Home / Intervista / Një dëshmi shokuese mbi një bisedë Shamata-Berisha në ‘97

Një dëshmi shokuese mbi një bisedë Shamata-Berisha në ‘97

Intervistuan: Kujtim Boriçi&Erion Habilaj

September 24, 2013 

Një dëshmi shokuese mbi një bisedë Shamata-Berisha në ‘97

Nëse ushtarakët do i ishin bindur urdhrit të Berishës (në cilësitë e Komandantit të Përgjithshëm) për të hedhur nga ajri Lëndë Helmuese Luftarake e nëse pilotët nuk do kundërshtonin, pamjet me qindra viktima të helmit të rrezikshëm që pamë këto ditë në Siri, do i kishim parë në 1997 në Shqipëri. Sipas Nënkolonel Hekuran Rrapajt, ish-efektiv i Ministrisë së Mbrojtjes, ndryshimi qëndron në fakti se në Shqipëri ky urdhër absurd nuk u zbatua nga oficerët dhe specialistët përkatës. Por kjo nuk mjafton – thotë në këtë intervistë-dëshmi në DITA, Dr. Hekuran Rrapaj, nënkolonel.

 

Zoti Rrapaj! Ju keni denoncuar më parë përgjegjësitë për shkatërrimin e shtetit në vitin 1997. Kini përmendur midis të tjerave edhe urdhrin e dhënë për përdorimin nga ajri të Lëndëve Helmuese Luftarake ndaj të cilësuarve “rebelë”…

Ka dokumente zyrtare, me firma e me vulë, por përgjegjës ligjor ende nuk ka. Urdhri për përdorimin e LHL ndaj popullsisë, është një nga shumë urdhra të tjerë luftarakë të firmosura nga gjeneral Gazidede, me miratimin e Sali Berishës, në cilësitë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Urdhri për përgatitjen e lëndëve kimike me qëllim të përdorimit në jug të vendit është në kundërshtim të plotë me Konventat Ndërkombëtare, do ishte një katastrofë, dhe do kishim atëherë ato pamje të tmerrshme që pamë në Siri. Ndryshimi qëndron vetëm në fakti se në Shqipëri ky urdhër absurd nuk u zbatua nga oficerët tanë specialistë.

 

Çfarë keni parë dhe çfarë dini ju rreth këtij fakti?

Urdhri Luftarak e deri tek operacioni, është bërë me urdhrin e gjeneral Gazidedes dhe me dijeninë e ish-Presidentit Sali Berisha. Unë dhe kolegë të tjerë ushtarak, kanë informacion të hollësishëm për këtë. Urdhri iu dha Komandantit të Regjimentit Mbrojtjes  nga Armët e Dëmtimit në Masë(ADM) për përgatitjen e Lëndëve Helmuese luftarake, klorpikrin dhe granata tymuese me kloracetafenon. Për të siguruar deri në fund  zbatimin e çmendurisë së filluar, u dha dhe një urdhër nga një gjeneral tjetër (Komandanti i Divizionit Këmbësorisë Fier) për të bërë furnizimin e SHIK-ut të rrethit të Fierit me të gjitha municionet kimike që disponoheshin. U mor natën nga shtëpia shefi i Kimisë të Divizionit Këmbësorisë Fier dhe iu komunikua urdhëri për t’i dhënë SHIK-ut, sasi të lëndëve helmuese luftarake dhe bashkë me to një ekspert që i njihte mirë ato. Qëndrimi i specialistit të kimisë ishte kategorikisht kundër. Ky, si rast kundërshtimi në këtë drejtim, nuk ka qenë i vetëm.

 

Cilat janë raste të tjera?

