Home / Opinion / Ata kundër nesh – Retorika dhe “fotografia e armikut”

Ata kundër nesh – Retorika dhe “fotografia e armikut”

Nga Gëzim MEKUL

Fjalë të rënda, ofendime, shpifje e gjuhë vulgare po zhvillohet në debatet politike. Mediat e shqiptarëve, në veçanti televizionet e shqiptarëve, më shumë po ofrojnë zhurmë, se sa ide të reja për dalje nga kriza politike. Si pasojë e grindjeve publike, që po mbizotëron në hapsirën publike, debati tashmë ka filluar të përjashtohet, të injorohet e të kritikohet hapur nga qytetarët. Fjala, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të rrezikshme. Këto armë, politikanët shqiptarë, po i keqpërdorin.

Si bëhet ky keqpërdorim?

Është kjo pyetje që do përgjigje. Njëra nga përgjigjet është përdorimi i retorikës dhe sajimi i “fotografisë së armikut” nga retorika. Retorika agresive – e përkrahur nga mediat shqipe – po kontribuon në sajimin e urrejtjes dhe në perceptimin se çdo gjë që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga intelektualët kritikë e të pavarur, është e keqe dhe e zezë për Kosovën. Dhe, është kjo aferë që riaktualizon analizën e “fotografisë se armikut” si fenomen retorik. Retorika nuk është ajo që vetëm krijon “fotografi të armikut”. Ajo mund edhe t’i pengojë ose t’i shkatërrojë ato. Megjithatë, retorika e mirë krijon edhe paqe, mirëqenie dhe mirëkuptim. Në fushën e propagandës është çështje e njohur se kundërshtari duhet të paraqitët si i keq, jo-njeri dhe jo-demokratik. Kundërshtari politik paraqitet edhe si armik. Sa më pak armiku na përngjan neve, aq më i urryer dhe më tiran është ai.

Propaganda naziste

Propaganda e nazistëve përdorte strategjitë e mirënjohura për të sajuar “fotografi të armikut”: Edhe retorika e medieve të pushteteve të Kosovës ka për qëllim që ta ndërtojë opinionin polarizues: “Ne – kundër – atyre”. Lëvizja Vetëvendosje, të pandikuarit nga politika e pushteteve, duhet t’i shpallë si «armiq», dhe t’i akuzojë këto si shkaktarë të të gjitha problemeve në Kosovë – ashtu sikurse në ish-Jugosllavi, në vitet e ‘90-të, kur shqiptarët, kroatët, boshnjakët dhe sllovenët konsideroheshin si kombe të dëmshme, e të cilët duheshin asgjësuar. Rezultat i kësaj retorike ishte vrasja e masive e popujve joserbë.

Propaganda bashkëkohore

Pas 11 shtatorit, fotografia e armikut ka të bëjë më shumë me kontrollin e hapësirës publike. Tani, “fotografia e armikut” ndërtohet për të fituar “kucjen” në hapësirën publike, pra për të bindur popullin. Njëri ndër hulumtuesit më të njohur në retorikën e luftës, Robert Ivie ka përshkruar se si SHBA gjithmonë i ka paraqitur armiqtë e tij si sulmues të egër, të udhëhequr nga epshet irracionale, dhuna dhe fuqia shkatërruese. Kjo fotografi politike përforcohet përmes fotografive përdalluese nga “Ne”, SHBA-të, që janë paqedashëse, racionale dhe civilizuese. Këtu vijnë figurat stilistike siç është krahasimi. Për shembull: pushteti i armëve kundrejt paqes, iracionaliteti kundrejt racionalitetit, agresiviteti kundrejt mbrojtjes, barbarët e egër kundrejt Nesh, botës së civilizuar. Të gjitha këto së bashku sajojnë fotografinë retorike të armikut, e që çon njerëzit në trazira e në luftë. A e meritojnë një retorikë të tillë të luftës shqiptarët e Kosovës?

