Home / Opinion / DRITËRO AGOLLI – POET I KTHESËS NË FILLIM TË VITEVE ’60

DRITËRO AGOLLI – POET I KTHESËS NË FILLIM TË VITEVE ’60

Dritëro Agolli është shkrimtari që ndikoi në zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare. Lindi në vitin 1931 në një familje fshatare në Menkulas të Devollit. Në vitin 1952 kreu shkollën e mesme në Gkirokastër. Studimet i vazhdoi në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Leningradit. Me t’u kthyer në Shqipëri, ushtroi gazetarinë duke punuar për pesëmbëdhjetë vjet në gazetën e përditshme Zëri i Popullit. Me eliminimin e Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës në Plenumin e Katërt të PPSh të mbajtur në vitin 1973, Agolli u vu në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, duke e zëvendësuar Dhimitër Shuteriqin. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1992. Në vitet 1992-2001 ishte deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
* * *
Në vitin e stuhishëm 1961, pas një çerek shekulli ngecjeje në vend, u bë një kthesë e madhe në rrugën e zhvillimit të prozës dhe të poezisë shqiptare. Ky vit shënon shkëputjen politike përfundimtare me Bashkimin Sovjetik, pra edhe me modelet letrare sovjetike. Por, viti 1961 shënon edhe botimin e një numri vëllimesh që krijuan rrymë, sidomos në poezi: Shekulli im nga Ismail Kadare, Hapat e mija në asfalt nga Dritëro Agolli dhe në vitin tjetër Shtigje poetike nga Fatos Arapi.
Shkrimtarët kryesorë shqiptarë, të shkolluar në vendet e bllokut lindor, përfituan nga prishja e marrëdhënieve jo vetëm për t’u ndarë nga modelet sovjetike, por edhe ng    a vetë realizmi socialist.
Orvatjet për të zgjeruar gamën e letërsisë në kërkim të së resë shpunë vetvetiu në një polemikë letrare e natyrisht politike deri në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë më 11 korrik 1961. Debati ku morën pjesë jo vetëm shkrimtarë, por edhe personalitete udhëheqëse partiake dhe shtetërore, u botua në gazetën letrare Dielli dhe u prit me interes nga publiku i gjerë pas Kongresit të Katërt të PPSh-së atë vit.
Ai vuri përballë njëri-tjetrit shkrimtarë të brezit të vjetër si Andrea Varfi (1914-1992), Luan Qafëzezi (1922-1995) dhe Mark Gurakuqi (1922-1970) dhe krijues letrarë artistikë brezit të ri ku bënin pjesë Ismail Kadare (1936), Dritëro Agolli (1931-2017) dhe Fatos Arapi (1930).
Të vjetrit u shprehën në mbështetje të standardeve poetike të palëvizshme dhe të traditave të rrënjosura në letërsinë shqiptare. Këta dolën kundër elementeve të reja poetike duke thënë, për shembull, se vargu i lirë nuk ishte shqiptar.
Këta të brezit të ri kërkonin novatorizëm, ishin për një përtëritje të letërsisë dhe për zgjerimin e gamës tematike dhe stilistike.
Pas kësaj, pati më tepër larmi temash e stilesh dhe iu kushtua nj vëmendje disi më e madhe kriterit letrar të formës dhe çështjes së individualitetit artistik. Edhe pse kjo periudhë e letërsisë shqiptare nuk mund të cilësohet si një periudhë ku gëlojnë jokonformistët dhe ekscentrikët, megjithëkëtë ajo krijoi hapësirë të duhur për origjinalitet dhe individualitet krijues.
* * *
Në vitet shtatëdhjetë, pasi pati sukses si poet i tokës, Dritëro Agolli, sikundër Ismail Kadareja, iu kthye përherë e më shumë lëvrimit të prozës, ku u shfaq më i fortë në tregimin e shkurtër se në roman. Përmbledhja me tregimet e fillimit Zhurma e erërave të dikurshme, Tiranë 1964, me 213 faqe, iu ndalua. Autori u akuzua për revizionizëm sovjetik. Partia pati bërë thirrje për në shumë koncepte revolucionare (maoiste) në letërsi për t’iu përkushtuar më shumë masave punonjëse.
Si prozator Agolli bëri emër zyrtar me romanin Komisari Memo, Tiranë 1970, në fillim i ngjizur si tregim. Ky roman edukativ me një ide të kthjellët shoqërore e politike është përkthyer anglisht (Tiranë 1975), si dhe gjermanisht (Tiranë 1976), turqisht (Ankara 1977), norvegjisht (Oslo 1977), portugalisht (1977), greqisht (1977), suedisht (1978), rumanisht (Bukuresht 1983) dhe frëngjisht. Memo Kovaçi është prototipi i heroit partizan të ndërgjegjshëm me një rol të dyfishtë: të bëjë luftë në male kundër pushtuesve gjermanë dhe të bëjë punë edukative mes popullit si komisar politik. I plagosur në një betejë, Memon e trajton për ta shëruar një mjek i cili orvatet t’ia dobësojë bindjet politike duke i mbushur mendjen se asnjanësia është zgjidhja më e qëlluar në kohë trazirash politike.
