Home / Intervista / Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Bosnjëzimin e Kosovës, privatizimin neoliberal, plaçkitjen, nigerizimin  e vendit dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni, Albin Kurti i kishte paralajamëruar vite më parë një një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve INA.

Të gjitha ngjarjet e kobshme që pasuar në Kosovë e Maqedoni i ke parashikuar, por jo në rolin e një sofisti. Me një mobolizim të fuqishëm të të rinjve ai ka zhvilluar beteja të rënda për ti parandaluar këto procese.

Jo rrallherë është parë edhe në Maqedoni, në misionin e tij për ti unifikuar forcat politike shqiptare në këtë shtet të kriminalizuar dhe albanofob.

Agjencia e lajmeve INA ju sjellë pjesë e nga intervista e realizuar gati një decenie më parë.

INA: Nëse do të vijojnë trendet e tilla të procesit politik në Kosovë, si do të e shihni të ardhmen e afërt të vendit tuaj?

Albin Kurti: Decentralizimi etnik i kombinuar me protektoratin ndërkombëtar të pakufizuar në kohë e kompetenca e bosnjezon Koosvën. Ndërkaq, privatizimi neoliberal ia grabit asaj pasutitë natyrore dhe kapacitetet zhvillimore ekonomike e nigerizon Kosovën. Në radhë janë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, PostTelekomi i Koosvës, KEK-u, Miniera e Sibovcit dhe Trepça. Përderisa decentralizimin etnik po e shtyn Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, privatizimit neoliberal po i grah Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

INA: Po çka konkretisht sugjeron VETËVENDOSJE ?

Albin Kurti: Meqë ushtrimi i së drejtës për vetëvendosje nuk i parapriu shpalljes së pavarësisë, për pasojë, pavarësia mbeti pa sovranitet. Lëvizja jonë propozon ndryshim themelor të agjendës së shtetit të Kosovës nga fokusimi te njohjet nga jashtë tek konsolidimi i brendshmë, pra tek sovraniteti dhe tërësia territoriale në njërën anë dhe zhvillimi ekonomik në anën tjetër. Madje, edhe kur jemi te njohjet do duhej të zhvendoset përqëndrimi nga rritja e numrit të njohjeve te marrëveshjet bilaterale me shtetet që tashmë na kanë njohur në fushën e ekonomisë, arsimit shëndetësisë, bujqësisë etj. Në mënyrë që nga këto njohje të përfitojnë edhe qytetarët e jo vetëm miqtë e pushtetarëve që bëhen ambasadorë.

INA: Është koha që edhe ju të hyni në garën politike në rast se do të kemi zgjedhje të reja apo nuk mendoni rreth kësaj ?

Albin Kurti: Nuk dihet ende nëse do të kemi zgjedhje parlamentare këtë vit apo vitin tjetër. Kjo varet kryesisht nga dy persona: nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, dhe nga ambasadori amerikan, Christopher Dell. Këta i përcaktojnë datat dhe mënyrat e zgjedhjeve si dhe e vizitojnë rregullisht KQZ-në. Kosova nuk është sovrane: bëhesh deputet a ministër dhe mandej e merr vesh qysh nuk je as deputet e as ministër meqë i ke burokratët ndërkombatërë që me fuqitë e tyre ekzekutive sundojnë mbi të gjitha institucionet e sistemit. Për më keq, zgjedhjet në Kosovë paraqesin veçse një demokraci formale ku njerëzit votohen e kandidojnë për poste të ndryshme ndërkohë që çështjet më thelbësore si ato të sovranitetit e marrëdhënieve ekonomike zhvillohen në një botë paralele politike ku s’mund të votosh.

INA: VETËVENDOSJE a mendon shtrirjen e aktivitetit edhe jashtë Kosovës. A do e bëni një gjë të tillë ?

Albin Kurti: Kemi aktivistë edhe nëpër viset e tjera të banuara me shqiptarë por atje veprimtaria nuk mund ta ketë karakterin e njetë sikurse në Kosovë. Mundësitë janë shumë më të kufizuara.

INA: Pse si shembull të mos hapen degët e juaja në Shkup dhe Tiranë dhe më gjërë ?

Albin Kurti: Përveç asaj që thashë më herët, duhet të shtoj se Lëvizja VETËVENDOSJE! është anëtare e Rrjetit të Organizatave Shqipatare (RrOSh) që grumbullon 20 organizata shoqërore shqiptare në Ballkan. Si RrOSh ne zhvillojmë aktivitete të shumta gjithandej. Sa i përket aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s të cilët janë edhe në Tiranë e në Shkup, një pengesë që kemi pasur është mungesa e intelektualëve të rinj e të guximshëm që do të viheshin në ballë. Kemi përvojë të keqe me qendrat e Lëvizjes sonë atëherë kur në krye të tyre kanë qenë aktivistët mesatarë për nga përgatitja, guximi e përkushtimi.

INA:  Emri juaj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Maqedoni, pas arrestimit që ju ndodhi në kufi. Pse në të vërtetë ndodhi që ju të ndaloheni dhe të maltretoheni ?

Albin Kurti: Autoritetet e IRJM-së nuk duan që shqiptarët të bashkëpunojnë. Ato duan që shqiptarët të veprojnë tërësisht të ndarë siç thonë kufijtë e imponuar mes tyre. Mbi të gjitha, ato dëshirojnë që shqiptarët në IRJM të jenë të ndarë nga Shqipëria e Kosova dhe të mos kenë kontakte e bashkëveprim me to, meqë kësisoj mund t’i shtypin shumë më kollaj. Prandaj, nuk iu pëlqen kur unë vij në IRJM sepse e dinë që nuk po vij as për turizëm e as për shopping.