Retorika e dreqit

Ata që sajojnë “fotografinë e armikut”, paraqesin vetën e tyre si viktimë, demokratë e të butë, ndërsa kundërshtarin e paraqesin si kriminel, si komunist e të egër. Pra, para se të sulmosh armikun, duhet ta paraqitësh atë si vetë dreqin. “Retorika e dreqit” mbyll hapësirën për nuancime dhe baraspeshë. Këtu nuk mund të vlerësosh përparësitë dhe dobësitë e “njeriut armik.” Ai/Ajo që është kritike ndaj “fotografisë së dreqit”, nuk ka vend e as mundësi të manovrojë në mënyrë retorike. “Motivi i dreqit” i pengon zërat kritikë. Hapësira në media të ngushtohet. Ke mundësi të shkruash e të flasësh tek ndonjë gazetë apo radio e vockël e periferike dhe, ndoshta, edhe tek gruaja e jote mund të thuash diçka, por jo më shumë!

Nëse nuk ke pasur sukses që të sajosh një «Ne» dhe «Ata» të qartë, atëherë nuk ke mundësi të sajosh “fotografi të armikut” apo të kontrollosh e të eskalosh situatën. Pa «Ne» kundër «Atyre», nuk do të kishim kampe naziste të përqendrimit, nuk do të kishim lutën e ftoftë, nuk do të kishim Aparteid, nuk do të kishte mure në rripin e gazës, e mure në Mitrovicën e vogël. Nëse nuk ke bindur popullin që të besojë në dallimet mes njerëzve nuk do të kishe Izraelin dhe Palestinën, serbët dhe shqiptarët, islamistët dhe të krishterët. Nuk do të gjeje as edhe një njeri të pilotoje aeroplanin drejt e në Ëorld Trade Center, e as një terrorist në koncerte të fëmijëve.

Pikërisht, në fushën retorike e të propagandës, qëndron edhe dështimi i projektit qesharak “kombi kosovar”. Sepse “këta” nuk shfrytëzuan retorikas të mëdhenj që të krijojnë fotografinë e «Atyre», Shqipërisë “armike” e “të keqe”, kundër «Nesh», kosovarëve «të sinqertë» e trima, e gjithmonë të përdorur nga Shqipëria e keqe. Apo edhe e kundërta.

Studimet retorike dhe psikosociale kanë treguar se sa e fortë është fuqia e ndarë në grupe dhe sa e lehtë është që të ndërsesh popullin kundër njeri-tjetrit. Dhe, këtë fenomen të luftës në përpikëri është duke e kryer retorika e keqe e mediave të qeverive të pasluftës.

Sajimet si «Ata» kundër «Nesh» kanë ndikime e fuqi narkotike tek njeriu. Kjo fuqi e kjo dozë narkotike na bën që të pranojmë “fotografinë e armikut” dhe të sulmojmë njerëzit e tjerë. Ne e kuptojmë botën me kundërthënie si për shembull: i lartë në raport me të ulët, i zi në raport me të bardhë, i pasuri në raport me të varfrin, suksesin në raport me humbjen, i civilizuar në raport me të pacivilizuarin, demokrat në raport me autokratin, komunizmin në raport me kapitalizmin, katundarin në raport me qytetarin… etj., etj. Pra, nuk ekzistoj unë, nëse nuk je ti.

Debati i keq politik dhe mediat shqipe çdoherë ftojnë që të jemi pjesë e një grupi të caktuar. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se në çfarë forme ne ftohemi që të marrim pjesë. Çfarë grupi, çfarë njerëzish dhe çfarë veprimesh sajojnë miqtë dhe këshilltarët e këtyre mediave dhe të këtyre politikanëve me retorikën e tyre?

Nëse Thaçi & Co flet për “të tjerët”, nëse ish-qeveria rrëfen se si janë «Ata» dhe se çfarë bëjnë «Ata», nëse RTK na shpjegon se përse «Ata» janë plotësisht të ndryshëm nga «Ne», apo nëse thonë se «Ata» po «kërcënojnë vizat, rendin dhe shoqërinë demokratike», atëherë duhet të jemi më të kujdesshëm e më syçelë.

“Fotografinë e armikut” mediat e pushtetit janë duke e intensifikuar shumë gjatë këtyre ditëve. Shkaku dihet: 11 qershori, dita e votimeve po vjen!

About admin

x

Check Also

INTERVISTË ME ADEM DEMAÇI, NJERIU I PARË POLITIK I UÇK-së KA QENË E DOMOSDOSHME TË KOMBINOHET FORCA DHE POLITIKA

Sejdi Gega *E shtuar nga unë (Sejdi Gega): Me 12 gusht 1998, ...