Home / Lajme / Pse jam me Ukshin Hotin dhe kundër Ibrahim Rugovës?

Pse jam me Ukshin Hotin dhe kundër Ibrahim Rugovës?

Nga: Dr Sadri RAMABAJA31 January 2017

Opinioni në Kosovë vazhdon të jetë i ndarë në raport mes LDK-së dhe LPK-së. E para e personalizuar me Ibrahim Rugovën, ndërkaq  e dyta – LPK-ja  – që ishte bartësja e aktivitetit ilegal në Kosovë dhe themeluesja e UÇK-së,  me burgosjen dhe zhdukjen e Ukshin Hotit, kishte mbetur pa kokë politike në çastet më të vështira. 

1.

ADVERTISING

Në publicistikën tonë bashkëkohore, përgjatë gjithë tranzicionit të tejzgjatur, autorë të veçantë, herë-herë i kthehen raporteve të shqiptarëve me Luftën e Dytë Botërore. Argumentet dhe kundërargumentet që sjellin për “palët” ndërluftuese, respektivisht për ata që luftuan pushtuesit dhe palën tjetër që kolaboroi me pushtuesit, janë nga më të ndryshmet. Jo rrallë, në këto studime e analiza, mungon krejtësisht racionaliteti shkencor, ndërkaq logjika mund të thuhet se merr arratinë.

Është me interes të hulumtohen shkaqet dhe arsyet objektive përse këto raporte në Kosovë marrin ngjyrimet ideologjike të aktualitetit politik.

Përfundime të shëndosha në këtë rrafsh është vështirë të kemi përderisa na mungojnë hulumtimet shkencore, analizat lidhur me raportet shoqërore, së paku të viteve nëntëdhjeta në Kosovë mes LDK dhe LPK-së, në njërën anë dhe LDK-së dhe pushtetit okupues serb, në anën tjetër.

 

2.

A mund të tërhiqen paralele mes raportit të ballistëve dhe okupatorëve italian, respektivisht gjerman në periudhën e LDB me këto të LDK-së dhe okupuesve serb, respektivisht LKJ-së dhe aparatit të tyre shtypës e reprezal? Pse për këtë fenomen nuk kemi ende studjues që merr guximin të publikojë analizë a studim përkatës?

Në analizat dhe librat e publikuara deri tashti për LDK-në, për LPK-në dhe sidomos për UÇK-në dhe FARK-un, venerohen tendenca të jashtëzakonshme për falsifikim e shtrembërim të së vërtetës, respektivisht plasim të së vërtetës konform këndvështrimit ideologjik .                            (Shih autorët: James Pettifer, Ibrahim Kelmendi, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Veton Surroi…).

 

Në përvjetorin e tridhjetepestë të themelimit të LPK-së dhe rënies së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, Shoqëria “Lëvizja” e themeluar për të ruajtur dhe kultivuar të vërtetën për LPK-në dhe ilegalen shqiptare gjatë shekullit, për aq sa ky krah i Shqipërisë ishte nën pushtimin serb, organizoi një simpozium shkencor. Simpoziumi disi u heshtë nga strukturat shtetërore të dominuar nga koalicioni i çuditshëm mes të ashtuquajturve trashëgimtarë të LDK-së reale, që de fakto na rezulton vazhduese e LKJ-së, në njërën anë dhe puçistëve brenda LPK-së e UÇK-së, në anën tjetër. Në kumtesat e shumta që u prezantuan në simpozium, pati prurje me interes sidomos për raportet brenda ilegales, por edhe mbi qëndrimin e Lidhjes Komuniste Jugosllave (Seksioni i Kosovës) ndaj ilegales dhe kërkesës së saj për Republikë.

Nuk munguan edhe kumtesa që hidhnin dritë edhe për penetrimit e shërbimeve sekrete serbe brenda ilegales. Ky fakt duket se ka trazuar shumë shpirtra, sidomos të atyre që janë në piramidën e Republikës. E natyrshme, fillimi i përballjes me të vërtetën gjithmonë trazon shpirtrat e atyre që kanë notuar dhe po notojnë në mjegullat e historisë.

Në këtë rrafsh reflektimi, me interes të jashtëzakonshëm ishte edhe një analizë e publikuar së fundmi në të përditshmen “Zëri” (nga Asdren Shala), me titull sa sinjifikativ aq edhe provokativ “Pse jam edhe me Fadil Hoxhën edhe me Shaban Polluzhen!?”[1]

 

3.

