Home / Të ndryshme / VAZHDON APARTEIDI NDAJ SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PJESËMARRËS SI KURDOHERË EDHE SHQIPFOLËSIT!

VAZHDON APARTEIDI NDAJ SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PJESËMARRËS SI KURDOHERË EDHE SHQIPFOLËSIT!

Shkruan,Xhemil Zeqiri

Nga dosja LPK – Danimark

Tani, kohët të fundit politika maqedonase ka marrë përmasa tejet të forta antishqiptare. Kjo ofensivë e pandalshme tanimë po kuptohet fort qartë, përditë e më tepër jo vetëm nga analistët politikë përparimtarë – të brendshëm dhe të jashtëm, por dhe nga të gjithë njerëzit përparimtarë, e besa edhe jo shumë përparimtarë, të cilët janë mësuar që, kur ua do interesi, të dalin në skenë të historisë së ”rezistencës kombëtare”, gjithnjë në ballë të kombit, kinse si baballarët e tij, shumë të përvuajtur.

Sulmet e Maqedonisë kundër shqiptarëve

Ende nuk ka kaluar një vit që opinioni i brendshëm dhe i jashtëm e kuptoi se Akademia e Shkencave të Maqedonisë e nxori një Enciklopedi ku tentoi ta fshijë nga harta vendin e origjinës së vërtetë të shqiptarëve autoktonë në trojet e veta, duke i quajtur padrejtësisht ata “ardhacakë” nga viset e Shqipërisë administrative, si rrjedhojë e fitoreve të luftërave të otomanëve, pra, i konsideroi dyndje shqiptare.

Pasi, disi u qetësuan gjakrat dhe “u tërhoqën” nga sulmi i parë, shovinistët maqedonas u vërsulën me po atë eufori “kulturore”. Vendosën që nxënësit shqiptarë, që nga klasa e parë të detyrohen të mësojnë gjuhën maqedonase. Po ashtu, Ministria e Kulturës dhe e Arsimit hasën në mospajtimin e shqiptarëve. Përsëri “u tërhoqën” por nuk harruan të sulmojnë përsëri.

Sulmi tjetër flagrant u bë kur ardhacakët sllavë e projektuan ndërtimin e Shkupit 2014 me të cilin do të vinte “e vërteta” në vend, sipas logjikës së tyre okupuese, se Shkupi paska qenë, është dhe do të jetë, tërësisht me brendi dhe pamje maqedonase, me ngjyrosje të pështirë fetare. Kinse Shkupi qenka bastion i ortodoksizmit sllav “i kulturuar”, ndërsa shqiptarët kinse ishin, janë dhe do të jenë “të pakulturuarit” e Ballkanit, dhe të trajtohen (të paraqiten) vetëm si “halldupët” e Turqisë, të zbritur në troje të huaja.

Duke i parë të gjitha këto sulme të cilat në këtë shkrim nuk është e mundur të përshkruhen të gjitha, kujtojmë të mjaftohemi me pyetjen: Sa dhe si po qëndrojnë përballë këtij aparteidi partitë e ashtuquajtura shqiptare?!

Sipas koalicionit të BDI-së së Ali Ahmetit, problemi më i madh nuk qenka lufta ndaj këtij aparteidi, por qenka zgjidhja e emrit të Maqedonisë, gjithnjë sipas “ndrikullave” sllave, pra si të duan ata ta pagëzojnë Maqedoninë, këtë krijesë artificiale titiste. Habit fakti që Ali Ahmeti merr nismën “e mbarë” që t´i kërkojë presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit që, si burrë “me peshë” në politikën ballkanike të lobojë apo më mirë të thuhet të zezojë që Greqia t´ia njehë Maqedonisë emrin sipas orekseve maqedonase!

Harrohet të theksohet këtu nga politikanët “tanë të ndritur”, lidhur me këtë çështje se shqiptarët nuk paskan të drejtën as të deklarohen, as të qesin kushte, pra të përcaktohen për dëshirën e tyre, për emrin e shtetit në të cilin tani përbëjnë hiç më pak se komb i dytë për nga shumë faktorë, si popullsia, territori etj.

Ndërsa, një zyrtare me “famë”, Teuta Arifi, do të deklaronte para mediumeve: “Nëse Maqedonia dhe Greqia nuk do të bien dakord për emrin, ne do ta prishim koalicionin qeveritar”.

Pra, përpjekjet e “hallemëdhenjve” shqipfolës janë që Maqedonia ta zgjidhë këtë nyje dhe të pranohet në radhët e institucioneve të BE-së dhe jo të brengosen e të angazhohen që në raportet me ndërkombëtarët, të jemi faktorë me peshë që çështja shqiptare të zgjidhet drejt! Kjo dëshmon edhe për të satën herë servilizmin sançopançjan ndaj “kalorësit” të tij famoz, Don Kishotit “maqedonas”.

Po në këtë parti, si faktor i lartë i saj, si tifoz i zjarrtë në këtë lojë të turpit, merr turr “lakuriqi i natës”, Abdylhalim Kasami, një ish-zëdhënës i UÇK-së në Danimarkë, i cili u kthye pas luftës dhe mori disa poste kryesore, si organizimin kadrovik, ekonomik dhe politik në BDI-në e Ali Ahmetit. Nuk duhet harruar të theksojmë se ”ky veprimtar i devotshëm dhe trim i pasluftës” pati ambicie që të merrte drejtimin e Ministrisë së Komunikacionit.

Atëbotë, unë Xhemil Zeqiri – si veprimtar politik në Danimarkë, gjegjësisht në Kopenhagë më datë 23. 05. 2001, i pata shkruar një reagim të hapur Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se kush ishte para luftës dhe gjatë luftës, ky A. Kasami.

Mirëpo, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk e mori parasysh reagimin tim. Kjo mund të dukej si lëshim në atë gjendje lufte apo, për më keq, si ironi, por e vërteta tani doli sheshit se kjo paska qenë jo e rastësishme por e qëllimshme, sepse Shtabi, pas luftës u zhyt fund e krye në tradhti!

Idealet e luftës çlirimtare u nëpërkëmbën dhe as për së afërmi shqiptarët nuk i arritën objektivat e tyre, përse luftuan.

Atdhetarët kishin njohuri për antikombëtarizmin e turkofilizmin e A. Kasamit. Ky atëbotë thuhej se e shiti një ndeshje futbolli të “Shkëndijës” shqiptare, në favor të ekipit “Gjorçe Petrov”, që Maqedonia të mos përfaqësohej në turneun evropian me një ekip shqiptar, por me një ekip maqedonas. “Shkëndija” ishte përpara me rezultat 2 : 1 dhe vetëm në dhjetë minutat e fundit, me ndërhyrjen e A. Kasamit, e humbi lojën me rezultatin 4 : 2 në favor të “Gjorçe Petreovit”. Nga shumë tifozë të “Shkëndijës” thuhet se ky përfaqësues politik i BDI-së i ka marrë 300 mijë euro për atë “nderë” që në finalen evropiane të shkonte një përfaqësuese maqedonas e jo shqiptare.

Por, jo vetëm kaq. Si duket bëhet fjalë për shumë afera korruptive dhe lakmi për pushtet etj.

Ai ka qenë i ngatërruar në shumë afera të pista si: tradhti kombëtare, i zhytur kokë e këmbë në UDB-n serbo-sllave, si koordinator politik, ekonomik dhe kadrovik. Pastaj në BDI-n e Aliut ka bërë korrupsion të madh. Me siguri ky rast do ishte shumë interesant dhe tejet i qëlluar të merrej në prokurori, sepse ka përgjegjësi të madhe edhe për tragjedinë e katundarëve të pafajshëm të Brodecit. Nëpërmjet një mekaniku, i quajtur Njazi Nuredini nga katundi Pollaticë, i përçau ushtarët. A. Kasami është përgjegjës për shumë gjëra, që për fat të keq tani po shpërblehet nga partia e tij që po e drejton.

E ritheksojmë faktin që, fatkeqësisht ne shqiptarët ende nuk kemi arritur të kemi një gjyqësi me prokurori të pavarur, prandaj dhe nuk ka përgjegjësi akuzash për elementë të tillë antikombëtarë.

Ky mashtrues ende po mban peng të këqija të njohura dhe të panjohura dhe për më keq ende shumë njerëz kanë hamendje për të. Ata ende nuk i kuptojnë veprat e tij antikombëtare dhe antinjerëzore.

Shkurt e shqip ky matrapaz i pangopur ka përgjegjësi për një shumë marramendëse që i ka grabitur nga fondi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare “Liria Kombëtare”. Për të gjitha këto punë të pista, këtij “trimi” iu bë një atentat në shtëpinë e tij. Mirëpo, për faktin që kjo ende nuk u verifikua nga “drejtësia maqedonase”, nuk duam të pretendojmë se nga i pati ardhur sulmi.

Mirëpo, këtu duam të theksojmë se A. Kasami si pehlivan i regjur politik, me ndihmën e miqve sllavë e fitoi përsëri “davanë”, duke e marrë në dorë ambasadën maqedonase në Kopenhagë. E bëri dhëndrin e tij, Adem Asafin ambasador. Mu për këtë, ceremonia e fillimit të punës së këtij “dylberi” u bë në një sallë si xhami, kur “imami“ i katundit të Kopenhagës, Hafiz Abdyrrahim Kurtishi, ende pa u bë falja e namazit (he zoti i vraftë) mu në ditën e bajramit, e prezantoi ambasadorin sllav.

