Home / Opinion / ELVIS HOXHA: PSE DUAM NJË KRYEMINISTËR SI ALBIN KURTI

ELVIS HOXHA: PSE DUAM NJË KRYEMINISTËR SI ALBIN KURTI

  » Elvis Hoxha: Pse duam një kryeministër si Albin Kurti

Kur më duhej të intervistoja një njeri që e tregonte filozofikisht Vetvendosjen në Tiranë, Albin Kurti më propozoi Elvis Hoxhën. Jo pse na njeh mirë, -më tha, -por sepse është filozofi më i mirë shqiptar, që kemi.

Unë nuk e dija dhe nuk e njihja.

Qysh atëherë e intervistoj shpesh, sa herë ka ngjarje që kërkojnë mendje dhe vëmendje.

Këtë herë, kemi realizuar intervistën për dritare,net, nga Prishtina. Ai është atje për Vetëvendosjen, aktivist me besim, i të cilës është. E shpjegon qartë pse dhe të mbush mendjen. Kur je i pavendosur. Në rastin tim, nuk ka nevojë, sepse unë nuk kam dilema. Mbështes fort Vetëvendosjen. Qysh kur është krijuar. Virtualisht, sepse nuk votoj dot. Por përpiqem të ndihmoj që të tjerë si unë në Kosovë, ta votojnë./ r.xh

Intervistoi Rudina Xhunga

Dritare.net: Në Shqipëri pothuaj askush flet e shkruan për zgjedhjet Kosovë. Bojkot e indiference. Ne fakt çfarë fushate u zhvillua aty?

Në kushtet e fushatës në Shqipëri, pa program dhe veç me klientelë, pa figura të reja, por vetëm më rikompozime të mefshta të listave, Kosova nuk mund të shihet mirë, pasi atje ekziston lëvizja Vetëvendosje dhe gjuha e saj politike. Ajo deklaron socialdemokraci, kur në Tiranë të gjithë, subjekte politikë dhe media, qytetarë dhe shoqëri civile, bëjnë garë se cili do të jetë më neoliberal. Është në natyrën e privatizimit të interesohet për skajet e suksesit, pa pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë. Amerika dhe Kina mund të zënë më shumë vend në opinionet tona sesa Kosova. Ne kemi individë, ndaj dhe nuk kemi vizion kombëtar të ekonomisë dhe sociusit.

Duhet të themi më së pari se një nga dëmet e mëdha që na vjen prej kulturës sonë politike është ndjeshmëria jonë e gabuar në lidhje me zonat prioritare të themelimit të politikës. Një lloj edukimi “qytetar”, një lloj modernizimi i papritur në rrafshin ekonomik dhe social, pa asnjë vertëtësi në rendin e ndërtimit, na shtyn të mendojmë marrëdhënien tonë më politikën pa gjeografi dhe pa histori. Kështu që para se të merremi me politikën e Kosovës, ne merremi me atë amerikane, me atë angleze. Ndjeshmëria artificiale politike na ka bërë të lodhim mendimin me implikime cerebrale që nuk kanë të bëjnë me ne në asnjë plan të realitetit. Nacionalizmi na shfaqet jo real, i ndëshkueshëm moralisht, sepse në fakt, vetëm sipas tij do të duhej të bënim llogaritje të vërteta mbi punën dhe frazën, mbi besnikërinë dhe krijimtarinë.

Klasës sonë të mesme, e cila është e mesme vetëm rastësisht, nuk i shkon ndër mend të përfytyrojë ndonjë realitet tjetër veç atij që i propozohet nga neoliberalizmi. Ju e shihni që përgjigjja është më e gjerë sesa thjesht parapëlqimi i mediave për lajmin.

Kosova, nuk është pra, siç nuk është as përmbajtja prodhuese e vetë Shqipërisë, në rendin e ditës së kësaj klase të mesme. Ne e dimë sipas opinionit se ç’është politika. Nuk e dimë prej ndonjë krijimtarie që integron individ dhe shoqëri. Ndaj, shohim se mosinteresimi për Kosovën shkon paralel me mungesën e vëmendjes për zhvillimet prodhuese të Shqipërisë, me mungesën e ndjekjes së artit, me mungesën e ndjenjës së shoqërueshmërisë. Neoliberalizmi ka ngulur rrënjë në shoqëri duke zvogëluar historinë dhe gjeografinë, krijimtarinë dhe prodhimtarinë. Veprojmë me diskrecionin e tregtisë në të gjitha linjat e jetës.

