Home / Lajme / Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e sotme për demarkacionin.

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e sotme për demarkacionin.

Deputetë të Kuvendit,
Kabinet i Qeverisë,
Kryeministër,
Qytetarë të Republikës,

Ky votim sot përcakton fatin e gjeneratave të ardhshme, sepse, pyetja është: ka apo nuk ka Kosova kufij? Demarkacioni i Murat Mehës e i Thaçit, i Skënder Hysenit e i Mustafës, e tash edhe i Haradinajt, nuk është demarkacion por kufi i ri. Me logjikën e Mehës, Kosova nuk ka kufij fare dhe ajo duhet t’i përcaktojë ata duke u bazuar në librat kadastralë, me ç’rast ne marrim barrën e provës: aty ku nuk kemi ne mbulesë kadastrale, toka i takon palës tjetër pavarësisht nëse ata kanë dëshmi apo jo.

Në bazë të një studimi të brendshëm të KFOR-it, që unë e kam parë janë rreth 200 konteste kufitare me Serbinë prej majës së Pançiqit e deri në Karaçevë, në 50 prej të cilave ka prona private ose popullsi ose të dyja këto. Me këtë lloj delimitimi, që quhet demarkacion, bëhet një precedan i rrezikshëm për Kosovën anë e mbanë kufijve të saj.

Pra, ky nuk është demarkacion por delimitim. Nuk është shenjim i vijës kufitare, por caktim i vijës së re kufitare, ndryshim i kufirit të Kosovës. Komisioni shtetëror i Kosovës i udhëhequr nga Meha ka pasur të bëjë “shenjim e mirëmbajtje të kufirit”, ndërkaq ai i Malit të Zi “përcaktim kufiri (kufizim) dhe vendosje”. Dy komisione me misione të ndryshme, me ç’rast komisioni ynë ka përfunduar në misionin e huaj. Murat Meha ka punuar dhe negociuar sipas kushteve të Komisionit të Malit të Zi.

Ky ndryshim kufiri duket sikur të kishim pasur luftë me Malin e Zi e të cilën e kemi humbur dhe, tash, erdhi kapitullimi. Por, nuk ka pasur luftë me Malin e Zi. Nuk humbëm kurrfarë lufte me Malin e Zi. Delimitimi Meha është kapitullim pa luftë. Le të mos kapitullojë edhe Kuvendi. Le të mos e ratifikojmë ndryshimin e kufirit.

Edhe vetë harta që e ka punuar Murat Meha dhe e ka botuar “Rilindja” në vitin 1998 e ka kufi Çakorrin, dhe, Bjelluha është në territorin e Kosovës. E tash, në Deklaratën Thaçi-Vujanoviq thuhet në drejtim të Çakorrit e Zhlebit, jo në Çakorr e Zhleb. Kjo ‘Deklarata’ Thaçi-Vujanoviq fare nuk përmend Bjelluhën si burim uji.Të reshurat në pellgun e lumit Bjelluha janë gati 1200 mm, pra 1200 litra/m2, që është sa dyfishi i Prishtinës.

Aneks marrëveshja, apo ‘Deklarata’, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! (LV) është mashtrim. Ajo është nënshkrim për së dyti i së njëjtës marrëveshje. LV voton vetëm dokumentin që korrigjon kufirin e jo dokumentin që premton korrigjimin eventual të kufirit.

Sipas profesorëve Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi bëhet ndryshimi madh i kufirit sepse ai “Kah ana e Qafës së Çakorrit në distancë ajrore lëviz rreth 4.100 m në brendi të Kosovës, duke lënë jashtë territorit të Kosovës pellgun e Bjelluhës, Vaganicën dhe Shipovicën. Ndërsa kah ana e Kullës rreth 4.000 m në brendi të territorit të Kosovës duke lënë jashtë anët veriperëndimore të Zhlebit, të banet e Loqanit dhe një pjesë të të baneve të Gllogjanit.” Nuk mund të korrigjohet kufiri më vonë me disa kilometra apo mijëra hektarë por vetëm me dhjetëra metra apo disa hektarë. Të dorëzohet shteti e Kuvendi sot para Murat Mehës në mënyrë që më vonë ta korrigjojë është vetëmashtrim.

