Home / Intervista / Moikom Zeqo: Pse nuk do të ketë qeveri teknike!

Moikom Zeqo: Pse nuk do të ketë qeveri teknike!

February 23, 2017 12:54

INTERVISTA / Moikom Zeqo: Pse nuk do të ketë qeveri teknike!

 

Protesta e PD-së, paralajmërim për fitoren e PS-së më 18 qershor. Pse protesta në Bulevard është një lëvizje politike e PD-së dhe e disa aleatëve të saj të vegjël për të mbajtur gjallë frymën e kontestimit. Dekorimet e diversantëve nga Presidenti Nishani dhe çfarë mendon Moikom Zeqo për projektet urbane në Durrës…

 

– I nderuar Moikom, kjo intervistë me ju për aktualitetin politik shqiptar, ishte e pashmangshme të mos fillonte me pyetjen thuajse rutinë: Ç’mendim keni për protestën e opozitës në Bulevard?

– Protesta e organizuar nga PD ka zgjedhur variantin e protestës seriale. Është një formë e njohur kjo e protestës edhe në botë. Për herët ë parë në Shqipëri këtë protestë e shpiku Berisha, gjatë kohës që ishte në opozitë me sloganin “Nano ik!” duke zotëruar sheshin Skënderbej. Tashmë sheshi Skënderbej është skualifikuar përfundimisht, duke u zëvendësuar me hapësirën e bulevardit përballë Kryeministrisë. Pa dyshim që protestat seriale të Berishës nuk patën asnjë rezultat. Për 8 vjet që ishte në opozitë Rama si Kryetar i opozitës imitoi gjithashtu protestën seriale, në një formë akoma më të skajshme, atë të grevës së urisë, shumëditëshe. Rama bëri dhe bojkotin e Parlamentit gati prej 9 muajsh. Edhe këto protesta nuk patën ndonjë rezultat konkret. Në pikëpamje të shkencës politike janë të njohura trajtat përsëritëse të quajtura si protestat pa kufi. Kjo papërcaktueshmëri e protestave ka gjithmonë një kërkesë ultimative: rënia e qeverisë aktuale, ose Qeveria Teknike. Për shkak të sindromës të imitimit të imitimit, edhe Basha si kryetar i PD ka projektuar protestën e vijësuar, madje atë pa kufi. Basha imitoi Ramën duke ngritur çadrën e protestës përballë Kryeministrisë. Rama e çmontoi çadrën e grevës së urisë mbas të ashtuquajturit takim në restorantin “Krokodil”. Basha nuk e di si do të përfundojë narrativa e protestës. Më ka bërë përshtypje që në fjalimin e tij mesianik ,Basha u shpreh se nuk donte të kishte asnjë sekret me protestuesit dhe me popullin dhe se ai do të ishte “lideri që do t’i çonte të gjithë drejt një Shqipërie të re”. Pra ka parasysh kritikën  e një Shqipërie politike aktuale, pra të një establishmenti për një Shqipëri tjetër politike, siç thotë ai me retorikën e tij të bujshme, të qytetarëve.

– Sidoqoftë, ju nuk mund ta mohoni të drejtën e tyre për të protestuar?

