Home / Të ndryshme / Ushtaraku Dilaver Goxhaj: Vjedhja e madhe në “VENDLINDJA THËRRET” – Si u eliminuan luftëtarët nga Shqipëria nga kryesia e Veterenëve të luftës…?

Ushtaraku Dilaver Goxhaj: Vjedhja e madhe në “VENDLINDJA THËRRET” – Si u eliminuan luftëtarët nga Shqipëria nga kryesia e Veterenëve të luftës…?

03 korrik 2004
Dhe ashtu ndodhi. Sot, në 03 Korrik 2004, ora 10.30, morra në telefon Faton Klinakun dhe e pyeta se ku do të mbahej mbledhja e Komitetit Drejtues të veteranëve. “Ju nuk jini në listën e të zgjedhurve”, m’u përgjigj ai. E mbylla telefonin. “Mjeranët, thashë me vete, i dekonspiroi injoranca e tyre dhe papjekuria e Fatonit”.
Pa kaluar as edhe një minutë më morri në telefon vetë Fatoni dhe më thotë se duhet të shkoja në Kryesinë e Shoqatës, pasi atje mbahej mbledhja.
Në ora 11.00 isha në sallën e restorantit të asaj godine. Ishin 32 pjestarë. Më vonë erdhën edhe 8 të tjerë. U fillua nga mbledhja. Ngrihet Sherif Krasniqi, kushëriri i afërt i Jakup Krasniqit, dhe propozon që të zgjidhet një presidium i mbledhies dhe propozon të parin Gani Kocin. Ndërhyra dhe thashë se nuk i takon Ganiut, pasi është deputet partie. “Nuk i di mirë regullat”, m’u përgjigj Ganiu. “Ti ndoshta je ushtarak i mirë, por çështjet organizative nuk i di”. “Ndoshta më mirë se ti”, i thashë unë.
U ngrit Ganiu dhe propozoi Sherifin.
U kuptua, PDK-ja kish dhënë urdhër të përdorej strategjia e saj: PATURPËSIA.
Filloi ta drejtoi mbledhien Ganiu, i cili propozoi që të nisnim me zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë.
Morra leje dhe thashë: “Nuk e kemi në rregull, sikundër thotë juristi Gani. Nuk mund të fillojmë me zgjedhjen e kryesisë dhe kryetarit pa miratuar përfundimisht Statusin e Shoqatës, të cilin nuk e kemi aktualisht sikundër u sanksionua në Kuvend, dhe që duhet të jetë ligji themelor për OVL, në të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Ja p.sh. kjo mbledhje mund të më zgjedhi mua kryetar, por unë jam kryetar i një shoqate, kështu që në rast se ndodh që unë të zgjidhem dhe, më vonë në status do të thuhet që personat me këtë cilësi nuk mund të zgjidhen, duhet që të mblidhemi e të zgjedhim përsëri kryetarin. Kështu mund të jetë edhe për çështje të tjera. Derisa kuvendi mori vendim dhe na dha autoritetin e tij neve, për ta plotësuar e korigjuar Statusin, duhet të fillojmë nga Statusi. Statusi duhej të qe përfunduar nga Kuvendi, por ai na i delegoi neve; atëherë kështu që duhet së pari, ai të përfundohet. Pasi ta miratojmë atë, atëhere duhet të kalojmë në zgjedhiet e ndryshme. Kjo është radha e punëve”.
Fillimisht pati një heshtje. E prishi heshtjen i autorizuari fuqiplotë dhe deputet i PDK-së, juristi Gani Koci, duke thënë: “Kuvendi na dha atë të drejtë vetëm për emrin e shoqatës”. E kundërshtuan të tjerët, madje ishin shumë dhe unë kujtova se nuk do të kish shumicën. Por me sa u duk më vonë, shumica e tyre ishin thjeshtë ushtarë të bindur të partisë së Ganiut. Të vjen keq që ata idealistë të dikurshëm të shfrytëzohen djallëzishtë nga të tjerët për të mbuluar hajnitë e tyre! “Atëhere, tha Ganiu, nuk ka shumë rëndësi, pasi ne do ta miratojmë edhe Statusin”. Ç’të bën partia, jo vetëm që të heq lirinë por të xhveshka edhe nga turpi, thashë me vehte.
Që liderët e Ganiut janë intrigantë e djallëzorë, e tregoi ky fakt si dhe një fakt tjetër disa minuta më vonë. Kur po shpërndaheshin fletët e votimit për të zgjedhur kryetarin e shoqatës, mua nuk m’u lexua emri. U thashë se unë nuk e kam emrin në listën e të zgjedhurve antarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës. Hop, kërceu si gjel Gani Koci dhe tha: “Ti Dilaver ke dhënë dorëheqien”. Një “Jo” e zgjatur shpërtheu si në korr me përjashtim të disa militantëve të PDK-së. “Nuk u pranua dorëheqia e tij”, thanë shumë veta me një gojë. “Me sa shoh unë, -thashë me zë të lartë por qetë-, këtu ose kemi paaftësi të sekretarisë ose ata dhe Ganiu janë të pandershëm. Kemi diçka që nuk shkon dhe që është shumë e keqe”, dhe hodha sytë te mbajtësi i protokollit, që u rizgjodh edhe sot, të cilit as që i bënte tërt syri dhe nuk mbante as një shënim! Thuaj, po deshe, që nuk janë trima! Mirëpo këta “trima” nuk dinin dhe kurrë nuk kanë për ta marrë vesh se moszgjedhja e ime (Shpëtim Golemit) dhe e Adem Shehut bëhej nga frika se po të zgjidheshim ne në atë Kryesi të Shoqatës, do të delnin në shesh vjedhjet e financave të grumbulluara përmes Fondit “Vendlindia Thërret”, por edhe ato që grumbullohen për këtë shoqatë veteranësh. Këtu dhe vetëm këtu qëndron qëllimi i tërë asaj paturpësie që u manifestua në 3 korrik 2004 në zgjedhjet për kryesi të shoqatës së veteranëve.

