Home / Të ndryshme / EBIP EMINI, BESNIK I DENJË I VESHJES TRADICIONALE TË MALËSISË SË SHARRI

EBIP EMINI, BESNIK I DENJË I VESHJES TRADICIONALE TË MALËSISË SË SHARRI

Shkruan: Syrja Etemi

Njeriu ndonjëherë, edhe kur pa ndonjë qëllim të caktuar bredh rrugëve, pa vënë në cak ndonjë destinacion, i ndodh që, beftas t’i paraqiten momente apo raste të paplanifikuara e interesante, për të takuar njerëz dashamirës dhe, për të të bërë për vete, madje për me t’i arsyetuar “bredhjet” e kota, bile, edhe ato të shpenzuara huq, fundja, qoftë edhe rrugëve e rrugicave të kasabasë sonë rrëzë Sharrit. Ndodhi kjo edhe një ditë të bukur marsi plotë me diell e rreze të ngrohta, që gjithandej miklonin kodrinat e buta të Kalasë së Abdyrrahman Pashës, e, që reflektonin edhe luginës së lumit Shkumbin të Tetovës së sertë e të zhurmshme. Ajo që më pikasën sytë për një moment, ishte figura e një burri të madh e të boshët, i veshur i tëri me veshje tradicionale shqiptare, dhe që hë për hë, m’u duk se vinte nga legjendat e moçme shekullore të Malësisë. Aty ulur në murin e urës së Gurit, që dikur e ka ndrequr Koxha Rexhep Pasha, të duket se u bën roje bedenëve të asaj dhe, me atë qëndrim burrëror, sikur u jep kahjen valëve të krekosura të ujit teptisës e të bollshëm të Shkumbinit – drejt fushës së pispillosur të Pollogut.
… Dhe, më në fund, pas një tundimi të momentit, vendosa: Do t’i qasem këtij malësori të harlisur nën buçimën e paprajshme të lumit – në unison me zhaurimën e makinave të vjetra që janë bërë pjesë e rrugicave dhe rrugëve të qytetit, e, të cilat, që me kohë kanë zëvendësuar trokun e patkonjve të mushkave e të kuajve të dikurshëm të ngarkuar me mall dhe zdirgjeshin bashkë me të zotët e tyre nga viset e larta të Malësisë. Dhe, kështu bëra.
– Më falni, minxhë, a mund t’Ua bëj një foto kështu si jeni ulur?
– Nuk jam për siret, bre bir! Kush u doxh të shofe siretin tem n’kët koh’?
– Jo, minxhë. Jo. Kjo pamje kështu e një burri hijerëndë e me veshje tipike shqiptare të Malësisë së Sharrit, do të ngazëllejë çdo shqiptar, jo vetëm të Tetovës, por mbarë Nahisë, – i përgjigjem unë, pa mos qenë i sigurt se a thua arrita ta zbusë dyshimin për neglizhencën e audiencës, për të cilën pretendonte personazhi i shkrimit tim.
– Po kush ini Ju?
– Një kalimtar i rastit. Jam nga Sllatina n’e ditsh se kah është?
– Po, si jo. Kam pas njoft Salihin…Salihin e Zizës. Nji burr-maj burrët, ç’i s’ka pas as Sllatejna e as Nahija, – m’u përgjigj plaku, duke më dhënë “leje” për foto. Dhe, kështu bëra. Pastaj i mora edhe identifikimin:
– Jam Ebib Emini, lidur në vitin 1935 n’ katundin Sellcë. Kësi raçesh baj qe 70 vjet. Ja kështu: tirçi me gajtëna, brez lahori, xhëmadën, ksul t’bardh, tahi me çevre ose mërhëm për okolla, kurse kur isha i ri nuk e bajsha kshtau. At’her’ kur isha i ri n’këm bajsha openga, ma vuan bata, e shtahi kundra. Jo se s’këm, por kështau këm qejf, simas traditës. Ene kët veshje sa t’jem xhall, nuk e braktejsi.
Dhe, mua, nga kjo përgjigje e vendosur, nuk më ngeli gjë tjetër, vetëm ta përqafoj plakun e Malësisë, duke i uruar shëndet e kudret, dhe për t’i premtuar se, fotografinë e këtillë do ta postoj nëpër rrjete të ndryshme sociale, portale etj. (do ta çes n’gazetë) dhe, të kënaqen dashamirët e traditës me këtë figurë të veçantë – besnik të traditës sonë kombëtare

About admin

x

Check Also

Palmer: Nuk vendosim afate e as vija të kuqe në bisedimet Kosovë – Serbi

5 Qershor 2019 Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha ...