Home / Lajme / ÇFARË SHKRUANTE DER SPIEGEL MË 25 JANAR 1982 PËR VRASJEN E VËLLEZËRVE GËRVALLA E KADRI ZEKA

ÇFARË SHKRUANTE DER SPIEGEL MË 25 JANAR 1982 PËR VRASJEN E VËLLEZËRVE GËRVALLA E KADRI ZEKA

«Gjithçka i përngjan një ekzekutimi»VOAL – Çfarë shkruante më 25 janar 1982 revista gjermane «Der Spiegel» për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës si dhe për aktivitetet e shërbimit sekret jugosllav në Gjermani?

Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundershtarë të pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil si duket qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës.

BMW-ja e gjelbërt 316 dilte nga garazha. Shoferi nuk donte ta kthente veturën në borë dhe vazhdon të vozisë deri te udhëkryqi duke vozitur së prapthi diku rreth 40 metra.

Kur ndalet vetura del një njeri nga një vend ndërtimi në anën e djathtë të veturës dhe gjuan nga një distancë 3 metra në veturë. Një njeri i dytë gjuan gjithashtu dhe shikon pastaj në veturë për t’u bindur nëse ia kanë arritur qëllimit. Fqinj të frikësuar nga krismat i shohin dy burra duke ikur.
Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banorët e komunës së Untergruppenbach-ut te Heilbronni: Vetura vazhdonte të ushtonte, sepse shoferi e kishte këmbën ende në pedalen e gazit. Pastaj ai e lëshon si duket friksionin dhe vdes. Kështu që vetura vazhdon të ecë deri sa e godet një garazhe përballë. Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet. 
Policia ka gjetur në veturë: Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, jugosllav, i goditur nga 6 plumba, qëndronte i vdekur pas timonit, bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga 2 goditje me plumba në trup, dhe vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga 2 goditje me plumba. Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt u kuptua edhe drejtimi i tyre politik: jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga krahina e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.

Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: «Ka qenë UDB-ja» – policia sekrete jugosllave (Sluzba Drzavne Bezbednosti).

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat të kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: «E tëra dukej si pas një ekzekutimi».

Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba «tre për ta mbërthyer vitimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjepruese. Edhe kjo flet për UDB-në.»

Tashmë disa vite shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarë e regjimit ballafaqohen në botën e jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte ndaj krimit dhe terrorit gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Skenë e përleshjeve ballkanik me armë ka qenë kohë pas kohe Republika Federale e Gjermanisë dhe policia ka qenë deri më tash e pafuqishme për t’i dhënë fund kësaj veprimtarie.

Ndërsa përgjegjësit kanë dalë në shesh. Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Vrasësit e shërbimit sekret ua kanë drejtuar pistoletat sidomos kroatëve në botën e jashtme. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit.

Për shembull: kur kroati Franjo Goreta, i cili kishte detyrë për vrasje në Republikën Federale Gjermane, u shkëput nga shërbimi sekret jugosllav dhe vrau një oficer udhëheqës, Beogradi nisi një komando menjëherë për ta likuiduar atë. Pak pasi kishte kryer dënimin Goreta njerëz të UDB-së ndërmorën një atentat, në të cilin Goreta shpëtoi për pak.

Në procesin e kësa çështjeje gjyqtari dërgoi një apel deri më tash të kotë drejt Bonn-it. «Nuk mund të lejohet që në vendin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja për t’i zgjidhur problemet e tyre të brendshme».

Krahas kroatëve tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u zhvilluan trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit: konflikti dirigjohet prej shtetit shqiptar fqinj dhe prej shërbimeve besnike komuniste, mirëpo edhe prej Republikës Federale të Gjermanisë, thonë politikanët e Beogradit.

Në fakt vetëm në (landin) Baden-Württemberg jetojnë diku 2000 shqiptarë, shumica prej tyre me strehim politik. Lidhur me aktivitetet e tyre shpeshherë u ankua konsullata e përgjithshme në Stuttgart.