Edhe roman ii dytë i Agollit Njeriu me top Tiranë 1975, trajton temën e luftës partizane, por nga një këndvështrim tjetër e me një mjeshtri më të hollë. Mato Gruda është një fshatar i thjeshtë, në gjak me fisin e Fizëve. Ai ka rënë në qerthullin e gjakmarrjes që sillet nga njëri brez në tjetrin. Mato Gruda arrin të kuptojë se interesa më të lartë janë vënë në rrezik, ndaj vihet në ndihmë të partizanëve. Vepra u përkthye anglisht (Tiranë 1983), bullgarisht (Sofje 1981, 1987), danisht (Arhus 1987), frëngjisht (Paris 1994).
Pas këtyre dy romaneve disi konformiste për heroizmin partizan, temë standard e nxitur nga partia, Agolli botoi veprën satirike Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, Tiranë 1973, e cila ia afirmoi emrin më tej. Shoku Zylo është model i një aparatçiku shpirtmirë por jokompetent, drejtor i një sektori shtetëror çështjesh kulturore të pacilësuar qartë. Kotësia e tij patetike, entuziazmi donkishotesk, qëndrimi grotesk në publik, pra gjithë shkëlqimi dhe rënia e tij, regjistrohen t gjitha deri me imtësi ironike nga vartësi dhe shoku i tij i zellshëm e më fort finok, që shërben si vëzhgues asnjanës. Kthesa në karrierën e shokut zylo më në fund vjen kur i kërkohet të shprehë pikëpamjet për një pjesë teatrale.
Shoku Zylo është figure universal, karakter që mund të ndeshet në çdo shoqëri dhe në çdo epokë. Disa kritikë letrarë kanë hequr paralele me Daniel Defonë, me Revizorin e Nikollai Gogolit, me Franc Kafkën dhe me romanin Zert Milan Kunderës. Pa dyshim, më fort se kushdo tjetër, të gjitha imtësitë e këtij roman ii shijon lexuesi evropianolindor.
Vepra u përkthye në bullgarisht (Sofje 1975, 1987), rusisht (Moskë 1990?), frëngjisht (Paris 1990), gjermanisht (Kiel 1991), italisht (Leçe 1993), greqisht (Athinë 1994). Kjo vepër së pari u botua në vitin 1972 në revistën satirike Hosteni në Tiranë, ndërsa si libër më vete doli një vit më vonë. Romani u botua në Shqipërinë staliniste në një kohë aspak tolerante ndaj gjithçkaje që sadopak dukej si kritik ndaj sistemit.
* * *
Dritëro Agolli n fillim bëri emër si poet. Ai është pëlqyer nga lexuesit në të dy gjinitë. Me përmbledhjet e para poetike Në rrugë dolla, Tiranë 1958, Hapat e mija në asphalt, Tiranë 1961 dhe Shtigje malesh dhe trotuare, Tiranë 1965, u paraqit te lexuesi si poet lirik i tokës – i çiltër dhe talentuar, mjeshtër i vargut me teknikë të përpunuar.
Ka kritikë letrarë që thonë se në krijimet e para të tij ndihet ndikimi i shkollimit në Bashkimin Sovjetik, sidomos fryma e Eduard Bagrickit (1895-1934) dhe Dmitri Kedrinit (1907-1945).
Lidhja e fortë me prejardhjen e shpuri në formimin e kredos së tij poetike, sidomos në Devoll, Devoll, Tiranë 1964. Baltën e arave të Devollit e kishte futur në një trastë leshi, për ta mbajtur ndënë gunë. Ai i mbeti besnik prejardhjes dhe traditës fshatare. Poezia e tij e freskët, e njomë, e kthjellët dhe konkrete, me ngjyrën e shkumës së qumështit të lopëve murra të kooperativës bujqësore, me kallëzat e grurit të luginës së Dvollit dhe me brazdat e tokës së zezë të lëruar, nuk ka humbur asgjë nga boshti bukolik, i cili mbetet fuqia e poetit.
Agolli gjen kënaqësi te rima dhe te figurat e ligjërimit.
Në vitin 1969 boton në Tiranë ciklin Baballarët. Sipas disa kritikëve letrarë, tani vargu i poetit nis të humb diçka nga spontaniteti i vet dhe të anojë nga një poezi “zyrtare” në shërbim të ideologjisë.
poemën me temë kombëtare Nënë Shqipëri, Tiranë 1974, disa studiues kanë parë shembullin e një panegjiriku partiak. Si poet laureat kombëtar i ri, për 30-vjetorin e çlirimit të vendit, prej tij pritej diçka madhështore. Poema gëzoi propagandim të gjerë dhe miratim zyrtar. Është përkthyer në italisht (Tiranë 1975, Savona 1984), gjermanisht (Tiranë 1977), serbokroatisht (Tiranë 1979), suedisht (1980), anglisht (Tiranë 1985).
Ndër përmbledhjet poetike të mëvonshme kemi Fjala gdhend gurin, Tiranë 1977; Të pagjumët, Prishtinë 1980; dhe Udhëtoj i menduar, Tiranë 1985, e përkthyer frëngjisht me titullin Je marche pensif, Tiranë 1987 dhe greqisht, Tiranë 1989.
Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli kishin ndër vete raporte miqësore, ndonëse herë-herë kishin edhe mosmarrëveshje. Dritëroi tregonte respekt ndaj Kadaresë dhe e çmonte lartë veprën letrare të tij. Dritëroi shpesh është cilësuar si kolos i letrave shqipe. Ka që thonë se e deshi Shqipërinë si Naimi. Kosovën e kishte në zemër.
Tetovë 05022017

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...