U hodh në votë propozimi im, që fillimisht të merreshim me Statusin, dhe rezultoi që 33 ishin kundra atij propozimi! Kështu që u kalua në propozimet për kryetar. U propozuan Sherif Krasniqi dhe Fatmir Mehmeti. Ngrihet njëri dhe më propozon mua. Pa mbaruar fjalën, e ndërpret Ganiu, duke thënë se, nuk ishte dakort, pa bërë kujdesin të shpjegonte se pse nuk ishte dakort. I shkreti Gani, kish marrë urdhër nga Hashimi e klani i tij, që mundësishtë të mos linte të përmëndej fare emri im dhe e zbatonte atë urdhër pa pikë droje fare. Qesha dhe ndërhyra e thashë se unë jam kryetar i një shoqate dhe nuk duhet të propozohem. Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që të propozohej, për t’u futur si i tretë në listë, Nuredin Ibishi, duke thënë se ai e kish propozuar edhe për në Komitetin Drejtues të vetëranëve. Nuredini u tërhoq. U vetpropozua Faton Klinaku, me qëllim se mos vihej dikush tjetër dhe u prishte ballancën. Bëhet votimi i fshehtë dhe ndahen: 33 vota i fitoi Sherif Krasniqi. Për mua tashti u bë e qartë se, nga 41 antarë të Komitetit Drejtues që ishin prezent, vetëm 8 nuk ishin antarë të PDK-së.
Gjatë kohës që bëhej numurimi i votave për kryetar, unë fillova të shënoj emrat e vajzave luftëtare nga Drenica, të cilat m’i jepte Elhame Hetemi. Ganiu e pa që ajo më diktonte diçka dhe erdhi me vrap dhe e pyeti: “Çfarë po i tregon Shpëtimit?!” Kur ajo e sqaroi iku i qetë. “I shkreti, shpëtoi nga infarkti”, i thashë Elhames. Me sa duket, ai kujtoi se mos më tregonte skenarin që u kish dhënë partia.
Pastaj u kalua në zgjedhjen e 10 antarëve të tjerë të kryesisë. U vendos të propozoheshin 15. I them Afrim Kuletës, që e kisha në krahun e majtë, të ngrihej e të propozonte Adem Shehun, por bënte sikur ngrinte dorën, dhe ngrinte veç lapsin. Kur mbriti shifra 14 e të propozuarve, ngrita dorën dhe ma dhanë fjalën. “Propozoj që në kryesi të zgjidhet edhe një përfaqësues nga tërë vullnetarët e Luftës për Çlirimin e Kosovës të ardhur nga trevat jashtë Kosove, dhe ky të jetë Adem Shehu, ish komandanti i Br.153 të UÇK-së”. Menjëherë ngrihet në këmbë Haxhi Shala, komandanti i Qendrës Doktrinave dhe Akademisë Ushtarake të TMK-së, me gradën fiktive gjeneral (sikundër i ka tërë TMK-ja, edhe pse nuk di as alfabetin e gjuhës shqipe). Ja sa mirë i njeh ligjet dhe regullat juristi i PDK-së, Gani Koci, që deputetët dhe oficerat aktivë të TMK-së i zgjedh në Komitetin Drejtues të veteranëve. Gjatë luftës, ky Haxhi Shala ka patur pseudonimin “Topi” dhe unë shpesh, kur e dëgjoja që fliste thoshja me vete se i përshtatej shumë mirë ai pseudonim. Këta lloj të “zgjuar” dihet që i përdor si top futbolli çdo i djallëzuar dhe i lig.
Ja çfarë tha “gjenerali” tërë pompozitet: “Unë i dua shumë këta nga Shqipëria, por nuk dua që Adem Shehu të jetë antar i kryesisë, nga që është larg dhe nuk mund të vijë shpesh”. Sa argument i zgjuar! “Më fal, zoti gjeneral për propozimin, e ndërpreva unë. Dje në luftë Ademi e kish fort të lehtë me ardhë kur të donte e si të dontë në Kosovë, ndërsa tash në paqe, ke të drejtë, është shumë vështirë me ardhë. S’më shkoi mendja”.
Hajde PDK, hajde, sa të bukur e ke strategjinë! Thuaj po deshe që nuk e meriton të jetë lider i Kosovës Hashim Thaçi; të jetë gjeneral Haxhi Shala dhe kryetar i veteranëve, kushëriri i Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, Sherif Krasniqi!
U hodh në votë dhe 33 votat e antarëve të PDK-së, ata edhe antarë të Komitetit Drejtues të Veteranëve, ishin kundër vendosjes në listë të Adem Shehut për të qënë kandidat për antar Kryesie.
