Home / Të ndryshme / Ekskluzive/ Nexhmije Hoxha: Konferenca e Pezës, 75 vite më pas (Dhe një letër në “Dita”)

Ekskluzive/ Nexhmije Hoxha: Konferenca e Pezës, 75 vite më pas (Dhe një letër në “Dita”)

September 14, 2017 12:45

Ekskluzive/ Nexhmije Hoxha: Konferenca e Pezës, 75 vite më pas (Dhe një letër në “Dita”)

Nga Arkiva

Nga Xhevdet Shehu

Arsyeja e vizitës sime në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës dje pasdite ishte fare e thjeshtë. Pas dy ditësh do të kremtohet 75 vjetori i Konferencës historike të Pezës më 16 shtator 1942 dhe zonja Hoxha është një nga pjesëmarrësit e saj, e vetmja dëshmitare e mbetur gjallë. Pavarësisht se për Pezën janë shkruar mijëra e mijëra faqe, artikuj e libra, duke qenë një ngjarje madhore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa cen dhe me një aktualitet e mesazh të fortë dhe të gjithëkohshëm, me idenë e bashkimit kombëtar në thelbin e saj. Peza është në ballin e nderit të asaj lufte faqebardhë për Shqipërinë. Ajo luftë antifashiste dhe e patjetërsueshme në historinë tonë kombëtare si një faqe e ndritur, ka dhe protagonistët e saj, ku në të gjitha përmendjet, Nexhmije Xhuglini – Hoxha është e pashmangshme. Jo vetëm qëlloi të ishte gruaja e Enver Hoxhës, por për kontributin e saj.

Konferenca e Pezës është pjesë e pandashme e biografisë së saj si luftëtare dhe politikane. Natyrisht një jetë e gjatë si e saj ka edhe dritëhije, por mohimi i së vërtetës historike është i pafalshëm, sidomos në gazetari. Unë kam përpara këtë grua dhe bisedoj për disa gjëra të prekshme të historisë të cilat i interesojnë gazetës.

Unë shkova tek shtëpia e zonjës Hoxha bashkë me mikun tim të vjetër Nexhat Myftiu, i cili ndihet i lirshëm dhe është shumë i familjarizuar jo vetëm me Nexhmijen, por edhe me pjesëtarët e tjerë të asaj familjeje. Prania e Nexhatit ma lehtëson komunikimin me këtë zonjë, dikur të paarritshme, madje, po t’u besosh disa shkrimeve, edhe të frikshme.

***

Në dhomën e saj të vogël dhe tejet modeste ku ajo banon prej më shumë se një çerekshekulli, në ish-Pularinë e Laprakës, mobilimi është fare i zakonshëm. E veçanta e asaj dhomëze është se të gjitha faqet e mureve janë të mbushura me fotografi dhe piktura të Enverit, Nexhmijes dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Padyshim biblioteka e mbushur plot, ku dominojnë librat e ish-udhëheqësit komunist. Nexhmija rri të shumtën e kohës ulur në kolltuk pranë derës hyrëse, në të djathtë të saj. Pranë kolltukut ka një tryezë të vogël, ku ka një telefon fiks, fletoret ku mban shënime dhe shkruan kujtime, nën dritën e fortë të një abazhuri, pasi thotë se i është dobësuar shikimi. Eh, po mbush ngadalë-ngadalë 97 vjeç, më thotë me të qeshur. I ka mosha këto…

Për Nexhmije Hoxhën pas viteve 1990 janë shkruar jo vetëm shkrime, por edhe libra tejet negativë. Kjo për faktin se ajo ka qenë gruaja e Enver Hoxhës, njeriut që sundoi për afro gjysmë shekulli dhe kontrolloi me dorë të hekurt Shqipërinë. Imazhi i krijuar për gjysmë shekulli ku Enveri dhe Nexhmija janë paraqitur me ngjyrat më të ndezura dhe ekzaltuese, duhej përmbysur. Ndaj për cilindo që i ka lexuar ato shkrime dhe libra, kur merr përsipër të takohet me Nexhmije Hoxhën, ndoshta mendon se do të përballet me satanain vetë. Në të vërtetë, Nexhmije Hoxha të krijon menjëherë një atmosferë krejt të ndryshme. Të uron mirëseardhjen përzemërsisht, buzëqesh miqësisht dhe bisedon hapur, pranon edhe mendimin ndryshe… Ajo është mjaft miqësore me ata që e vizitojnë dhe bisedon lirshëm. Flet ngadalë dhe ka një vëmendje që ta respektojë maksimalisht bashkëbiseduesin.