Raporti Bulliqi nuk mund ta ketë statusin sikurse Marrëveshja e Vjenës. Kot thuhet se ajo përbën orientim në Projekt-Ligj. Sikur ai Raport të ishte njëmend për orientim, atëherë Thaçi e Meha do të ishin në burg. Pas raportit Bulliqi s’ka punë Kuvendi këtu, por prokuroria. Pas Raportit Bulliqi, seanca e sotme është pengim i drejtësisë.

Mu në këtë sallë me 25 qershor të vitit 2015, kemi miratuar me shumicë votash Rezolutën e Kuvendit pas interpelancës për çështjen e Demarkacionit, pika 4. e së cilës thotë: Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi. Pra, kjo Rezolutë është shkelur. Ish qeveria kurrë s’erdhi në Kuvend para nënshkrimit në Vjenë më 26 gusht 2015. Integriteti territorial varet nga integriteti institutional. Duke mos e votuar këtë marrëveshje ne e refuzojmë edhe shkeljen e Kuvendit edhe faljen e territorit.

Deputetë të Kuvendit,

Liberalizimi i vizave nuk është prioriteti i qytetarëve të Kosovës, por prioriteti i Qeverisë për qytetarët e Kosovës. Qytetarët e Kosovës duan vende pune, drejtësi, liri, mirëqenie, barazi… në Kosovë. Kjo nuk është marrëveshje për liberalizim të vizave por për falje të territorit.

Sikur të ndodheshim në prag të liberalizimit të vizave siç po na premtojnë, atëherë do të ishte shumë kollaj që të merren vizat nëpër ambasadat e vendeve të BE-së. Mirëpo, jemi dëshmitarë se kurrë s’ka qenë më vështirë, apo jo?

Para së gjithash, pse Qeveria nuk po i jep zor që ta përmbushim kriterin tjetër: lufta kundër krimit e korrupsionit? Pse janë ngujuar te demarkacioni dhe mu te demarkacioni i Murat Mehës? Pse? Janë afër 40 raste gjyqësore, që duhet të shkojnë deri në fund, duhet të aprovohet Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, duhet të ketë arrestime të reja … Por, këta nuk duan ta plotësojnë kriterin tjetër sepse nuk duan ta luftojnë vetveten.

E mbani mend qysh, Isa Mustafa, vetëm që të mos ketë zgjedhje të reja, i mbështeti të gjitha vendimet e këqija të Thaçit edhe më shumë sesa vetë ai. Mustafa e bëri Thaçin President, Veselin Kryeparlamentar, e mori barrën e Zajednicës e Demarkacionit dhe në fund e rrëzuan. Ngjashëm, Haradinaj po përpiqet të hajë me dy lugë: edhe me Mehën edhe me Bulliqin. Po del që është më shumë i uritur se sa zemëruar. Dhe, për postin e kryeministrit po e merr barrën që nuk i takon e për të cilën nuk ka faj. Nuk ka ndryshuar Demarkacioni i Mehës por kanë ndryshuar AAK e Nisma. Nuk bëhet fjalë për korrigjim kufiri në drejtim të Çakorrit e Zhlebit por për devijim qëndrimi të Haradinajt në drejtim të Murat Mehës.

8.200 hektarë kanë vlerë e s’kanë çmim. Kjo qeveri s’ka vlerë sepse ka çmim. 82 kilometra katrorë po jipen për çerek metri katror të karriges së kryeministrit.

Kryeministër Haradinaj,

Kjo që po bëni është mashtrim dhe vetëmashtrim. Por, nëse duan të ta rrëzojnë qeverinë pse ju nuk po i falni tokë Malit të Zi, unë ju mbroj, ne ju mbrojmë. Kur ta bllokojmë ‘demarkacionin’ e Mehës nuk po e lejojmë Thaçin që t’ua rrëzojë juve qeverinë. Mospajtimet e dallimet tona mbeten, por unë nuk dua që ju të rrëzoheni pse nuk i dhatë 8.200 hektarë Malit të Zi. Më vonë duhet të rrëzoheni, për aq shumë gjëra për të cilat nuk është koha të flasim sot, por, jo për këtë temë. Kundërthënia pozitë-opozitë në mandatin aktual nuk shterr gjithçka. Ka gjëra kombëtare e shoqërore, të interesit publik e të peshës historike, që janë më të rëndësishme sesa partitë tona apo postet tona. Pra, nëse po të thonë që po deshe ta vazhdosh qeverinë, duhet ta legjitimosh tradhtinë, këtu dhe tash të dalim në ndihmë e mbrojtje: mos e legjitimo tradhtinë. Ndonjë mocion mosbesimi që ta nisin, ndoshta kësaj radhe nuk është NISMA, ndoshta, pse nuk nuk i fale 8.200 hektarë, ne nuk e përkrahim.

