Home / Lajme / Fjalimi I Albin Kurtit 10 09 2017 në seancën e Kuvendit të Kosovës!

Fjalimi I Albin Kurtit 10 09 2017 në seancën e Kuvendit të Kosovës!

Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Kjo e mbrëmshja është qeveria më e dobët në Kosovën e pasluftës, si për nga formimi e orientimi, po ashtu edhe për nga përmbajtja e pesha. Shumica dërrmuese e ministrave janë asistenta të shefave, por edhe më shumë se kaq nuk kanë lidhje me dikasteret që do të drejtojnë. Në këtë qeveri ka tepër ministra sepse ka shumë kryeministra. Tre a katër në Prishtinë dhe njëri vendimtar në Beograd.

Po pra, nuk ka mundur të jetë ndryshe: kjo qeveri u formua sepse jo vetëm Vuçiqi, por as PAN-i, nuk mund ta paramendojë Lëvizjen VETËVENDOSJE! në udhëheqje të qeverisë. Janë afruar shumë me njëri-tjetrin sepse janë larguar shumë prej Kosovës, popullit e halleve të qytetarëve të saj. Janë bashkuar kundër nesh, sepse shkelin të drejta që janë të Kosovës, mbrojnë interesa që nuk janë të Kosovës, shpërfillin nevoja që janë të popullit të Kosovës. Gulçimi i tyre për pushtet po e sjell në pikën më të ultë shtetin e Kosovës.

Deputetë të nderuar,

Në vitin 1937, Vaso Çubrilloviqi mbante ligjërata në Serbi mbi spastrimin e shqiptarëve dhe mbi popullimin e Kosovës me serbë nga veriu i Serbisë. Ata, thoshte ai, janë bujq të mirë dhe do të dinë se si të punojnë tokat e Kosovës, pasi të largohen shqiptarët. Në vitin 1944 Çubrilloviqi u bë këshilltar i Titos, dhe shkruajti memorandumin famëkeq “Mbi problemin e minoriteteve në Jugosllavinë e re”, ku thoshte se “nëse nuk i largojmë tani, nuk kemi për t’i larguar kurrë”.

E, në vitin 1945, a e dini ç’ndodhi me Çubrilloviqin? Ai u bë ministër i bujqësisë në Jugosllavi. Po pra, Çubrilloviqi u patë bërë ministër i bujqësisë, sepse shqiptarët ishin në masë të madhe bujq, e se Kosova ishte vend bujqësor, siç ende është. Nuk kishte mënyrë më të mirë për t’i realizuar idetë e tij, se sa ai si ministër i bujqësisë. Në gjysmën e parë të shekullit XX shqiptarët janë përzënë prej Kosovës me dhjetëra mijëra e janë zëvendësuar me kolonë serbë, por edhe në gjysmën e dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht përmes represionit brutal të Rankoviqit, por edhe përmes diskriminimit ekonomik e varfërisë, e pastaj edhe përmes apart’heidit të Milosheviqit, shqiptarët vazhdimisht janë detyruar të largohen prej Kosovës. Spastrim në formën e dëbimit të dhunshëm ose mërgimit të detyruar. Gjithnjë i shoqëruar nga politika në favor të ardhjes së kolonëve serbë.

Historikisht e botërisht, ka një lidhje thelbësore mes politikave kolonizuese dhe atyre bujqësore. Kolonizimi kudo që ka ndodhur, ka qenë kolonizim së pari agrar, e vetëm në plan të dytë ushtarak, tregtar, industrial etj. Afrika, Amerikat, India, të gjitha këto raste klasike të kolonializmit, për shekuj me radhë janë kolonizuar nga ndërmarrje agrare, përmes sistemit të plantacioneve. Por edhe Hitleri, në planin e tij për të pushtuar Evropën Lindore, kishte menduar të sillte prej Amerikës së Jugut banorët e atjeshëm me prejardhje gjermane, sepse ata sipas tij kishin përvojë për menaxhimin agrar të tokave të gjera të lindjes.

Nuk ka plan kolonial pa një dimension të fortë të politikave bujqësore. Madje edhe neokolonializmi, që shfaqet si kolonializëm tregtar, këtu te ne shfaqet kryesisht përmes sundimit të tregjeve me produkte ushqimore, kryesisht produkte bujqësore të përpunuara.