Pastaj, për një kohë të gjatë, përafërsisht pesë vjet, këtë “atdhetar të rrezikuar” nga armiqtë maqedonas e ndoqën nga BDI-ja. Pas kësaj mungese “për arsye shëndetësore”, A. Kasami zgjidhet përsëri anëtar i KP të BDI-së, bile pa dëshirën e Ali Ahmetit, madje duke pretenduar të merrte, “për merita të larta”, postin e Sekretarit të përgjithshëm të këtij sekti të prapë politikë. Hyri përsëri në këtë parti, për arsye se më së miri aty e gjen veten me të gjitha prapësitë e tij që i bëri dhe po i bën kundër lëvizjes çlirimtare shqiptare. Nga kjo akuzë jona, natyrisht që lexuesit duan fakte dhe shpresojmë se nuk do t´u mbetemi borxh për këto, as atyre, as “politikanit” titist A. Kasamit.

As që kisha ndërmend të shkruajmë për A. Kasamin, por tani përsëri po detyrohemi të paraqesim veprimtarinë e tij antikombëtare për faktin se ky ”politikan pehlivan” edhe tani është duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme dhe tepër të rrezikshme politikës shqiptare në Maqedoni dhe lëvizjes çlirimtare në përgjithësi.

Unë, për herë të parë kur e kam takuar A. Kasamin, kam qenë i punësuar në një fabrikë të ngjyrave. Kur hyra në punë, punëtorët shqiptarë më thanë për të se aty është një spiun i cili paska mbajtur një mbledhje me një përfaqësues i LKJ-së nga Kosova. Me sa me kujtohet, ka qenë Isa Mustafa, tani kryetar i komunës së Prishtinës. Pra, në atë delegacion të ardhur nga ish-Jugosllavia ishte bashkuar edhe ky A. Kasami. Atëbotë e patën mbajtur një mbledhje me bashkatdhetarët, sipas stilit: në një dorë karotën e në tjetrën shkopin, që t´i mashtrojnë dhe t´i frikësojnë duke i njoftuar se kinse “armiku nacionalist shqiptar” është thyer në kokë dhe është shkatërruar, siç thoshte një qen serb me emrin Sinan Hasani, për demonstruesit e pranverës së madhe të vitit 1981.

Është shumë interesant se si ky menjëherë e rregulloi lejeqëndrimin në Danimarkë, kur atëbotë bashkatdhetarët tanë kujdeseshin prej tij, sepse dokumentet ia kishte lëshuar edhe ambasada jugosllave. Bile, mund të shtojmë dhe këtë fakt: Sa herë kishin mbledhje në ambasadë, jugosllavët vinin e merrnin në punë besnikun e tyre, A. Kasamin. Lidhur me këtë “krenari” pro-jugosllave, vjehrri i tij Ismail Sulejmani me të cilin punonim bashkë, shpesh më thoshte: “Ata të ambasadës kurrë nuk mbajnë mbledhje pa “turkun tim”, siç e quante ai, A. Kasamin.
Unë nuk i flisja këtij “turku”, për faktin se kisha mjaft informata nga njerëzit atdhetarë të cilët e dinin fort mirë se kush ishte ky “atdhetar” i viteve të ardhshme të luftës për liri të kombit shqiptar. Kujtimet për të që i shkrova më lart datojnë nga vitet 1982-1983.

Tani për lexuesit do të sqaroj më tej dhe saktësisht faktin si ky komplotist titist e kishte bërë skenarin, natyrisht me ndihmën e ithtarëve të vëllazërim-bashkimit, të agjenturave titiste, për të depërtuar në lëvizjen antijugosllave.

Lëvizja Popullore e Kosovës ishte e konsoliduar kënaqshëm në Suedi e në veçanti në qytetin e Malmes. Ky “pehlivan politik” e merr vesh se në Malme do të zhvillohej një demonstratë, në përkrahje të rinisë studentore në Kosovë e gjetiu. Jam i bindur fort se i dirigjuar nga dirigjentët e tij jugosllavë, në atë demonstratë shkon dhe ky ”trimi me fletë”. Atje, pa ngurrim depërton në gjirin e demonstruesve dhe pa vonesë kërkon të njihet me udhëheqësit e kësaj lëvizjeje antijugosllave. Aty i takon Xhemal Durakun dhe Sherif Gjonbalën, me të cilët pastaj mban kontakte dhe u thotë: “Duhet të bashkëpunojmë”! Prandaj, pa humbur kohë, po aty i shkëmbejnë adresat.

Më kujtohet se aty kah viti 1984-1985, erdhi në Danimarkë njëri nga udhëheqësit e LPK-së në Gjermani, veprimtari i njohur Ibrahim Kelmendi, me ç´rast u takua me shqiptarët në Kopenhagë në një klub privat. Pronar ishte Osman Lika. Aty, për herë të parë e kam takuar Ibrahim Kelmendin dhe u morëm vesh që në mbrëmje të tubohemi gjetkë dhe të bisedojmë më hapur dhe më shtruar për çështjen tonë kombëtare, që na preokuponte të gjithëve. Ata që ishin të pranishëm i thirrën të afërmit dhe shokët. Dua të përkujtoj lexuesit se i pranishëm isha edhe unë. Mirëpo, fort mirë më kujtohet fakti i hidhur se, kur të pranishmit e panë se po vinte A. Kasami, të gjithë u shqetësuan, besa u habitën dhe u revoltuan si mos më keq. Dhe në atë gjendje dëshpërimi ishin gati që demonstrativisht të largohen. Mirëpo kur e vërejti këtë Ibrahim Kelmendi, me vendosmëri na tha: “Mos u shqetësoni, sepse unë kam shumë fjalë të mira për të, prej shokëve që veprojnë në Suedi”.

Ne e dinim që Ibrahimi kishte shoqëri fort të mirë me Xhemal Durakun dhe Sherif Gjonbalajn. E dinim pastaj që ishin ata që garantonin. “Ky nuk do të kishte mundësi të bënte ndonjë spiunim. Përndryshe, edhe ne nuk jemi të interesuar të kemi pengesa” etj.

Më vonë edhe ne në Kopenhagë e hapëm një shoqatë shqiptare, me ç´rast unë i pagova 160.000 kr daneze dhe ua dhashë këtyre. Për fat të keq, po ky A. Kasami do të korruptohej dhe do t´i përvetësonte disa nga këto mjete duke i mashtruar bashkatdhetarët se kinse ato i ka marrë kredi në bankë dhe se dëshiron të kontribuojë për shoqërinë shqiptare në Kopenhagë.

Pastaj, për më keq, për t´i mbuluar turpet e veta, ky i pacipë filloi të shpifë kundër meje, kinse unë qenkam i dyshimtë e të tjera marrëzira. U krijua një gjendje që dukej situatë pa krye. Disa të painformuar mirë, anëtarë të Kryesisë së shoqatës, flisnin zi e më zi për mua, ndërsa Kasami qeshej me ironi dhe krekosej se ia kishte arritur qëllimit. Ky e shfrytëzoi rastin për faktin se lekët i dhashë pa autorizimin tim, pra fshehtas, sepse mund të kisha pasoja nga regjimi maqedonas.

Të shkruash deri në fund për bëmat e këtij njeriu të prapë, patjetër që duhen dhe jo vetëm mua, libra të tëra, për të pasqyruar veprimtarinë e tij antikombëtare. E ceka më lart se aspak nuk do të dëshiroja të merresha me të sikur të mos kishim ende pasoja nga veprimtaria e tij! Ato konsistojnë edhe në këto fakte tepër të hidhura, shumë të vërteta: Pasi u krijua shoqata shqiptare, bëja presion që shoqata te emërohej edhe si shoqatë shqiptare, e pastaj le të quhej, nga Jugosllavia. Atëbotë zhvillohej një luftë e ashpër me ambasadën jugosllave dhe me shqipfolësit që i mbronin interesat sllave dhe çirreshin e i “nduknin mustaqet” se “do na i marrin pasaportat”, se “ne jemi jugosllavë”. Bile kishte prej tyre që nxirrnin edhe pasaporta sllave dhe zhurmonin para masës dhe ambasadës serbo-sllave, duke thënë: “Ja, unë jam qytetar i Jugosllavisë e jo i Albanisë” e të tjera budallallëqe.

A. Kasami, atëbotë i luante për mrekulli dy role politike. Kur ishte me shqiptarët bëhej “patriot i klasit të parë”, por kur vinin ata të ambasadës heshtte si mumie dhe nuk bënte fjalë.
Shoqata në kuadër të kryesisë formoi edhe një delegacion që do t’i përfaqësonte shqiptarët në ambasadën jugosllave. Në atë delegacion doli i pari vullnetar, A. Kasami, mirëpo masa e zgjodhi edhe prof. Aki Bilallin që ishte edhe si njohës i mirë i situatave politike. Akiu ishte këmbëngulës që nuk prish asgjë të emërohet si “Shoqatë Shqiptare nga Jugosllavia” por ambasada nuk donte fare që të figuronte emri shqiptar, ishte kategorike dhe thoshte: ”Svi smo jugosllaveni”!