– Unë nuk e mohova këtë. Protesta është një e drejtë kushtetuese e çdo njeriu, e çdo qytetari. Unë jam tërësisht në mbrojtje dhe në përkrahje të çdo proteste që bëhet nga qytetarët, por nuk jam me shpërdorimin e protestës, as të manipulimit të protestës. Së pari, kush e përcakton substancën e protestës? Kush është masiviteti i saj? Cilat janë kërkesat e vërteta të protestës? Ne mund t’i inskenojmë protestat, qoftë dhe me elektoratin që ka PD-ja, si partia e dytë në sistemin politik në Shqipëri, vetëm në Tiranë dhe të identifikohet në mënyrë ambikuide me tërë popullin shqiptar. Ky identifikim halucinant nuk ka asnjë kuptim. Në realitet protesta është një lëvizje politike e PD-së dhe e disa aleatëve të saj të vegjël për të mbajtur gjallë frymën e kontestimit.  A është protesta aktuale një protestë popullore? Nuk e besoj. Dua të sqaroj se protestat e një populli ose dhe të një kombi në tërësi kanë të bëjnë me shumicën e të varfërve të cilët kanë të drejtë të protestojnë për situatën e tyre të mjeruar ekzistenciale, për pensionet qesharake, për mungesën e figuracioneve shoqërore, për papunësinë e frikshme, për haraçet e mëdha financiare të arsimit dhe të shëndetësisë. Konstatoj, si njeri i letrave, dhe një qytetar në pension, se protestat e të varfërve për problemet substanciale dhe adekuate të tyre nuk ka në Shqipëri. Shqipëria nuk ka as sindikata. Punëtorët që punojnë tek të ashtuquajturat fasone përjetojnë një skllavëri. Unë nuk mund të kuptoj sesi masat e mëdha të të varfërve të ngrihen në protestë për të bërë njerëzit e pasur kryeministër. Unë nuk mund të kuptoj se si një figurë e njohur e politikës si Basha që ka qenë tre herë ministër, është kontestuar publikisht dhe kërkon me mungesë të plotë të modestisë postin e kryeministrit. Si ministër i Transporteve Basha u përfol për shpërdorimet e Rrugës së Kombit. Si ministër i Jashtëm shiti detin e Jugut. Si ministër i Brendshëm është përgjegjës për vrasjen e 4 demonstruesve më 21 janar pikërisht në hapësirën ku ka ngritur çadrën sot të protestës.

– Le të flasim pak më troç, Moikom: A ka kauzë kjo protestë?

– Protesta burimësohet, ftillëzohet nga metafora e negativizmit total ndaj qeverisjes së sotme, ndërsa nga ana tjetër qeveria kërkon të përdorë si njq andidot metaforën e triumfalizmit total. Të dyja metaforat janë problematike në konceptualitet. Protesta e PD-së filloi me një fjalim patetik duke u shprehur që në fillim se Shqipërinë nuk mund ta qeverisin ambasadorët e huaj, por vetë shqiptarët. Më ka bërë përshtypje një reflektim i tillë publik. Ashtu siç më ka bërë përshtypje fakti që dy ministra të qeverisë, i Drejtësisë dhe i Integrimit, në mënyrë institucionale bënë letra për të kritikuar prekjen e kushtetutshmërisë të realizimit dhe të implementimit të Vettingut. Këto nuk janë të rastësishme, as naive, në thelb nuk janë as retorika. Këtu dalim tek një thelb i thelbeve, që personazhë të caktuar të politikës janë në një opozitë të plotë dhe në një frikë paniku ndaj Vettingut.

– Ju keni besim se Vetingu do të funksionojë?

– Unë mendoj se Vettingu do të funksionojë në Shqipëri. Madje dua të artikuloj idenë se Vettingu nuk duhej bërë vetëm për ligjzbatuesit, por duhet të shtrihej dhe tek ligjvënësit, d.m.th tek deputetët dhe tek të tërë kryetarët e partive.  A mund të jetë kauzë qëndresa retrograde dhe arkaike kundër Vettingut? A mund të metaforizohen ambasadori i SHBA-vë Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin si “guvernatorët e vërtetë të Shqipërisë”? Nuk mund ta konceptoj se si në tregun politik janë hedhur, qarkullojnë teza të tilla in absurdis. Si ka mundësi që në 2017 klasa diletante politike e Shqipërisë, me dituri sipërfaqësore (shikoni ju lutem formimin kulturor të 140 deputetëve të Kuvendit) të krijojë kontradikta të tilla të Shqipërisë kundër integrimit të vërtetë? A mund të quhet kjo një luftë politike serioze? A mundet që protestat e disa qindra ose mijëra vetave të individualizohen në 3, 4 ose 10 persona të politikës, që janë të pasur dhe kanë bërë shpërdorime të frikshme? Si mund të përdoret protesta për një politikë konfliktuale me ndërkombëtarët? Parimi latin “Ab abusu ad Osum non valet conceguientia” (“E drejta e përdorimit nuk mund të mbështetet në keqpërdorimin”). Pra nuk besoj që një pseudo kauzë që e ka lënë konfliktin nga brenda Shqipërisë drejt një konflikti me ndërkombëtarët të quhet kauzë.