Duke ditur gjithë këto, prapëseprapë këta vendosën që ta bëjnë Ministër të Bujqësisë jo një serb, por një përfaqësues direkt të Beogradit, një Ministër nga Lista Serbe. Këta kanë vendosur që Beogradit pasi që ia falët tregun e ushqimeve të Kosovës, t’ia japin edhe çelësat e hambarit, që është bujqësia. Atij Beogradi që kurrë nuk ka kërkuar falje për projektet e veta spastruese e kolonizuese gjatë gjithë shekullit të kaluar, atij Beogradi që kurrë nuk ka kërkuar falje as për krimet e luftës së fundit.

Hipokrizia më e madhe është se e gjithë kjo qeveri, që u bë qeveri e sekserëve, në fushatë patën thënë se do t’i marrin votat e fermerëve e të bujqëve. Të gjithë këta kanë premtuar fonde pa fund për bujqësinë. E, tani bujqësinë ia kanë dorëzuar Listës Serbe. Turp duhet t’ju vijë!

A e dini këta se në Kosovën tonë që e kanë lënë të prapambetur e që ia kanë mbyllur fabrikat, shumica e popullit jeton përmes bujqësisë? Me cilin moral ia kanë dorëzuar Ministrinë e Bujqësisë Listës Serbe? Çfarë do t’u thonë fshatarëve e fermerëve të Drenicës e Dukagjinit, të Anamoravës e të Anadrinit? Me cilën fytyrë do të shkojnë në fshatra që t’u shpjegoni atyre se subvencionet për bujqësinë e blegtorinë do të jenë të varura nga Serbia?

Me këtë plan që kanë bërë, i kanë dhënë mundësi të mirë Serbisë t’i realizoj planet e saj, që t’i fuqizojë projektet për kolonizim e ndarje të brendshme të Kosovës, projektet për bosnjëzimin e Kosovës. Në derexhen ku e kanë pru Kosovën, përmes kushtëzimeve që i kanë vendosur në Kushtetutë e në ligje të tjera, Kosova gjithnjë e më shumë, tash, me këtë qeveri po e humbet pavarësinë e po shkon drejt autonomisë. Shtetin e pavarur të Kosovës po e bëjnë shtet vasal të Serbisë.

Dhënia e ministrisë së Bujqësisë është esenca e pazarit me Serbinë për qeverinë e Kosovës. Paralelisht, me këtë, ka një fjali në faqe 10 që tregon se cili është shtegu i kësaj qeverie, aty thonë: me Serbinë kemi një histori tragjike të marrëdhënieve (sic.). Ky barazim është i pafalshëm edhe për ndonjë ndërmjetës ndërkombëtar. Edhe ndonjë ndërmjetës ndërkombëtar po të thoshte që kemi histori tragjike shqiptarët dhe Serbia do të duhej të pasohej me kritiken tonë. Nëse këtë ja bënë vetvetes, atëherë mund të themi që pikërisht ky barazim midis shqiptarëve dhe Serbisë është tragjik. Për shkak të kësaj qasje, të barazimit midis shqiptarëve dhe Serbisë ne në Kosovë i kemi planet e rrezikshme prej decentralizimit mbi baza etnike e deri tek Gjykata Speciale…

Ndonëse Kushtetuta e Kosovës është aq e kufizuar, këta nuk e kanë shfrytëzuar as atë. Pse nuk kanë bë qeveri me më pak se 13 ministri. Madje, unë besoj që secila qeveri në Kosovë duhet të synojë të ketë më së shumti 12 ministri, së paku deri në momentin që Serbia ta njohë Kosovën, ose deri në momentin që në Kosovë nuk do të veprojnë levat direkte të Serbisë, siç është Lista Serbe e krijuar në Beograd. Qeveria me më pak se 13 ministri, pra me maksimalisht 12 ministri i ka dy të mira. Ajo edhe kursen, por edhe lë më pak hapësirë për instrumentet e Serbisë që kanë për synim sabotimin e Kosovës.