Një ditë (data nuk më kujtohet), ishte viti 1986 kur A. Kasami më mori në bisedë dhe më tha se ambasada jugosllave na ka ftuar të bisedojmë për Shoqatën dhe patjetër duhet të shkojmë, por hallin e kam si mund ta gjemë prof. Akiun. Meqë unë e dija ku punon dhe ku banon Akiu, shkuam ta kërkojmë, por as në punë dhe as në shtëpi nuk e gjetëm dot. U bë ora afër 16, koha e caktuar për takim. A. Kasami m´u drejtua mua me kërkesën: “Eja ti me mua”, por unë refuzoja sepse nuk dëshiroja të shkoja. Mirëpo, më luti shumë dhe tha: “Shkojmë për interes të shoqatës, ti po deshe mos fol asgjë, etj.” Më në fund, e hëngra “karremin”, u mashtrova dhe shkova me A. Kasamin në ambasadë. Aty na priti një djalë rreth dyzetvjeçar, shtatlartë. Si duket, ishte malazias, e kishte mbiemrin Peroviq. Ne u futëm brenda nga një derë speciale nga prapa, nuk e dija përse, por andej u futëm dhe t´ua them të drejtën, unë isha “në sy të tyre” dhe u shqetësova ca se çfarë do t´më ndodhte. Sapo u ulëm në tavolinë, para nesh ishte një revistë “NIN”. Në faqen e parë të saj ishte një fotografi e xhelatit të popujve, Sllobodan Millosheviqit që shihej në mitingun e Fushë Kosovës. Filloi biseda. Ai pyeti për mua, kush jam. A. Kasami foli dhe i tha se jam një aktivist i shoqatës dhe ia tregoi emrin tim. Filloi biseda. Më kujtohet si sot kur Peroviqi e pyeti me këto fjalë: ”Halime, shta mislish za druga Millosheviqa”? Halim e quanin sejmenët sllavë, A. Kasamin. Pra, administratori e pyeti: “Halim, ç´mendim ke për Millosheviqin?

A. Kasami u përgjigj: “Po, shoku Millosheviq është një figurë e madhe, komunist i zgjuar, njeri që ka qenë edhe në Amerikë, ka qenë guvernator i bankës, njeri që di të flasë dhe të shkruajë disa gjuhë të huaja, njeri që di se çka është politika” etj, etj.  “Në krahasim me Ivan Stamboliqin – i përmendi edhe disa viçër të tjerë që mua tani nuk më kujtohen, sepse kanë kaluar shumë vite – tani ata janë luftëtarë, janë komunistë të mirë, por me Millosheviqin, asnjë nuk krahasohet”.

Biseda “konstruktive” dhe tepër miqësore midis tyre, vazhdoi afër dyzet minuta. Mua më vinte gjaku të më shpërthejë nga inati. Përse ky e lavdëron aq shumë Millosheviqin dhe për çudi të kohës, aty në atë takim nuk folëm asnjë fjalë për Shoqatën, për punën e së cilës patëm shkuar!

Prej asaj strofkulle të armikut, dola pa asnjë koment. Mendoja me veten time: Ç´të bëj?! T´i shkruaj një letër Lëvizjes Popullore, degës në Zvicër, ngase patjetër do të duhej t´u tregoja shokëve. Mirëpo druaja. Ata nuk do të më besonin sepse Xhemal Duraku e mbronte këtë farë palo burri. Ashtu i dëshpëruar nga ato bisedat e tyre, shkova e mora taksin dhe ashtu me vonesë, as nuk kisha nerva të punoja, u futa në Shoqatë të takoja ndonjë shok e të bisedonim që të lirohesha sadopak nga ai vrer i akumuluar në atë pikë të zezë antishqiptare. Kur hyra brenda, pashë në tavolinë disa bashkatdhetarë që ishin tubuar rreth A. Kasamit. Ai u mbante ligjërata. U ofrova ngadalë, e mora një karrige, u ula dhe po i dëgjoja. Isha i dëshpëruar tej mase. Ja se ç´ u thoshte A. Kasami: “He, ishim tani në ambasadën jugosllave dhe u grindëm me ata. Atje thoshin se Kosova po kërkon të bashkohet me Shqipërinë”. E ky kinse u ka thënë: “Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë kërkuar bashkim me Shqipërinë, por kanë kërkuar të drejta të barabarta si të gjitha republikat e tjera, për shembull si Mali Zi që i ka vetëm gjysmë milioni dhe një pjesë e tyre janë shqiptarë e megjithëkëtë kanë republikë. Maqedonia është më e vogël me banorë se Kosova dhe ka statusin republikë, pastaj edhe Sllovenia” e të tjera. I shkuan sytë nga unë dhe tha: “Ja, pyeteni Xhemilin”. Ofofof! Mjerë unë. Si të them tani se ky i pacipë po rren, po i mashtron këta anëtarë të Shoqatës, kur e dija që nuk i foli asnjë nga ato biseda atje, por foli për Millosheviqin e viçër të tjerë. Për besë, m´u bë se më ra ajo ndërtesë. Kurrë më keq nuk e kam ndier veten dhe aty e kam bërë gabimin më të madh në historinë e jetës sime, sepse e gëlltita një të pavërtetë, nuk fola, por vetëm e lëviza kokën.

Arsyeja pse nuk fola ishte se atëbotë shumë kundërshtarë të LPRK-së e akuzonin këtë lëvizje çlirimtare si organizatë proserbe, kinse në radhët e saj ka vetëm spiunë të Serbisë etj. Prandaj, sikur ta demaskoja unë A. Kasamin, shumë nga kundërshtarët e LPRK-së do të kënaqeshin dhe kjo sipas tyre, do të vërtetohej plotësisht. Që prej kohës që isha në këtë shpellë moderne të banditëve sllavë me A. Kasamin, pa hezitim shokëve u kam thënë se ky i pacipë rrenë dhe i përshtat bisedat sipas interesave të tij personale, pra nuk thotë asgjë të vërtetë. Natyrisht se këto fjalë ua kam thënë edhe Xhemal Durakut, Ibrahim Kelmendit, Muhamet Kelmendit, Xhavit Halitit e të tjerëve. Këto tani i them me përgjegjësi të plotë morale dhe penale. Me këtë rast dua të përkujtoj faktin se Xhemal D. dhe Xhaviti H. kishin rënë komplet pre e mashtrimeve, nën thundrat mashtruese të A. Kasamit .

Gjithashtu, e kam bindjen e bazuar në fakte se dhe Ibrahim Kelmendi e kishte të njëjtën bindje. Më kujtohet sesi në muajin mars të vitit 1990, në prani të mbi njëzet aktivistëve, Ibrahim Kelmendi ia dha një kritikë të rreptë A. Kasamit dhe kunatit të tij, apo më saktë, sejmenit të A. Kasamit, Avzi Sulejmanit. Kritika qe e rreptë për faktin se para vitit 1990 A. Kasami dhe A. Sulejmani kërkonin që Lëvizja ta bënte veprimtarinë e saj në mënyrë legale. Kjo kërkesë e tyre mua nuk më bënte përshtypje sepse e dija që këto i kanë vetëm fjalë. E dija që atyre as u interesonte, as e kishin hallin për legalizimin Lëvizjes, por me këtë krekoseshin, kinse janë aktivistë të dëshmuar të saj. Kur ishte Ibrahim Kelmendi në Danimarkë tha: “Tani janë krijuar kushtet që Lëvizja t´i koordinojë veprimet gjysmë ilegale në Perëndim, pasi janë krijuar edhe partitë politike në Kosovë. Mirëpo, Kasami ishte kategorik se ne duhet të futemi në ilegalitet. Pra, para disa viteve kërkonte të dalim legalë, ndërsa tani kërkonte përsëri të hyjmë në ilegalitet. Këtu janë dëshmitarët të cilët lirisht mund të dëshmojnë se si e qortoi I. Kelmendi A. Kasamin, saqë vërtet u habitëm të gjithë. Bile, unë kujtoja se Ibrahimi nuk i prish fjalët me A. Kasamin, pasi që tërë kohën ai rrinte tek A. Kasami. T´ua them të drejtën, po të ma kishte bërë një qortim të tillë mua para gjithë atij publiku bashkatdhetarësh , ose do të ikja i turpëruar dhe nuk do të paraqitesha më kurrë para atyre shqiptarëve, ose druaj se do të bëja vetëvrasje.

Kur dolëm jashtë, i thashë I. Kelmendit: “Hajde tek unë në banesë”! “Jo -tha Ibrahimi – unë do të shkojë te Halimi, sepse me të jemi përsëri shokë, çështja kombëtare dhe politika janë të tjera, ndërsa shoqëria është tjetër, ne përsëri ne jemi shokë. Nga kjo sjellje e tij u befasova. Duke e ditur faktin se Ibrahim Kelmendi është një ndër të përkushtuarit e çështjes shqiptare, mendoj se tani ka përgjegjësi të madhe dhe kërkoj prej tij që të dalë dhe të deklarohet hapur se kush ishte deri sot dhe kush është A. Kasami. Sepse I. Kelmendi është i vetmi njeri veprimtar nga më të vendosurit dhe që kishte dhe ka qëndrime të drejta për gjithë ata shokë e shoqe që dikur i takonim Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

Unë si veprimtar politik, në vitin 1989, isha në një grup intelektualësh që vepronin në kuadër të Komitetit “Miqtë e Kosovës”. Ata më propozuan që unë të kandidoja në zgjedhjet komunale për komunën e Kopenhagës, të cilën e quajtëm “Listën Kopenhagës”. Ishin pikërisht këta dy dhe një mik imi që vinte në shtëpinë time dhe bisedonim haptas. Ata me këmbëngulje thoshin: “Nëse hetohemi nga ambasada jugosllave të gjithë do të arrestohemi dhe do të burgosemi”. Ata e përhapën një lloj frike edhe në familjen time. Shkurt, ata mundoheshin të bënin një lloj shantazhi, të ndikonin keq në marrëdhëniet e mia me gruan time, por këtë nuk e arritën kurrë. Ata përgjunjeshin pranë meje të tërhiqesha nga kandidatura dhe thoshin: “Të lutemi Xhemil, tërhiqu, sepse nëse kandidohesh ti në zgjedhje, neve do të na arrestojnë në Maqedoni, ngase sllavo-maqedonasit do ta kuptojnë se kush është shok me Xhemilin” e të tjera, e të tjera komplote. Në momentin e fundit, unë, për të ruajtur familjen time, u detyrova ta tërhiqja kandidaturën time.