– Moikom, në thelbin e kësaj proteste është kërkesa për një qeveri teknike që mund të na çojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme?

– Kërkesa e protestuesve për qeveri teknike nuk është as e re as e papritur. Të gjitha protestat emërtojnë një kumt të tillë sfidues. Duke e parë me vëmendje situatën protestuese në Tiranë, duke ndjerë dhe indiferencën përgjithësisht në qendrat e tjera të Shqipërisë, mendoj që do të jetë vështirë dhe e pamundur që të artikulohet dhe të realizohet një “Qeveri Teknike”. Është e pamundur nga të gjitha pikëpamjet. Prishja e numrave të shumicës duke bërë një thirrje patetike për t’u larguar LSI-ja dhe kështu në mënyrë të befasishme do të bjerë qeveria, përbëjnë një skenar diletant dhe aspak politik. Më tepër një spektakël të llojit populist.

– Po nëse LSI-ja del nga rreshti?

– Nëse LSI-ja del nga aleanca qeverisëse, normalisht ajo do të futet e vetme në zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2017. Kjo do të rezultonte një katastrofë. Vetëm në aleancë me PS-në mundet të sigurojë një numerologji mbijetuese dhe të pjesëmarrjes në pushtet. Nuk besoj në Qeverinë Teknike edhe për faktin se protestat që bëri opozita në Maqedoni ishin shumë herë më të fuqishme. Por nuk pati ndryshime drastike dhe ato që zgjidhën problemin ishin zgjedhjet e përgjithshme politike.   Kanë mbetur vetëm disa muaj për t’u futur në fushatën elektorale të Republikës dhe harxhimi i energjive kaq të mëdha për protesta që nuk të çojnë asgjëkundi nuk më duket se është ndonjë ide e mençur strategjike. Protestat e Ramës në opozitë qenë shumë të mëdha. Por u respektua kufiri kohor i mandateve dhe vetëm zgjedhjet e përgjithshme politike bënë ndryshimin. Kjo është një përvojë tashmë e provuar. Nuk është një përvojë fantazmagorike. Nuk është një ide onirike, ose halucinante. Teza e Qeverisë Teknike është avancuar nga Berisha akoma më tej si zhvillimi i “Revolucionit Demokratik”, apo me bojkotin e zgjedhjeve.

– Ish-lideri demokrat, domëthënë Berisha, e ka konsideruar këtë protestë të opozitës si një revolucion demokratik. A është ky një revolucion?

– As nuk mund të konceptohet që këto protesta të jenë një revolucion demokratik, sepse të tilla nuk janë lëvizjet për të ndërruar kuajt e karrocës së pushtetit, kurse bojkoti i supozuar, i ëndërruar dhe i keqmenduar do të krijojë një konflikt tjetër me ndërkombëtarët dhe standardet evropiane të integrimit. Këto konflikte me ndërkombëtarët çojnë drejt një ideje ksenofobiste dhe të mbylljes provinciale, drejt një feudalizmi politik të Shqipërisë. Për mua është e pabesueshme se si mund të konceptohet një gjë e tillë. Më e sakta është të mendosh qetësisht, përtej tërë emocioneve dhe superndijimeve se protesta të tilla do të kenë, siç thotë Horaci një “desenit in pescen”, d.m.th (“përfundim si bisht peshku”). Në politikë ndodh ajo që është quajtur nga filozofët Aderno dhe Horkajmarit si “dialektika negative”. Duke dashur t’i bëjë një të keqe frontale Ramës si kryetar i PS-së, duke e tejkaluar kufirin e së drejtës të kritikës (dhe Rama nuk është në asnjë mënyrë i pakritikueshëm) arrihet të të formësohet një ide, se Rama është për Vettingun, kurse tërë protesta dhe PD janë kundër Vettingut. Një dikotomi (kundërvënie) e tillë habitërisht kalon në favor të Ramës. Nuk mund ta kuptoj se si opozita me dy ambasadorët emblematikë të integrimit që kanë institucione diplomatike me ambasadorin amerikan dhe ambasadoren e BE-së të bëjnë një luftë haxhiqamilshe ose që të kujton përrallat e Baronit Mynhauzen. Sinqerisht dua me gjithë shpirt që të kemi një opozitë të vërtetë dhe të fuqishme. Kjo do të përbënte një ogur të madh për Shqipërinë. Por thjeshtëzimi banal i kërkesave në mënyrë aprioristike se nuk do të ketë përfundimisht “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, madje dhe pa vlerësimin institucional të ndërkombëtarëve, më duket diçka e përshpejtuar dhe aspak reale. Filozofi francez Andre Glyksman ka thënë: “Nëse politika shndërrohet në një material për kronikën e zezë, atëherë çfarë mund të bëjë filozofia? Apo mendimi profesional i politikës?” Kaq pranë nga pikëpamja kohore me afatin e zgjedhjeve të përgjithshme politike që çojnë dëm energji të mëdha kanë bërë që konceptuesit dhe stimuluesit e politikave të tilla të jenë më tepër kundër vetvetes sesa kundër të tjerëve. Dhe këtë e them, e përsëris me një trishtim shumë të madh. Do të doja të ishte ndryshe, krejtësisht ndryshe.

