Home / Të ndryshme / Mbresa nga libri “Kosova jone” e autorit Xhemil Zeqiri

Mbresa nga libri “Kosova jone” e autorit Xhemil Zeqiri

Kjo ditë e bardhë patjetër do të vijë!

Mbresa nga libri “Kosova jone” e autorit Xhemil Zeqiri

Është kjo broshurë e thjeshtë, e botuar në vitin 2000, që më doli para syve, fare rastësisht, por menjëherë më bëri për vete ky titull i dashur, pastaj, edhe ajo fytyrë e mendueshme e me shikim depërtues e vetë autorit Xhemil Zeqiri.
Rreth 100 faqe, për t’u lexuar, nuk jane as shumë, as pak. Por ato kaluan me një ritëm të shpejtë dhe forcë mbreselënëse, ashtu siç na del dinamike e aktive edhe vetë jeta e autorit:, siç janë të fuqishme dashuria dhe malli për vendlindjen e krejt shqiptarëve emigrantë nëpër botë.
Xhemil Zeqiri, nga fshati Zhelinë e Tetovës, i vendosur në Kopenhagë të Danimarkës, pas lëvizjes historike të vitit 1981 në Kosovë, u evidentua në këtë vend të vogël demokratik të Evropës, një veprimtar i ndërgjegjshëm, i palodhur, një atdhetar i zjarrtë e i përkushtuar, simbol i pastërtisë njerëzore, zemërmadh e me karakter të hekurt. Larg vendlindjes ai jeton shpirtërisht me ngjarjet e situatat, reagon ndaj tyre me një intuitë atdhetare shumë të saktë, të qartë e të sinqertë: me pak fjalë e shumë veprimtari.
Pasi njihej me prezantimin që i bën autorit Hektor Gurakuqi, më tej shpalosen idetë dhe veprimtaria intensive e Xhemilit, që angazhohet e vepron vetëm sipas urdhërave të brendshme të ndërgjegjes së vet.
Ish aktivistin e Këshillit për Mbrojtjen e te Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës, e gjejmë Kryetar të këtij këshilli që punon në KUADRIN E AKSIONIT PËR PAQE ’92, ku tubohen organizatat joqeveritare të Danimarkës dhe merren me problemet e Ballkanit.
Me pune e përkushtim, Xhemili u afirmua si person publik me një ze të fuqishëm në mjaft gazeta autoritare të vendit, me konsideratë dhe i mirëpritur edhe nga personalitete të tjera të larta.
“Pas Bosnjës vjen Kosova”, me këtë informacion shtypi ai prej kohësh paralajmëroi tekstualisht: “Ç’do të ndodhë me Kosovën në të ardhmen?! Me siguri do të ketë gjakderdhje si në Bosnjë. Është koha që populli i Kosovës, patriotët të kuptojnë çfarë po u troket te dera… Kosova duhet të shkojë vetëm drejt lirisë dhe pavarësisë. Rrugë tjetër s’ka!” Më tej nëpër shkrime dhe intervista në shtypin danez, ngrihet zëri i Xhemilit se: Shqiptarët në Kosovë nuk janë minoritet (1994), se “Shqiptarët kërkojnë një shtet të lirë e të pavarur. Danimarka ta njohë Kosovën si shtet sovran e të pavarur”; se “Superfuqitë e kanë përkrahur Serbinë padrejtësisht” etj.
Ai përcjell me shqetësim faktin qe në konferencën e Londrës (1992) nuk u ngrit çështja e Kosovës, por u la në harresë.! Në një kohë kur Evropa mban përgjegjësi të madhe për krimet e padrejtësitë ndaj kombit shqiptar.
Çdo të thonë politikanët dhe diplomatët profesionistë p.sh. ndaj mendimit të autorit se: ”Gjatë historisë Ballkani është quajtur shumë herë “Fuçi baroti”, jo se ballkanasait janë më luftënxitës, se ndonjë popull tjetër i Evropës, po për atë se siç është e njohur, Ballkani është pika përfundimtare e rivalizimit dhe e ndërhyrjes së Fuqive të mëdha. Në emër të stabilitetit të vet, Fuqitë e Mëdha do të bëjnë politikën destabilizuese të Ballkanit!” (f 71, 20 prill 1997)