Me atë rast u detyruam t´i djegim 20.000 ekzemplarë të revistës, ku e pata dhënë një deklaratë përse pranoj të kandidohem për komunën e Kopenhagës. Për këtë mund të dëshmojnë kur të duan Isni Mustafa dhe Ibrahim Xhemaili, sepse ishin pikërisht këta që më luteshin që të tërhiqem e të mos i marrim shokët në qafë. Unë nuk dija si të argumentoja ndryshe, veçse kjo s´kishte të bënte me politikën jugosllave.

Kur ishte Ibrahim Kelmendi në Danimarkë tha se tani janë krijuar kushtet që Lëvizja t´i koordinojë veprimet gjysmë ilegale në Perëndim, pasi janë krijuar parti politike në Kosovë Është fakt që Ibrahim Kelmendi ka qenë koordinator i aktiviteteve dhe disa herë ka marrë pjesë në bisedat e Këshillit të LPRK-së, në degën e saj në Danimarkë. Me një rast, kur Ibrahim Xhemaili ishte kryetar i LPRK-së, ende pa e mbaruar afatin, Ibrahim Kelmendi kërkoi që Këshilli në Danimarkë të ndalë aktivitetin për shkak të shpifjeve të A. Kasamit dhe të R. Lokut. Ky i dyti ishte i gatshëm që në mbledhje të më godasë me grushte sepse shpesh ia prishte mendjen A. Kasami. Ndërkohë, anëtarët e Kryesisë aty e kuptuan qartë se unë isha i vetmi që e kisha paguar anëtarësinë e organizatës dhe kisha dhënë shumë ndihma për parapagimin e “Zërit të Kosovës”. Ndërsa A. Kasami nuk e kishte dhënë asnjë metelik, bile nuk ka dhënë kurrë gjatë gjithë aktivitetit të luftërave që u zhvilluan në territoret tona. Ky bukëshkalë tërë kohën ka abuzuar me çështjen kombëtare, vetëm duke u paraqitur si bajraktar i mjerë, për të qenë kurdoherë në skenën politike shqiptare, ani pse nuk e meritonte aspak këtë nder. Habit fakti që edhe sot e gëzon respektin prej disa udhëheqësve politikë dhe ushtarakë që janë luajalë ndaj shtetit maqedonas. Në një rast tjetër, në mbledhje të LPRK-së ndodhej edhe I. Kelmendi. Zakonisht në mbledhje A. Kasami e bënte lojën “fluturoi, fluturoi huti” dhe me dinakëri u shmangej bisedave reale, por përherë thoshte se çka i thashë këtu këtij e atje atij, “filanit e fistekut”, këtij politikani apo shqiptari ose ndonjërit nga anëtarët e degëve të LPRK-së, të Gjermanisë apo të Zvicrës. Natyrisht, unë kurrë nuk i besoja dhe shpesh ia prishja. Ia kujtova se jemi në mbledhje ilegale, se ato biseda mund t´i bëjmë në klub etj. etj. Me atë rast filloi t´i nxehej gjaku. Halimi, dy nga shokët, Shenasi Rexhepin dhe Remzi Lokun i mbante si badigardë. Ata dilnin me qëndrime të ndryshme: Kur donin, thoshin se nuk jemi anëtarë të LPRK-së dhe kur donin, formonin degë tjetër dhe të gjitha këto manipulime i di fort mirë ish-kryetari, Ibrahim Xhemaili dhe sekretari, Aki Bilalli.

Pasi këta dhe të tjerë pjesëmarrës të kohës dhe të ngjarjeve nuk i pyet askush ngase i mbrojnë interesat e tyre, nuk po prononcohen për këtë “njeri” as deri sot. Po jap dhe shembuj tjerë: Si manipulonte A. Kasami me shokët e LPRK-së në vitin 1989/99. ”Komiteti Miqtë e Kosovës” bëri jehonë të madhe për internacionalizimin e çështjes së Kosovës. Në atë Komitet isha i vetmi shqiptar dhe pothuajse gjithë aktivitetin e financoja vetë, derisa shqiptarët e kuptuan se çfarë qëllimi kishte Komiteti. Patëm disa demonstrata dhe shpërndanim komunikata ku tregonim realisht se ç´ po ndodh me shqiptarët në Kosovë. Pra, Komiteti ishte një zëdhënës i fuqishëm i popullit shqiptar dhe këtë e kemi faktuar disa herë.

Në një rast, planifikonim të bëjmë një debat për grevën e minatorëve. Ibrahim Kelmendi propozoi që prej LPRK-së të vinte Xhavit Haliti. Atij ia kishin dhënë detyrën që më tepër të merrej me Skandinavinë. Ishte caktuar data e mbajtjes së debatit, salla, paneli. Për debatin dhe për të interesuarit ishin shpërndarë njoftime për gazetarët dhe pritej vetëm dita kur të zhvillohej debati. Data u caktua, i telefonova disa herë Xhemal Durakut, i thashë se duhet pasur kujdes që mos të na dështojë ky debat, sepse ka shumë rëndësi ngase shpresojmë që për debatin të botojmë një libër etj. Ju lutem, mos e vononi punën me Xhavitin sepse zakonisht “nga patriotizmi i madh” që kishin atëherë, disa aktivistë i harronin madje edhe tubimet, kur nga A. Kasami kishin ndonjë ftesë “të papritur” për dreka e darka të begatshme. Ia tërhoqa vërejtjen në veçanti. Mos u vononi! I tregova se A. Kasami nuk di asgjë për këtë debat sepse, si zakonisht, ai po i saboton këto aktivitete dhe po tallet me ata shokët danezë që po na përkrahin. Ia thashë troç se ju e doni atë, por dijeni se ai është spiun!

Kështu u kam thënë disa herë. Pastaj takimin e lamë në shoqatën “Besa”. Erdhi dita dhe koha e caktuar. Ata nuk vinin. U telefonuam në Malme, na thanë se kanë dalë herët. Një mik imi i cili quhet Isni Mustafi, e priste “Zekën”, atëbotë pseudonim i Xhavit Halitit. Iu afrova dhe i them: Ç´të bëjmë tani?! Ai më tha se A. Kasami po dëshiron t´i bien ndër këmbë dhe ta lusim, sepse konsideron se vetëm ai është këtu “më i madhi”, siç shprehej. Për të tjerët atij nuk i intereson fare.

A. Kasami u thotë se Xhaviti nuk është këtu dhe se “ata të mëdhenjtë” e kryesisë së LPRK-së, kanë shumë besim tek ai.

Eu, eu, eu! Bela, o punë! Ngela i vetmuar, mbeta pa tekst! Pa pritur, pranë meje e pashë mikun tim, të cilit i them: “Po ti e ke vërejtur sa shumë herë ai po mundohet t´i sabotojë aktivitetet tona dhe kur nuk ia arrin, “bën dredhi me bisht” si bushtër, kinse afrohet. Së paku dëshiron të jetë aty midis nesh, atje në demonstrata. A të kujtohet si vraponte së bashku me Havzi Sulejmanin që të dukej se është i pari, me ata “të mëdhenjtë” e LPRK-së, sesi ia siguronin makinën, sesi afrohej në mesin e tyre pranë mikrofonave etj, etj.?

Isha i vendosur të mbahej ai debat dhe nuk tërhiqesha. Përsëri e binda mikun tim, që për hir të çështjes, t´i kërkonte dhe t´u tregonte ku gjendej salla, se për besë, ju nuk e kuptoni se kush është ky agjent sllav. Miku im shkoi i mori dhe debati u mbajt ashtu siç qe parashikuar.

Kështu i dështoi plani këtij injoranti dhe sabotatori, i cili, siç i fola edhe mikut, vetëm me tallje, e herë-herë me disa “batuta”, ku ziejnë edhe kërcënimet, përpiqet t´i frikësojë shokët që të mos jenë aktivë. Pastaj, ti je duke e parë se ç´bën. Unë jam duke bërë të pamundurën, si për shoqatën, si për Komitetin dhe për LPRK-në, ndërsa ky po tallet dhe gjatë mbledhjeve ilegale i frikëson shokët, i demoralizon, u thotë se “jeni jeshil” (të papjekur). Unë ua pata thënë të gjitha këto gjëra shokëve të LPRK-së. Bile as këtu në LPRK nuk kam për ta lënë, sepse ky dilenxhi po luan “majtap” tërë kohën me Xhemal Durakun dhe Xhavit Halitin, por ata kurrsesi nuk po duan ta kuptojnë.

Kur jemi këtu, të përkujtojmë se sistemi i ilegales ka qenë i domosdoshëm. Ishte i mirë por herë-herë jo i përshtatshëm, sepse ky dhe të tjerë prototipa “tarafë” si ky, e kanë shfrytëzuar “perden e hekurt” të ilegales për të hyrë në radhët e LPRK-së, e pastaj për ta sabotuar e minuar nga brenda veprimtarinë e saj.