Dhe mendimet e mia nisen nga një “bona fide” – (“një qëllim i mirë”).

– Moikom, le të flasim  pak më konkretisht. Ju kritikoni opozitën, po maxhoranca nuk ka asnjë faj? Mos po e mbani pakëz me hatër partinë që ju e keni pasur më për zemër?

– Miku im, Xhota. Nuk mund të rri pa shprehur në këtë intervistë diçka për situatën politike të përgjithshme të Shqipërisë. Mendoj se kritikat serioze ndaj qeverisjes duhet të jenë vetëm serioze dhe të argumentuara. Një parti e emancipuar i pranon kritikat si një iluminim të vetvetes. Për fat të keq po vë re i habitur se deputetët e PS-së, figurat e forumeve të kësaj partie të madhe kanë rënë në një shurdhëri të madhe, aspak dinjitoze. Askush nuk flet dhe nuk shtron vendime alternative në sensin pozitiv të korrigjimit të të metave ndonëse është normale, absolutisht normale që mbas 4 vjet qeverise politikanët e mençur, të ndershëm dhe kurajozë të arrijnë të bëjnë “kritikën e lëvizjes politike, për ta fuqizuar këtë lëvizje”. Kjo e dallon politikën vizionare nga politika mediokre. Shikoj se në gjeneratat e reja nuk ka një optimizëm konceptual. Shumë nga të shkolluarit të zhgënjyer kërkojnë të emigrojnë jashtë vendit. Pikturimi spektakolar i Shqipërisë si nj vend i një rilindje të pashembullt, nuk bind asnjeri. Në 4 vjet deputetët e PS-se nuk u shquan gjatë debateve në Kuvend, përveç 2 ose 3 vetave të cilët janë të përhershëm. Si ka mundësi? Si mund të krijohet personaliteti i një politikani duke mos u identifikuar si i tillë?

Miku im! Kam lexuar këto ditë Bodlerin, poetin e famshëm të “Ennui”, të mërzitisë, ose të pështirosjes. Po citoj këto vargje të trishta:

“Rien n’agale en longuer les boiteuses journees

Quant sous les lourds flocons des neigeuses anees,

L’Ennui, fruqit dela morne incoriusite,

Prend les propositions de l’Immortalite!”

Që në shqipërim të lirë do të tingëllonin:

“S’ka gjë më të gjatë se sa dita që zvarritet çalë-çalë

Kur nën fjollat e mëdha të viteve më dëborë

Ennui, frut zymtan i apatisë,

Merr përmasat e të Pavdekshmes!”

