Home / Opinion / Cilat ishin aspiratat e kosovarëve?

Cilat ishin aspiratat e kosovarëve?

Cytje nga një konferencë për shtyp e Abdullah Hotit e mbajtur më

Shkruan:Sylejman Krasniqi

Prishtinë 18 shkurt 2018

Abdullah Hoti iu kundërvu kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në fjalën e ti përshëdetëse për dhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me ç’rast ai ( Edi Rama) e hodhi idenë që në dhjetë vjetët e ardhshme të mendohet për një Kryetar shteti për Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë konferencë Abdullah Hoti u shpreh “ propozimi i Edi Ramës për president mbarëshqiptar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe Nato”. Është hera e parë që një njeri e politikan ( e me prejardhje shqiptare ) të thotë botërisht se populli shqiptarë i Kosovës nuk paska bërë luftë dhe përpjekje për njëqind vjetë për çlirim nga Sërbia dhe për bashkim me Shqipërinë. Jam shumë i sigurt që këtë ide nuk e ka të trashëguar nga paraardhësit e ti por e ka porosi (dhe të shartuar) nga bashkëpartiakët. Jam fort i bindur se të gjithë brezat paraardhës të Abdullahut janë përpjekë dhe kanë luftua për bashkim me Shqipëri dhe se ata kurrë nuk kanë mendua, e as që u ka shkua mendja ndonjëherë, se të katër vilajetet shqiptare janë diku jashtë Europe apo në ndonjë planet tjetër. Në kohën e tyre nuk ka pasë Nato , por të gjithë i kanë dalë përballë turkut, moskovit (rusit) dhe të gjithëve që e kanë cënua tokën tonë, pra Europën. A nuk po e ditka Abdulah Hoti se të katër vilajetet tona së toku kanë qenë në Europë e jo të shpërndara nëpër kontinente sikurse do të dëshironte Sërbia? A nuk po e ditka Abdullah Hoti se Shqipëria dhe Kosova vetëm bashkë e begatojnë Europën. A i din Abdullahu parimet më të reja për bashkim në BE? Më poshtë po mundohem ta zë zanafillen e kësaj teorie bizantine që tek ne po çon krye përditë e më shumë dhe po mundohet që ta helmoj ambientin tonë të pastër shqiptar me këto “aspirate kosovare”.

Ka një kohë të gjatë që jam duke u mendua se kush po e mbjell këtë farë të keqe tek ne? Kush po mundohet tash e sa kohë me futë pyka në mes të shqiptarëve? A ka ndonjë plan apo projekt për çarje ndër shqiptare? Kush është i interesuar për t’a arritë këtë përçarje? Kujt i levërdis përçarja brenda shqiptare? E mbaj mend që nga koha e leximit të vjershave të Esat Mekulit për sharraxhinjtë shqiptarë nëpër rrugët e Beogradit. Atëbotë poeti ynë i madh i pati ç’veshë maskat e politikës sërbe , të kishës ortodokse dhe të Akademisë Sërbe të Shkencave për përpjekjen e tjetërsimit tonë me termin “shiftari” për shqiptarët e Kosovës, kurse “allbanci” për shqiptarët e Shqipërisë. Tjetërsimi i shqiptarëve të Kosovës u fut në programet e shovenistëve sërbë vetëm pas dështimit të projekteve famëkeqe të ortodokësisë ruso-sërbo-greke për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut. Këtë platform Sërbia nuk mundi që t’a realizojë me institucionet e veta kulturore, arsimore , represive e as me bashkim-vëllazërimin prandaj ia lë kohës. Se ndoshta vije ndoj “devër ” tjetër, mendonin sërbët?!

Menduan se “devreja “ tjetër erdhi në nëntorin e vitit 1972 me rastin e mbajtjes së Kongresit të Drejtëshkrimit të Gjuhës shqipe që u mbajt në Tiranë. Tanimë dihet se çfarë kontributi dhanë shkecëtarët shqiptarë nga Kosova për unifikimin e gjuhës së sotme shqipe. Kjo e çmendi Sërbinë dhe në mënyrë tinzare, nëpërmjet Sinan Hasanit u mundua që t’a zhbëjë atë gjuhë të unifikuar duke thënë se neve nuk na duhet standadi i shqipes sepse ne e kemi gjuhën tonë-kosovarishten. Për fatin tonë të mirë atëherë kishim shkencëtarë dhe politikanë të mirëfillt dhe këmbëngulës të cilët nuk e pranuan përçamjen nga disa renegatë të shitur. Me këtë Drejtëshkrim u vulos dhe u sigurua unjisimi i sigurt i shqiparëve në të gjitha trojet e veta shekullore. Kësaj here Sinanët e ulën bishtin dhe u strukën për të ngritur kokën në kohë tjera… Me rëndësi ishte se me porosinë sllavo-ortodokse ( dhe nën kujdesin e Sinan Hasanit) u mboll fara e kosovarishtes dhe e kosovarizmit. Në këtë kohë mjafton që u legalizua vjedhurazi termi “kosovarishte” e i cili termë pastaj do të bëhet virus kanceroz që tenton të ngulfatë trungun shqiptar. Ky virus kohë pas kohe e çon kokën si gjarpër dhe lëshon helm në farën e pastër shqiptare.