Gjatë procesit të numrimit të votave mbledhja vazhdoi për zgjedhien e komisionit për korigjimin e Statusit. U propozua që në atë komision të ishte edhe Dilaver Goxhaj, si “njeri me përvojë të gjatë pune, ushtarake, intelektuale, përvojë lufte e institucionale”, tha juristi Gani. U ngit në këmbë, pa marrë fare leje Elheme Hetemi dhe tha tërë seriozitet: “Jo Dilaveri, pasi edhe ky është larg, vështirë me ardhë në Kosovë”. Unë kujtova se e kish me ironi, por jo! Por Sherifi me Ganiun as që denjuan ta hedhnin në votë, e quajtën të mirëfilltë fjalën e Elhemes, dhe vazhduan me kandidaturat e tjera.
Ngrihet Sadik Makolli dhe thotë: “More, po ta hedhim në votë Dilaverin”. “E sqaruam, tha Sherif Krasniqi, nuk vihet në listë”.
Ç’është kjo urrejtje për ata që erdhen e luftuan me ne nga Shqipëria?!”, bërtet me zë të lartë Sadiku. Por Sherif Krasniqi dhe Gani Koci as që donin të dëgjonin nga ai vesh. Kishin marrë porosi nga partia dhe duhej ta çonin deri në fund.
Fatmir Mehmetin, që ishte edhe ai në drejtim të mbledhjes, nuk e lanë të fliste as edhe një fjalë gjatë gjithë kohës. Unë dëgjoja, shikoja dhe mbaja shënime.
Kur ulet Elhemia, të cilën e kisha në krahun e djathtë, i tregoj Letër Njoftimin tim të Kosovës dhe i thashë: “Të kanë instruktuar gabim, pasi unë kam 5 vjet që jetoj e banoj në Kosovë dhe jam qytetar i saj”. Prita të turpërohej sadopak, por, me kë e ke! Ku e njohin ata atë fshat?
Ngrihet përsëri Gani Koci dhe propozon që, komisioni i hartimit të Statusit të jetë edhe komision statutor dhe në të të jetë Nuredin Ibishi, si ushtarak me përvojë. U tha, u bë. U zgjodh. Kur ai po fliste për herë të tretë për Nuredin Ibishin, nuk di pse fillova të dyshoja se, “pse kjo përkujdesje kaq servile e Gani Kocit për këtë ish komandant të forcave speciale të policisë së Kosovës në Prishtinë, gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, forcë e cila kish varësi të dyfishtë: edhe nga Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendëshme, edhe nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Federatës, shërbim, i cili bënte hetimin e të burgosurve politikë shqiptarë. Një servilizëm i tillë ndaj atij ish komandanti që ka drejtuar rrethimin dhe vrasjen e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në vitin 1983 te Kodra e Trimave dhe të Fahri Fazlliut e Afrim Zhitisë te Kodra e Diellit në vitin 1989, të bën të dyshosh. Mos vallë Nuredini di diçka të fshehtë për Ganiun?”, por me të shpejtë e largova këtë dyshim. Hodha sytë te Fatmir Mehmeti dhe shkëmbyem shikimet për t’i kujtuar se çfarë më kishin thënë më 24 Qershor, në zyrën e tyre ai, Sherifi dhe të tjerët, nëse dikush do të na propozonte Nuredin Ibishin që të zgjidhej në Komitetin Drejtues dhe tashti Sherif Krasniqi na e hidhte tërë kënaqësi në votë. Ç’dyfytyrësi!
U ngrita i detyruar të bëja një sqarim dhe thashë:
“Mos i ngatëroni gjërat. Kemi dy komisione, që janë kryekëput të ndryshëm dhe që i ngatëron me apo pa qëllim juristi Gani. Komisioni statutuor është për 4 vjet, ndërsa komisioni i përpilimit të Statusit është për aq kohë sa të pregatisi Projekt Statusin dhe shkrihet me miratimin e tij nga ky Komitet, pasi për aq e ka mandatin. Ky komision mund të përbëhet edhe thjeshtë me specialistë, pa qënë nevoja të jenë antarë të këtij komiteti. Se po të qe ashtu, nuk duhej që edhe Fehmi Baftiu të jetë antar i atij komisioni, pasi nuk është antar i këtij komiteti dhe nuk i jep askujt llogari nesër”. Me kë e ke! Ngrihet Gani Koci dhe e kundërshton. Më mbështeti mua edhe një tjetër. Heshtie. “Do t’i kërkojmë ne llogari Fehmi Baftiut”, tha Gani Koci dhe e mbylli atë kapitull. U miratua. Thuaj po deshe që nuk i njeh mirë çështjet organizative dhe nuk është jurist dhe deputet i ndershëm Gani Koci, i cili merr dy rroga në shtet: njërën si deputet i PDK-së dhe tjetrën si jurist në KEK. Eja e mos u beso të tillë njerëzve fatet e Kosovës!