Nga kjo konstatojmë se pikërisht për këtë shkak, për vite të tëra ka punuar UDB-ja që ta dëmtojë sa më shumë lëvizjen ilegale në tërësi.

Ky dhe disa të tjerë rreth tij, që vepronin si ky, ishin spiunë të ambasadave jugosllave dhe njëkohësisht ishin në mesin tonë. Fort lehtë pastaj, UDB-ja informohej për shumëçka nga aktivitet e ilegales. Pikërisht këtë ”pikë të dobët” herë-herë ua përmendja Xhemal Durakut, Xhavit Halitit, ndërsa këta besa thoshin dhe dyshonin se “ky mund të jetë spiun”. Bile, më kujtohet se Ibrahimi e hetonte dhe pastaj e deshifronte që të zbulonte ca gjëra nga ky spiun i ambasadës jugosllave. Mirëpo, si dukej, kishin idenë dhe thoshin shpesh se këtë “kavalier” e kemi nën kontroll. Mirëpo fatkeqësisht, siç po shihet tani, në të vërtetë ai i paska pasur këta nën kontroll.

Me rastin këtij aktiviteti dhe në shumë raste të tjera, ai ka vepruar kështu. Bile në një rast u qortua shumë me akademik H. Goranin. Ka bërë aq shumë skandale ky “njeri”, sa zor se mund t´i përshkruajmë. Ka bërë shamatë e skandale me Xhafer Shatrin, Shaqir Shaqirin, Adem Demaçin. Me manipulime dhe gënjeshtra të paskrupullta, e ka penguar vizitën e akademik Rexhep Qosjes në Danimarkë etj. Ky “njeri”, me disa anëtarë të LPK-së, siç ishin Xhemal Duraku, Xhavit Haliti, Musa Xhaferi e të tjerë, tërë kohën është tallur. Për të gjitha aktivitetet e mia bënte telefonata nëpër Evropë dhe thoshte: “ja, ne jemi dërzhavë”. Intervistat, letrat e hapura dhe artikujt që i botoja, kërkonte t´i përvetësonte si merita për vete. Shokëve iu thoshte: “Xhemili është jeshil (i papjekur), ai nuk di asgjë, mirëpo unë ia mësoj të tëra”!

Kur vinin ndonjëherë delegacione diplomatike të Shqipërisë administrative për të na takuar, ky mashtrues injorant, pa pikë turpi tallej me ta. Më kujtohet kur me një rast Dr. Abaz Dojaka dhe Nuri Çaushi ishin në Danimarkë në një panair për kulturën shqiptare. Biseduan gjatë me ne, ndërsa A. Kasami u grind me Nuriun, duke e lavdëruar Ahmet Zogun dhe Titon. Të nesërmen Nuriu më pat thënë: “Ky qenka një spiun i rrezikshëm sepse shumë po m´i lavdëronte mbretin Zog dhe Titon dhe kurrsesi nuk donte t´i dëgjonte argumentet e mia, sipas fakteve historike se Zogolli, ai xhelat, vërtetë ka qenë bashkëpunëtor i Serbisë së Pashiqit, kurse Titoja, një armik i përbetuar i shqiptarëve”!

Ndërsa A. Kasami neve na thoshte: “Po ua lavdëroja Zogun dhe Titon, sepse, dua të di sa janë këta diplomatë të pjekur politikisht”.

Pra, asnjëherë nuk ishte serioz, por ishte si një “presë me dy teha”. Me këto makinacione arrinte që t´i mashtronte shokët tanë të LPK-së në Evropë. Por, tek unë kjo “çorbë” nuk i shkonte, sepse e dija se ata ishin politologë dhe kishin tituj doktorë shkencash politike. Pikërisht se ishte dhe ka mbetur i tillë, ka arritur që të fitojë pozita madje deri në hierarkinë më të lartë të BDI-së së Ali Ahmetit.

Si arriti A. Kasami të pozicionohet aq lartë në hierarkinë e UÇK-së?!

Lufta e Kosovës administrative nuk kishte mbaruar. Shqiptarët ishin të mobilizuar dhe e ndihmuan atë sepse objektiv kryesor e kishin platformën për ribashkim kombëtar. Kjo bëri që të kishte një mobilizim të masave të gjëra popullore edhe në mërgatë, pavarësisht se kjo mërgatë qe përçarë si mos më keq nga partitë politike pacifiste, kudo që vepronin në trojet shqiptare. Prandaj, mërgata mori pjesë aktive dhe i ndihmoi fort faktorët ushtarakë. Në Danimarkë u krijua fondi ”Atdheu në rrezik – vendlindja thërret”. Kryetar qe zgjedhur Dr. Musa Krasniqi, një djalë shumë i ndershëm dhe i urtë që të bënte për vete dhe të ndihmonte. Pikërisht këtu, Kasami u hidhërua me sondistët, por edhe me anëtarët aktivë të LPRK-së së degës, sepse nuk e zgjodhën në Këshillin organizativ. Do jetë mirë që këtë dhe të gjitha, t’ia thonë ata që kanë procesverbale. Por unë vetëm dëshiroj t´i njoftoj lexuesit se kush është A. Kasaimi dhe kush janë ata të njëjtit si ky, që e zgjodhën, e që pastaj populli ua pa sherrin këtyre demagogëve dhe bashkëpunëtorëve sllavë.

Pastaj filloi lufta në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc). Për fat të keq nuk pati një organizim të mirëfilltë në Danimarkë për faktin se pas luftës së Kosovës filloi një përçarje e madhe sepse demagogët dhe devijuesit e kësaj lufte filluan t´i marrin frerët e politikës “kombëtare”. Prandaj synimet tona të vërteta kombëtare dhe të atyre që luftuan, mbetën në mes rrugës. Pasi u ktheva nga atdheu, përpjekjet i fillova sërish në Danimarkë. Menjëherë me disa shokë filluam të organizohemi dhe të propagandojmë se atje ka vullnet të bëhen sakrifica për të dalë nga kjo amulli në të cilën na kanë futur PDSH-ja dhe koalicioni me maqedonasit.

Kur mërgimtarët e panë se ne u organizuam dhe bënim një punë të mbarë, njerëzit përparimtarë filluan të ndihmojnë, por kishin frikë se mos keqpërdoren mjetet etj. Gjatë një mbrëmjeje kishin shkuar në klub Abrashi, A. Kasami dhe Remzi Loku. Kishin filluar të bisedojnë edhe për ndihmat  e ushtarëve. A. Kasami dhe kompania e tyre kishin deklaruar paraprakisht: “Nëse Xhemili nuk merr pjesë këtu, ne do t´i ndihmojmë shumë këta ushtarë, por nëse ai merr pjesë, nuk do ketë kurrfarë suksesi”.

Disa shokë erdhën dhe më komunikuan: “Mbrëmë kemi biseduar për këtë çështje dhe nëse ua do të mirën ti atyre shokëve tanë që duan të luftojnë për shqiptarizëm, mos u deklaro (prononco), sepse haptas po bëjnë propagandë kundër teje. Mirëpo, nëse je ti aty, ata nuk do ta ndihmojnë fondin…” Në fakt, isha në dijeni për një konflikt në mes A. Kasamit dhe Fazli Veliut. Për këtë më pat folur F. Veliu gjatë Konferencës së Pestë të LPRK-së që u mbajt në Prishtinë. Në atë Konferencë të përgjithshme isha edhe unë, si përfaqësues për Skandinavinë, siç më thanë, dhe Zaim Beqiri, si përfaqësues i Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptarë të Maqedonisë. Patëm biseduar gjerë e gjatë edhe me Ali Ahmetin e të tjerë. Natyrisht, biseduam dhe për tradhtinë e A. Kasamit që ka bërë dhe vazhdon më tej të bëjë. Pastaj, disa herë kemi mbajtur kontakte përmes telefonit me F. Veliun i cili më thoshte që ta marrë drejtimin si përgjegjës për tërë Skandinavinë e më tej. Unë u thosha se jam për t´u ndihmuar, por për këtë pozitë nuk kam mundësi njëherë, pasi deri tani kam punuar për shqiptarët, por pa shqiptarët, pasi këta farë burra të Këshillit që kanë qenë, tërë kohën më kanë penguar në aktivitete. Po ashtu, F. Veliut i tregoja se me Shoqatën e të burgosurve politikë kam kontakte të mira, e posaçërisht me atdhetarin Zaim Beqiri. Bile prej këtu kam organizuar një debat për të madhin tonë Ukshin Hotin. Atyre nga Danimarka u kam dërguar 15.000 kr. dhe se këta lekë janë vjelë prej fondeve të qeverisë daneze dhe nga Lidhja e shkrimtarëve danezë, e cila më ka ndihmuar shumë për këtë debat për Ukshin Hotin. Bile kërkova që një përfaqësues danez të shkojë. Debati u mbajt dhe kaluan shumë mirë. Me këtë rast dua të theksoj se Xhevat Ademin e kam shok, por thënë të drejtën, as ai qe besa, nuk është shumë “për mashalla”, sepse e kthen gëzofin kah fryn era. Dua të theksoj këtu se Zaimi, Shpëtim Pollozhani, Kastriot Haxhirexha janë burra që nuk i ndryshojnë mendimet. F. Veliu më pat thënë se duhet vepruar ashtu si Xhevati, përndryshe të burgosin maqedonasit. Në mendjen time si vetëtimë më erdhi mendimi: Oh sa keq – thashë – çfarë dëgjova nga Fazli Veliu?!

