Home / Opinion / Mediat nuk janë tjetër veçse mediat e oligarkëve

Mediat nuk janë tjetër veçse mediat e oligarkëve

Elvis Hoxha: . Gazetaria ka vdekur dhe publiku fle
05/04/2018
Ramush Haradinaj, pasi u poshtërua dy herë prej Hashim Thaçit, pret të poshtërohet një herë të tretë. Pas turpit të spektaklit me Gjuriçin, pas rrëmbimit të pabesë e antisovran të 6 qytetarëve turq, ja dhe kthimi te Zajednica e tipit të parë. Populli e thotë, nuk ka dy turpe pa një të tretë. Kuptohet që dhe atij i lipset t’i kthehet armiqësisë me Tiranën për të shkuar drejt marrëveshjeve me Vuçiç.
Edi Rama thellohet në politikën e tij oligarke. Në botë njihet një oligark me prirje socialiste. Është Bill Gates. Por ekziston edhe socialist më oligark në botë, ky është Edi Rama. Si socialist që e thotë veten, është i lumtur të shkatërrojë çdo aktivizëm social e civil, çdo aktivizëm sindikal, çdo aktivitet artistik, çdo aktivitet prodhues dhe krijimtar. Kjo është rilindja e tij. Duhet të ekzistojë vetëm tregtari privat i pasurisë publike. Nga ministri i tij morëm vesh se për ndërtimin e Rrugës së Kombit nevojiten 200 miljonë euro. Pra, taksa nuk ishte për mirëmbajtjen, por për ndërtimin e Rrugës. Shqiptarit duhet t’i kushtojë shumë shtrenjë çdo veprimtari në lidhje me interesat e kombit dhe publikes. Ndërsa privatit që ka marrë Rrugën me koncesion duhet t’i takojë vetëm fitimi. As nuk na shkon ndër mend t’i kërkojmë ndonjë ndjenjë kombëtare Kastratit me simbolin prej Kastrioti, as t’i kërkojmë ndonjë ndjenjë solidariteti në lidhje me komunitetin e tij. Kur bëhesh tregtar oligark, nuk të shkon në mendje që mund të ndihmosh atdheun, publiken dhe komunitetin.
Për Ilir Metën, presidentin, dhe për gruan e tij, që nuk pranon me qenë first lady, nuk kam ç’të them. Grada e ndershmërisë së tyre njihet publikisht.
Lul Basha, mosbindja civile e tij, nuk mund të hedhin në harresë kunatin e Lulit dhe as shefin e tij shpirtëror, Berishën. Meqë nuk është i gatshëm për mosbindje politike, pasi nuk ka ndonjë program, Lul Bashës i mbetet të organizojë ndonjë spektakël, duke konfirmuar edhe një herë dobësinë e tij.
Mediat nuk janë tjetër veçse mediat e oligarkëve. Gazetaria ka vdekur dhe publiku fle përpara ekraneve ku flasin të njëjtët njerëz, rekrutët e oligarkëve.
Shqipëria është në gjendje kome. Ndaj dhe nuk mund të thuash se Shqipëria është në krizë. Në krizë mund të gjendet vetëm një popull me ndërgjegje. Ne jemi të mjerë. Mjerimi nuk njeh krizë. Ndaj dhe mjerimi është gjendja e tradhtuar e ndërgjegjes. E meqë nuk mund të flitet për revolucion, ngaqë në mendësinë e shoqërisë shqiptare revolucioni njihet si gjë e ndyrë dhe e dhunshme, nuk ka asnjë shpresë të dalim prej gjendjes së komas. Por sekreti i komas është i qartë. Mund të zgjasë shumë deri te vdekja.
Përfundimisht, për t’u pasuruar pesë vetë, për të ruajtur në pozita pesë të tjerë, për të patur në media nja pesë persona të tjerë, jemi gati ta rrënojmë historikisht dhe ardhmërisht Shqipërinë. Kjo është ëndrra e parritur e njerëzve që drejtojnë Shqipërinë. Ia u ngref ëndrrën vetëm shtypja dhe asgjësimi i bashkëkombasit të tyre. Këndellen kur mendojnë se po ia marrin frymën tjetrit. Kjo nuk është gjendja shtazore e njeriut, por banaliteti i ngritur në perfeksion. Në këtë banalitet rritet çdo shqiptar, ndaj dhe nuk disponon aftësinë për të shpresuar dhe besuar. Dhe si i tillë i mbeten dy mundësi: ose refugjat i hidhur, ose mercenar i lig.

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...