Më në fund u hap diskutimi për miratimin e ndryshimit të emrit të shoqatës. Pasi folën disa, ngrita dorën dhe kërkova fjalën: “Në kuvendin zgjedhor unë bëra një propozim, ku thashë: Propozoj që emërtimi i shoqatës të jetë: “Shoqata e Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës, 1997 – 1999”. Kam patur dhe kam vrejtje për emërtimin e gabuar të deri tashëm, që e quante Lufta Çlirimtare e UÇK-së, që lë të kuptosh sikur kjo UÇK erdhi nga qielli dhe jo nga gjiri i popullit shqiptar të Kosovës. Po qe se mbetemi në atë emërtim që kemi, automatikisht e mohojmë ndihmën e gjithanëshme të popullit. Them “Lufta për Çlirimin e Kosovës”, pra theksoj parafjalën “për”, me qëllim që të kuptohet se ajo luftë kish atë objektiv, çlirimin përfundimtar, pavarësishtë që nuk ia arriti plotësishtë. Në rast se do t’ia kish arritur, atëherë në vend të parafjalës “për” do të vendosej lidhësia “e” ose “të”. Njëkohësishtë, duhet ta kemi të qartë se me termin UÇK, nuk kuptohet dhe nuk duhet të kuptohet gjithë Lufta e jonë për Çlirimin e Kosovës. UÇK-ja ishte një pjesë e asaj lufte. UÇK-ja ishte baza morale e asaj lufte për shndërimin e saj në një lëvizje mbarë kombëtare, sikundër edhe ndodhi. Këtu qëndron më së shumti vlera e UÇK-së. Ishte populli ai nga i cili doli kjo ushtri, u furnizua kjo ushtri etj. Dhe kur them populli, nuk kuptoj vetëm popullin shqiptar që banon në Kosovë, por tërë kombin shqiptar. Po qe se do t’i themi “Lufta e UÇK-së” ne ia ulim vlerat e vërteta luftës që bëmë dhe u japim shkas të tjerëve të thurrin njëmijë e një të paqëna”.

