Home / Opinion / Retorika dhe fushata parazgjedhore

Retorika dhe fushata parazgjedhore

Mediat dhe politika

Retorika dhe fushata parazgjedhore

Gëzim Mekuli
Retorika rëndësi të veçantë i kushton mënyrës së komunikimit. Kjo shkencë udhëzon që retorika gjithmonë duhet të përdorët në raste të ndonjë ndodhie të veçantë; në një kohë të caktuar; për një publik të zgjedhur, dhe padyshim, për një qëllim të caktuar. Retorika, fundamentalisht, është e orientuar nga mënyra pragmatike. Fjala retorikë, në gjuhën shqipe, kuptohet si “gjuhë e trandafileve” apo edhe si “gjuhë e zbrazët”.

Retorika përdoret në mes shokëve, në mes gruas e burrit, prindit dhe fëmiut, në biznes e në politikë.
Veçanërisht sot shohim se politikanët janë të kujdesshëm rreth formulimit të fjalëve dhe të fjalimeve të tyre politike. Le të shtrojmë një pyetje: Si janë duke i shfrytëzuar aftësitë e tyre intelektuale politikanët shqiptarë para popullit? Në ç’formë po shfaqen këta në publik dhe si po  fokusohen në media dhe nga mediat?

Edhe pse telvizioni dhe interneti ka zëvendësuar takimet dhe tubimet klasike (dhe më vonë edhe kuvendin) si arenë kryesore për sqarim, agjitacion e propagandë politike, talenti dhe aftësia për të bindur, për të komunikuar/biseduar me masat, është po aq i rëndësishëm, mu si në antikën e vjetër.

Profesori i shkencave politike, Christian Wyller thot se “politikanët para kamerave televizive shfrytëzojnë shumë elemente të retorikës klasike. Ai shton, se “arti i të folurit dhe talenti për t’u shprehur ishte gjithnjë në epiqendër të civilizimit romak dhe të atij grek; ishte një fenomen i opinionit publik» Retorika është instrument i fuqishëm për të arritur qëllimet politike. Posaqërisht gjuha e trupit dhe dërgimi i porosisë me gojë, gjatë takimeve/tubimeve me popullin, është i rëndësisë së veçantë. Edhe në antikë, ata që dëshironin të flitnin në tubime popullore, u ishte afruar shkollim cilësorë. Mu sikurse sot politikanëve shqiptarë.

Edhe pse retorika nuk është drejtim i veçantë në shkollat fillore të Prishtnës dhe të Tiranës, nuk është çudi se, përse politikanët janë të vetëdishëm rreth paraqitjes së tyre në opinionin publik dhe rreth përzgjedhjes me kujdes të fjalëve. Ja për shembull, sot gjatë fushatës parazgjedhore shofim, lexojmë e dëgjojmë se me ç‘saktësi kirurgjike dhe me çfarë kujdesi shfrytëzohet përshtatja e mënyrave ndikuese retorike: Gjuha e tyre, veshja e tyre, kombimini i ngjyrave të rrobave të tyre, përdorimi i ikonave, i simboleve dhe përdorimi i fëmijëve, të gjitha këto bashkë, janë mjete të fuqishme ndikuese e bindëse për publikun. Retorika për politikanët përdoret për të rrezatuar bindje, siguri përsonale, moral, padjallëzi e sinqeritet tek përkrahësit e tij.

Sipas teorisë retorike janë tre faktorë që politikanet i kanë në dispozicion për të bindur/ndikuar opinionin. E këto sipas kategorizimit të Aristoteilt janë: Ethos, Pathos dhe Logos. Retorikasit e vjetër mendonin se çdo fjalim i mirë do të duhej të “informojë”, të “argëtojë” dhe të “lëvizë” publikun (docere, delectare, movere). A nuk ka dramatizim e teatralizim të debateve publike nga politikanët?

Ka politikan që i kushton më shumë rëndësi anës etike (Etos), tjetri investon dhe luan me ndjenjat e popullit (Patos), e ndonjë tjetër politikan tenton që të argumentoj me arsye e me logjikë (Logos). Këto ditë shofim se shumica e politikanëve, gjatë apeleve politike, po shfrytëzojnë kombinimin e elementeve të etikës, ndjenjave dhe arsyes, përderisa të tjerët, gjatë mjeshtërisë së fjalimit, po paraqiten si zotërues të mirë të sajë.