Që këtej vjen ajo që ju e quani bojkot dhe indiferencë.

Sa për pyetjen se ç’fushatë po zhvillohet në Kosovë, duhet të them më së pari se është një fushatë krejt e panatyrshme. Jo vetëm e shkurtër. Nuk është ndonjë problem realisht. Njerëzit, nëse janë të sinqertë me veten dhe gjendjen e tyre, e njohin fare mirë të vërtetën. Duhet ta kenë marrë tashmë vendimin. Por duhet thënë se koalicionet e mëdhenj, “koalicioni i natës” dhe “koalicioni nga fryen era”, siç u emërtuan nga Lëvizja Vetëvendosje! janë kompozime pa asnjë lloj parimi. Nuk kanë si të shpallin ndonjë projekt, kështu që më shumë se debate ka patur prej tyre vetëm ca tubime simbolike.

Dritare.net: Cilat janë shanset e Vetëvendosjes këto zgjedhje?

Këto zgjedhje kanë marrë formë të qartë. Koalicionet e mëdha, të vendosura përballë Lëvizjes Vetëvendosje!, vijnë pas një humbjeje të shumëfishtë. PDK dhe LDK që janë në drejtim të këtyre koalicioneve. Keto parti sapo dolën prej rrënimit reciprok të qeverisë, por dhe pas dështimit me projektet e tyre të vetëm, Zajednicën dhe Demarkacionin. Gjatë gjithë qeverisjes së tyre të përbashkët këto dy parti nuk ndërmorën asnjë direktivë ndërtimtare, përveçse këtyre dy nismave krejt kundër sovranitetit territorial dhe politik të Kosovës. Gjatë tërë kohës ato deklaruan se janë në funksion të marrëveshjeve me jashtë. Nuk ndërtuan asnjë marrëveshje me popullin e tyre. I vetmi rezultat në politikën e brendshme të Kosovës është korrupsioni pa cak në të gjithë planet. E tani, këto dy parti drejtojnë dy koalicionet.

Nga ana tjetër është Lëvizja Vetëvendosje!. Ajo mban mbi vete suksesin e dështimit të këtyre marrëveshjeve si dhe faktin se është e vetmja forcë politike që nuk ka marrë pjesë në martesat e kobshme qeveritare në 17 vitet e humbura të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje! propagandon Alternativën e saj për qeverisje si dhe një program me 40 prioritetet për Republikën.

Nga çka po them del se jemi në kushtet e qarta të një referendumi më shumë se të zgjedhjeve normale. Referendumi është situatë zgjedhore ku surpriza është më e mundshme se kurrë. Por, cilado që të jetë surpriza, ngritja e Vetëvendosjes, sipas vlerësimit tim, do të jetë të paktën në masën 60%.

Dritare.net: A ka ndryshuar Albin Kurti? Çfarë ka ndodhur me të , derisa erdhi në këtë fushate?

Asnjë ndryshim nuk ka ndodhur me Albin Kurtin, përveçse me votuesit. Ata po dëshmojnë progresivisht se Albin Kurti nuk është zgjedhja më e mirë, por personaliteti i pakrahasueshëm për qeveritarë të parë në Kosovë. Albin Kurti është shenjuesi i transformimit të ndërgjegjes së dobët të zgjedhjeve të mëparshme në një përgjegjësi të lartë referendumi. Referendumi si formë e skajshme e përgjegjësisë njësohet me lartësinë e Albin Kurtit në moral e dije.

Dritare.net: Çfarë kryeministri do të ishte Albin Kurti?

