Home / Opinion / Ka njëmijë mënyra të tradhëtosh popullin

Ka njëmijë mënyra të tradhëtosh popullin

Dilaver Goxhaj
Ishte e befasishme për pubikun mbarë shqiptar arrestimi i tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje: Albin Kurti, Albulenë Haxhiu dhe Donikë Kadaj-Bujupi, të cilët u arrestuan sot, datë 24/11/2017, derisa po hynin për të marrë pjesë në seancën e  Kuvendit të Kosovës. Gjithkush që e dëgjoi shprehu habinë: Si është e mundur që Prokuroria nuk kërkoi ndalimin e tyre para dy vjetësh pse përdorën gazin lotsjellës në Parlament, por menjëherë pasi mbaruan zgjedhjet e përgjithëshme dhe ato lokale në Kosovë, me humbje kolosale për PDK-në dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, përjashtuar Listën Serbe! Mos vallë ky arrestim është bërë me urdhër të Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të Parlamentit të saj, për të sfumuar humbjen katastrofike të partisë së tyre, PDK-së në të dy këto zgjehje, ku edhe në Kryeqytet nuk arritën të merrnia as 5% të votave? Dhe dyshohet se kjo të jetë bërë me qëllim që të zhvendoset vemendia e opinionit publik nga zhgënjimi i madh popullor prej PDK-së dhe drejtuesve të saj.
Që duhet të kemi të bëjmë me urdhër të personave të lartpërmendur e tregon vet fakti që prokuroria e Prishtinës ngriti padi penale kundër tyre menjëherë pas asaj humbje të madhe elektorale të PDK-së. Si është e mundur që ky aparat gjyqësor, që zakonisht tregohet kaq i ngathët, këtë radhë i theu të gjitha rekordet e shpejtësisë për marrjen e masës së sigurisë ndaj deputetëve me arrest në burg?!
Cili ishte krimi i këtyre deputetëve? Përgjigjia dihet: pse përdorën gaz lotsjellës në Parlament, për të mos i ikur Kosovës 8200 hektarë territor alpin nga më piktoreskët e më të lakmuarit në Ballkan. Madje, drejtësinë e atij veprimi të këtyre deputetëve të VV, e vërtetoi sot Anëtari i Komisionit të Ri Shtetëror për Demarkacionin, Florim Isufi, kur tha se: “Në raport do të vinë dëshmi të reja të padëgjuara deri më tani.”
Dhe për t’i sfumuar këto arritje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deklaratën e sotme të anëtarit të Komisionit për Demarkacionin, po ata persona të plotpushtetshëm në Kosovë vunë në lëvizje po sot edhe OVL e UÇK-së së bashku me dy shoqatat e tjera të dala nga lufta, me një kërkesë absurde: thirrje për protestë në mbështetje të të dënuarve të ngjarjes së vitit 2015 në Kumanovë. Këto shoqata sikur protestuan para ca ditësh për këtë problem, pse dolën sot, kur arrestohen përfaqësuesit e popullit me akuzën se, “kanë përdorur në Kuvend para dy vjetësh gaz lotësjellës”, por shumë më pak se sa përdori sot policia ndaj tyre.
Mirëpo, të gjitha ato ç’kundërshtoi Vetëvendosja me gaz lotsjellës: faljen e atij territori Malit të Zi, krijimin e Zajednicës si dhe miratimin po nga PDK e LDK i Gjykatës Speciale Ndërkombëtare vetëm për të dënuar pjestarët e UÇK-së dhe jo shqiptarët që bashkpunuan me policinë e ushtrinë serbe dhe as qytetarët serbë të Kosovës që iu bashkuan krimve të policisë serbe, të gjitha këto kanë vetëm një emër: tradhëti kombëtare, pavarësishtë se si i justifikojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti e Isa Mustafa. ”Ka njëmijë mënyra të tradhëtosh popullin”, – thotë shkrimtari amerikan Albert Kahn. “Mund ta shtypësh popullin me violencë, me terror e me bastisje. Të shfrytëzosh, të shpronësosh, të varfërosh me miliona burra dhe gra; të nxjerrësh ligje despotike dhe t’i bësh gjykatat vegla ndëshkimi; të përhapësh një propagandë gënjeshtare; të ngresh pa arësye kundër njera tjetrës dy pjesë të shoqërisë. Gjithnjë tradhëtojnë po ata njerëz: një pakicë të privilegjuarish, që janë të vendosur ta mbajnë me çdo kusht fuqinë, dhe t’i shtojnë fitimet e tyre në kuriz të shumicës dërmonjëse. Kjo tradhëti nuk është një fenomen i ri në botë. Ky fill i zi ka shërbyer për të endur historinë. Po në kohën tonë populli ka fituar forca të pashembullta, kërkon kondita më të mira jetese; kështu, disa njerëz po marrin masa përherë më brutale e më të dëshpëruara për të nënshtruar popullin. Fashizmi kishte lindur nga ky brutalitet dhe nga ky dëshpërim.qytetari gjerman që luftonte me mish e me shpirt regjimin nazist, nuk ishte tradhëtar, ishte një patriot i sinqertë, kurse qeveria naziste e tradhëtonte vendin e saj.”
Kushdo që i lexon këto radhë të këtij shkrimtari amerikan le ta gjykoi vetë se kush e ka tradhëtuar popullin shqiptar në Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje, (që veç këtyre kundërshtimeve kërkon edhe bashkimin kombëtar, kundër së cilës është ngritur e funksionon një kryqëzatë e tërë në Kosovë), apo ata që arrestojnë deputetët dhe liderët e kësaj force politike.
24.11.2017

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(!)

    Pyetje: Zoti Dlaver, si mund ta komentoni një deklaratë të ...