Home / Lajme / Nexhmije Hoxha: Një mesazh për të gjithë ata që më “vdiqën”…

Nexhmije Hoxha: Një mesazh për të gjithë ata që më “vdiqën”…

 

Një letër urimi për Vitin e Ri  për veteranët dhe gjithë shqiptarët nga gruaja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e Enver Hoxhës. Befasia me vitalitetin dhe kthjelltësinë mendore të zonjës Hoxha, e cila pas ndonjë muaji e pak mbush 97 vjeç të befason. Çfarë tha ajo për debatin e ditëve të fundit për helmimin e Enverit…

Xhevdet Shehu – DITA

Nexhmije Hoxha ka përgatitur me kujdes ditët e fundit një letër me urime për vitin e ri për miqtë dhe dashamirët e saj brenda e jashtë Shqipërisë dhe për gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të cilën po e botojmë sot. Jo vetëm pse është gruaja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e Enver Hoxhës, njeriut që e sundoi këtë vend me dorë të hekurt për rreth gjysmë shekulli, por zonja Hoxha, e cila pas ndonjë muaji mbush 97 vjeç, të befason me vitalitetin dhe kthjelltësinë e saj mendore. Ajo lexon çdo ditë, ndjek zhvillimet e politikës dhe ngjarjet në vend, shkruan… Është në përfundim të librit të saj me kujtime të pabotuara ndonjëherë. Ky libër që është dhe një jetëshkrim i kësaj gruaje njëshekullore, që po përgatitet për botim nën kujdesin e gazetares Rudina Xhunga, mund të dalë edhe vitin e ardhshëm që përkon edhe me 110 vjetorin e lindjes së Enverit.

Këtë letër ekskluzive për gazetën ‘DITA’ ma dorëzoi dje pasdite në shtëpinë e saj në Laprakë. Sapo e lexova atë letër, i thashë me shaka Nexhmije Hoxhës:

– Kjo letër duket si një përgjigje për ata që të “vdiqën” disa ditë më parë…

– Mund të merret edhe ashtu, si një përgjigje për ata që sajuan atë lajm të rremë me shumë keqdashje dhe ligësi, – ma ktheu ajo. – Por unë nuk e them këtë në letrën e urimit që po u jap për Vitin e ri 2018. Unë u drejtohem veteranëve, miqve e dashamirësve dhe gjithë shqiptarëve.

– Sidoqoftë, ai lajm ju tronditi ndopak, apo jo? – i them.

Por ajo me qetësi përgjigjet:

-Aspak. Madje u zbavita. Ju e kishit shkruar shumë mirë në gazetë përgënjeshtrimin. E përgënjeshtruan publikisht edhe Pranvera dhe Teuta. Unë u zbavita dhe kemi qeshur me atë marrëzi. Isha shtrirë dhe po pushoja si çdo ditë, kur më vjen Pranvera dhe më zgjon: “Po ngjallu, më tha, se të kanë vdekur para kohe…” Nuk e morëm vesh se kush e fabrikoi atë lajm, por pak rëndësi ka kjo, pasi janë ata që na sulmojnë prej më shumë se njëzet vjetësh… Por mendoj se në përhapjen e atij lajmi kanë përgjegjësi edhe gazetarët, ata që e shpërndanë nëpër portale, pa e verifikuar. Ku është profesionalizmi dhe etika profesionale në këtë rast?

Pa dashje biseda kaloi te polemika e ditëve të fundit mbi gjoja helmimin e Enver Hoxhës afro 33 vjet më parë që zuri faqet e para të gazetave. Nexhmije Hoxha thotë se e ka ndjekur atë debat, por nuk është çuditur, pasi për 27 vjet me radhë Enveri është sulmuar dhe janë thënë shpifje dhe akuza të qëllimshme, dashakeqe dhe absurditete nga njerëz të çekuilibruar.

“Është një debat i stisur dhe për të krijuar konfuzion. Kjo çështje është shumë e qartë dhe unë nuk merrem me to. Folën njerëz me integritet si Dr. Sabiti, Isufi e njerëz të tjerë. Unë i kam shkruar këto në librat e mija dhe nuk do rri e të merrem me shpifje. Ua kam dhënë përgjigjen njëherë e mirë në letrën që i kam drejtuar Ilirit e Teutës dhjetë vjet më parë, në 100-vjetorin e lindjes së Enverit. Është e kotë të merresh me shpifjet. Tani po vazhdoj të shkruaj kujtimet e mija…” thotë Nexhmije Hoxha.

Mbase vetëm fakti që ajo vazhdon të shkruajë e të punojë është i mjaftueshëm për gjendjen e saj shëndetësore. Ajo thotë se trishtohet nga konfliktet pa mbarim të politikës dhe shpreson që viti që po vjen të jetë më i mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Në ikje, Nexhmije Hoxha përcolli të falat dhe një urim të veçantë për gjithë shqiptarët dhe lexuesit e gazetës ‘DITA’, të cilën thotë se e ndjek rregullisht.

Letra

Urime për Vitin e Ri 2018

Të dashur shokë e shoqe veteranë, miq e dashamirës shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, ju uroj me gjithë zemër: Gëzuar Vitin e Ri 2018!

Qoftë një vit i mbarë për të gjithë ju, familjet e fëmijët tuaj.

Qoftë një vit më i mirë për Shqipërinë tonë, më i qetë, pa konflikte, më i sigurtë për qytetarët në atdheun e tyre, për të rinjtë e të rejat e të ardhmen e jetës së tyre.

Dëshira dhe urimi i të gjithë neve, shqiptarëve, është që Kombi Shqiptar, me historinë dhe kulturën e tij mijëra vjeçare, në kontinentin e Europës të fitojë dinjitetin e dikurshëm, të kohës së luftrave të vjetra, të 5-6 shekujve më parë të Skënderbeut dhe ato të mëvonshme, të Rilindësve tanë e deri në luftën e fundit Nacional-çlirimtare të partizanëve e patriotëve për Lirinë, Pavarësinë e Unitetin Kombëtar të shqiptarëve.

Në saje të këtyre luftërave, “me pushkë e penë”, me trimërinë e mençurinë e bijve të shquar të Kombit tonë, si edhe të gjuhës së përbashkët shqipe, që ruajtën e bashkuan shqiptarët gjatë shekujve, në hapësirën e tyre Iliro-Arbërore, bënë që Kombi ynë i vogël të mos shuhet, të mbetet i gjallë, në këmbë e vital.

I tillë do të mbetet edhe në të ardhmen.

Nexhmije Hoxha

27 dhjetor 2017

About admin

x

Check Also

Veteranët gënjeshtarë: Intervistë me pjestarin e Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, Dilaver Goxhaj

  Kolenel Dilaver Goxhaj, në intervistën dhënë të pavarurës MekuliPress.info, flet, argumenton ...