Koha po kalonte me përpjekje organizative. Atje në katundin Tearcë u krye edhe një aksion në stacionin e policisë që vepronte aty. Këto ngjarje reflektonin shpejt në mërgatën tonë. Pastaj, kur filloi lufta në Kala të Tetovës, që në fakt ia dridhi themelet shtetit artificial maqedonas, kjo nuk i la të gjithë të qetë. Më pastaj, nuk kishte të pa interesuar. Kjo i vuri në lëvizje të gjithë. Ne zakonisht mblidheshim te një klub privat pasi klubi shoqëror “Besa” u privatizua. Prandaj takimet i bënim te klubi “Bashkimi”. Aty të gjitha mbrëmjet kalonin me debate.

Of of of, sa keq! Sa fjalë të kota dhe sa turpe llomotitnin aty?! Ç`debate bëheshin dhe sa sharje kishte! “Kush janë këta që luftojnë me djemtë tanë” thoshin shokët e grupit të Ali Ahmetit! “Djemtë tanë shkojnë ushtarë në atë ushtri, shqiptarët janë në koalicion” – bërtiste Remzi Loku. Herë-herë ia mbante ison Havzi Sulejmani kur thoshte me ironi dhe indinjatë: “Kush janë këta farë komandantë: Zoga, Pula, Laraska” e të tjera marrëzira, që këtu s´po zgjatem më tej.

Abrashi kishte rënë në hall me këta provokatorë të cilët përherë bënin plane që të sulmonin në ato momente kur ishte interesi i tyre dhe jo vetëm i tyre. Abrashit i them: “Ki kujdes, mos u dëshpëro se këta janë zagarë të A. Kasamit. Ai tani nuk del në skenë hapur, por dije mirë se ai i zien të gjitha këto “çorba”, këto komplote dhe i planifikon këto trillime”.

Pse nuk e njoh atë A. Kasamin, pse ai nuk del këtu me Shenazi Alitin?! “Mos ki dert – i thosha unë – ata dalin më vonë, si urithët. Në klub të shqiptarëve vijnë vetëm kur i harxhojnë lekët. Përndryshe, si të sëmurë që janë, ata rinë nëpër “kazinotë” e automateve të tyre. Me sinqeritet m´u drejtua dhe më pyeti: “Ç´të bëjmë, duhet të ndihmojmë dhe duhet t’i thërrasim shokët në Zvicër. Kujtoj se ata nuk flasin me A. Kasamin. Si duket i kanë hetuar pisllëqet e tij” .

Mërgimtarët i bënë disa mbledhje, por nuk kishin mundësi të bënin një organizim të mirëfilltë për faktin se propaganda anti-luftë çlirimtare, ishte e madhe. Për të dalë nga kjo anarki apo amulli e krijuar, mërgimtarët atdhetarë vendosën që të bëjnë një kërkesë te Shtabi i UÇK-së që gjërat të sqarohen dhe të dalim hapur me qëndrimet tona. Kishte propozime gjithashtu që të bëhet një demonstratë kundër shtypjes dhe aparteidit shtetëror maqedonas ndaj shqiptarëve.

Nga ky “Këshill i katundeve” që kishte dalë atje, kësaj radhe më kërkuan mua dhe më pyetën nëse do të kem mundësi t’u ndihmoj për të bërë një demonstratë në Kopenhagë. Gjatë bisedës i pyeta: “A ka gisht këtu, A. Kasami”? Ata më thanë – jo! Mirëpo, Remzi Loku dhe Shenazi Aliti – po!

Pastaj u fola se nëse ju doni të kalojë mirë demonstrata, mos i dëgjoni këta të dy sepse me këta po tallet dhe po intrigon A. Kasami. Unë i marr përsipër të gjitha anët organizative, por duhet të keni kujdes të mos turpërohemi para miqve danezë, sepse në demonstratë do të vijnë njerëz me peshë të madhe, si në politikën daneze, ashtu edhe në atë evropiane. Aty do të ketë pjesëmarrës edhe nga fusha e kulturës dhe e mediumeve daneze. Prandaj po ju them, nëse këtu do jenë këto dy vegla qorre të A. Kasamit, unë nuk i hyj kësaj pune, sepse nuk dua që të komprometohem, sepse jam i sigurt që ata do të gjejnë shkaqe që ta ndryshojnë datën e demonstratës apo do të bëjnë ndonjë pengesë tjetër, e pastaj do të dështojnë përpjekjet tona dhe unë do pësoj fiasko para danezëve.

Jo, jo! – thoshin – “Ne kemi vendosur të bëjmë demonstratë”!
Mirë pra! Do të fillojmë.

Dhe pa humbur kohë, e fillova aktivitetin, bisedova me njerëz që kishin peshë në politikën daneze dhe më premtuan se do të ishin me ne, do të solidarizohen me demonstratën, si nga radhët e pozitës, ashtu edhe nga opozita. Më premtuan se do të mbajnë fjalime përfaqësuesi i Lidhjes së shkrimtarëve, i PEN qendrës daneze, redaktori i “Politikës” do të paraqitet me një fjalë rasti dhe ato do t´i botojë një ditë më pas. Më premtuan pastaj se do bëjnë një shkrim dhe një peticion që do ta paraqesin para demonstruesve dhe atë peticionin do ta botojnë në gazetë.

Isha i kënaqur për aktivitetin tim dhe kisha bindjen, bazuar në përpjekjet tona, se miqtë danezë tani e tutje edhe më shumë do të na ndihmojnë.

U morëm vesh me Dalifin dhe Abazin për këtë aktivitet. Do të vijë edhe TV e Danimarkës, por kujdes, se po mori vesh A. Kasami për këtë, do bëjë ndonjë intrigë që ta anulojë demonstratën. Ata këmbëngulnin: “Jo, jo, ato truqe të tij kanë marrë fund, ai turk nuk ka lidhje me ne”!

Dhe si për ironi dhe fatkeqësi, parashikimi im doli. Papritmas, vetëm dy ditë kur do të duhej të mbahej demonstrata, më thonë në telefon se Shtabi i UÇK-së nuk po lejon të bëhet demonstratë, për faktin se kanë vendosur të bëhen demonstrata të njëjta në tërë Evropën për një ditë. Për datën do të vendosë shtabi!

Of, of, of! Çfarë idiotizmi, çfarë mashtrimi! Qëllimi është që ta anulojnë demonstratën! Çfarë të bëja unë i mjeri?! Si ta hiqja nga përgjegjësia dhe si ta shtyja për më tutje gjithë atë aktivitet që pata bërë bashkë me shokët?! Si t´i anuloja gjithë ato ftesa (komunikata) për demonstratën?! U shkrova gazetave. E ftova në telefon në Zvicër, Musa Xhaferin, por nuk e mori telefonin, sepse kohë më parë isha grindur me të. Ashtu i revoltuar i them Dalifit: “Po mirë more vëlla, a të thashë se ai qen do ta gjejë mënyrën sesi të na pengojë”!

Dalifi m´u drejtua dhe më tha: “Beso Xhemil, unë s´dua të kem punë me këta njerëz dhe kurrë nuk bëhem përkrah me këta idiotë”!

Pasi ishte anuluar demonstrata, nuk kaloi një javë dhe nga organizatorë “të shquar” u mbajt shpejt një demonstratë. Mirëpo, në këtë demonstratë kishte pak shqiptarë dhe nuk pati asnjë pjesëmarrës, përfaqësues danezë, që të fliste. Megjithatë, demonstrata u mbajt në praninë e Musa Xhaferit i cili e mbajti një fjalim. Në fakt, kjo ishte një tallje dhe u kuptua fort mirë nga masa se pas këtyre qëndron A. Kasami.

Pas kësaj demonstrate, me dy shokët Ismet Mustafën dhe Qani Jakupin shkuam në “Shoqatën 97”. Aty ishte vetëm Abazi. Morëm vesh se Musa po mbante “konferencë me gazetarë” në “Blogords plateZ”. I nervozuar tej mase, i them Abazit: ”Po ku je ti, përse nuk je ti në atë konferencë. Ti je kryetar i Fondit dhe jo A. Kasami”?! E uli kokën si i marrë. Thotë se A. Kasami është atje. “A ua thashë ty dhe Dalifit se ai i ngatërron të gjitha këto gjëra në Danimarkë”. Iu them të shkojmë. Ishin Abrashi, Ismeti dhe Qaniu. Abazi u kthye nga unë dhe më tha: “Ai është i madhi dhe unë nuk kam se ç`të bëjë atje”. Dihet se ky ishte me Dalifin që dikur më luteshin t´u ndihmoja për demonstratën. Në atë kohë Dalifi u tërhoq, ndërsa ky pranoi të bëhet zagar i A. Kasamit në Danimarkë qe sa kohë. Së bashku, me këta tre shokë shkova në sallë ku e kishin organizuar “konferencën për shtyp”. Futemi brenda, ç´të shohim! Si gjithmonë, A. Kasami me disa ithtarë të tij të bixhozit, si zakonisht po e luanin lojën “fluturoi, fluturoi huti”. Këta e shikojnë në sy A. Kasamin. E pashë që Musa dukej i humbur në atë mes ku ishin 5-6 vetë. Asnjë gazetar apo ndonjë danez. I revoltuar, u them: “Çfarë bëni këtu more të poshtër?! Përse po talleni me ata poshtë (me luftëtarët e lirisë) që po presin diçka, ndihma prej nesh”?! Pastaj iu drejtova Musës. “O ti shok! A nuk e sheh se ky turkofil po tallet me ty dhe me kërkesat tona popullore. Po ti a e mban mend se kur ishe në vitin 1989 t´i solla në konferencë për shtyp njëzet gazetarë. Bile erdhi edhe Milaim Zeka nga “Ditari i Radio Stokolmit”, atëbotë kur nuk kishte kaq aktivitete, siç po ndodh sot në Maqedoni, kur të gjithë janë të interesuar të marrin informacione se ç’po ngjan atje. Ndërsa A. Kasami këtu po i sjell 5 – 6 kumarxhinj të organizosh me ata njëfarë konference për gazetarë. Dhe jeni fshehur në këtë sallë. Por dijeni se gazetarët danezë nuk janë budallenj të vijnë më këtu, sepse ata i kanë sallat speciale për konferenca shtypi. Këto gjëra kur s´i kanë interesuar A. Kasamit që të kryhen si duhet dhe të kemi suksese. Këtij i intereson që juve t´u imponohet, që ky me kompaninë e tij të jenë përgjegjës. Bile kanë filluar të thonë në popull se kanë të dhëna dhe autorizime”

Në atë çast u nxinë gjakrat. A. Kasami nuk kishte çfarë të thoshte. “Po të dëgjoj” – tha. Atij as që ia vara veshin, ndërsa Musa më tha: “Mos më provoko!