INA: A jeni përballur me probleme të tilla edhe më tutje, pasi që ju kemi parë në Maqedoni ?

Albin Kurti: Çdo herë që e kaloj kufirin për në IRJM, pres kot së paku 45 minuta. E marrin pasaportën time, shkojnë prej një zyre në tjetrën, thërrasin me telefona të ndryshëm etj.etj. Nuk më shpallin persona non grata, por duan që ta bëjnë sa më të mërzitshëm kalimin e kufirit për mua dhe mbase shpresojnë se unë do të heq dorë nga ardhja në IRJM. Kur dal nga IRJM, sërish më lënë të pres së paku 20 minuta. Ajo që më vjen më së shumti keq është që çdo herë kur më lënë të presin krijohet një radhë më e gjatë e qytetarëve pas meje të cilët po ashtu detyrohen të presin. Autoritetet kufitare të IRJM-së qëllimisht nuk më nxjerrin nga rreshti qysh në fillim të procedurës vetëm dhe vetëm që të krijohet kolona pas meje e cila mund të më fajësojë mua për pritjen e tyre.

INA: Në Maqedoni shqiptarët janë në gjendje të rëndë sa i përket avancimit dhe zgjidhjes së problemeve të tyre. Gjuha shqipe është e satanizuar me një ligj të paqartë që nuk garanton përdorimin zyrtar në nivel të tërë vendin, edhe pse shqiptarët përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë. Nuk kemi realitetin sikur në Kosovë kur serbët me vetëm mbi 5 për, ndërsa gjuha e tyre është zyrtare në të gjitha nivelet ?

Albin Kurti: Të drejtat e popujve që dolën nga ish Jugosllavia më parë sesa t’i referohen normave universale, konsistojnë në rezultatet e luftërave dhe në trysnitë politike që bëjnë popujt. Serbia duke qenë agresive ka nxjerrur shumë më tepër të drejta për 5% serbë në Kosovë sesa që këtë e kanë bërë 1/3 e popullsisë në IRJM që janë shqiptarë, duke qenë fare pak të përkrahur nga Tirana e Prishtina zyrtare. Në masën në të cilën organizon dhe mobilizon rezistencë ndaj pushtetit për qëllime politike, në atë masë edhe fiton të drejta. Ky është mësimi që duhet ta nxjerrim.

INA: Poashtu edhe gjykata kushtetuese ka abroguar ligjin për simbolet kombëtare, edhe pse ky ligj gjithashtu satanizues, mundësonte përdorimin e gjuhës shqipe vetëm në zonat ku shqiptarët përbëjnë 50 për qind. Si e shihni zgjidhjen këtu sa i përket shqiptarëve në Maqedoni?

Albin Kurti: Shteti i IRJM-së gjithnjë e më shumë po i konsideron shqiptarët si një element të huaj i cili duhet dëbuar së pari nga institucionet dhe jeta ekonomike e shoqërore e pastaj edhe nga territori i tyre. Për ta ndalur hovin maqedonas, shqiptarët duhet të veprojnë si një trup. Shqiptarët në IRJM nuk mund t’ia dalin të vetëm në ballafaqim me shtetin shovinist të IRJM-së. Shumë gjëra mund të bëhen, shumë hapa të vegjël mund të qiten, në aspektin e ndërlidhjes ekonomike, arsimore e kulturore.

INA: Subjekti politik shqiptarë që është në qeveri edhe pse pretendon se është pasardhëse e UÇK-së megjithatë nuk ka zgjedhur as statusin e veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Ali Ahmeti premtoi se do të ketë zgjidhje deri në fund të vitit 2009 dhe nuk ndodhi. Si i shihni apo i vlerësoni këto situata kur dikush pas konfliktit gëzon të gjitha benificionet dhe gëzon trajtim superior përballë atyre që kanë ngelur rrugëve, jetimë dhe pa asnjë alternativë jetese?

Albin Kurti: Duhet ta kuptoni një gjë: Ali Ahmeti nuk është më çlirimtar por është politikan, dhe idealet e qëllimet e UÇK-së janë të tjera prej BDI-së. Jo vetëm ai, por të gjithë politikanët shqiptarë në IRJM kanë përfunduar në një zinxhir të pafundëm kompromisesh. Urgjentisht duhet që partitë politike shqiptare në IRJM ta definojnë qëllimin kombëtar dhe platformën e përbashkët e cila nuk do të ishte e diskutueshme dhe e negociueshme. Pra, të definohej ajo që shqiptarët do ta kishin të përbashkët politikisht jashtë fushatave zgjedhore e jo vetëm të fokusohen në atë që i dallon ndërmjet veti në gara shterruese për vota.

INA: Do të donim të dimë më shumë rreth rrugëtimit tuaj dhe lëvizjes gjatë vitit të ri që po na vjen?

Albin Kurti: Kundërshtimi i zbatimit të decentralizimit etnik dhe privatizimit neoliberal me tubime publike, aksione protestuese e demonstrata masive.

Intervistoi: Muhamer Pajaziti, dhjetor, 2009

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Bosnjëzimin e Kosovës, privatizimin neoliberal, plaçkitjen, nigerizimin  e vendit dhe gjendjen e ...