Është e dobishme të nënvizohet se politikanët shqiptarë janë duke përdorur edhe “stolisjen/zbukurimin” e fjalimit, i cili është duke «e argëtuar» opinionit publik, e kjo bëhet me qëllim që “publiku të mos mërzitet”. Fjalimet e politikanëve janë edhe të “erëzuara” me formulime të ndryshme, pak a shumë të befasishme dhe jologjike ( besa kosovare, flamuri kosovar, historia kosovare etj).

Vihet re se fjalimet e politikanëve shqiptarë nuk po drejtohen në mendje dhe në kokat e popullit, përkundrazi, fjalimet e tyre po orientohen në ndjenja (feelings), në bark. Dallojmë se fjalët e tyre janë të shkurta. Dhe po përsëriten vazhdimisht. Shumica e politikanëve gjatë fjalimeve të tyre përbëjnë karakteristika të veçanta në vete: ja për shembull, z. Edi Rama kryeministri i Shqipërisë  është një shembull tipik, i cili në opinion paraqitet me shumë ethos dhe pathos, ndërsa z. Kurti, kandidat për kryeminsitër i Kosovës, më shumë paraqitet e njifet në opinion si argumentues racional dhe është përsonifikim i denjë i logos-it. Paçka, duke u nisur nga vetëdija e kolektive e shqptarëve të Kosovës, kjo paraqitje argumentuese, e me plot logjikë, e z. Kurti në opinion, mund t’i kushtoj atij dhe partisë së tijë me humbjen e votuesve…

Dukja

Për politikanët (dhe politikat e tyre), më e rëndësishmja, dhe mos të themi më jetike, është dukja sa më e mirë dhe sa më i “përkryer” në ekranin televiziv; pra aftësia për të aktruar, respektivisht “actio”. Paçka, rol të madh këtu luajnë edhe elemente e rrethana tjera: Theksimi i fjalëve apo fjalive të përzgjedhuara, mimika, shikimi (i këndshëm e plot buzëqeshje), gjestikulacioni (si për shembull bërja me gisht, përshëndetja me dorë – ashtu kot në ajër – karizma dhe “gjuha e trupit”. Kujdesi për të zotëruar zërin dhe fotografinë, është një kusht qëndrorë për të arritur suksese në fushatën parazgjedhore. Andaj edhe nuk është e çuditshme se aktorët e filmit janë profesionalistë mu në fushën e retorikës. Keni lodhur mendjen se përse kryetari i shtetit të California-s, quhej Arnold Schwarzeneger? Aktorët luajnë role kur paraqiten në skenë. Cdonjeri që shfaqët në opinion, luan një rol. Por sot kjo konsiderohet si retorike e keqe, nëse ky aktrim është i dukshëm.

Retorika gjatë fushatës parazgjedhore po bëhet edhe e dëmshme. Po bëhet e dëmshme sepse porosia politike po mbetet e paspjeguar për popullin, dhe kjo paqartësi pi vie mu për shkak të trukeve retorike të politikanëve, dhe tentimeve të tyre, për të ndërtuar statusin personal. Në qoftë se fjalët e mëdha dhe gjestika përsonale mbizoterojnë lidhshmëritë logjike, mundësia që politikani të dështoj është e madhe. Në anën tjetër, përdorimi i shprehjeve metaforike dhe paraqitja me emcione mund të zgjojë interesim në mijëra votues. (Kjo, përdorja e emocioneve, në publik varet nga vetëdija koletive e një shoqërie).

Shtrohet pyetja: nëse politikanët dhe mediat janë një mjet i rëndësishëm për moralin e shoqërisë, apo vetëm instrumente që janë “duke i zenë” frymën debateve konstruktive e të dobishme?

Vlera e debatit që po zhvillohet në hapsirat shqiptare, është e ndikuar nga fjalë të mëdha dhe nga një abstraksion i nivelit të lartë. Social choice (teoria mbi demokracinë) i konsideron proceset dhe debatet e tilla politike si mjet për të arritur qëllime të caktuara.

Vlera e debatit s’do duhej të ishte “një kafiteri e tymosur”, por një katalizator për një mendim dhe veprim të ri politik. Nëse jo politikanët atëherë mediat duhet të rivendosin një vitalizim të vlerave të debatit në të gjitha shtresat e shoqërisë. Në të kundërtën, po që se shqiptarët nuk janë në gjendje që të njoftohen më me shumë me problemet kolektive, se sa me formulimet e zbukuruara, atëherë retorika do të shndërrohet në propagandë Göbelsiane.

( mar nga Mekulipress.info)

About admin

x

Check Also

Rrëfimi rrëqethës i kosovares: Fqinjtë serbë na përdhunuan edhe para

Dhjetor 25, 2019 Një grua e dhunuar seksualisht nga forcat serbe, gjatë ...