Lexoni pjesën e dytë të ditarit historik

Ngrihet Gani Koci, Sherif Krasniqi, Faton Klinaku, Xhavit Zharku, Haxhi Shala e disa “teoricienë” të tjerë dhe e “argumentuan” se po hoqëm fjalën UÇK, mohojmë luftën.
“E kini gabim”,- u thashë, pasi i dëgjova me durim, duke ngrënë sanduiçin që na sollën. “Nuk më vjen mirë që e shtrëmbëroni qëllimisht propozimin tim, pasi vet fjala “Veteran”, që do të thotë “ish luftëtar”, – cilëndo vendosni nga të dyja, por jo të dyja së bashku, sikundër u propozua nga ju- e sqaron qartë dhe që don të thotë: Ish luftëtarët që rrëmbyen armët dhe bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës. Në se qytetari do të pyesë nesër se, a kishin ndonjë lloj organizimi ushtarak këta luftëtarë? Po!, do t’i thuhet, ishin të organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asgjë për t’u ngatërruar, por e ngatërroni ju vetë, qëllimisht. Ku e keni qëllimin, nuk e di. Këtë e tregon vet fjala veteran, dhe që në statusin e veteranit theksohet qartë se kush e gëzon këtë emër, e gëzojnë vetëm ata që u reshtuan në radhët e ushtrisë çlirimtare të asaj lufte, nga “X” periudhë në “Y” periudhë, si pjesa më eminente e asaj lufte. Por, që të themi Lufta e UÇK-së, kjo është mohim i mbarë popullit tonë dhe i kontributit të tij”.
Megjithatë nuk e ndryshuan. Le ta mbajnë. Ata nuk e kuptojnë dhe kurrë nuk kanë për ta kuptuar se çfarë gabimi fatal bëjnë që i mohojnë popullit sakrificat dhe luftën që ai bëri.
Këto ishin zgjedhjet e kuvendit të dytë zgjedhor të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë dhe të organeve udhëheqëse të tij.
Kur mbaruam mbledhjen, i pashë se shumë prej tyre shprehnin lumturi që më në fund kishin zgjedhur në kryesi të Shoqatës së Veteranëve militantët dhe veglat qorre të PDK-së dhe që asnjë ish luftëtar nga Republika e Shqipërisë, apo nga trevat e tjera jasht Kosove nuk kish mundur të zgjidhej në kryesinë e shoqatës. Këtë, ndoshta ka si qëllim edhe “Pavarësia e Kosovës”, që e kërkon PDK-ja. Me këtë rast unë pashë se ku qëndron forca e asaj partie: te paturpësia e militantëve të saj dhe jo te intelektualët e vërtetë. Turp e faqe e zezë! Me sa duket, intelektualët e vërtetë në atë parti janë thjeshtë sa për dekor.

/Dërguar në redaksinë e MekuliPress nga autori, Dilaver Goxhaj/

Si u eliminuan luftëtarët nga Shqipëria nga kryesia e Veterenëve të luftës për Çlirimin e Kosovës? Si u manipulua me emrat partiak e me intereset personale? Kujt ju gjetën në shtëpi 600. 000 marka gjermne? Përse u largua oficeri i lartë nga shqipëria nga ky kuvend? Përse partiakët e PDK-së nuk deshën të ngritej tema për paratë e fondit të mërgimtarëve dedikuar luftës në Kosovë, ”Vendlindja Thërret”?
Sa luftëtarë shqiptarë erdhën nga Shqipëria? Sa u vranë duke mbrojtur Kosovën? Përse nuk ka asnjë ish-luftëtar në kryesinë e Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës?

MekuliPress publikon pjesën e fundit nga ditari për Kuvendin e Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës – qershor 2004. Janë këto theksime të veçanta nga ky kuvend, theksime të shënuara nga oficeri dhe pjesmarrësi i luftës së UÇK-së (bashk me të birin) dhe i kuvendit, Dilaver Goxhaj.