Dua ta përkujtoj Abdullah Hotin se Lëvzja e parë, dhe më e rëndësishmja e më kompaktja , pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, ishte Lidhja e Prizrenit e cila quhej Lidhja Shqiptare e Prizrenit në të cilën ishin të pranishme që të katër vilajetet shqiptare. Pra ajo nuk quhej Lidhja Kosovare e Prizrenit. Çka do të ndodhte me ne sikur ajo Lidhje të merrte emrin sipas kutit apo dëshirës së kastës tënde politike? Nga historia dihet se deri ku shtrihej Vilajeti i Kosovës. Dihej se edhe cili ishte kryeqyteti i Vilajetit. U bënë tashmë 140 vjet nga Muhaxheria e Parë. Nën Mbretrinë Jugosllave Kosova u coptua disa herë. Pas LDB-re u coptua prap. Mjaft e madhe dhe e fortë kishte qenë. Shumë rrebeshe ranë mbi të por kurrë nuk e zbehu dëshirën dhe përpjekjen pë bashkim me trungun shqiptar. Të gjitha partitë politike ilegale shqiptare ( e jo kosovare) brenda dhe jashtë ish-Jugosllavisë në program e kishin luftën e përbashkët e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta për Republikën e përbashkët- Kosovën dhe për bashkimin me Mëmën Shqipëri. Se kush e prishi pazarin nuk e di? Se kush e rrudhi Kosovën sipas dëshirës së AVNOJ-it prap nuk e di? Edhe kjo si është tash nuk duket e qëndrueshme…

Pas vlimeve demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë lindi nevoja e domosdoshme për një bashkëpunim dhe bashkëveprim të përbashkët. Nëse e mbajë mend mirë diku në vitin 1991/2 akademik Teki Tartari e propozoi mbajtjen e një Kuvendi Mbrarëkombëtar të Pajtimit në mes të forcave politike shqiptare për Shqipëri dhe Kosovë. E kjo do të ishte edhe si një platformë veprimi për arritjen e synimeve tona qindravjeçare. Ky Kuvend dështoj mbasi nuk u përkrah nga Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova. Arsyet e kundërshtimit të këti Kuvendi i dinë vetëm ata të dy! Por pasojat po i ndiejmë të gjithë së bashku. Nuk vonoj shumë dhe u zbehën edhe marrëdhënjet dhe veprimet e përbashkëta. Bile nga Prishtina filluan të shkruhen edhe artikuj rrefuzues bashkëveprimi. Atëherë mendojsha se ato ishin vetëm zhvillime të rastit dhe pa pasoja brendashqiptare. Por kisha qenë i gabuar në këtë vlerësim. Ka momente kur nga Prishtina ipeshin porosi çoroditëse në drejtim të partive politike me anime të dëmshme partiake.

Në 5-6 vitet e paraluftës çlirimtare “Presidenti historik” e fillonte konferencën për shtyp që e mbante rregullisht ditën e “ xhuma” me fjalinë e përafërt “…zgjidhja më e mirë do të ishte një republikë e pavarur dhe e hapur ndaj Sërbisë dhe Shqipërisë”. Kjo paska qenë një taktizim i hollë, e që me kohë, dhe dalngadal e pahetueshëm, me Sërbi do të hapej kurse me Shqipëri edhe mund të mbyllej…

Në vlugun e luftës çlirimtare në Kosovë Akademia e Shkencave të Shqipërisë e përpilon një platformë për veprim të përbashkët politik dhe diplomatik për çështjen shqiptare dhe ia dërgon Akademisë së Shkencave të Kosovës për të analizua dhe për të bërë edhe sugjerime të nevojshme dhe pastaj të pranohej kjo si platformë e përbashkët veprimi. Për këtë nismë akademike pala e Prishtinës nuk ishte e intersuar të bashkëpunoj dhe ajo platformë mbeti vetëm në letër!?

Ka zëra që thonë se në turbullirat e pranverës së vitit 1997 Bukoshi me qeverinë në ekzil ka mbajtur haptazi anën e njërit krah politik në Shqipëri. Pra i kanë fry zjarrit në vend se të pëpiqeshin ta shuanin atë. Ngjajshëm kanë veprua edhe kur ishte rasti i vrasjes së Azem Hajdarit.

