Home / Opinion / Letër e hapur kryetarit të Shqipërisë Bujar Nishanit

Letër e hapur kryetarit të Shqipërisë Bujar Nishanit

                   ( Mar nga Arkivi i veprimtarit Sylejman Krasniqi)

           Para disa ditësh, e pikërisht   më  04.12.2016 me rastin e përkujtimit  të 104 vjetorit të ushtrisë shqiptare,  keni  thënë se “…ushtria shqiptare,  përpara , ishte ushtri e madhe por eksportonte  konflikte, kurse tani  është  ushtri e vogël por eksporton vetëm paqe”. Meqenëse jam një vit më i ri ( i lindur jam më 10 korrik 1946 në Prishtinë) se ushtria e ”madhe”( e themeluar më 10 korrik 1945 si trashëgimtare e UNÇSH ), sipas jush, desha të di se cilat konflikte i ka shkaktua ajo ushtria e “madhe” e për të cilat unë, si moshatar i ushtrisë së “madhe” nuk paskam dëgjuar kurrë deri tani?, Por së pari, si laik që jam në punët ushtarake, dua të mësoj, nga Ju, si student Skënderbegas që keni qenë, se çka nënkuptohet me ushtri të madhe dhe çka me ushtri të vogël? A mund të kenë ushtri të madhe shtetet me popullatë të vogël? Nga ju e mësova se ushtri të madhe mund të kenë Kina, India, Brazili, SHBA-ja, Rusia dhe shtetet me mbi 100 milion banorë. Tani, nga Komandanti i Përgjithshëm, e kuptova se edhe Shqipëria e vogël paska patur ushtri të madhe. Dhe prandaj  paska patur mundësi që të prodhoi dhe eksportoi konflikte. Shqipëria ka patur, sipas jush, ushtri të parregullt, të paorganizuar, të padisciplinuar, të pajisur dobët me armatim, të pastërvitur dhe të papërgatitur për asnjë situate serioze. Pra mund të thuhet lirisht se ka qenë ushtri e madhe bashibozukësh dhe kaçakësh  dhe e orgnizuar në baza fisnore dhe krahinore e cila nuk ka mund të mbrojë asnjë dynym të tokës së Shqipërisë por se ka patur prirje tu bie në qafë shteteve fqinje dhe t’ua grabis nga një copë të mirë të tokave, aq sa me na lënë ne, brezit të tanishëm belanë në derë  dhe me na futë në borxhe deri në fyt.

          Të përkujtojmë me rradhë disa nga  konfliktet  të cilat i paska prodhua dhe eksportua ushtria e “madhe” shqiptare aq  sa mbaj mend unë e për të tjerat të më plotësoi Komandanti i  ynë  i Përgjithshëm:

          Futja e ushtrisë së “madhe” shqiptare thell në territorin e Greqisë me ç’rast zhvillohen luftime të rrepta në tokën greke ku vritet heroikisht Sadik ( Abdullah) Kani në vitin 1949. Dhe pikërisht për këtë betejë ( ndoshta ? ) edhe deri tani Greqia nuk e hjek gjendjen e luftës me Shqipërinë!

          Dërgimi  i shumë grupeve diversantësh me parashuta në SHBA, Angli, Egjypt, Francë, Itali, Greqi, Jugosllavi dhe në shumë shtete tjera me qëllim të stërvitjes të emigracionit tonë politik dhe përgatitjen e tyre për t’i rrëzuar qeveritë e atyre shteteve. Ndoshta iu kujtohet kur këta parashuta të dërguara nga ushtria e “madhe” e zunë rob Hamit Matjanin në diku në xhunglat  e  SHBA-ve dhe e vranë Xhevdet Mustafën diku në malet e Jugosllavisë apo të Greqisë ( sepse tani nuk më kujtohet mirë).

          Është e njohur tani beteja e rreptë mes ushtrisë së “madhe” shqiptare dhe ushtrisë “mjerane” të ish-Bashkimit Sovjetik për disa nëndetëse. Ushtria e “madhe” shqiptare kaloi dete dhe oqeane për të shkua në Odesa  dhe nga atje i  zuri, si rob lufte, disa nëndetëse dhe në mënyrë të dhunshme i pruri deri në bazën e Pashalimanit të Vlorës. Kjo ishte edhe arsyeja e vetme që Shqipëria pastaj të përjashtohej nga Traktati i Varshavës e me të cilin rast ia panë “sherrin” e gjithë Europa dhe mbarë bota perëndimore me që kishte ushtri të “madhe” dhe eksportonte vetëm konflikte.

          Akt tjetër i dukshëm i eksportimit të konfliktit  mund të quhet edhe përkrahja e hapur që iu dha Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së “madhe” demonstratave masive të studentëve dhe popullit të Kosovës që nga 1 prilli i vitit 1981… Bile, sipas Azem Vllasit, edhe bunkerët bëheshin ngati për lansim. Sepse ata (bunkerët) ishin projektuar nga ushtria e madhe si zëvendësim i raketave me rreze veprimi deri në 10.000 km. largësi. Nuk vonoi shumë dhe më 1982 erdhi kërkesa prej kryeministrit të Greqisë  (më duket se ishte Papandreu) drejtuar kryeministrit shqiptar Adil Çarçanit që të shqyrtohej mundësia që të gjitha shtetet e Ballkanit të ç’armatoseshin sepse mendohej nga shtetet paqësore si Jugosllavia dhe Greqia se nuk ishte më koha e konflikteve por vinte koha e një “koegzistence” paqësore në rajon. Nuk shkoi shumë kohë dhe kryeministri Adil Çarçani i ktheu një përgjigje kryeministrit grek përafërsisht me këtë përmbajtje “…pajtohem plotësisht me këtë propozim shumë të vyer. Por me kënd të mirremi vesh ne kur dihet se Greqia është në Paktin Nato, Italia poashtu në Nato, Bullgaria në Traktatin e Varshavës e Jugosllavia është, gjoja, neutrale e në të vërtetë iu shërben të dyjave sipas rastit. Edhe ky rast mund të merret si eksportuese e konflikteve. Sepse politika e shtetit të ushtrisë së “madhe” e lë rajonin tonë pa u çmilitarizua…

