Home / Të ndryshme / Shënim nga Intervista e veprimtarit – Xhemil Zeqiri

Shënim nga Intervista e veprimtarit – Xhemil Zeqiri

XHEMIL ZEQIRI NË REDAKSINË E GAZETËS EPOKA E RE

 

Prishtinë, janar – Viti 1981 ishte viti kur shumë djem të rinj shqipatrë të përndjekur nga UDB-a jugosllave ishte dashur që të largoheshin nga Kosova. Në mesin e tyre është edhe Xhemil Zeqiri nga Tetova i cili që nga ajo kohë është vendosur në Danimarkë. Xhemili veprimatarinë e tij nuk e ndalë por fillon të punojë gjithnjë në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Si anëtar i LPK-së ai gjithmonë ka luftuar për çështjen e kombit. Pastaj emërohet kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për Kosovë – dega në Danimarkë. Në vitin 1988 ai formon komitetin “Miqtë e Kosovës”.

Xhemil Zeqiri

Ngjarjet shqetësuese të cilat po ndodhnin në hapësirën gjithëshqiptare dhe këto ngjarje nga disa të ashtuquajtur të zgjedhur të popullit, në vend që ta ngrisnin zërin për çështjen kombëtare të shqipëtarëve, të cilët ishin të okupuar nga okupatori serb, ata dezinformonin duke thënë se gjithçka është në rregull, ka qenë arsyeja që e kanë shtyrë veprimtarin e palodhur të LPK-së , Xhemil Zeqirin , që tërë aktivitetin e tij politik për kauzën kombëtare ta përmbledh në librin me titull “Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare”.
“Ishte viti 1992 kur komiteti ‘Miqtë e Kosovës’, kryetar i së cilës isha, kishte organizuar një debat para Parlamentit Danez për çështjen shqiptare, dhe unë atëbotë pata ftuar simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin që të flasë për kërkesat e shqiptarëve të cilët nuk kërkonin më shumë se liri”, nis rrëfimin e tij Xhemil Zeqiri në një bisedë ekskluzive për ‘Epokën e re.
“I flisja Bacës për punën time që bëja në Danimarkë dhe derisa ai më dëgjonte, më tha se të gjitha këto do të duhej t’i përmblidhje në një libër”, tregon më tutje Xhemili, kështu që ai menjëherë kishte kontaktuar Ibish Nezirin në Zvicër, që po ashtu ishte veprimtar i Lëvizjes, mirëpo për shkaqe të panjohura botimi i këtij libri atëbotë nuk u mundësua deri në vitin e kaluar, kur edhe u bë promovimi i tij në Prishtinë, në saje të ndihmës së Beqir Berishës. Xhemili kishte menduar që librin ta emërojë ‘Dielli i prerë’ por me sugjerimin e Beqirit atë e titulluan “Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare”.

“E kemi vënë në kllapa fjalën ‘diplomatike’ sepse unë nuk jam diplomat që në mënyrë diplomatike ta mbrojë çështjen e popullit tim”, sqaron Xhemili. Ai flet me modesti për punën e tij të palodhshme prej vitit 1981 ederi më tani. Duke qenë anëtar i LPK-së ai gjithnjë punon në favor të kauzës kombëtare, por asnjëheër nuk ishte në ndonjë post të lartë.

“Që nga viti 1981 kur u vendosa në Danimarkë i kam përkrahur lëvizjet që pasuan pas këtij viti, dhe jam munduar që të kontriboj sa më shumë drejt çështjes kombëtare, natyrisht aty ku kisha mundësi”, thotë ai. Iu ndihmonte studentëve në aspektin moral, politik dhe kur kishte mundësi edhe në atë ekonomik, por gjithnjë duke qëndruar prapaskenës. Në të gjitha proceset që kanë ndodhur në Danimarkë, Xhemil Zeqiri ishte gjithnjë shtytës kryesor i tyre por kurrë s’kishte qenë në ballë siç bënin disa njerëz që gjatë pranverës së nxehtë të 81-shit ishin agjentë të UDB-së dhe pengonin punën e atdhetarëve, por kur e panë se koha e tyre kishte kaluar u munduan të kthehen, por atëherë ishte vonë. Njerëzit e këtillë sipas Xhemilit janë gjithëherë të rrezikshëm për kombin.

Xhemili më tej flet edhe për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, Universitetin e Tetovës dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Universitetin e Tetovës veprimtari Xhemili e sheh si tempull të dijes, duke u bazuar në faktin se nga Universiteti i Kosovës lindën ideologët dhe atdhetarët të cilët ia grisën maskën shovinizmit serb. “Me shkollim arrihet diçka, sepse lufta nuk mund të bëhet vetëm me pushkë, por edhe me njerëz të ditur të cilët dinë ta udhëheqin atë”, shprehet Xhemili duke shtuar se çështjen e UT-së e ka paraqitur edhe para Këshillit të Ministrave nëpërmjet komitetit “Miqtë e Kosovës”, mirëpo kjo ka qenë e kotë sepse pa kërcitë pushka në Kalanë e Tetovës, në Haraçinë e gjetiu nuk mund të bëhej asgjë, sepse puna e UT-së pengohej nga njerëz të caktuar që mundoheshin t’i pengonin studentët e sidomos studentet.