Pasi më përsërit vëmendjen që tregoi ‘DITA’ pak ditë më parë për ta kontaktuar dhe për të shkruar për Konferencën e Pezës, ajo më dorëzon një letër adresuar gazetës dhe mua. Në pak faqe ajo ka shkruar thelbin e asaj që donte të thoshte për ngjarjen e madhe të 75 viteve më parë. Por ajo shton se këto mendime i ka shprehur me hollësi në librat e saj me kujtime, tashmë të botuara prej vitesh. Ka shkruar edhe Enveri shumë qartë dhe unë nuk ç’të shtoj më tepër.

***

Pas shpinës së saj, sipër në të majtë është një fotografi e rinisë së Nexhmije Xhuglinit në kohën e luftës. Vajza mjaft simpatike 21-22 vjeçe nga fotografia që shikon vëmendshëm drejt atij që ka shkrepur aparatin, na kujton imazhin e saj të dikurshëm, të 75 vjetëve më parë, si ka qenë ajo në ditët e Konferencës së Pezës, kur ende mbante mbiemrin Xhuglini…

“Unë isha e vetmja femër pjesëmarrëse në Konferencë, përfaqësuese e grave antifashiste dhe kam mbajtur procesverbalin e asaj mbledhjeje. Ka ndonjë keqdashës që ka shpifur vitet e fundit sikur unë nuk kam qenë pjesëmarrëse. Madje dikush ka shkruar sikur aty ka qenë Ramize Gjebrea dhe jo unë. Gënjeshtër. Nuk ka nevojë ta deklaroj unë këtë. Kjo është thënë dhe është një e vërtetë historike. Prandaj thashë që kam mbajtur procesverbalin e mbledhjes i cili ekziston dhe është botuar. Kushdo mund të bëjë krahasim in e shkrimit dhe të bindet, nëse nuk është bindur akoma”, tha Nexhmije Hoxha dje.

Kur unë i thashë se për Konferencën e Pezës do të botojmë një shkrim të gjatë të historianit Xhelal Gjeçovi, ajo nuk e fshehu kënaqësinë dhe vlerësimet për historianin e njohur. Jam e bindur se ka shkruar mirë, sikurse ka shkruar edhe herë të tjera për historinë e luftës, tha.

Por, sikurse e thashë, ajo na kishte shkruar një letër për Pezën ndaj dhe biseda rrodhi natyrshëm në të tjera çështje të historisë sonë moderne.

Është një fakt i pamohueshëm se pas vitit 1990, Nexhmije Hoxha në të gjitha ngjarjet përkujtimore të Luftës Antifashiste, përfshi edhe apo për Konferencën e Pezës, për ditën e çlirimit etj., Nexhmije Hoxha nuk është ftuar asnjëherë të marrë pjesë nga organizatorët. Ajo ma tha në mirëbesim një fakt të tillë, ku fshihej një pakënaqësi. Unë i kuptoj pse e bëjnë ata këtë, shtoi ajo. Në të vërtetë, një gjest kortezie ata mund ta bënin, shkonte apo jo ish-luftëtarja antifashiste. Sepse ajo thotë se prej vitesh e ka të pamundur të marrë pjesë në to. Por ftesa do ta gëzonte…

Me këtë rast ajo shprehu falënderimet për komunistët aktualë, që, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhen, kanë pasur kurajën që në përkujtimet e Konferencës së Pezës, nuk janë trembur të dalin me fotografitë e Enverit, por edhe të sajat. Sepse është fakt që në atë konferencë me devizën “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, pavarësisht se organizatore ishte Partia Komuniste, morën pjesë nacionalistë, klerikë dhe patriotë të tjerë që kishin dëshirën për të luftuar kundër pushtuesve.

***

Nexhmije Hoxhën e arrestuan pak muaj pas shpalljes së pluralizmit politik në vitin 1990. E arrestuan dhe e dënuan me burg. I vuajti disa vite në qeli në kohën e regjimit të parë të Sali Berishës në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Unë e kam ndjekur gjyqin e saj dhe në bisedë e sipër i kujtoj një deklaratë që ajo bëri në sallën e gjyqit një ditë kur e sollën të prangosur: “Ju deklaruat në gjyq se me burg ishe dënuar dhe në kohën e fashizmit, por prangat nuk m’i hodhën dot, sikurse bëtë ju” duke iu drejtuar përfaqësuesve të rendit të ri demokratik.