Për shembull, në pranverën e vitit 1981 shqiptarët protestuan në një demonstratë jo të rëndësishme, në të cilën ata kërkuan ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ndërkohë demonstruesit vërejtën se dikush nga një shkollë jugosllave po i fotografonte, disa hynë brenda dhe pos fotografistit ata e takuan edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav Branko Dimitrijeviq. Ata au morën filmin, të cilin më vonë u detyruan ta dorëzojnë në polici.

Kjo mund ta ketë lidhur një zingjir vdekjeprurës, pasi që njëri prej atyre që kishte hyrë në atë shkollë dhe të cilin me siguri e kanë fotografuar, ishte Bardhosh Gërvalla, shoferi i veturës, i vrarë te Heolbronn-i.

Gërvallët kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai Jusufi, i cili para pak kohe i kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se angazhohej për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë, sipas njoftimeve të policisë, edhe redaktor i gazetës «Zëri i Kosovës» në ekzil. Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëtorët jugosllavë në Solitudestrasse 44 në Ludwigsburg. Bardhoshi – i martuar, me dy fëmijë – ka qenë aktiv sidomos në legjislacionin e punës për bashkëkombësit e tij.

Koka politike e vëllezërve ka qenë si duket Jusuf Gërvalla. Sidomos ai fajësohej nga konsullata e përgjithshme jugosllave të jetë anëtar udhëheqës i «Fronti të kuq» që luftonte kundër qeverisë jugosllave. Kjo organizatë ishte aktive, deri më tash, vetëm në Jugosllavi dhe ashtu si grupet e tjera kosovare figuronte në raportin vjetor të ministrisë federale (gjermane) për mbrojtjen e kushtetutës.

Jusufi, i martuar, tre fëmijë, mendohet se ishte bashkëbotues i gazetës së ndaluar në Jugosllavi «Zëri i Kosovës», për të cilën ai punonte nga vendbanimi i tij. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpuntor i të njëjtës revistë.

Në murin e jashtëm të shtëpisë së vëllezërve në rrugën Auf der Habichtshöhe 40 ishte varur në shenjë pikëllimi një flamur i kuq në gjysmështizë me shqiponjën dykrenare dhe një yll – ngjyrat e Kosovës dhe njëherit flamuri kombëtar i Shqipërisë.

Çfarë rëndësie kanë aktivitetet e shqiptarëve në ekzil për Beogradin nuk e dëshmon vetëm masakra në Heilbronn. I ngjashëm ishte edhe një aksion i madh i shërbimit sekret serb në fillim të vitit (1982), kur në shënjestër ishte Rasim Zenelaj, bashkëkombës (i Gërvallëve). Zenelaj ka qenë një anëtar udhëheqës i «Besëlidhjes Kombëtare Shqipëtare».

Përmes të shtënave nga pistoleta kundër Zenelajt, i cili ishte kundërshtar i qeverisë (jugosllave) dhe i cili mbijetoi dhe i lënduar rëndë i shpëtoi atentatit, u dëshmua për herë të parë drejtimi i ri i shërbimit sekret jugosllav. Për ta mënjanuar Zenelajn Beogradi kishte kurdisur plane të shtrenjta. Kishte nisur disa agjentë, madje ata kishin rrezikuar edhe dikë nga zyrtarët e konsullatës dhe kishin eksponur ndihmësit e heshtur. Megjithatë plani dështoi dhe pjesëmarrësit u zbuluan: Në procesin e nisur atë kohë kundër përgjegjësve të atentatit qartësohet edhe më shumë implikimi i zyrtarëve jugosllavë në ndjekjen e emigrantëve me metoda drastike.