“Jo, nuk po të provokoj. Duke ta thënë të vërtetën në sy se po emëron njerëz që janë shumë të dyshimtë, ti M. Xhaferi ke një përgjegjësi të madhe për këtë. E anuluat demonstratën e cila ishte shumë e mirëpritur edhe nga miqtë danezë dhe po e përkrah këtë turkofilin e mjerë A. Kasamin dhe po bie pre e intrigave të tij duke mashtruar masën, kinse Shtabi paska vendosur të bëhen demonstrata në gjithë Evropën”!

Musës në atë kohë i pata thënë shkurt e shqip: “Ti mbanë përgjegjësi të madhe sepse me kohë të kam treguar hollësisht se kush është ky turkofI”. Pastaj si mistrec kërceu Eshtref Eshtrefi, të cilin më vonë A. Kasami do ta emëronte si koordinator të UÇK-së për Skandinavi.

Mirë shumë, u emërua një ballist i keq, në bashkëpunim të ngrohtë me titistin. Siç po shihet, e kishte gjetur luga veshin”. Ndërsa pas luftës, ky i fundit, Eshtref Eshterfi, do të kapej me dhjetë kg heroinë dhe, o sa keq, gazetat daneze cituan: “U kap banda shqiptaro-serbe”, për faktin se në bandën e tij kishte edhe pjesëmarrës serbë. Pastaj filloi të më sulmonte pa asnjë argument: “Ti je spiun, enverist etj, etj.”

Pasi që Musa Xhaferi e emëroi A. Kasamin zëdhënës politik të UÇK-së, ky pastaj Abazin e emëroi kryetar të Fondit, që në fakt ishte Remzi Loku. Meqë këtë dai populli e kundërshtonte, atëherë popullit iu tha se kryetar i Fondit është Abazi, ndërsa Eshterf Eshterfin do ta emëronin si koordinator të UÇK-së për Skandinavi.

Pra, t´ua kujtojmë lexuesve se A. Kasamin dhe Eshtref Eshterfin i lidhte një miqësi e tyre, i lidhte në veçanti “sëmurja e bixhozit”, përpëlitjet e tyre nëpër automatet e lojërave të pista të fatit. Ishin të sëmurë dhe kishin bërë operacione të zemrës që të dy. Ishin pensionistë invalidorë dhe po ashtu, që të dy ishin futur në borxhe deri në fyt. Pas përfundimit të luftës, u pa se A. Kasami e kishte sabotuar UÇK-në ,duke mos ia dhënë lekët sot e kësaj dite. Flitet për miliona koronë të grabitur prej tij, kur e kishte në dorë gjithë fondin e UÇK-së për Evropën. Filloi ta sabotonte UÇK-në dhe pas luftës. Ai e shantazhonte BDI-në me lekët, e dirigjonte politikën dhe ekonominë e këtij sekti, kinse si parti politike. A. Kasami i pati premtuar kryetarit të Fondit – Remzi Lokut se do t’ia jepte postin e drejtorit të doganës së Maqedonisë, por ky plan u dështoi, siç u dështoi edhe plani për kryetar të degës së BDI-së në Tetovë. U përpoqën mjaft t´i japin poste siç ishin: drejtor i aeroportit të Shkupit, kryeshef policie në Tetovë, drejtor i stadiumit në Tetovë etj.

Në Danimarkë, bashkatdhetarët e në veçanti punëtorët, i njohin me siguri më mirë se unë dhe dinë më shumë gjëra për këta elementë reaksionarë dhe për ato ngjarje që i theksova më lart, mirëpo këto kujtime të hidhura, por shumë të vërteta, janë nga ditari im, nga ato përpjekje të mia për t’i mbajtur kujtimet për aktivitet në Danimarkë. Fatmirësisht, me kohë kam mbajtur shënime.

Është shumë interesant dhe tejet për t’u habitur fakti, përse mërgatës shqiptare këtu, kurrë nuk i është dhenë të paktën një shpjegim për ato rrethana të asaj kohe, apo për më keq, nuk i është dhënë asnjë falënderim publik për aktivitetin dhe ndihmën që e kanë dhënë atdhetarët dhe atdhetaret tona.

Disa ditë para vitit të ri, papritmas mora lajmin se në udhëtim e sipër nga Norvegjia, një delegacion i sektit të prapë politik që u emëruar BDI, marrin mundimin dhe vijnë edhe në Danimarkë. Në atë delegacion thanë se do të ishin z. Ali Ahmeti, Xhevat Ademi dhe Hysni Shaqiri. Në prani të 200 vetëve sa morën pjesë, aty nuk ishte “udhëheqësi dhe organizatori kryesor” i UÇK-së – A. Kasami, edhe pse ato ditë ndodhej në Danimarkë.

Unë shkova me qëllim sepse kisha dëshirë dhe shpresa se do të ishte aty edhe ai. Desha që në prani të të gjithë pjesëmarrësve t´i thosha në sy të gjitha të palarat e tij “politike”, t´i thosha të gjitha, pasi Aliut dhe Xhevatit ua kam treguar këto turpe dhe krime të tij. Them, krime të tij, sepse konsideroj se janë krime të rënda ato, të sabotosh luftën çlirimtare të kombit tënd.

Më kujtohet fort mirë kur Xhevati e quante “Hale Kasami”. Pikërisht në atë mbrëmje ai e mbrojti aq shumë A. Kasamin, sa që u habita tepër.

Korrupsioni dhe tradhtia i lidhi bashkë apo çfarë ngjau, nuk munda të kuptoj dhe prej atëherë i ndërpreva të gjitha marrëdhëniet me Xhevatin. Ai mori drejtim të kundërt, madje edhe me vetveten e tij.

Koha ka dëshmuar dhe po dëshmon se kujtimet e tilla që veprimtarët atdhetarë i kanë shkruar për vite të tëra jashtë vendit të shqiponjave, ishin, janë dhe do të jenë pa dyshim pjesë e historisë sonë të ndritur, që nga koha rilindësve e gjer në ditët tona. Fatkeqësisht, çështja shqiptare nuk është zgjidhur drejt deri sot, as në raportet e jashtme me fqinjët, as në raportet e brendshme me faktorin ndërkombëtar unmik-eulex-in, të cilët, duke u instaluar në Kosovë si institucione ndihmëse të demokracisë, janë këto pikërisht ata që po e shkelin me të dyja këmbët këtë demokraci të proklamuar. Gjendja nuk është aspak e kënaqshme me faktorët politikë shqiptarë në pushtet, me devijuesit e të gjitha ngjyrave. Në këtë kohë kur kaq shumë bëhet zhurmë e çohet pluhur se “Shqipërinë demokratike e kemi radhitur në radhën e shteteve të demokracisë së vërtetë perëndimore”, duke u anëtarësuar në NATO dhe duke pretenduar të integrohet në BE.

Një punë shumë të mirë kanë bërë dhe po bëjnë në këtë drejtim, pra me të shkruarit e kujtimeve, veprimtarët e dëshmuar dhe ish-të burgosurit politikë, në radhë të parë Shoqata e të burgosurve politikë e Kosovës me Hydajet Hysenin si udhëheqës. Për punën e madhe dhe për kontributin e veprimtarëve të të gjitha organizatave, propozoj që sa më parë të krijohet një fond për t´i ndihmuar ish-të burgosurit politikë dhe atdhetarët e ilegales që t’i botojnë librat e tyre të këtij zhanri.

Meriton të theksohet se një punë të madhe në ndihmë të veprimtarëve të të gjitha organizatave po e bëjnë Faik Smajli në ueb-faqen albaniapress dhe Sheradin Berisha me ueb-faqen “Pashtriku”, si dhe të tjera agjenci informative. Më këtë rast, dua të theksojë gjithashtu, se, një punë të madhe në këtë drejtim, pra, në evokimin e kujtimeve për organizimin e qëndresës çlirimtare, kanë bërë, Nysret Pllana , Ahmet Qiriçi, me “Radio-Kosovën e Lirë”; Fehmi Berisha, Ramadan Pllana, “ Dëshmi Kohe”, (ende e pabotuar libër), si dhe veprimtarët Faredin Tafallari, Ibrahim Kelmendi, e të tjerë.