/Pjesa e fundit/

… Kur mbarova së lexuari diskutimin e mësipërm, i mbylla letrat dhe u thashë: “I thashë këto mendime këtu, pasi unë e konsideroj këtë kuvend si Kuvendin e Burrave të Vërtetë të Kosovës, pasi burrat e vërtetë provohen kur populli është në… , dhe vendi ku u provuan burrat ishte lufta në Kosovë, në radhët e formacioneve të UÇK-së. Duke qënë se ju jini përfaqësuesit e tyre, ndaj dhe këto propozime i bëj para jush, me qëllim që nesër të mos thotë kush se nuk na i ka thënë Shpëtim Golemi, sikundër thanë atëherë se, Shpëtim Golemi nuk qëndroi në TMK sepse donte të bëhej Shef i Shtabit të TMK-së, kur dihet që mua më detyruan të largohesha, pasi më afruan detyrën për të pastruar klasat e Akademisë dhe shikoni vendimin e Agim Çekut”, duke ua nxjerrë atë vendim para e duke e mbajtur lartë. “Po ashtu vepruan edhe me Tahir Sinanin, ish Komandantin e Zonës Operative më të madhe të UÇK-së dhe në fund të luftës është i vetmi komandant zone që u ul në deturë, nga komandant zone, në komandant batalioni, edhe pse ka qënë komandanti më i suksesshëm, por kjo u bë vetëm e vetëm pse ishte nga Shqipëria… Unë bëra vetëm një gabim taktik, pse ua dhashë këto mendime, që lexova pak më parë, zotërinjve të kryesisë dhe t’i kisha lënë për këtu. Po të mos ua kisha thënë mendimet atyre, qoftë edhe me gojë, ata nuk do të kishin marrë këto masa mbytëse të kuvendit, sikundër po e shihni, dhe prisni se çdo të shihni….”
Nuk më lanë më të vazhdoja. Kisha ndërmend të flisja se si ia punuan Adem Shehut dhe Bardhyl Tahirit, duke i detyruar që ata të largoheshin vetë për në Shqipëri. Filluan britmat dhe ulërimat e antarëve dhe simpatizantëve të PDK-së. Ajo ishte detyra e dhënë për ata. “Ulu, më thanë edhe Klinaku dhe Krasniqi e presidiumit, pasi dole nga rendi i ditës”.
U ula i qetë, pasi u qartësova për skenarin. Menjëherë u ngrit nga presidiumi i mbledhies një djalë, jurist, delegat i Deçanit, më duket se quhej Shkumbin Demaliaj, dhe e flaku tej mandatin e delegatit, duke u thënë: “Më vjen turp që të jem në krye të këtij kuvendi, kur nuk kini as respekt dhe as guximin të dëgjoni maskarallëqet e bëra nga ata “udhëheqësit e dëshmuar” të UÇK-së. Turp të kini, tjetri ka ardhur nga Gjirokastra me gjithë djalë dhe luftoi me ne për çlirimin tonë dhe ne nuk kemi durim dhe respekt as ta dëgjojmë e jo më shumë. Turp, por ju nuk kini turp. A dëgjuat se çfarë tha, kanë qënë 150 vullnetarë dhe prej tyre 37 dëshmorë dhe ne nuk duam të na i thotë, pasi nuk na vjen mirë, ngaqë ata ishin dhe janë më atdhetarë se ne, më idealistë e jo hajna”. Foli edhe më gjatë, por unë kaq munda të mbaja shënime. Dhe u largua. Kështu bënë disa, pesë-gjashtë apo më shumë.
Kur u vendos qetësija pas kësaj të papriture, doli në tribunë Gani Koci për të justifikuar ato britma. Pas tij foli një femër, një pipiruçkë. Edhe ajo nga Drenica. Nuk kish mjerim më të madh të atyre shërbëtorëve të PDK-së, që nuk dëshirojnë të hapen vjedhjet e bëra ndaj fondeve të grumbulluara për luftë. Ishin po ata persona, me ne krye Shukri Bujën që kërkuan pak më parë të shtyhej Kuvendi.
Edhe kur u hodh propozimi për 22 antarë të Komitetit Drejtues të Shoqatës, nuk figuronte as emri im dhe as i Adem Shehut, sikundër më kishin thënë dy ditë më parë. Mirëpo pati reagim për atë listë të paraqitur nga e “famshmja” ish kryesi, pasi kish lokalizëm të theksuar. U ngrita përsëri dhe u thashë: “Besoj se nuk do të ma ndërprisni përsëri fjalën, pasi do t’u tregoj të vërtetën. Unë nuk vij nga Tirana, vij nga Beogradi”, dhe vazhdova të shpjegoja që propozimet të bëheshin direkt nga salla dhe sa të duan ata dhe të votohet vetëm për 23 veta. Më mbështeti me zë e gjithë salla, përjashtuar antarët e PDK dhe disa të AAK. Ashtu u bë. Prita deri sa lista e të propozuarve u mbyll. Ishin 53 kandidatë. U ngrita dhe u thashë: “Turp të kini! Ku e harruat Adem Shehun nga Tirana, ish komandantin e Brigadës më të lavdishme të UÇK-së, që ka luftuar në Gollak, apo aq ia kishit nevojën. Turp!”, dhe ika. E vunë në listë. Më kishin vënë edhe mua. Kur u hap kutia e votimit rezultoi: Kishin marrë pjesë në votime 131 delegatë, votat ishin 100% të vlefshme.
Rezultatet ishin si më poshtë:
1.Sherif Krasniqi 95 vota,
2. Dilaver Goxhaj 91,
3.Shukri Buja 91,
4.Elhene Hetemi 83,
5.Avdyl Mushkola 81,
6.Fadil Fazlliu 79,
7.Gani Koçi 72,
8.Adem Shehu 70,
9. Fatime Mehmeti 68,
10.Haxhi Shala 68,
11.Shqipe Mehmeti 63,
12.Faton Klinaku 62,
13.Hydajete Hoxha 60,
14.Nuredin Ibishi 58,
15. S’e shënova dot emrin 55 vota,
16.Xhabir Zharku 55,
17.Vllazrim Kryeziu 53,
18.Shyrete Gosalci 53,
19.Xhavit Dautaj 49,
20. Daut Iliazi 49,
21.Sami Dobra 48,
22.Ejup Kabashi 47,
23.Naser Berisha 47 vota.
***

