Home / Opinion / Abdyl Frashëri – 1839 – 1892

Abdyl Frashëri – 1839 – 1892

Shkruanë: Arbër Zaimi

Promotor, ideolog dhe kryediplomat i Lidhjes së Prizrenit.

Lindur në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në fund të viteve 1850, si djalë i ri, mori pjesë në ekspeditat ushtarake me kompaninë e drejtuar nga i ati, për të ndalur trazirat e nxitura nga grekë, serbë e bullgarë në territore të ndryshme otomane me shumicë shqiptare. Pas vdekjes së prindërve, i merr motrat e vëllezërit dhe vendoset në Janinë. Aty studion nën dijetarin e shquar, Hasan Tahsinin, dhe punon si nëpunës në administratë. Në fund të viteve 1860 vetëdijësohet politikisht për sfidat dhe rreziqet që iu kanoseshin shqiptarëve nga Kriza Lindore. Njohës i disa gjuhëve të huaja, bëhet një prej deputetëve të Vilajetit të Janinës në parlamentin e parë otoman (1876-1878), ku u shqua për mbrojtjen e çështjes shqiptare si edhe për promovimin e programeve progresive, edukimit, dhe luftën kundër prapambeturisë në popull dhe në burokracinë otomane. Gjatë kësaj kohe zhvilloi idenë e autonomosë dhe unifikimit të territoreve shqiptare në perandori. Në maj 1877 është ndër themeluesit e Komitetit Shqiptar të Janinës, një prej organizimeve krahinore që i paraprinë Lidhjes. Gjatë vitit 1877 u takua me përfaqësues të Portës së Lartë dhe të dinastisë shqiptare të Egjiptit, si dhe me përfaqësues të shtetit grek për t’i bindur se duhej ndalur ekspansioni sllav në Ballkan. Por pa sukses. Në fund të 1877 u bë themelues dhe kryesues i parë i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombit Shqiptar në Stamboll, ku u përpunua platforma dhe strategjia me të cilën duhej të ballafaqohej nga shqiptarët humbja e perandorisë në luftën Ruso-Turke. Kjo platformë ishte guri i themelit të Lidhjes së Prizrenit. Në 10 qershor 1878 është ndër dy delegatët nga jugu që arritën të vinin prej fillimit në Prizren (të tjerë vijnë më vonë). Zgjidhet aty kryesues i Komisionit për Politikë të Jashtme. Në 1 nëntor 1878 përfaqëson toskërinë në Kuvendin e Dibrës, ku është pjesë e 14 vetave që i paraqesin sulltanit kërkesën për bashkim e autonomi. Në 10 nëntor 1878 organizon Kuvendin e Frashërit, ku pjesëmarrës ortodoksë, myslimanë e bektashinj nga jugu, pranojnë programin e Lidhjes së Prizrenit. Në janar 1879 organizon Kuvendin e Prevezës, me pjesëmarrje mbarëkombëtare, i cili bëri të mundur ndalimin e marrjes së Çamërisë nga Greqia. Gjatë vitit 1879 u shkruan qeverive evropiane për t’iu parashtruar disa platforma për zgjidhjen e çështjes shqiptare, po atë vit udhëton në Evropë për të ndikuar politikisht, përkundër fushatës kundërshtuese nga diplomacia osmane. Në tetor 1879 themelon bashkë me veprimtarë e intelektualë shqiptarë Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip, me synim avancimin e kulturës dhe arsimit kombëtar. Po në 1879 organizon Kuvendin e Gjirokastrës, ku paraqet idenë e luftës së armatosur të shqiptarëve për të kërkuar autonomi ose shkëputje, program të cilin filloi ta zbatojë menjëherë, në Kuvendin e dytë të Dibrës e më pas në Kosovë. Në Qeverinë e Përkohshme Autonome të krijuar në Prizren në vitin 1881, me kryeministër Ymer Prizrenin, ai zgjidhet ministër i jashtëm. Pas pjesëmarrjeve në disa përplasje ushtarake me Portën e Lartë, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje. Dënimi iu zbut prej sulltanit në dënim të përjetshëm. Në vitet 1882-85 ka qenë i burgosur në Prizren, më pas në disa burgje të Turqisë. U nxor në arrest shtëpiak në Stamboll në 1886, për arsye shëndetësore, me kusht që nuk do të merrej më me politikë. Nuk e pranoi kushtin dhe prej arrestit të shtëpisë vazhdoi të shkruante letra për politikanë evropianë e veprimtarë shqiptarë, duke nxitur sa ç’mundej njësimin, armatosjen, edukimin kombëtar dhe autonominë ose pavarësinë e shqiptarëve në trojet e tyre. Vdiq nga sëmundja dhe kushtet e dobëta ekonomike, në arrest shtëpiak, eshtrat iu sollën në vendlindje një shekull më vonë.

About admin

x

Check Also

INTERVISTË ME ENVER DUGOLLIN, ISH-OFICIERIN USHTARAK TË FSK-SË, SOT ANËTAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Intervistë me Enver Dugollin. (mar nga MekuliPress) Ish oficeri ushtarak, sociologu dhe ...