Por, kujtoj që ende nga ky aspekt tepër peshë për të ardhmen e breznive tona, që ta njohin historikun e ilegales çlirimtare, për gati gjysmë shekulli, në këtë kohë krizash të mëdha, nuk është bërë sa do të duhej të bëhej.

Pse, fjala vjen, nuk dalin hapur, por ngurrojnë të flasin e t´i shkruajnë kujtimet  të këtij zhanri tejet demaskues dhe me vërtetësi e paanshmëri – siç ka dalë në shumë shkrime i madhi atdhetar, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demçi , në librin me rrënjë të thella të historikut , “Dosja e Demaçi”e shkruar nga historiani ynë i madh Hakif Bajrami.?!

Në këtë aspekt, punë të mirë kanë bërë edhe atdhetarët, ish- i burgosurit politik Et´hem Çeku, në librin,“Kosova ne sfondin e diplomacisë se Jugosllavisë dhe te Shqipërisë ne vitet 1945-1981″, Autori ka bërë objekt të studimit të vet shkencor Kosovën dhe përpjekjet e vazhdueshme te shqiptarëve për te ndryshuar skemat e fiksuara prej të mëdhenjve në fillim të shekullit XX e për ta shndërruar Kosovën në shtetin më të ri të botës dhe qytetarët e saj si pjesëtarë të lire të Evropës moderne.

Por, me këtë rast, bëj pyetjen, vallë, a është duke i shkruar kujtimet e tij të burgut dhe të luftës edhe Nasim Haradinaj, -sa shumë do të kishin vlerë të madhe gjithashtu, për breznitë e reja edhe kujtimet e veteranëve (tani të ndjerë), Smajl Haradinaj ( babait të Nasim Haradinajt), Metush Krasniqit, Ramadan Shalës, Ahmet Haxhisë, Ali Aliut –Preshevës e të tjerë.

Lexuesit janë të njohur me shkrimet e Hydajet Hysenit, si poet i mrekullueshëm, me poezi të fuqishme epiko-lirike , e ka pasqyruar jetën e rëndë dhe krenare të burgut, por, kujtoj që, ende nuk i ka shkruar kujtimet e tij dhe të shokëve ilegalë; përveç disa paraqitjeve publike në rtv. Kujtoj, që do të ishte tepër me interes kombëtar t´i shkruante kujtimet e tyre madhështore dhe me të vërtetat e hidhura edhe veprimtarët Sejdi Veseli, Emrush Xhamajli, Afrim Morina, Emin Krasniqi,Bajram Kosumi, Ahmet Isufi, Xhevat Bislimi, Berat Luzha, Ismet Sopi, Hilmi Muzaqi, Hazir Xhafolli, Jakup Shyti, Halil Kuliqi, Hajdin Abazi e shumë të tjerë.

Nuk kanë ngelur prapa në këtë drejtim, atdhetarët; Rasim Selmani, Rexhep Ahmeti, Jakup Krasniqi; të cilët për këtë punë të devotshme i përgëzoj.

Pa dyshim se lexuesve, në mos për asgjë tjetër, bile për një fakt: jam i bindur që, ua ka bërë me dije se, rrugët e mërgimit janë njëra anë e medaljes së zezë- për çdo mërgimtar, të cilit i mungojnë të afërmit e tij, -aq të dashur, -pastaj,i mungojnë uji, buka dhe natyra me klimën aq të bukur dhe të qëndrueshme, të trojeve shqiptare. Mirëpo, si vet zhvillimet e larmisë jetësore ku, madje edhe në këtë fatkeqësi gjendet një dritë në tunelet e jetës.

E kjo dritë të cilën duhet ta gjakojnë të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret, është veprimtaria e pandërprerë e palodhshme dhe mbi të gjitha e guximshme, deri në sakrificat më sublime, për lirinë, përparimin, ribashkimin dhe barazinë e kombit tonë të lashtë dhe të ri. Personalisht jam munduar që të bëj të pamundurën dhe me veprimtarinë time të pandërprerë atdhetare, këtij qëllimi madhor i jam përkushtuar me të gjitha forcat e mendjes, të zemrës, të gjakut dhe të djersës.

Nga këto kujtime lexuesit kanë mësuar për shumë ngjarje, të heshtura gjer më tani, që kanë ndodhur në vendin skandinav, do të thosha në qytetin e një kulture të lashtë, me tradita shekullore në shkencë, art, kulturë, politikë e të tjera sfera të jetës, në një metropol të botës siç është Kopenhaga, një kërthizë e rrugëve tokësore, detare dhe ajrore, një kërthizë e udhëkryqeve të marrëdhënieve politike dhe diplomatike të sotme ndërkombëtare.

“Vendosmëria, përkushtimi dhe guximi për të arritur objektivat madhorë për çlirim, e bëjnë edhe të pamundshmen, të mundshëm.

Sikur të bëhej kjo vetëm përkohësisht para tri luftërave që i bëmë ne shqiptarët, megjithatë kohën robëri, pa le ta hante djalli! Mirëpo, fatkeqësia dhe tragjedia më e madhe qëndron aty se bëhen shkelje flagrante mbi flamurin, gjuhën, identitetin. Kujtoj këtu mohimin e vlerës së ndritur të kombit, emblemës së LSHP. Më tragjikja e të gjithave është se u bënë e po bëhen shkelje flagrante mbi territorin shqiptar, që po ricopëtohet përditë. U bë kjo maskaradë e tejskajshme politike, pas atyre tri luftërave çlirimtare, pas gjithë atyre ndjekjeve të gati gjysmës së kombit jashtë vendit, dhunimeve, persekutimeve, vrasjeve e të tjera mynxyra që na i bënë sllavët okupatorë, që zor se do t´i shkruanin malet me lapsa dhe një det me ngjyra.

Ata nuk kishin as nuk po kanë aspak mëshirë ta pengojnë lirinë e shqiptarisë, ndërsa ne për “modesti personale” dhe “ruajtje të unitetit kombëtar”, nuk kemi kurajë të duhur t´i godasim pamëshirë me të vërtetat e hidhura që ata i kanë bërë dhe po i bëjnë! Pra tani e tutje, edhe më fort, edhe nga kjo fushëbetejë t´i shërbejmë lirisë!

Duke i analizuar këto kujtime, medoemos më shkojnë mendime si rrufe për të gjitha këto turpe. Faji nuk qëndron vetëm tek ajo pjesa e sëmurë e kombit, e infektuar me tradhti, por ky faj herë-herë qëndron edhe te disa “krerë tarafë” e “matufë bajraktarë” të lëvizjeve dhe të organizatave çlirimtare. Jo të ngritur sa duhet politikisht, nuk kanë ditur as kanë mundur të ecin vertikalisht në rrugën e rrëpirët të ilegales.

Them kështu sepse jo rrallë ata lejuan që, herë për arsye meskine, herë për shkaqe mendjemadhësie, herë marrëzie politike, herë të mashtruar nga interesat personalë, të binin e të bëjnë “pazare” me tyxharët politikë antikombëtarë, të cilët në radhët e ilegales kishin hyrë për punë joserioze. Mirëpo, të gjithë këta xhelatë bukëshkalë i bashkonte një qëllim – ta sabotonin dhe ta shkatërronin nga brenda kalanë shqiptare, lokomotivën kryesore të shkatërrimit të shteteve armike. Mbase për këtë edhe paguheshin me dollarë, marka e dinarë. Duke u bazuar në këtë pikë të dobët dhe “neuralgjike”, kujtoj se jo rrallë ilegalja ka marrë goditje të forta dhe kishte humbje të mëdha të kuadrove kyç të saj. Kjo pastaj kishte pasoja të mëdha organizative për ecjen përpara. Kujtoj këtu vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Bajram Bahtirin, Zija Shemsiun, Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun etj., të cilët me të drejtë konsiderohen dhe ishin udhëheqës dhe luftëtarë të paepur të çështjes shqiptare.

Disa të paditur politikë dhe jopolitikë që do t´i konsideroja naivë dhe cinikë thonë se ngritja e kësaj çështjeje dhe të shkruarit e kujtimeve nga ata që e kanë bërë historinë tonë të lavdishme, është një punë me të cilën ”nuk duhet të merremi” sepse “kohët e liga kanë kaluar”. Kështu mendojnë këta shkretanë, por këtu mendoj se fshihet, jo vetëm një padituri, por dhe një qëllim i prapë që të mos dihet shumë për veprimtarinë tradhtare ose të mos demaskohen disa “krerë” të ilegales për veprimtarinë e tyre të dështuar, të mos demaskohen as elementët reaksionarë që në ato vite, kur po ziente si vullkani revolucioni popullor, kishin marrë detyra nga UDB-ja dhe KOS-i si dhe nga agjentura të tjera të jashtme, që t´ua vrisnin lirinë shqiptarëve. Por fatmirësisht, llogaritë e veta i kishin bërë gabim, sepse revolucioni shpërtheu si vullkan dhe çështja shqiptare nuk mbeti përjetësisht nën hirin e historisë sonë të re.

Uroj që kjo punë e devotshme të arrihet me sukses, që historia jonë e lavdishme të lartësohet akoma më shumë, që ardhmëria jonë të bazohet mbi të vërtetat e mëdha dhe të pathyeshme dhe të marrë kah të ndritur dhe më të sigurt.
Danimarkë, 15 qershor 2010

 

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Bosnjëzimin e Kosovës, privatizimin neoliberal, plaçkitjen, nigerizimin  e vendit dhe gjendjen e ...