Po, kjo është plotësisht e vërtetë. Fashistët nuk m’i hodhën dot prangat sepse unë dola në mal. Kurse këta më arrestuan…

Kujtimet për burgun e Berishës ajo nuk i ka botuar. Por të gjitha shënimet e asaj kohe, letërkëmbimet i kam ruajtur të gjitha me skrupulozitet. Do të botohen një ditë…, thotë ajo.

Në bisedë e sipër kujtuam një sërë emrash personalitete të historisë dhe të kulturës. Kur u përmend emri i Rexhep Qoses, ajo foli me admirim për akademikun e shquar kosovar, për të cilin tha se është trim, vizionar dhe me mendje të hapur. Kam lexuar pjesë të ditarit të tij dhe më ka pëlqyer shumë, thotë. Jo se ka folur mirë për Enverin, por ka shkruar e folur gjithnjë me realizëm, gjithnjë për çështjen kombëtare dhe nuk ka bërë kompromise politike. Çështja kombëtare për të ashtë mbi të gjitha. Prandaj dhe mendoj se ai është përfaqësuesi më i denjë i inteligjencës shqiptare.

Foli shumë mirë për Profesor Nasho Jorgaqin, takimet dhe bisedat e shpeshta me të. Për Ymer Minxhozin dhe djalin e tij , Skënderin, për të cilin tha se është një nga opinionistët më të mirë në vend. Minxhozët janë një familje e shquar, e lidhur ngushtësisht me luftën dhe me kontribut të spikatur, tha ajo dhe këtu përmendi Tahir dhe Beqir Minxhozin, vëllezërit e Ymerit, që gjithashtu kanë qenë luftëtarë antifashistë të dëgjuar…

Ndërsa bisedojmë, Pranvera, vajza e Nexhmijes, por edhe Nexhati bëjnë disa fotografi.

Mirë, tha Nexhmija, botojini. Gazetën ‘DITA’ unë e çmoj shumë. Me këtë rast ajo foli me fjalët më të mira për shkrimet e Bedri Islamit e të Viktor Malajt, por edhe të tjerë, për të cilët tha se i lexon me kënaqësi, pasi janë shkrime të argumentuar, analitikë, objektivë, pa anshmëri. Ata shkruajnë me kurajo dhe dashuri për këtë vend dhe për këtë popull. Politikanët tanë duhet t’i kenë parasysh ato shkrime. Sepse shtypi i sotëm ka vuajtur dhe vuan nga anshmëritë politike. Ne kemi nevojë për mesazhe bashkimi dhe jo përçarjeje. Prandaj dhe unë e theksova këtë në letrën që ju kam dërguar dhe që po jua dorëzoj ta botoni në gazetë për Konferencën e Pezës.

 

Letra

Gazetës ‘DITA’ dhe gazetarit të saj, z. Xhevdet Shehu

Falënderoj gazetën ‘DITA’ dhe gazetarin e njohur, të paanshëm, z. Xhevdet Shehu që, me rastin e 75 vjetorit të Konferencës së Pezës, më 16 shtator të vitit 1942, mu drejtuan mua, si pjesëmarrëse në këtë Konferencë historike dhe si delegatja e parë, përfaqësuese e gruas shqiptare.

Kjo Konferencë, që u organizua me iniciativën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e patriotëve të njohur të vendit dhe të demokratëve progresistë, hodhi themelet eBashkimit të popullit shqiptar, nën moton: “pa dallim ideje, feje e krahine” dhe u krijua Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Vendimet historike të Konferencës së Pezës, i dhanë një hov zhvillimit politik e ushtarak të Luftës Nacionalçlirimtare, në të gjitha vendin, që çuan deri në çlirimin e plotë nga pushtuesit nazifashistë.

Konferenca e Pezës, për nga rëndësia historike, do të mbetet në radhën e Mbledhjeve, Lidhjeve dhe Kongreseve patriotike të kombit shqiptar në të kaluarën.

Uroj nga zemra që Konferenca e Pezës, të nderohet, të kujtohet e të festohet brez pas brezi, për çka ajo realizoi për Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti modern e të një shoqërie të emancipuar, me një rini të edukuar, me dituri e kulturë, të denja në mes shteteve të Europës e komunitetit evropian.

Nexhmije Hoxha

Tiranë, 13 shtator 2017

 

About admin

x

Check Also

Befason Florian Marku: Truprojat e McGregor janë shqiptarë

May 21, 2020 “Luftëtari” shqiptar që garon në kategorinë MMA (Artet Marciale ...