Home / Opinion / Njerëz si Rrahman Bahtiri përjetësohen në kujtesën e popullit

Njerëz si Rrahman Bahtiri përjetësohen në kujtesën e popullit

Dashuria për atëmemëdheun është topi që rrënon  kalatë më të forta edhe ato, për të cilat mendohet, se mund t’u qëndrojnë topave më të fortë.

Sami Frashëri

 

(Përkujtim, me  rastin e 7-vjetorit të vdekjes)

 

 

Shkruan: Sejdi Veseli

Lexoj me dhembje të thellë në shpirt, përkujtimet për ata që dhanë krejt çka patën për ta sjellë lirinë e shumëpritur, që më në fund, edhe ne shqiptarët të vetëvendosim lirshëm për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Këta pishtarë të lirisë, po na ikin në pavdekësi, duke na obliguar neve të vdekshmëve, që Amanetin e tyre ta bëjmë realitet!

Sot, me 30 prill 2017, bëhen shtatë vjet, qëkur Rrahman Hajrush Bahtiri-Shpendi u nda fizikisht nga gjiri i familjes dhe i miqve të shumtë, të cilët i kishte në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

Është provuar sa e sa herë, se për ta përkujtuar shokun e idealit nuk është punë e lehtë, sepse, para se gjithash, kjo është një përgjegjësi e madhe. Andaj, këtë shkrim përkujtimi e thura duke u udhëhequr nga parimi: siç e njoha – ashtu edhe e përshkrova.

Teksa kujtojmë këtë ditë të dhembjes, nuk ka se si të mos e sjellim në fokusin e mendjes prindin, bashkëshortin dhe vëllanë e kujdesshëm, punëtorin e zellshëm, shokun tonë të idealit dhe sidomos veprat e tij në shërbim të çlirimit dhe të ribashkimit të Atëmëmëdheut, të cilat nuk mundemi dhe as që do t’i harrojmë kurrë.

Vepra e Rrahmanit, nuk mund të përshkruhet ndryshe: Ajo ishte punë e vazhdueshme dhe vetëmohuese për përmbushjen e aspiratës tonë njerëzore dhe kombëtare për çlirimin e trojeve të banuara me shqiptarë dhe ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm!

Rrahmani ishte i bindur, se çlirimi dhe ribashkimi i Shqipërisë mund të bëhet realitet, vetëm me luftë të armatosur çlirimtare, me sakrifica të domosdoshme dhe shumë të dhembshme.

Rrahmani fliste pak, por, thoshte shumë. Me shikimin karakteristik të tij, fjalën që e thoshte e bënte shumë më të zjarrtë, shumë më të qartë, shumë më të kapshme dhe bindëse për bashkëbiseduesit.

Vepra e Rrahmanit ishte shembull i përkushtimit të një atëmemëdhetari të devotshëm, i cili me vetë dëshirë hoqi dorë nga të gjitha gëzimet e moshës, për t’iu rrekur një pune shumë të vështirë dhe me plotë rreziqe, siç ishte faza përgatitore e luftës çlirimtare dhe më vonë kontributi i tij aktiv gjatë zhvillimit të saj.

Rrahmani u lind me 06 mars 1954, në vatrën e familjes së Bacë Hajrush Bahtirit, në fshatin Gubavc (Brainë) të Gallabit heroik. Por, duhet theksuar, edhe pse pa fajin e saj, në aspektin ekonomik, kjo vatër ishte skamnore

ashtu siç ishin shumica e familjeve bashkëvendëse të saj, ajo kishte epitetin e një oxhaku të besës, atdhetarizmit, trimërisë dhe krenarisë, të trashëguar brez pas brezi. Dera e familjes mikpritëse Bahtiri, mirëpriste e përcillte, kryesisht, njerëz të besës e të nderit.

Skamja bëri që Rrahmani ta provojë qysh në fëmijëri mjerimin e kohës. Kjo e poqi! Kjo u bë shkollë për te!

Ndikimi i rrethit familjar dhe shoqëror, tek Rrahmani, brumosi dashurinë për popullin e shumëvuajtur, urrejtjen arsyeshme ndaj pushtuesit dhe kuislingëve të tij. Kjo bëri që të radhitet përkrah shokëve të përcaktuar për çlirimin e trojeve dhe ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar – Shqipërinë.

Rrahmani, qysh në moshën e mitur përjetoi shijen e hidhur të shpërnguljes nga vendlindja. I ati Bacë Hajrushi, në kërkim të kushteve elementare për ekzistencë dhe për shkollimin e fëmijëve të tij, detyrohet ta shpërngulë familjen në Prishtinë.