E pra, në shoqërinë shqiptare, zotëron një Ennui. Nuk do doja kurrë të ishte një gjë e tillë. Shikoj që zhvillimet ekonomike të vendit kanë hyrë në hullinë e një përvoje të kritikueshme sot në botë, sidomos në Europë, në atë të neoliberalizmit. Lexoj idetë që shpalos kryetari i Partisë së Laburistëve në Angli Jeremia Corbin. Ai kritikon zhdukjen e sindikalizmit nga epoka e Theçerit dhe privatizimin e çdo gjëje publike. Kjo ka çuar në një krizë ekonomike aktuale në Britani. Në shkrimet dhe esetë e mia politike të kohëve të fundit e kam ngritur shpesh këtë ide të formulës PPP (Partneritet – Privat – Publik). Kjo formulë po implementohet kudi. Për një parti të majtë si PS duhet kuptuar se ky është një instrument i së djathtës. Po shënoj këtu kritikat e Nobelistit në ekonomi, amerikanit Milton Fridman, si dhe të djalit të tij, po prof. i ekonomisë, David Fridman për teprimin e neoliberalzimit. Një politikolog i shquar, autor i shumë librave autoritativ si Ulrih Beck ka thënë: “Neoliberalëve në të gjithë botën të shurdhët nga përvoja historike, – i duhet bërë i qartë fundamentalizmi i tregut, – të cilin, ata i përgjërohen, por që s’është veçse një formë analfabetizmi demokratik. Tregu nuk mbart në vetvete justifikimin për vetveten. Kjo lloj ekonomie është e aftë të mbijetojë vetëm e alternuar, me sigurinë materiale, por dhe me të drejtat sociale dhe demokracinë. Kur mbështetet vetëm në treg, bashkë me demokracinë shkatërron, edhe këtë lloj ekonomie.”

Ja ç’thotë dhe Bobo Cojner: “Tregëzimi tërësor i politikës, shpërbën hapësirat politike dhe i heq themelin veprimit demokratik.”

Në të gjitha partitë e majta evropiane bëhen diskutime të rendit konceptual, partitë e majta nuk kanë për detyrë për të bërë një pakicë të pasurish të pasur deri në maksimum, por të përmirësojnë dhe gjendjen e të varfërve. Si mundet që Partia Socialiste si nj parti e majtë të ketë numrin më të madh të njerëzve më të pasur në Shqipëri?

Këtu është prishur substanca e përfaqësimit politik.

A do të ketë një përfaqësim më dinjitoz dhe me personalitete në Kuvendin të vitit 2017? Të paktën si një njeri i lirë me “Free mind” mua më lejohet të jem skeptik, unë nuk kam asnjë interes personal për politikën, jam thjesht një intelektual që mbijetoj me një pension, por studimi i shkencës politike më bën të mendoj se politika është një dituri e epërme dhe shumëdimensionale.

Më vjen keq që në të gjitha partitë politike shqiptare nuk ka diskurse të tilla. Po kujtoj këtu idetë e mrekullueshme të filozofes së madhe Hanah Arendt: “Politika nuk fillon tek njeriu, por mes njerëzve. Njeriu nuk është siç mendonte Aristoteli, një qenie politike në vetvete, por mund të bëhet “politik”, vetëm kur takohet me të tjerë, kur shkëmben mendime me ta dhe së fundi kur bie dakord me ta. Por vetëm kur këto ndodhin në liri.

 Të vepruarit është i mundshëm vetëm në liri. Veprimi në liri është mundësia më e lartë e njeriut: duke vepruar dhe folur njerëzit bëjnë të qartë de kush janë, tregojnë në mënyrë aktive veçoritë personale të qenies së tyre, hipin së bashku në skenën e botës, ku bëhen të dukshëm, ndonëse më parë ishin të padukshëm.”

Ky kuptim i tillë i politikës është vizionar. Për fat të keq politika në Shqipëri është konceptuar këto 27 vjet si një autoritet feudal i postit. Kjo është në kundërshtim të plotë me lirinë. E kam thënë që politika këto 27 vjet të tëra arritjet e mëdha nuk i ka nga vetvetja: po përmend futjen në NATO, liberalizimin e vizave dhe Vettingun.

Janë koncepte integruese dhe ndërkombëtarët që i kanë stimuluar këto arritje, kurse klasa politike, që unë shpesh e kam quajtur si klasë parapolitike ka realizuar shkatërrimin ekonomik të Shqipërisë, pasurimin e frikshëm të një grushti të vogël njerëzish dhe të pabarazisë sociale.

– Moikom, mbase e ke marrë vesh se Presidenti Nishani ka dekoruar 400 diversantë me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”…  Ke ndonjë koment për këtë dekorim?