Ai që ndodhi në Tiranë. Në lidhje me këtë, Nënkolonel Argjir Haruni, ish-oficer i Inspektimit, ka dëshmuar: ’Jemi thirrur nga ministri i Rendit Halit Shamata, së bashku me drejtorin e inspektimit dhe marrëdhënieve me publikun, Kolonel Nikolin Thanën. Morëm detyrën për të administruar një sasi  municionesh kimike nga Ministria e Mbrojtjes dhe urgjentisht të çoheshin me helikopter në Vlorë. Ne hezituam duke sqaruar pasojat e rënda që mbarte ky veprim’. Përballë këtij kundërshtimi, Shamata është gjendur ngushtë dhe ka telefonuar Presidentin Berisha  për situatën. Biseda mes tyre, po e risjell nga dëshmitë e oficerëve të pranishëm botuar në librin “Ushtria shqiptare në vitin 1997-n” ishte kjo:

Shamata: “Doktor, jam Haliti. Kam specialistin tonë këtu dhe po më shpjegon se situata në Vlorë nuk mund të zgjidhet me granatat që disponojmë!“ (fjala është për granatat tymuese me kloracetafenon dhe mjete të tjera helmuese me veprim të përkohshëm). Berisha: ’Halit! Shpejt! Shpejt! Forcat e policisë të zotërojnë lartësitë dhe ato të hidhen nga tarracat e pallateve”

Shamata:(Oficerëve të pranishëm), E dëgjuat! Në zbatim!”.

Ishte makabre, absurde. Ky lloj reagimi erdhi pasi u përhap një informacion që nga Vlora po përgatiteshin për të marshuar drejt Tiranës. Të jemi të qartë: Lënda Helmuese Luftarake, sipas urdhrit të dhënë, nuk do të transportohej në Vlorë për t’u magazinuar, por do të përdorej direkt në zona që nga drejtuesit e Operacionit Luftarak ishin përcaktuara si më të rrezikshme për forcat qeveritare e mercenarët e mobilizuar nga rrethet e veriut. Veç granatave kimike dhe të tjerave me veprim të përkohshëm, u urdhërua të hidheshin nga avioni edhe predha LHL në këto zona.

 

Çfarë ka ndodhur pas kësaj bisede?

-Në Regjimentin e Kimisë në Tiranë jane ngarkuar me helikopter luftarak shishet dhe paketat me kloropikrinë, me destinacion Vlorën. Pilotin e morën forcërisht për t’i dhanë këtë detyrë. Dua të përmend këtu, pra në refuzimin e urdhrit për përdorimin e LHL, dhe rezistencën e pilotit Skënder Muço. Nuk u hodh falë pilotit, që ashtu si oficerët specialistë, refuzoi të kryej këtë krim. Në rastin e predhave piloti nuk shkarkoi mbi objektiv, por u arratis në Itali. Atje, pas disa kohësh, me sa di unë, ushtroi jo vetëm detyrën e pilotit, por dhe atë të Inspektorit të Pilotimit. E rëndësishme është që nuk u realizua krimi makabër. Atë kohë, po dhe më pas, u fol që piloti shqiptar që u arratis në Itali, u ul në aeroportin më të afërt të vendit fqinj, bashkë me ngarkesën e LHL-ve. Në fakt kjo do përbënte një rast të rrallë, një veprim që rrallë kush mund ta bëj. Kjo, pasi si rregull, lënda helmuese e ngarkuar në avion, duhet të hidhet diku, pasi ulja e aeroplanit bashkë me ‘të, paraqet rrezik shumë të lartë. Në qarqet e ushtrisë mbizotëron mendimi që piloti e ka hedhur ngarkesën në ndonjë zonë të veçantë, të pa banuar, zona të cilat pilotët tanë i dinë dhe i njohin mjaft mirë, më pas ka ikur drejt Italisë. E rëndësishme është që ato nuk u hodhën mbi njerëzit. Por për mua, e jo vetëm, kjo nuk mjafton…

Në çfarë kuptimi “nuk mjafton”?

-Në kuptimin që megjithëse fatmirësisht, ushtarakët e pilotët, refuzuan zbatimin e urdhrit, urdhëri u dha. Nuk mjafton, pasi është pa precedent dhe i ndaluar nga Konventat Ndërkombëtare përdorimi i Lëndëve Helmuese Luftarake. Pra kërkohet përgjegjësi, gjë e cila është neglizhuar e po neglizhohet. Nuk e kam fjalën për “Amnistinë-1997’, por minimalisht, as dje, as sot nuk është bërë një analizë nga specialistët e më gjerë: Kush dhe pse u dha një urdhër absurd, kush dhe pse përgatiti LHL kundër popullit!. Është absolutisht e domosdoshme kjo!