Në Prishtinë, Rrahmani e kreu shkollën tetëvjeçare brenda afatit. Por, skamja e detyroi, qysh në këtë moshë të mendojë si një i rritur dhe për rrjedhojë, përkundër dëshirës, vendos të heq dorë nga planet e tij për t’u regjistruar në shkollën ekonomike. Thjesht, ëndrrën e tij që  një ditë të bëhej ekspert i ekonomisë ta radhisë përkohësisht si çështje të dorës së dytë. Në një bisedë me Bacën Hajrush, e njofton se mëton të regjistrohet në shkollën, siç quhej atëherë “të nxënësve në ekonomi”, e cila kryhej për tre vite, dhe, e kishte të garantuar punësimin. I bindur, se atëherë do të jetë në gjendje të ndihmojë materialisht për shkollimin e dy vëllezërve dhe motrave të tij.

Duke e njohur karakterin e Rrahmanit, Baca Hajrush, nuk e kundërshton shumë. Pajtohet me planet e tij, por, me lot në sy!

Këtë ngjarje ma ka rrëfyer vetë Rrahmani, pak ditë para se të më arrestonin për herën e dytë. Është për t’u theksuar, se gjatë tërë këtij rrëfimi, Rahmanit i rridhnin lotët!

Kështu dhe ndodhi!

Pasi e përfundoj këtë shkollë, punësohet si mjeshtër latimi në ndërtimet e larta në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë. Megjithatë, Rrahmani nuk ndalet me kaq. Pa humbur kohë fillon përgatitjet për ta vazhduar shkollimin e lartë. Në afatin e paraparë, pa shkëputje nga puna, kryen shkollën e mesme ekonomike. Por, kur ishte në vlugun e përgatitjeve për t’u regjistruar në fakultetin ekonomik, plasin demonstratat e Pranverës ’81, në të cilat merr pjesë aktive, i organizuar në kuadër të Frontit Nacional Çlirimtar.

Pas këtyre demonstratave, si për Rrahmanin, ashtu edhe për shumë shokë të tjerë filloi një epokë e re, e cila karakterizohej: me përpjekjet dhe përkushtimin për masivizimin e subjekteve të organizuara patriotike; me veprimtari të intensitetit më të lartë; me sfida të përditshme dhe me rreziqe gjithnjë e më serioze.

Më 27 janar 1984, nga “SDB” e pushtuesve serbo-sllavë, pason arrestimi edhe i Rrahmanit, ashtu sikur edhe i shumë shqiptarëve të tjerë, dhe, më vonë, edhe dënimi prej 13 vitesh me burg të rëndë.

Duhet theksuar se qysh nga momenti i arrestimit e deri në përfundimin e dënimit, Rrahmani mbajti qëndrim burrëror, edhe atëherë kur mësoi lajmin e rëndë për rënien e vëllait më të vogël në moshë, nxënësit të tij, Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku.

Edhe gjatë kohës të cilën e kaloi gjatë internimit prapa grilave të kazamatit serbo-çetnik, të quajtur “Zabella” në Pozharefc – në Serbi, Rrahmani, për as edhe një çast nuk do ta ndërpresë aktivitetin e tij prej luftëtarit të lirisë. Në atë kazamat, Ai, takon shumë të internuar politikë shqiptarë dhe në bashkëpunim me ta, pasuron njohuritë e tij, sidomos, ato teorike, në lëmin e organizimit të veprimtarisë çlirimtare.

Pas daljes nga burgu, nën përkujdesjen e doktorëve Avdush Bajgora dhe Ramë Miftari, detyrohet t’i nënshtrohet një kure shëruese në lokalet e shtëpisë së tij përdhese, për veshkat e tij të dëmtuara rëndë gjatë procesit hetimor.

Rrahmani, po ashtu, sikur edhe shumë shokë të tij, e kishte të pamundur që ta shfrytëzojë ndihmën mjekësore në spitale, pasi që ato ishin vënë nën masa të dhunshme nga thundrakët fashistë – pushtuesit serbo-çetnikë.

Ende pa u shëruar plotësisht, Rrahmani, fillon punën për organizimin e njësiteve në terren dhe përgatitjen ushtarake të tyre në frymën e Artit të luftës guerile-partizane. Kjo bëri që pushtuesit dhe sahanlëpirësit e tyre ta vënë nën thjerrëzën famëkeqe, me synim të qartë –arrestimin e sërishëm të tij apo për ta eliminuar fizikisht.