01 korrik 2004

Sot, rreth orës 18-19.00, isha ulur e po pija kafe me doktor Ramadanin, te vendi i quajtur Santeja, në një tavolinë e vendosur në trotuare, jashtë kafenesë. Kaloi ndoshta edhe rastësishtë dhe na foli Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit, ai që i gjeti dhe i konfiskoi KFOR-i 600 mijë Marka në shtëpi, gjatë një kontrolli në fund të vitit 1999. E ftuam të ulej me ne. Pa u ulur mirë në tavolinën tonë, më thotë: “Ku je, Shpëtim Golemi, që po u bën vrejtje të gjithëve”. U befasova jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga mënyra se si m’i tha. “Me sa shoh, nuk të paska ardhë mirë, po a më thuaj cila nga ato vërejtjet e mia të është dukur e padrejtë, që ta di dhe unë ku kam gabuar?”. “Jo, jo nuk e kam atje fjalën”, tha dhe ndryshoi bisedë, duke më pyetur për shëndetin.
E kuptova se janë shqetësuar pa masë për debatet dhe mendimet e hedhura nga unë në Kuvendin II të Veteranëve para 3-4 ditësh, me sa duket duhet t’u ketë djegur shumë çështja që ngrita për Fondin “Vendlindia Thërret”, përderisa është diskutuar edhe në familjen Thaçi. Gjithashtu ai është një sinjal që tregon, se në mbledhien e Komitetit Drejtues, që është parashikuar për në 03 Korrik, për zgjedhjen e Kryesisë së shoqatës, do të kem të bëj me një organizim të përsosur antidrejtësi.

Lexoni pjesën e parë të ditarit historik
***
(FUND

Lexoni pjesën e parë të ditarit historik

Lexoni pjesën e dytë të ditarit historik

About admin

x

Check Also

INTERVISTË ME ENVER DUGOLLIN, ISH-OFICIERIN USHTARAK TË FSK-SË, SOT ANËTAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Intervistë me Enver Dugollin. (mar nga MekuliPress) Ish oficeri ushtarak, sociologu dhe ...