Nga fundi i viteve 70-të një agjent i mëhershëm ishte avansuar në gradën e konsullit. Me emrin Salih Salihi ai u shfaq më vonë me shërbim diplomatik për vendin e tij (Jugosllavinë) në Republikën Federale Gjermane, së pari në konsullatën e përgjithshme në Hamburg dhe pastaj në konsullatën e përgjithshme në Frankfurt. Atje u vendos i pajisur me një dokument identifikimi si zyrtar me nr. 6750 në cilësinë e rojes. Në Frankfurt vepronte edhe një koleg tjetër i shërbimit sekret, si zyrtar i lartë i konzullatës me dokument identifikimi nr. 6322, i firmosur me emrin Svetozar Mirjaqiç, i quajtur «Tozo». Një besnik me rang të lartë i këtyre dy shërbyesve ishte Rade Surla, një partizan i hershëm, që kohët e fundit punonte në një ndërmarrje ndërtimi në Frankfurt.

Surla i vizitonte shokët e konzullatës dhe i informonte ata për veprimtaritë e njerëzve në ekzil. Njëherë, siç i kujtohet shoferit të tij, dikush e vizitoi vetë (Rade) Surlën. Mysafiri kërcënues (Surla i kishte thënë shoferit se «duhej të ruheshin nga ky njeri») ishte gjenerali i shërbimit sekret Milan Shashiç.

Në mars të vitit 1981, menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, në Frankfurt filloi të veprojë treshja. Salihi gjurmonte shprehitë e jetës së Zenelajt dhe i dërgonte informacione Tozës. Edhe Surla filloi të veprojë, kur u përgatit plani konkret i vrasjes. Disa gjurmë dhe dëshmitarë dokumentojnë se me sa përkushtim kanë vepruar agjentët.

Agjenti i parë të cilin e caktuan për Zenelajn ishte një kroat në ekzil, por ai i demaskoi urdhërdhënësit përmes deklaratave të tij në procesin gjyqësor. As agjenti i dytë nuk e mbajti fshehtësinë. Ante Kujungjiq ishte rekrutuar nga Tozo si vrasës, por ai (Kujungjiq) u tregoi për këtë shokëve të tij kroatë në ekzil. Së shpejti policia gjermane i dinte hollësitë e përgatitjeve për atentat.

Organet gjermane nuk kishin vepruar në mënyrë të kujdesshme. Kroatit Ante Kujungjiq i kishte folur një bashkëkombas i panjohur në prill të vitit 1981, në stacionin e trenit në Frankfurt. I kishte thënë t’i telefononte një «personi me rëndësi» dhe t’i paraqitej me emrin «Studenti i muzikës». Pastaj i kishte dhënë një numër të telefonit – 21 77 01 – dhe e kishte udhëzuar që kur të telefononte secilën shifër ta mblidhte me numrin dy.

Në lidhjen telefonike 43 99 23 ishte lajmëruar konsullata e përgjithshme jugosllave. Kështu ishte vendosur kontakti me Tozon. Kujungjiqin e kishin urdhëruar për ta gjurmuar shqiptarin Zenelaj. Si shpërblim atij Tozo i ofronte para, dokumente të reja dhe përkrahje për ta fituar azilin politik në Republikën Federale Gjermane.

Në një takim tjetër Tozoja ia dha një pasaport, për çdo rast, nëse duhej ta lëshonte vendin shpejt. Kujungjiq thotë: «E pata të qjartë se me siguri duhej ta vrisja dikë». Agjenti hoqi dorë nga ky plan dhe i informoi autoritetet gjermane. Si rrjedhim, policia e mori në mbrojtje të rrezikuarin Zenelaj.

