Home / Opinion / Kodoshët e historisë

Kodoshët e historisë

March 17, 2017 

Kodoshët e historisë

Nga Arkiva

Prej disa ditësh është ndezur një debat i paparashikuar për ndalimin e filmave të realizuar në kohën e diktaturës. Në fakt, kjo trashëgimi është e vetmja që kemi në fushën e kinematografisë dhe që ka plazmuar historinë tonë kombëtare dhe ngjarjet kulmore të saj. Ishte kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit Agron Tufa i cili kërkoi i pari dhe publikisht të ndalohet transmetimi i filmave të komunizmit në ekranet shqiptare.

Pas Tufës, edhe Erald Kapri, anëtar i Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Medieve Audiovizive kërkoi të njëjtën gjë. Kapri saktësoi se si zyrtar i AMA-s do të ndërmarrë hapat e duhur institucionalë për ndalimin e plotë të filmave të prodhuar në kohën e komunizmit.

Por menjëherë kanë reaguar ndaj këtij propozimi artistë të njohur, politikanë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë. Në shumicë dërrmuese ky quhet një propozim absurd dhe i parealizueshëm. Propozimi bëhet në emër të luftës kundër krimeve të komunizmit. Veçse argumentet që sillen janë të pamjaftueshëm. Vërtetë kinematografia shqiptare u themelua dhe lulëzoi si asnjëherë në vitet e diktaturës, por është një fakt i gjithëpranuar se në atë periudhë janë krijuar vlera të padiskutueshme dhe nga artistët më të mëdhenj të historisë shqiptare.

Problemi duket se është më shumë politik se sa artistik në debatin e hapur. Pse e themi këtë? Të njëjtët persona që propozojnë ndalimin e filmave të kohës së diktaturës që njëjtësohet me Enver Hoxhën, nuk kanë protestuar asnjëherë dhe nuk kanë ngritur zërin e tyre për ndalimin e librave të Hitlerit dhe të gjakatarëve më të mëdhenj të njerëzimit që përkthehen, botohen dhe qarkullojnë lirshëm prej shumë vitesh. A nuk është ky një paradoks dhe që e bën të padobishëm një debat të tillë, ndërkohë që ngrihen përmendore kriminelësh dhe dekorohen kolaboracionistë të fashizmit, kuislingë dhe kriminelësh gjithfarësh?

Sidoqoftë, në DITA ne organizuam këtë forum ku flasin Artistët e Popullit Pirro Milkani e Luftar Paja dhe publicisti Ymer Minxhozi./Përgatiti Xhevdet Shehu

***

Anonimët që duan të na bëjnë anonimë

Luftar Paja, Artist i Popullit

Pas vitit 1990 ky sulm ndaj kinematografisë është më i turpshmi që kam parë dhe dëgjuar. Pse e them këtë? Nuk sulmohen vetëm artistët që bënë atë art të madh e të papërsëritshëm, por sulmohen dhe fyhen në mënyrë të paimagjinueshme të gjithë qytetarët e këtij vendi që janë edukuar me ata filma dhe vazhdojnë t’i pëlqejnë ata. Këta që sulmojnë kinematografinë janë njëkohësisht rrënues të historisë. Historia kë etapat e veta që nuk mund të zhbëhen. Këta thonë të bllokohen filmat. Po me veprat e Ismail Kadaresë e të Dritëro Agollit çfarë do të bëhet? Prite kur të dalin ndonjë ditë këta myteberë që të ndalohen të gjithë autorët e kohës së realizmit socialist, pavarësisht se pa ata nuk mund të imagjinohet historia e kulturës sonë kombëtare. Më ka pëlqyer qëndrimi i Pëllumb Kullës në lidhje me krijimtarinë e tij të kohës së diktaturës. Nuk u heq asnjë presje atyre që kam krijuar, tha Pëllumbi, pavarësisht se shumica e krijimtarisë së tij është e mbushur me ballistë e komunistë. Po kështu ka deklaruar edhe i madhi Dritëro Agolli kur ishte gjallë dhe nuk i ndryshoi veprat e tij. Kështu është sjellë me krijimtarinë e tij gjigante Ismail Kadareja e të gjithë autorët seriozë të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Por le të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë këta që e ngrenë këtë çështje? Janë ca anonimë që nuk i njeh kurrkush. Ata kërkojnë të na bëjnë anonimë. Unë Luftar Paja u them: Bëni ca filma më të mirë nga ata që kemi bërë ne dikur dhe unë do bashkohem me ju t’i ndalojmë filmat që doni ju!