Po ç’kërkojnë shqiptarët?
Vëllai ynë Xhemil Zeqiri, një qelizë e kombit, ka në çdo qelizë të gjakut e trupit të tij, çështjen kombëtare. Që nga Kopenhaga, ai jep mesazhet se: ” … është e papranueshme që disa popuj të gëzojnë të drejtat e disa të tjerëve t’u mohohen. Popujt nuk mund të ndahen në të privilegjuar e të paprivilegjuar.
Shqiptarët në Kosovë e në vise të tjera etnike, kërkojnë vetëm të drejtat që u takojnë. Po të lexohet mirë historia e popullit tim, shihet fare lehtë, se ai nuk është pare me dashamirësi. Perkundrazi interesat e tij jetike janë mohuar e shkelur gjithmonë…
Spekullimet me të ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe” duhet të marrin fund.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk sjell Shqipërinë e Madhe, siç nuk solli Gjermaninë e Madhe bashkimi i Gjermanisë së ndarë. Akuza ndaj “Shqipërisë së Madhe” do të qëndronte nëse shqiptarët do të kërkonin kufijtë e vjeter të Ilirisë”…
UÇK-ja është për krijimin e një republike të pavarur e cila do të përfshijë Kosovën, Maqedoninë perëndimore, ku shqiptarët përbejnë shumicën…
Fitorja finale e Kosovës quhet e arritur, kur të jetë arritur pavarësia e merituar e saj, kur të funksionojë qeveria, shteti dhe forcat mbrojtëse të saj. Për këtë asaj i duhet, Uniteti i madh popullor dhe udhëheqje e mençur, trime dhe largpamëse, prijësa të mëdhenj, që nuk i kanë munguar asnjëherë” (f.81-82, 83, 88, 90, 91)
Mesazhe të drejta, të qarta e të ngrohta rrezaton nga Kopenhaga Xhemili edhe me shkrimin “Dita e Flamurit”: ,”Shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, thekson ai, që nga Amerika në Australi, që nga Danimarka në Turqi, që nga Greqia në Francë, gjithkund Nentorin e presin me krenari të veçantë e me emocione…
Tok me gëzimin e kësaj dite feste, në shpirtin tonë rëndon edhe dhimbja: Deri kur Kombi ynë do të jetë kështu i ndarë nga thika e padrejtë e historisë!?…
…Kur vjen dita e Flamurit, kur mbidhemi bashkë nëpër Botë, kur puthim Flamurin Kombëtar e çmallemi me të, ne duke besuar në vitalitetin legjendar të shqiptarëve, besojmë edhe në të ardhmen e tyre, besojmë se shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike, do të fitojnë të drejtat, do të fitojnë pavarësinë dhe një ditë do të arrihet edhe bashkimi kombëtar.
Ne shpresojmë e besojmë se politikanët shqiptarë do të shkrijnë jetën e tyre, energjitë dhe meçuritë e tyre për të bërë realitet ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve.
Edhe 28 Nëntori u bën apel atyre, u bën apel brezave, ne të gjithëve, të bashkohemi për të realizuar qëllimin tonë të shenjtë.
Kjo ditë e bardhë patjetër do të vijë!
Edhe brezat do të këndojnë Himnin e Çlirimit dhe Bashkimit të Madh!”
Këto janë disa nga mesazhet e vëllait tonë Xhemil Zeqiri nëpërmjet librit “Kosova Jonë”. Ne mund t’i themi atij pak dhe shkurt:
“Hallall gjiri i nënës në Zhelinë të Tetovës!”

Prof. Dr. Hulusi Hako,
veteran i LANÇ-it,

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...