Për t’ua treguar komplotistëve këtë, policët gjermanë e dërguan Zenelajn demonstrativisht për të shëtitur para konsullatës jugosllave. Një herë tjetër duke shëtitur në një kopsht zoologjik, Zenelajn me përcjellësit e tij e vëzhgonin agjentët jugosllavë dhe kështu ata u vërejtën edhe njëherë nga gjermanët. 
Zenelaj ra në rrezik me mendjelehtësinë e vet: ai kishte treguar në rrethin shoqëror se ishte i mbrojtur dyfish, d.m.th. edhe me jelek antiplumb. Njëri që e kishte dëgjuar këtë ishte nën shërbimin e Surlas. Kështu jugosllavët e përgatitën një plan, që kundërshtarin e tyre ta manovronin në një situatë, që ai të detyrohet ta zhvesh jelekun e tij antiplumb. Një grua duhej ta kryente këtë punë dhe pastaj ta godiste me pistoletë. 
Si ndihmëse u gjet shpejt bjondina serbe Zorica Aleksiq. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë në afërsi të Darmstadt-it. Atë e bindën me kërcënime dhe me premtimin se do t’ia jepnin 2000 DM (marka germane). Ishte aranzhuar një takim me gruan dhe viktimën. Rasim Zenelaj e kishte marrë agjenten në apartamentin e tij. Kur gruaja doli  nga banjo me pistoletë, Zenelaj e kishte zhveshur jelekun antiplumb. Prej pesë goditjeve në afërsi të zemrës, Zenelaj ra përtoke.

Dorasja (Zorica Aleksiq) kishte ikur dhe në hyrjen e shtëpisë e kishin pritur Surla me shoferin e tij. Zorica Aleksiq ua kishte kthyer armën dhe i kishte marrë paratë bashkë me një biletë për Beograd. Me një (veturë) Volvo ishin nisur menjëherë për në aeroportin e Frankfurt-it.

Mirëpo, serbja nuk i daoli të braktiste vendin (Gjermaninë). Fqinjtë e alarmuar nga krismat e kishin lajmëruar policinë menjëherë. Këtë lajm e kishin dëgjuar rastësisht në radiolidhje edhe policët, të cilët ishin ngarkuar me mbrojtjen e Zenelajt. Një gjurmim i shpejtë në rrethin shoqëror të viktimës i çoi policët te Zorica, e cila pak më vonë u arrestua në aeroport.

Zyrtarët e konsullatës Tozo dhe Salihi janë urdhëruar të kthehen në Jugosllavi. Surla arriti të ikte që në ditën e atentatit. Surla u paralajmërua me anë të telefonit dhe ishte përgjigjur: «Në rregull». Pastaj shoferi, i cili ishte dëshmitar i kësaj telefonate, e kishte dërguar me ngut përtej kufirit, në Strasburg në hotelin Holiday Inn. Aty humbën gjurmët e tij.

Dështimi, si duket, nuk e ka dëshpëruar UDB-në. Një konfirmim për këtë është 10 tetori i vitit 1981 në Bruksel: Atje ishte vrarë një shqiptar me emrin Vehbi Ibrahimi në rrugë para banesës së tij, me një pistoletë të kalibrit 7.65.

Gruaja e tij, e cila ishte me të, ishte lënduar rëndë nga të shtënat. Ibrahimi ka qenë nënkryetar i «Besëlidhjes shqiptare».

Organet shtetërore gjermane tash, pas atentateve në Zenelajn dhe Ibrahimin, duhej ta mbronin kryetarin, Emin Fazlija. Ai banonte te Göppingen-i dhe ka qenë i njohur te fqinjtë si «një burrë i moshuar dhe i respektuar». Policët kompetentë ishin të brengosur se «mos do ta vrisnin edhe atë». Që prej atëherë, Fazlija është nën mbrojtje dhe nuk lajmërohet më në lidhjen telefonike të mëparshme. 
Policët nuk gjejnë gati fare përkrahje politike në luftën kundër kësaj lufte ilegale. Në të vërtetë ekziston një marrëveshje në mes të Bonn-it dhe Beograd-it për të përkrahur njëri-tjetrin në rast atentati. Herëpashere shkëmbehen informata për ardhjen e lëndëve shpërthyese ose të ndonjë arme. 
Mirëpo, sa pak rëndësi ka kooperimi në mes dy shteteve për palën serbe e vërtetojnë atentatet. Zyra federale kundër krimit ka regjistruar se kur janë bërë atentate në kroatët në ekzil, në shumicën e rasteve UDB-ja ka përdorur pistoleta të cilat gjuajnë me rrotullim djathtor rreth boshtit, edhe pse shumica e pistoletave të këtij lloji gjuajnë me rrotullim të majtë rreth boshtit. Organizatorët e atentateve as që e kanë parë të arsyeshme ta maskojnë këtë dallim.