Përballë kësaj gjendjeje, shokët e këshillojnë të shpërngulet përkohësisht jashtë vendit. Ashtu dhe u bë. Por, edhe jashtë vendit, Rrahmani, nuk qëndroi duarkryq. Ai gjeti lidhjet dhe u angazhua në radhët e veprimtarëve të çështjes, të cilët vepronin në mënyrë të organizuar, nëpër të gjitha vendet e Evropës Perëndimore.

Kur u dha kushtrimi i Famëmadhes UÇK, Rrahmani,  pa vonesë, rreshtohet në radhët e saj, fillimisht në Qendrën Stërvitore në Papaj, Shqipëri Londineze.

Pas përfundimit të luftës, u punësua në Institutin Kombëtar të Shëndeti Publik, fillimisht si arkivist, më vonë si udhëheqës i depos, deri në momentin kur, pas një sëmundje të rëndë, kaloi në pavdekësi. Duhet theksuar, se punëtorët e IKSHPK e kujtojnë me respekt, për karakterin dhe vetëdijen e lartë të tij njerëzore dhe kombëtare.

Vetë fakti se ndërron jetë në një spital vendor, në mungesë të shumicës nga barërat esenciale, ashtu siç vdesin të gjithë ata që interesat e popullit dhe të Atëmëmëdheut i kanë vënë para atyre vetjake, dhe, për pasojë, nuk kanë mjete për të kërkuar shërim nëpër qendrat me shëndetësi më të avancuar, është dëshmia më e qëndrueshme, se, Rrahmani, nuk u mashtrua nga lakmia për pasuri, si disa sojsëz të mjerë, të cilët, të verbuar pas lakmisë, po hahen e grihen ndërmjet veti, sikur hienat kur bien në mish, pa u mërzitur fare, se me këto veprime të turpshme po i minojnë themelet e lirisë dhe po e ngadalësojnë ribashkimin e trojeve tona, për çka u vuajt aq shumë dhe për çka u derdhen lumenj lotësh dhe gjaku. Vepra vetëmohuese e Rrahmanit dhe virtytet e tij të larta  njerëzore e kombëtare, mbetën shembull konkret për edukimin patriotik të gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë.

Vdekja e shokut tonë Rrahman Bahtiri, vërtetë ishte vetëm fizike, sepse, përveç shoqes së jetës, Zyhrijes, Ai la pas veti katër trashëgimtarë të devotshëm, Xhaferin, Shpendin, Besnikun dhe Dafinën. Ata, pa e luajtur drejtimin e rrugës së babait, e kujtojnë Atë me mall, dashuri dhe respekt. Rahmani, për ta, ishte dhe mbetet mburrja dhe krenaria e tyre, sepse, personi i tij lidhej me fjalët më të shtrenjtat, siç janë: ndershmëria, besnikëria, atëmëmëdheu, një komb- një shtet, liria nuk dhurohet-ajo fitohet! Këshillat që ata dëgjonin gjithmonë prej Tij, me kalimin e kohës, kuptimi i domethënies së vërtetë në mendjet e tyre është përforcuar përditë e më tepër. Ata, tanimë, e kanë kuptuar drejt e mirë se ç’është Atëmëmëdheu, pse duhet ta duan. Kjo ka bërë që ata, tani janë të vendosur që të japin çka lypet prej tyre për ribërjen e Shqipërisë. Përveç kësaj, Ata, tanimë, e kanë të qartë pse duhet t’i urrejnë, demaskojnë dhe luftojnë  pa mëshirën më të vogël, të gjithë armiqtë dhe tradhtarët e popullit.

Ishin këto, fjalët që më diktoi mendja ime e përmalluar, të cilave u përpoqa t’u gjej vend në këtë shkrim përkujtues, në këtë përvjetor të vdekjes fizike të shokut të idealit dhe bashkëveprimtarit, me të cilin u përpoqëm me përkushtim për dekada, bashkë me shumë shokë të tjerë, aq sa ditëm dhe sa patëm mundësi, për të dhënë hisen tonë të kontributit për çlirimin dhe ribashkimin përfundimtar të Shqipërisë!

Lavdi jetës dhe veprës së Rrahman Hajrush Bahtirit-Shpendit!

Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që prehen në altarin e lirisë!

Lavdi e përjetshme Ushtrive Çlirimtare të trojeve tona!

 

Prishtinë, më 30 prill 201

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...