– Unë, i dashur Xhevdet, sapo kam dalë nga spitali, ku mbarova ciklin e pestë të kimioterapisë. Kam edhe tre cikle të tjera sipas diagramës së kurimit. Më ka lënë lodhje të madhe fizike dhe nuk kam qenë në gjendje t’i ndjek të gjitha lajmet e medieve dhe të shtypit. Nëse Presidenti Nishani ka dekoruar me urdhrin e lartë të Gjergj Kastriotit diversantët, kjo më duket një gjë e pabesueshme dhe aspak institucionale, as historike dhe as njerëzore. Dihet se këta diversantë përveç shkeljes të së drejtës ndërkombëtare të kufijve shtetërorë të Shqipërisë, kanë qenë njerëz të armatosur dhe kanë vrarë mbi 1000 shqiptarë. A kanë të drejtë familjet e këtyre shqiptarëve të vrarë pa asnjë justifikim që të kërkojnë dhe ata një arsyetim juridik dhe logjik për dekorimin e vrasësve? Ky është një nivel i mjeruar i shpërdorimit të së drejtës për dekorime, në subjektivizëm i pabesueshëm. Nuk di ç’të them me shumë.

– Moikom, ditët e fundit ju jeni prononcuar fuqishëm publikisht kundër një projekti urban në Durrës. Pse jeni kaë i revoltuar?

– Po. Është e vërtetë kjo. Dhe do të vazhdoj të prononcohem. Nga ana tjetër dua të shtroj dhe një çështje, sepse kam patur një angazhim publik. E kam fjalën për projektin e ashtuquajtur “Veliera” dhe shkatërrimin e pasurisë arkeologjike të Durrësit, nisëm kjo që tejkalon të drejtën kushtetuese si të pushtetit qendror, ashtu dhe të pushtetit vendor. Një betonizim i frikshëm duke vulosur shtresat arkeologjike të Durrësit, bërjen beton e një vepre kitsch, me një banalitet të paparë ,që prish unitetin e qendrës historike dhe arkeologjike të Torrës Veneciane dhe të kompleksit të kullave dhe të mureve bizantine të Durrësit, përbën në vetvete një shkelje ligjore, ku për fat të keq nuk ka asnjë të penalizuar.

Do të mendoja me logjikë se nisma të tilla urbanistike duhet t’i ndërmerrnin institutet e urbanistikës dhe të arkitekturës në Shqipëri, dhe jo politikanët të cilët imonojnë idetë e tyre të dyshimta, qoftë për urbanistikë, qoftë për arkitekturën, qoftë pëe probleme të tjera të artit.  Kujtoj këtu një esse të mrekullueshme të poetit Nobelist Oktavio Paz kundër presidentit të Meksikës së kohës së tij ku i thotë se një njeri i pushtetit nuk duhet të vendosë në fushën e artit dhe kulturës, në mënyrë absolute arti dhe kultura janë e drejta ekskluzive e njerëzve të vërtetë të artit dhe kulturës, dhe aspak e politikanëve.

 Kurse në Shqipëri politikanët nuk pyesin fare për njerëzit e artit dhe të kulturës.

– Në mbyllje të kësaj interviste,. Do të të doja një parashikim për zgjedhjet e 18 qershorit?

– E kisha menduar edhe këtë pyetje. Pavarësisht siç jam shprehur dhe në intervista të tjera, zgjedhjet e ardhshme politike të qershorit 2017 i fiton PS-ja, do të thoja, me dorë në zemër , jo gjithmonë një fitore numerike mund të jetë dhe një fitore konceptuale. Fitoret e mëdha politike janë fitore të mëdha konceptuale. Për këtë jam i bindur. Ashtu siç jam i bindur që oponenca e personaliteteve të kulturës është shumë më e rëndësishme, shumë më e vërtetë ,sesa vendimmarrja e improvizuar e politikanëve dhe se, në demokraci politikanët nuk përbëjnë simbole totemike, por të mirëkuptimit, reflektimit dhe të progresit.

 

Intervistoi Xhevdet Shehu –  (mar nga DITA)

About admin

x

Check Also

Intervistat e rralla të gjeniut Nikola Tesla, e realizuar para 117 viteve

May 13, 2020 Nikola Tesla (1857-1943) American inventor. Photograph, 1915. — Image ...