Kur ranë në rrjetin e policisë jugosllave katër anëtarë të RAF-it gjerman (Fraksioni i Armatës së Kuqe, organizatë e majtë terroriste), jugosllavët prezantuan një listë me kroatë që kërkoheshin urgjentisht për t’i shkëmbyer me ata. Zyrtarët gjermanë e refuzuan këtë dhe Beogradi i liroi anëtarët e RAF-it. 
Nëse mund të flitet për bashkëpunim në mes të policisë gjermane dhe asaj jugosllave, ana gjermane ankohet. Në vend që t’i ndjekin shkakëtarët, jugosllavët japin vetëm këshilla ndaj kërkesave (gjermane) lidhur me motivet: «konflikte për çështje nderi», «konflikte për femra», «hakmarrje rreth stacionit të trenit» ose «tregti armësh» janë, sipas tyre, qrsyet e konflikteve.

Politikanët jugosllavë e mohojnë kategorikisht implikimin e policisë sekrete jugosllave në këto raste. Në lidhje me këtë ka bisedime të rregullta në mes të Ministrisë së Brendshme gjermane dhe kolegëve beogradas. Ministri i punëve të brendshme Franjo Herleviq, një gjeneral i vjetër partizan dhe bashkëkohës i Titos, demanton gjithmonë dhe deklaron se policia sekrete jugosllave nuk është duke vepruar në Republikën Federale Gjermane.

Kur deputeti i CSU-së Fritz Wittmann kishte pyetur në vjeshtë të vitit 1981 se cilat janë reagimet e Bonn-it lidhur me sjelljet e Beogradit, ai mori një përgjigje të shmangshme. Bonn-i lidhur me këtë shprehet vetëm atje ku është e arsyeshme dhe e dobishme, thoshte ministrja Hildegard Hamm-Brücher.

Krahas proceseve gjyqësore ka aty-këtu edhe dëshmi për veprimet e UDB-së. Në ambasadën jugosllave ka qenë një diplomat bashkëbisedues i policisë gjermane, Tomo Renac, i cili pyetjet vetëm i përcillte për Beograd dhe kurrë nuk përgjigjej. Në shumicën e rasteve vetëm i rrudhte krahët. 
Arsyen për këtë stil gjermanët e hetuan kur në duar të tyre ra një letër që Renac e kishte dërguar në Beograd.

Aty Renac si një agjent i ofenduar ankohej se: «Po mundohen me masa propagandistike dhe penale t’i bëjnë të pamundura aktivitetet e sigurimit të shtetit jugosllav në RF të Gjermanisë. Në një pritje shefi i policisë së Bonn-it ka tërhequr vëmendjen se kishte fakte se diplomacia jugosllave është tepër aktive në RFGJ. Kjo na detyron të arrijmë në përfundim se puna në RF të Gjermanisë është bërë shumë e komplikuar».

Hetuesit gjermanë nuk prisnin shpërblim nga shërbimet jugosllave. Kur para pak kohe një prokuror i Frankfurtit paralojmëroi se në rastin e shqiptarit Zenelaj së shpejti do të fillojë «hetime në Jugosllavi», nuk deshi askush t’i jepte zemër. Një prokuror në Bonn tha: «Në vetëm kemi qeshur me këtë».

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(!)

    Pyetje: Zoti Dlaver, si mund ta komentoni një deklaratë të ...