Tash është momenti i fundit të bëjmë diçka pa pëlqimin e Malit të Zi. Pas ratifikimit, asgjë s’bëhet pa pëlqimin edhe të Malit të Zi.

Mali i Zi po sillet butë dhe mirë. Kjo duhet shfrytëzuar për bisedime të reja e jo për dyfishim nënshkrimi të njëjtë siç bëri Presidenti. Nuk kemi pasur nevojë të përsëritet Vjena në Podgoricë. S’ka kuptim njëherë ratifikim e pastaj korrigjim. Anasjelltas duhet: korrigjim kufiri mandej ratifikim.

A e dini pse Mali i Zi po sillet disi butë? Jo pse kjo është në kulturën a traditën e tyre, por, së pari, Mali i Zi nuk ka hesap t’i prishë marrëdhëniet edhe me Rusinë edhe me shqiptarët që i ka rrotull shtetit e brenda shtetit. Dhe, e dyta, Mali i Zi po sillet butë derisa ta marrë këtë ratifikim në Kuvendin e Kosovës, pastaj egërsohet ca, jo shumë, por do të egërsohet pak.

Përfundimisht, ne propozojmë:

1) Debat parlamentar për Raportin e Komisionit Bulliqi
2) Deklaratë të Kuvendit të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes.
3) Përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike t’i kumtohet mospajtueshmëria Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe nisja e iniciativës së re për një proces të ri të demarkimit.
4) Hetim parlamentar për marrëveshjen, gjithë rrjedhën, rolin dhe përgjegjësinë e faktorëve të involvuar në këtë proces.
5) Konferencë ndërkombëtare lidhur me procesin e përkufizimit (delimitimit) dhe shënjimit (demarkacionit) të kufirit në Kosovë, regjion e më gjerë, si rast për shpalosjen e gjithë të vërtetës.

Tashmë i kemi dy zhvillime pozitive: pranimi implicit i gabimit nga Thaçi dhe pranimi implicit nga Mali i Zi për bisedime të reja. Këto duhen mirëpërdorur.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Po t’ishte nënshkruar marrëveshja në Vjenë nga Behgjet Pacolli ose nga Enver Hoxhaj nuk do të ndodheshim në këtë nxitim sot dhe kollaj ishtë rrëzuar demarkacioni i Mehës. Kështu, me Thaçin nënshkrues po bëhet gjithë ky nxitim që na i humb menjëherë 8.200 hektarë dhe na e premton heqjen e vizave dikur. Madje, i njëjti Thaçi më 27 dhjetor 2010 premtonte që vizat hiqen për 13 muaj, tash e nënshkroi faljen e tokës dhe kërkohet prej jush t’i besoni e t’i nënshtroheni sërish?!

Le ta bëjmë njëherë korrigjimin me Komision të përbashkët, pastaj ratifikimin. Ndërkohë, e plotësojmë kriterin për luftimin e korrupsionit e krimit. Në fund, të dy kriteret i plotësojnë përafërsisht njëkohësisht, psh. në të njëjtën javë të të njëjtit muaj kah fundi i vitit. Ky nxitim do të kishte kuptim, po të ishte kriteri i fundit për liberalizimin e vizave. Pse e pengon mosratifikimi luftimin e krimit dhe korrupsionit? Lidhja e marrëveshjes për demarkacion me lëvizjen e lirë është veçse shantazh i qytetarëve të Kosovës.

About admin

x

Check Also

INTERVISTË ME ENVER DUGOLLIN, ISH-OFICIERIN USHTARAK TË FSK-SË, SOT ANËTAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Intervistë me Enver Dugollin. (mar nga MekuliPress) Ish oficeri ushtarak, sociologu dhe ...