Albin Kurti është një njeri me një veprimtari të pasur si në aspektin politik edhe intelektual. Deri tani në trevat shqiptare kemi patur udhëheqës me personalitet dhe histori jetike njëdimensionale, në rastin më të mirë. Albin Kurti ka një formim që nis me shkencat natyrore e teknike dhe shkon drejt konfigurimit politik. Një gamë e tillë e inteligjencës dhe kulturës i ka mundësuar që në frazën më të shkurtër të tij politike të gjendet përbashkimi i filozofisë dhe politikës, i racionalitetit shkencor dhe historik, si dhe shpejtësia e imagjinatës që i vjen prej letërsisë dhe kinemasë. Ç’është kryeministri? Drejtuesi i të gjitha veprimtarisë specifike të një vendi, praktika që i gjejmë në emrat e ministrive. Është pra një mundësi fatlume ky personalitet i integruar në Albin Kurtin si kryeministër i Kosovës.

Dritare.net: Ju vetë nuk votoni, ne Kosovë. Jeni qytetar i Republikës së Shqipërisë. Kaq fort ju mban lidhur me Prishtinën , politika?

E them shpesh se aktivizohem politikisht vetëm ku ka politikë në trevat shqiptare. Gjeografia shqiptare nuk përcaktohet administrativisht, por sipas elementit që punon mundësinë politike shqiptare. Sot në Prishtinë bëhet politikë. Sepse ekziston Lëvizja Vetëvendosje! Është një subjekt politik sepse është prerje tranversale e gjendjes politike dhe krijon prej andje një rend të ngjarjes. Mjaft të bëni pyetjen se ç’ngjarje prej subjekti politik po ndodh në Tiranë. Në ndejshmërinë time politike asgjë. Mjaft të pyesni veten se ç’aktivizim filozofik dhe sociologjik kryen mbi njeriun shqiptar situata e partive politike të Tiranës, dhe do të kuptoni se nuk ka asnjë ftesë për përpjekje në rendin e inteligjencës dhe imagjinatës në planin e opinionit publik. Asnjë parti e Tiranës, ashtu sikurse koalicionet e errët të Kosovës, nuk janë çështje e ngritur për mendimin politik të njerëzve. Lëvizja Vetëvendosje! është e tëra një pyetje mbi qytetarin. Ne veprojmë që të shtohen qytetarët e pyetjes dhe jo të përtacisë mendore. Pikërisht pyetja e përhershme që më kthen në subjekt politik, kjo pyetje me emrin Lëvizja Vetëvendosje! më mban në Kosovë.

Dritare.net: Po ne Kosovë flitet dhe ka interes për zgjedhjet në Tiranë?

Ka interes. Njerëzit më pyesin sepse unë jetoj në Tiranë. Por të them të drejtën nuk e di se ç’mund t’u them , sepse nuk ka asnjë ide politike në lojë, asnjë ligjëratë politike, veç biznesit pushtetor – do të ishte e tepërt të quhej ky biznes politik.

Nuk e kam aftësinë të rrëfej thashethemet që mbushin klubet dhe vendet ku flitet për partitë në Tiranë.

Dritare.net: Ju , pra indiferent për zgjedhjet tuaja?

Kudo ku politika nuk rivë në çështje ose në pyetje formimin e deritanishëm të publikes, mund të thuhet se nuk ka grindje politike, por mësymje të pushtetit.

Prej ku dhe indiferenca ime.

Dritare.net: Në te dyja anët e kufirit, po zgjedhim. Por a po zgjidhim dot, diçka?

Në Kosovë do të zgjidhet diçka, do të gjendemi në një stad më të lartë të politicitetit të shqiptarit në një botë që nuk paraqitet më si vendi i përbashkët i njerëzve. Vetëvendosja është një projekt i pafundmë i njeriut, ku ai shfaqet herë-herë në veprimtarinë sipas komunitetit, herë herë sipas kombit, herë-herë sipas një shkolle apo rryme. Te ne bëhet fjalë për kapacitet shtetndërtimi. Në këto zgjedhje, zgjidhja do të jetë një stad më i lartë në shtet-ndërtim

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Bosnjëzimin e Kosovës, privatizimin neoliberal, plaçkitjen, nigerizimin  e vendit dhe gjendjen e ...