 

******************

 

“Pasi refuzuam urdhërin, repartin ushtarak e mori nen kontroll SHIK-u”

Njëri prej ish komandantëve të regjimentit luftarak të Rinasit, Petrit Liçaj në një bisedë me gazetarin Riza Lahi, botuar disa ditë më pare në shtyp, dëshmon për një urdhër tjetër ku do përdorej aviacioni ushtarak, për të hedhur në erë Urën e Mifolit. Me poshte, nje pjese e intervistes:

Urdhri erdhi nga korrieri me xhip me zarfin me vula?

Jo! Urdhëri më është dhënë me telefon dhe krejt papritur. Pra, ndërsa rrija në zyrë, bie telefoni, më prezantohet një funksionar i lartë shtetëror, me emër e mbiemër, dhe më thotë: “Komandant, e ndjek situatën?” “ E ndjek, si urdhëron!” “Janë nisur kryengritësit e jugut të sulmojnë Tiranën. Që të evidentohet gjakderdhja në Tiranë, dëgjo urdhërin: Të hidhet menjëherë në erë Ura e Mifolit nga Regjimenti Gjuajtës – Bombardues i Rinasit…Qartë? Të urdhëroj të shkatërrosh nga ajri Urën e Mifolit!”

Si e prite urdhrin?                                                                                  

Si të më binte bomba mbi kokë. Iu përgjigja: “Zoti… Ne nuk kemi aparaturë me të tillë saktësi dhe ky bombardim që thoni ju, do të vriste njerëz që banojnë përqark urës dhe nën urë.” Ai “Të zbatohet urdhëri!”. Dhe më mbylli telefonin. Po vija vërdallë nëpër dhomë i bërë dyllë. U kujtova të lidhem me eprorin tim direkt, general Ylli Dimraj. Përgjigja e tij qe e prerë dhe e egër, si e një njeriu që ka vendosur të vdesë: “Kolonel! Të mos ngrihesh në ajër pa të dhënë unë urdhër personalisht! Të mos zbatosh asnjë urdhër tjetër!…” Këtë urdhër gjenerali ma ka dhënë me telefon dhe me radio. Ma ka përsëritur disa herë në orët 14:30, 15:30, 17:15 dhe 17:20.

Pas shpalljes së “gjëndjes së jashtëzakonëshme” na është përsëritur urdhëri i frikshëm, ndërsa njerëz misteriozë të SHIK-ut, kishin ardhur në repart. Kam fluturuar 30 vjet, kam parë vdekje e gjëra të tjera të rënda, por si ato ditë nuk më ka ndodhur ta kem ndjerë veten më ngushtë.

Pilotët nxirrnin pretekste për të mos u ngritur, që unë kuptoja shumë mirë dhe uroja me gjithë shpirt të vazhdonin ashtu…Ishim të kërcënuar rëndë dhe mund të shkonte jeta nga një plumb prej SHIK-ut që kishte ardhur në repart të mbikqyrte zbatimin e këtij urdhëri të tmerrshëm për ne. Njëqind herë e kam mallkuar veten pse isha komandant i regjiementit. Zyrtarisht prisja urdhërin e Gjeneral Ylli Dimraj që ai nuk e dha kurrë. Se çfarë përplasjesh ka pasur ai me eprorët më lart, nuk e di.

Po nëse ai do ta jepte urdhrin më në fund?

Me shokët e kishim biseduar vesh më vesh. Bombat do t’i hidhnim në det, në derdhje të Semanit a gjetkë ujrave

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

Një dëshmi shokuese mbi një bisedë Shamata-Berisha në ‘97

Intervistuan: Kujtim Boriçi&Erion Habilaj September 24, 2013  Nëse ushtarakët do i ishin ...