 

Pse nuk më tremb ky debat?

Pirro Milkani, Artist i Popullit

Mua nuk më tremb debati që është hapur nëse duhen ndaluar apo jo filmat që janë realizuar në kohën e diktaturës. Ata janë pjesë e historisë dhe nuk besoj se do të arrihet ndonjëherë të ndalohen. Gjurma që ata kanë lënë është e pashlyeshme dhe jetojmë në një kohë të konkurrencës së vlerave. Unë mendoj se vlerat që janë krijuar në atë kohë janë të paarritshme deri më tani.

Ajo që dua të theksoj është se filmat që dikur i nënshtroheshin censurës së ideologjisë komuniste, pesë dekada më vonë përballë një tjetër “censure” tanimë një ideologji që kundërshton atë të shekullit të shkuar. Absolutisht, do të isha dakord me z.Tufa sikur vërtetë këta filma të çonin ujë në mullirin e nostalgjisë së komunizmit. Nuk e kuptoj, ajo epokë, për mua, në totalin e vet (natyrisht nostalgjikë do të ketë), ka marrë fund – ata shihen për diçka tjetër: si kanë jetuar, çfarë raportesh ka pasur, si ndërtoheshin dialogët, etj. Pra, në tërësinë e vet, me përgjegjësi e quaj filmin shqiptar të çfarëdolloj kategorie në mënyrë absolute, pasuri kombëtare. Filmi është një pasuri kolektive e të heqësh të drejtën një filmi, u heq të drejtën shumë krijuesve. Ne në ato filma kemi 300 muzikë simfonike filmi, me motivet më të mira shqiptare nga Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi. Filmi është padyshim një kulturë e pazëvendësueshme. Është kulturë, por nuk është e dëmshme. Nuk është Z.Tufa vetëm, është Fatos Lubonja, është Mark Marku që flasin, ose Alfred Lela. Ne i kemi lënë në heshtje, nuk i kemi kundërshtuar, është e drejta e tyre ta mendojnë këtë gjë, por ata e kanë shumë të thjeshtë, vetë ata ose familjarët e tyre mund ta mbyllin kanalin.

 

Nekrofilët e historisë

Ymer Minxhozi, publicist

Natyrisht që unë nervozohem sa herë hidhet baltë dhe errësohen arritjet e një kohe. Këta që sulmojnë kinematografinë e një periudhe gjysmë shekullore që rilindi Shqipërinë nuk janë të rastëishëm. Këta janë nekrofilë, të dashuruar me vdekjen, me zhbërjen dhe shuarjen e historisë sonë kombëtare. Sepse filmat që u bënë në atë kohë që ata e sulmojnë barbarisht, janë pjesë e historisë kombëtare që nga lashtësia deri në ditët tona. Ata duan që të fshijnë nga kujtesa jonë kombëtare epokën e Skënderbeut, shpalljen e pavarësisë kombëtare, identitetin tonë si komb. Mbi të gjitha është i lexueshëm dhe i kuptueshëm qëllimi i tyre për të fshirë luftën antifashiste nacionalçlirimtare, e vetmja luftë që ne shqiptarët kemi fituar dhe që na ka dhënë dinjitet e do të na krenojë në shekuj. Gjithsesi, unë, nuk çuditem nga kjo fushatë e fundit. Ajo është në vazhdën e asaj politike të ndyrë për të rehabilituar tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit. Është në vazhdim të dekoratave që shpërndan në vijimësi Nishani për kuislingë dhe diversantë. Po edhe të përmendoreve që janë ngritur për tradhtarë e kriminelë. Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur, sepse jetojmë në një kohë të çuditshme dhe shpeshherë absurde. Por ky absurditet duhet të marrë fund, nëse vërtetë e kemi seriozisht rrugën e përparimit. I kemi të gjitha vlerat për të qenë një vend dhe komb normal, ndaj dhe nuk duhen lejuar absurditete të tilla. Pavarëisht se unë personalisht nuk jam kundër debateve të tilla, sepse këto debate nuk na turbullojnë aspak, përkundrazi, na bëjnë të shikojmë më kthjellët.

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...