Home / Opinion / Unë, dëshmitari i korrupsionit në Aviacionin Civil

Unë, dëshmitari i korrupsionit në Aviacionin Civil

Dritan Goxhaj prej disa kohësh ka qenë inspektor në Autoritetin e Aviacionit Civil. Por, botimi i shkrimit me titull “Aviacioni civil si bahçe private” në 20 shtator 2017, për sigurinë në aeroportin e Rinasit, bëri që Goxhaj të pushohej nga puna me motivacionin: mungesë etike. Ai duhej të merrte leje prej drejtoreshës dhe drejtorëve të tjerë të AAC, për të botuar shkrimin. Goxhaj e ka çuar çështjen në Gjykatën Administrative.

Goxhaj ka kryer shkollën për teknik avioni në Turqi dhe më pas shkollën për pilot avioni luftarak në Vlorë. Ku ka kryer edhe specializimin disa mujor për fluturime në Greqi.

Shkrimi i mëposhtëm është një denoncim të cilin Goxhaj vendosi ta ndajë në Dritare.net. Ai akuzon Autoritetin e Aviacionit Civil për trafik avionësh korrupsion dhe ndihmë për terrorizmin.

Dritan Goxhaj
Në vitin 1990, pothuajse 27 vjet më parë, shqiptarët e nisën rrugëtimin e tyre për daljen nga një diktaturë me një slogan tepër ambicioz: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Sot, pas 27 vitesh, ky slogan është lakuar aq shumë në gjuhën shqipe sa tashmë duhet të përdoret vetëm në kohën e shkuar, “E deshëm Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Gjatë gjithë këtyre viteve, një pjesë u përpoqën ta bëjnë Shqipërinë si Evropa, një pjesë tjetër e arritën Evropën me skaf e me këmbë, ndërsa pjesa e mbetur vazhdon ta shohë Evropën si një destinacion të paarritshëm, qoftë edhe si vizitor, e jo më ta imagjinojë shndërrimin e Shqipërisë si Evropa.

Ndërsa së fundi, disa nëpunës shtetërorë me pozita të rëndësishme, kanë menduar që tashmë rruga e re për Evropë duhet t’i bjerë, jo duke shtuar numrin e trupave tona në kuadër të NATO-s, por duke u krijuar mundësi kompanive që ndihmojnë e financojnë terrorizmin, të ngrenë këtu te ne kompanitë e tyre. Këtë detyrë, sa të vështirë edhe “fisnike”, e ka marrë përsipër ta kryejë Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë me kokë të vet,pa pyetur as Kryeministrin e vendit. Përkatësisht këtë detyrë janë duke e kryer deri më tani me sukses Drejtoresha në ikje e këtij Autoriteti, Lilika Radovicka, drejtori i Drejtorisë së Licencimit të Operatorëve Ajrorë në këtë Autoritet, Altin Vrapi, shefi i Sektorit Teknik në këtë drejtori, Pëllumb Hoxha, ku koordinatori i gjithë kësaj zallamahie është kryetari i Bordit të Aviacionit Civil, Petrit Sula, ose si njihet ndryshe me pseudonimin “Leshko”. Por si po ndodh e gjithë kjo?

Në Autoritetin e Aviacionit Civil ka bërë kërkesë për licencim një kompani e re ajrore me emrin Albanian Airways, e cila është pasuese e Albanian Airlines. Kjo kompani është ngritur nga Konsulli i Nderit të Sirisë në Shqipëri, një refugjat sirian me emrin Jahja Farwati. Po çudi, do thoni ju, si ka mundësi që Shqipëria është në koalicionin e përbashkët perëndimor me në krye SHBA-në kundër regjimit gjakatar të Bashar Al Asadit në Siri dhe, nga ana tjetër, pranon konsull nderi të këtij regjimi?! Epo kjo është Shqipëria e paradokseve. Gjithsesi, ky zotëria ka paraqitur letrat në Autoritet dhe, për të hapur kompaninë, ka sjellë edhe një avion, të cilin e ka regjistruar në Regjistrin Aeronautik të Shqipërisë, me shenjë regjistri ZA-ABB. Deri këtu gjithçka në rregull, do të thoshte gjithkush. Por problemi qëndron pikërisht tek ky avion.

Kompania e ka paraqitur këtë avion sikur e ka marrë me qira diku nga një kompani në Qipro. Ky avion pretendohet të ketë mbërritur në Rinas në 15 shtator të këtij viti nga Ukraina, me regjistrin SX-ABX, i tipit A320-212 me MSN 427 (MSN është numri identifikues i prodhimit të avionit, pothuajse i ngjashëm me numrin e shasisë së makinës).

Çdo personi i cili mund të përdorë internetin dhe të shkruajë në të, të dhënat e mësipërme të këtij avioni, pra tipin dhe MSN, do i rezultojë se ky avion është pronë e një kompanie greke Olympus Airline dhe mban regjistër grek SX-ABX. Ky avion është marrë me qira nga një kompani ukrainase, përkatësisht Dart Airlines. Kjo kompani ukrainase është në listën e kompanive të ndaluara nga Departamenti i Shtetit Amerikan, me Urdhër Ekzekutiv E.O 13224 (OFAC also designated Dart Airlines pursuant to the global terrorism E.O. 13224 for aiding designated Iranian and Iraqi airlines through the provision of aircraft and services). Pra, një kompani e cilësuar si mbështetëse e terrorizmit global. Këtu fillon edhe mashtrimi, i cili është mashtrim brenda mashtrimit.

Tirane Nentor 18, 2017

 

About admin

x

Check Also

Agim Kasapolli ekskluzivisht për MekuliPress: “Nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim – Kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore – Në 2005 më larguan nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”

April 4, 2020 Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, ...