhe Albert Rohan.

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...