         Për fatin tonë të mirë në fillim të viteve të 1990-ta fillojnë të fryjnë erëra demokratike në të gjithë hemisferën e lindjes. Në Shqipërinë tonë erdhi një stuhi me uragan dhe i ktheu për së mbari  të gjitha përpjekjet e dyzetepesë vjetëve të fundit. Filloi të shembet ushtria konfliktuoze dhe të shëndrrohet në ushtri paqësore e cila, me dekret të komandantit të ri të përgjithshëm, i ndaloi  eksportet e konflikteve dhe ato tani shërbejnë vetëm për përdorim të brendshëm.

         Në mars të vitit 1992 u bënë zgjedhjet e lira dhe shumë partiake. Iu hap rruga edhe riformatimit të ushtrisë nga ushtri e madhe që prodhonte dhe eksportonte konflikte në ushtri të vogël  por e cila tanimë prodhon dhe eksporton vetëm paqe për rajonin dhe gjithë botën. Tani filloi që të eksportoj hekur skrap nga armatimet e pakuptimta të ushtrisë së madhe. Pra ushtria filloi të tkurrej e të rrudhej me shpejtësi. Nga eksportues i konflikteve filloi të bëhet importues i konflikete.

         Tani komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së vogël nisi ta pamundësoj zhvillimin e luftës në Bosnje duke mos iu dërgua asnjërës palë ndërluftuese naftën e nxjerrur  nga puset tona të Muzeqesë. Kjo ishte edhe prova e parë e sjelljes paqësore në raport me Komandantin e ushtrisë së madhe. Me këtë  akt shumë paqësor ai e fitoi edhe simpatinë e opinionit paqëdashës të botës..

         Prova e dytë ( brenda shtetit) u bë me vuarjen e pykës në mes veriut dhe jugut në pranverën e vitit 1997 por kësaj here pa sukses sepse u rrebeluan disa oficer të lartë të mallkuar, pizevengë e të padëgjueshëm prandaj edhe nuk u realizuan skenarët e importuar të futjes në luftë mes veriut dhe jugut, si në Amerikën e para dy qindëvjeçarëve.. Sepse, mendonim  atëherë, për ta fuçizuar shtetin duhet që, patjetër, të ndjekim shembullin e mikeshës Amerikë. Nuk dihej sakt se nga jepte urdhëra komandanti i përgjithshëm, nga Tirana apo nga diku jashtë…

          Provën e tretë e bëri me Gërdecin dhe doli i suksesshëm. Pati disa viktima por ato janë punë tona të brendëshme dhe nuk kemi se pse të brengosemi. Pasi po e tkurrim ushtrinë dhe armatimin  pse mos ta tkurrim pak edhe popullatën.

          Hapi i katërt ishte pranimi i dëmeve që i kishte shkaktua ushtria e madhe Greqisë në luftën e vitit 1949 kur ajo ( ushtria e madhe pra) hyri thell në territorin e grek me ç’rast i kishte bërë dëme të mëdha materiale dhe në njerëz. Komandanti i përgjithshëm u kujdes për këtë  rast dhe e shpërbleu Greqinë me një copëz të detit. Kishte parasysh komandanti se ushtrisë së vogën nuk i nevojitet aq shumë  sipërfaqe e ujit sepse tash e kemi ushtrinë e vogël. Besa edhe nëndetëset na u kanë vjetrua. Në atë pjesë të detit ishin zbulua sasi të mëdha të naftës dhe vetëm sa bëhemi telashe me nxjerrjen e naftës. E sa ngatrrohemi mes veti se kujt do t’i takoj gjithë ajo pasuri më mirë me ia dhënë palës së tretë e ata mes veti e thefshin qafën. Mirërpo, sikurse në hapin e parë, edhe këtu na doli një dreq kushtetuese dhe na i prishi planet e na koriti para botës  ditën me diell dhe na e kthej mbrapsht dëmshpërblimin e premtuar fqinjit të parë. Prandaj edhe fqinji i parë u zemra fort dhe nuk don të na e heq ligjin e luftës.

          Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë së vogël u kujdes që edhe datën e themelimit të ushtrisë tonë ta ndryshoj. Dhe bëri mirë shumë që e ndryshoi atë datë. Sepse ishte datë e themelimit të ushtrisë së madhe luftarake dhe e konflikteve të pakuptimta. Kurse tani kemi shkelë me të dyja këmbët në epokën e paqës dhe sa më shpejt duhet të shlyhen ditët dhe datat konfliktuoze!

          Dhe krejt në fund, i nderuari krytetar Bujar Nishani, iu përgëzoj për këto fjalë margaritare që ua kushtove ushtrisë konfliktuoze dhe asaj paqësore në këtë jubile të rëndësishëm. Iu përgëzoj edhe pë suksesin e arrituar në shpartallimin dhe disciplinimin e ushtrisë së madhe bashibozuke e konfliktuoze dhe për ngritjen dhe forcimin e ushtrisë së vogël e paqësore për të cilën ua kanë lakminë ( dhe frikën njëkohësisht) të gjitha ushtritë dhe shtetet paqësore që i kemi përrreth.

          Uroj që në jubiletë tjera të harrohet fare ushtria e madhe dhe të bëmat e sajë.

          Më 14.12.2016 Prishtinë                 Sylejman Krasniqi

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...