Home / Histori / DEKLARATE DHËNË PËRFAQËSUESVE TE SHTYPIT NE PARIS

DEKLARATE DHËNË PËRFAQËSUESVE TE SHTYPIT NE PARIS

16 shtator 1946 Paris
Populli im, i cili u hodh i pari në luftën kundër
fashizmit dhe luftoi gjer në fund, kishte besim të madh, kur më dërgoi mua në Konferencën e Paqes, për një drejtësi më të mirë. Populli shqiptar me ndërmjetësinë time, nuk ka kërkuar veçse atë drejtësi, për të cilën kanë rënë bijtë e bijat e tij heroikë, ai nuk ka kërkuar veçse frytin e sakrificave të tija të mëdha. Kjo drejtësi na u
mohua. Pas kaq sakrificash të bëra nga populli ynë, pas kaq provash të shkëlqyeshme heroizmi dhe vetëmohimi, pas kaq gjaku të derdhur nga i gjithë njerëzimi, ka
njerëz që i mohojnë paturpësisht përpjekjet tona vigane, që e quajnë luftën tonë «një që duan të na vënë në radhën e agresorit fashist italian dhe që kërkojnë nga vendi ynë toka që nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë të tyre. Por populli im nuk çuditet që ka edhe sot njerëz të tillë, vetëm i vjen keq kur sheh që përfaqësuesit e disa vendeve aleate, të cilët e dinë fare mirë luftën tonë heroike, dinë sakrificat tona të mëdha, dhe që vetë ata i kanë mburrur, përkrahin haptas ose nën maskë qeveritarët e Athinës, turbullues të paqes në Ballkan dhe në botë. Historia do të jetë gjykatëse e kësaj padrejtësie të madhe që i bëhet Shqipërisë, por kjo e fundit do të qëndrojë me krye lart, pasi ajo, në kohën e rrezikut e ka përmbushur gjer në fund detyrën e saj kundrejt njerëzimit.
Popujt e qytetëruar dhe demokratë e kuptojnë patjetër këtë padrejtësi që i bëhet vendit tim të vogël, i
cili meriton nderime dhe të drejta të plota.
Kur populli shqiptar luftonte trimërisht kundër fashizmit, të tjerët i hidhnin lule, por kur erdhi koha që ai të kërkonte vendin e tij kaq shumë të merituar në OKB ose në Konferencën e Paqes, i hodhën gurë.
Populli im nuk do të mund ta kuptojë kurrë këtë logjikë, pasi ajo nuk është e ndershme. Por në gjithë këtë çështje një gjë është e qartë: të drejtat e popujve të vegjël shpeshherë merren nëpër këmbë. Për këtë gjë populli im është i bindur plotësisht, ashtu siç është i bindur dhe është mirënjohës, nga ana tjetër, kundrejt miqësisë së
madhe dhe të sinqertë që tregohej ndaj tij në çdo çast kur çështja jonë shtrohej nga shumë delegacione të vendeve aleatë dhe miq qoftë në Konferencën e Parisit ose në OKB.
Por populli shqiptar, i cili nuk dekurajohet kurrë, edhe në çastet më kritike të ekzistencës së tij, do ta vazhdojë rrugën e përparimit dhe do t’i shkrijë të gjitha forcat e tija modeste për përforcimin e paqes. Populli im, që punon në paqe dhe në rregull për rindërtimin e
vatrave të tija, nuk trembet nga fashistët grekë që kurdisin komplote kundër tij.
Ne jemi një popull paqedashës, por ne nuk jemi nga ata që lejojmë të na marrin nëpër këmbë. Ne dimë t’i mbrojmë të drejtat tona, lirinë, pavarësinë, sovranitetin, integritetin tonë tokësor.
Shekuj me radhë populli shqiptar ka luftuar për t’i fituar këto të drejta të shenjta dhe ai është gati edhe sot ta fillojë përsëri luftën e tij, në qoftë se aventurierët fashistë
do të guxojnë t’ja prekin.
Fashistët grekë, që prej çlirimit të vendit tim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse të provokojnë në kufirin tonë të Jugut; pothuajse çdo ditë kryhen sulme të armatosura të grekëve kundër rojeve tona të kufirit, kundër popullit tonë punëtor dhe paqedashës, kundër limaneve dhe bregdetit tonë. Fashistët grekë nuk mund të durojnë që në kufirin e tyre të Veriut të ekzistojë një demokraci
e fortë dhe e shëndoshë, siç është kjo jona. Ata bëjnë çmos për të turbulluar paqen në Ballkan, ata shkojnëderi atje sa të kërkojnë edhe Shqipërinë e Jugut pse, thonë ata, ajo «është një tokë greke». Konferenca e Parisit,
me 11 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, votoi në favor të kërkesës greke, e cila synon diskutimin e kufirit të Shqipërisë së Jugut.
Unë deklaroj solemnisht se: as Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufitë e
vendit tonë brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj.
Kufitë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mundin të marrin një pëllëmbë tokë të vendit tonë, grekët duhet të vënë në lëvizje të tjera mekanizma përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufitë e tij dhe toka e tij.
Nga ana tjetër protestoj kundër vendimit të marrë në seancën plenare të Konferencës së Parisit. Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund. Ne e kemi bërë detyrën tonë ashtu si e kanë bërë edhe të mëdhenjtë. Dëshmorët tanë dhe sakrificat tona janë për ne po aq të shenjta sa janë dhe dëshmorët e sakrificat e të mëdhenjve; të drejtat tona janë po aq të shenjta, sa janë edhe ato të atyre.
Mirëpo Konferenca e Parisit siç duket, nuk i mori parasysh këto gjëra.
Duke u larguar nga Parisi dua të falenderoj, në emër të popullit tonë, të gjithë përfaqësuesit e atyre vendeve që e mbrojtën kauzën e drejtë dhe të merituar të popullit
të vogël shqiptar. Ne urojmë me gjithë zemër, nga ana tjetër, që t’i jepet fund kësaj fushate të padrejtë dhe të shpifur fund e krye kundër vendit tonë, që ka luftuar
me kaq trimëri kundër fashizmit dhe që do t’i shkrijë të gjitha forcat e tija për të përforcuar paqen e drejtë dhe të gjatë.
Botuar për herë të parë në
gazetën «Bashkimi »., Nr. 537,
19 shtator, 1946

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...