Ndërkaq Marrëveshjen e Ohrit ai e quan marrëveshje e Trajkovskit, sepse sipas tij në këtë marrëveshje as 25 përqind e kërkesave të shqiptarëve nuk janë plotësuar. ” Pala shqiptare e ka nënshkruar marrëveshjen pas një presioni të paparë nga bashkësia ndërkombëtare, kështu që liderët maqedonas morrën nënshkrime nga populli i tyre se a t’u jepej votëbesimi apo jo për këtë marrëveshje”, thotë Xhemili duke sqaruar se Trajkovski bëri reformimin e saj të cilën e miratoi ish Parlamenti i Maqedonisë, kështu që qenësorja e Marrëveshjes së Ohrit u anashkalua. Për këtë çështje thotë Xhemili kam ngritë zërin edhe në shtypin danez, duke thënë se Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk e ka rrokë pushkën për të fituar më tepër të drejta, por për të drejta të barabarta me sllavët, gjë që sipas tij këto të drejta shqiptarëve në Maqedoni iu mohohen. Në pyetjen se a është tejkaluar Marrëveshja e Ohrit, Xhemili përmend një detaj kur komandant Mësuesi kishte thënë: ‘ se nëse një presje hiqet nga kjo marrëveshje atëherë do të kërcet pushka’ e nuk e din ai se ajo marrëveshje është shkelë më të dy këmbët, e ai edhe më tutje vazhdon të mbetet në Parlament’. Sipas tij Maqedonia është shtet inekzistent sepse nuk mund të ekzistojë pa shqiptarë.

Ndërkaq sa u përket politikanëve shqiptarë në Maqedoni Xhemili thotë se ata janë në shërbim të pushtetit maqedonas duke e cekur faktin se nëse dikush e ka një platformë të mirëfilltë kombëtare ato nuk pranohen nga Ministri i Drejtësisë Ixhet Memeti, sepse ai e ka bërë betimin para flamurit të Maqedonisë.

Sa i përket Kosovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe spektrit politik të saj Xhemili ka opinione të ndryshme. ” Kosova pas të gjitha atyre demonstratave dhe protestave paqësore, e kapi pushkën dhe e bëri luftën, por tash ajo luftë ka filluar të zbehet”, thotë ai duke shtuar se faktori ndërkombëtar luftën në Kosovë nuk e pranon si luftë, por si konflikt të armatosur. ” Po të isha unë në vendin e Rugovës, Dacit apo kushdoqoftë ai, e të vinë të huajt dhe të më thonë se në Kosovë nuk ka pasë luftë, unë do të mundoheja t’i bindë ata se nuk ka qenë konflikt por luftë, e nëse ata nuk binden atëherë menjëherë do të jipja dorëheqje, sepse në këtë mënyrë ata po shkelin në gjakun tim dhe të popullit tonë” thotë Xhemili i mllefosur. Sipas tij në Kosovë ka qenë luftë e fortë ngase e gjithë bota u çuan në këmbë për ta luftuar gjenocidin që Serbia po bënte ndaj shqiptarëve.

Në pyetjen se a ka ra Rugova Xhemili thotë: “Po. Ai ka ra, por nuk e sheh se ka ra, ose nuk don ta shohë. Mirëpo kjo nuk është aq e rëndësishme. E rëndësishme është se Rugova me demagogji e ka verbuar popullin, dhe ky popull mjerisht i ‘verbuar’ nuk është në gjendje të shohë se ku e ka katandisur politika e tij”. Çështjen e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës Xhemili e cilëson të mjerë. Ai thotë se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. “Të gjithë ata që kanë sabotuar luftën janë nëpër pozita të larta, ndërsa ata që kanë dhënë gjymtyrët e trupit jetojnë në gjendje të mjerueshme”, shprehet Xhemili duke thënë se çështja kombëtare nuk çohet përpara me këto aventura. “Mos të ishte pushka e Adem Jasharit dhe shokëve të tij, sa për konferenca për shtyp ne ende do të mësonin në gjuhën serbe”, thotë Xhemili duke thënë se vlerat e luftës duhet mbrojtur me ligj. “Nëse partitë politke nuk bashkohen rreth një fronti, rreth një platforme politike për bashkim dhe shpëtim kombëtar e ardhmja e Kosovës do të jetë shumë e zbehtë”, thotë ai duke shtuar se duke pritur që dikush të na i zgjidhë problemet atëhërë ato probleme vetëm do të akumulohen duke e përdorur thënien popullore ‘Askush s’të kruan më mirë se dora jote’.

“Çdo shqiptar, çdo gur duhet ta luajë vet” shprehet Xhemili në fund të bisedës.
Xhemil Zeqiri përveç librit “Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare ka shkruar edhe librin me titull “Kosova jonë”

24.01.2004

 

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...