Kur u kthye delegacioni i Rambujesë nga Franca, Ibrahim Rugova nuk zbriti në aeroportin e Rinasit dhe nuk deshi të shkonte në Tiranë!? Ky gjest atëherë cilësohej nga opinion si një skandal ndërshqiptar!

Në vitet e para të çlirimit nisi të ngre krye virusi i “kosovarishtes” të Sinan Hasanit nëpërmjet Sinanëve të rinjë si: Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi, Migjen Kelmendi, dhe disa KOS-istëve ende të maskuar. Po përpunohen në mënyra “shkencore” edhe lindjet e kombeve të reja e sidomos kombi “kosovar” me gjuhën “kosovarishte”. Këto po ndodhin në pikë të ditës me diell dhe askush nga institucionet e shtetit, por as institutet e shkencës, nuk po mirren me këto “cikërrime” dhe me këto mbjellje të farës përçarëse, sikur këto të ndodhnin në një planet tjetër dhe nuk kanë të bëjnë me qenjen tonë.

Është për t’u habitë se si asnjëra nga partitë politike nuk e ka thënë fjalën e vet rreth kësaj dukurie shëmtuese e cila po na brenë përbrenda. Partitë ndoshta edhe janë të zëna me punë të tjera shumë më të “rëndësishme” për shtetin! Janë duke e matë dhe “mbrojtë” çdo pëllëmbë toke të Kosovës!? Por as Akademia e Shkencave nuk e merr mundimin dhe t’i thotë disa fjalë për këtë hata që po lëshon rrënjë në mjedisin tonë.Thonë se heshtja është miratim. Kështu në heshtje edhe e pazakonta bëhet e zakonshme. A është e mundur që të jetë Akademia e jonë indiferente ndaj këtyre dukurive? Apo mos është rreshtua edhe ajo pas shembullit të disa partive…Mos ka hy virusi edhe aty sepse kam dëgjua se në Akademi po përgatiten me u përpilua fjalorë dhe histori vetëm për Kosovën! Ndoshta është momenti që të vihen në veprim porositë e Sinan Hasanit sepse edhe ai ishte anëtarë i po kësaj Akademie, e nuk ka kuptim mos me ia çue në vend porosinë.

I përmenda të gjitha këto ndodhi me rradhë që nga hudhja e farës së parë e deri në ditë e sotit sepse, sipas meje, viruset e kësaj fare kanë fillua të lëshojnë rrënjë të thella dhe po e hedhin shtatin në Kosovën e lirë dhe para syve tanë e pa e dridh as qerpikun e syrit.

Deri tani ky kosovarizëm më dukej sikur shprehje e rastësishme dhe e pamatur fort nga ne. Vetëm pas përmendjes nga Abdullah Hoti, dhe në raport me Shqipërinë, në mua u shtua doza e dyshimit se mos ky kosovarizëm nuk është i çastit por po kultivohet me dhjetra vite përpara?

Pas këti fjalori të ashpër e kundërshtues nga Abdullah Hotit ndaj Edi Ramës, njeriu i rëndomtë e shtron pyetjen e pashmangshme se sa herë iu kanë përgjigjur me kësi ashpërsie zyrtarëve të Sërbisë, cili do nga kreu i LDK-së? E zyrtarët e lartë të Sërbisë në midis të Kosovës thoshin botërisht se “ Kosovo je Srbija”! Dhe kurrë nuk kanë marrë kundërpërgjigje nga Rugovët, Mustafët e as nga Hotët

Opinionit të Republikës së Kosovës Abdullah Hoti ka për detyrim të sqaroj më hollësisht se cilat paskan qenë aspiratat e kosovarëve? Para kësaj ai duhet të sqarohet se çka, sipas ti, don të thotë termi “kosovar”? A i ngjanë termi “kosovar” ati termi të famshëm e jetëshkurtër “ jugosllav” të kohës së Sinan Hasanit dhe të Azem Vllasit apo i termit “musliman” të Alija Izetbegoviqit? Termi “kosovar” sipas Hotit a është sinonim i shqiptarëve të Kosovës apo i të gjitha “ kombeve dhe kombësive” që jetojnë në Kosovë? “ Aspiratat e kosovarëve” të Hotit mund dhe duhet t’i sqaroj vetë ai, pra Abdullahu. A është kjo vazhdimësi e “kombit kosovar” të Nexhmedin Spahiut? Apo është kjo luftë për të marrë autorësinë e kombit të sapolindur? E nëse ai ka mendua në aspiratat e shqiptarëve të Kosovës ka gabua shumë që e ka ngatërrua Edi Ramën në këtë mes. Sepse Edi Rama e ka thënë vetëm një dëshirë të gjithëhershme të të gjithë shqiptarëve, deshtën apo nuk deshtën disa individ dhe segmente politike në Kosovë.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...