Kërkesa që kam për Qeverinë është kjo: mos na i sillni në këtë Kuvend të ashtuquajturat ‘temat e mëdha’. Ju e keni një qeveri të dobët, partia juaj, e kryeministri, ka vetëm 10 deputetë, kështu që mos shkoni me këmbët e juaja tek gracka e Vuçiqit. Mos provoni ta sillni në këtë Kuvend Zajednicën e Serbisë, Demarkacionin e Malit të Zi, Kosovën C me 23% profit për privatin, sepse ne do t’ju ndalim. Ne jemi një opozitë dy herë më e fuqishme, dhe ju do të jeni në pozitë shumë më të vështirë se në vitet e kaluara.

Ju ftoj të përqendroheni te zhvillimi ekonomik, te rregullimi e reformimi i arsimit dhe i universitetit, te investimi në QKUK dhe në shëndetësi, te punësimi, rrogat, pensionet e te politikat sociale. Nëse përqendroheni në këtë drejtim, ne do të debatojmë e kushedi edhe bashkëpunojmë me ju për ndonjë ligj. E nëse jo, atëherë 11 qershori do të përsëritet shumë shpejt, por me efekt dy herë më katastrofal për partitë tuaja.

Nga ato pak faqe që i keni quajtur Parime Programore nuk jam fare optimist. Janë tejet të përgjithshme, prandaj përgjithësisht bosh, porsi listë deshirash. Përjashtim bën vetëm shpallja se bartësi i zhvillimit ekonomik do të jetë kapitali privat, që e bën të duket program i djathtë, por nuk tregon se si do të vijë këtu ky kapital privat, kaq befasisht, kur dihet se vendet e rajonit nuk kanë bërë ndonjë mrekulli në kohet e fundit me investimet e huaja direkte.

Mbase ju flisni në përgjithësi pikërisht që të mos ketë rëndësi ajo çka thoni. Sepse porsa përmendni diçka konkrete, ju e degradoni qeverinë në department analitik, psh. thoni se: ‘do të analizohen variantet për të ardhmen e termocentralit “Kosova A”.’ Kur thoni diçka konkrete, atëhere bëheni analist.

Ka shumë fjalë në erë këtu. Thoni se do të çoni shumë para në bujqësi, shumë para në arsim, shumë në shëndetësi, shumë për rininë, shumë për policinë, shumë për ushtrinë, si dhe shumë para për politika sociale që ofrojnë një jetë dinjitoze për gjithë ata që nuk kanë mundësi objektive të punojnë. Pra, shumë para për gjithçka, gjë që apriori dihet se është gënjeshtër. Nga njëra anë, kjo tregon paaftësi për të prioritizuar, si edhe paaftësi për të ndërtuar një program konkret. Nga ana tjetër, thoni se nuk do t’i rrisni taksat por do ta rrisni buxhetin përmes rritjes ekonomike. Kjo do të thotë se premtimet për shumë para janë tërësisht të pambulueshme nga buxheti. Ndërkohë, që nuk parashihet asnjë instrument i ri financiar që ndihmon ekonominë.

Shtrohet pyetja, pse kjo Qeveri nuk ka program? Pse kjo Qeveri nuk ka as parime? Pse këto pak faqe që na i kanë sjellur nuk mund të jenë parime programore? Për mua është e qartë: kjo Qeveri nuk ka program, sepse kjo Qeveri nuk ka marrëveshje. Këta nuk kanë marrëveshje për qeverisje. Këta kanë vetëm marrëveshje për ta ndarë qeverinë, për t’i ndarë ministritë, por jo për të qeverisur me vendin.

Një dëm i posaçëm është Lista Serbe e cila i ka vjedhur votat e komunitetit serb. Pyeteni Nenad Rashiqin, pyeteni Sllobodan Petroviqin dhe do ta merrni vesh se vjedhja industriale që ka ndodhur tek ne në vitin 2010, është edhe më e madhe që ka ndodhur tek komuniteti serb për zgjedhjet e 11 qershorit të vitit 2017.

Ne e dimë se nga kjo Qeveri nuk ka dobi, por unë ju lus, mos na bëni dëme, para se të vijë qeveria jonë. Mbajeni përherë ndër mend qeverinë tonë që vjen më pas dhe bëhuni të dobishëm duke mos bërë dëme.

Ju falemnderit.

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

NË KOSOVË, PATËM LUFTË APO KONFLIKT?(!)

    Pyetje: Zoti Dlaver, si mund ta komentoni një deklaratë të ...