Opinioni në Kosovë ngjashëm, siç është i ndarë në dy taborre “me Fadil Hoxhën ose me Shaban Polluzhën”, vazhdon të jetë i ndarë edhe në raport mes LDK-së, të personalizuar me Ibrahim Rugovën, në njërën anë, dhe LPK-së si organizatë që ishte bartësja e aktivitetit ilegal për gati dy dekada në Kosovë, – edhe si themeluesja e UÇK-së, – por që për fat të keq, penetrimet e shërbimeve sekrete, duke e hedhur prapa grilave ideologun e saj ideopolitik, Ukshin Hotin, e kishin lënë pa kokë politike në çastet më të vështira.

Në rastin e parë, autori Shala, vë në pah një fenomen më shumë politik se sa historik, e që ka të bëjë me vendosjen e figurës së Fadil Hoxhës si komunist, përballë asaj të Shaban Polluzhës si gjoja ballist. Në anën tjetër ai konstaton me të drejtë se pikërisht “ky është shtrembërimi i parë i një fakti shumë të rëndësishëm për problemin në fjalë. Fadil Hoxha ka qenë komunist, por Shaban Polluzha asnjëherë nuk ka qenë një ballist, siç spekulohet nga shumica e njerëzve.” [2]

 

Por nëse në analizën në fjalë ka pretendime për ta tejkaluar këtë keqkuptim real, pa i vënë pikat mbi I, unë dua me këtë rast, jo vetëm sa për analogji, ta vendosi figurën e Ukshin Hotit përballë asaj të Ibrahim Rugovës.

 

E kam parasysh se mospajtimet do të jenë nga më të nduarnduarshmet, jo si mes dy të parëve, që ndalen tek fakti se si vepruan ata gjatë LDB. Tek paralelja e dytë, kundërthëniet do të jenë të rrafshit konceptual mbi lirinë, si themeli i arsyes së arsyes [3], respektivisht për rrugët që do të duhej të ndiqeshin nga faktori shqiptar në ish Jugosllavi, e që do t’ na shpinin deri tek liria, duke u bazuar po në kufizimet e arsyes dhe shkaqeve, pra rrethanave që do të ndikonin në shtimin e vëmendjes sonë, siç do të shprehej filozofi gjerman Stefan Shmid. “[4]

 

Fundja degradimi i qenies njerëzore në Kosovën e viteve nëntëdhjeta ishte i përmasave të jashtëzakonshme, dhe angazhimi për ruajtjen e paqes me atë çmim, nënkuptonte degradimin e qenies njerëzore në nivelin e kafshës dhe bimës! Si qenie njerëzore, në këtë kontest, shprehet Schmid, ata që gjakojnë lirinë, nuk mund të pranojnë statutin e kafshës apo bimës. Prandaj ata shtrojnë pyetjen edhe në rrafshin praktik: “Si duhet të jetoj?”, meqë kjo nuk është për ne disi e “vetëkuptueshme”. [5]

Por, si në rastin e pare, edhe në rastin e dytë, tendenca për silogjizma politike, madje as edhe në përpjekjen e guximshme të autorit Shala, nuk mungon. Këtë fenomen të rrafshimit të vlerave ka kohë që e kisha vu re edhe tek personalitete tona të shkencës dhe publicistikës që I përkasin brezit që po përmbyll shekullin e jetës. Natyrisht do të doja që ai fenomen mos të bartej si virus i keq, edhe te brezi i ri i studiuesve. Nuk mund të thuhet se kishim rreshtim politik të studiuar dhe progresiv, sidomos kur e kemi në konsideratë tashmë kontekstin politik, shoqëror e kulturor të kohës, si për Fadil Hoxhën edhe për Shaban Polluzhën. Kjo është edhe më e qartë në raportet mes Ibrahim Rugovës dhe Ukshin Hotit. Në këtë pikë, Ukshin Hoti del më i përafërt me Fadil Hoxhën.

 

4.

Në një debat të veçantë, në raport me pozicionimin aktual të Ali Ahmetit në kontest të Jo-së së tij historike ndaj VMRO/DPMN-së së ish kryeministrit shoven të Maqedonisë, Nikolla Gruevskit, dhe rastit të Kumanovës (2015), kishte tendencë të hapur për njollosjen e figurës së Ahmetit pikërisht për faktin se ai në ato ditë tragjike ishte në koalicion qeverisës me Gruevskin! Jo rrallë në publicistikën tonë, edhe për masakrën e Tivarit (1944), krejtësisht kot, është fajësuar herë Fadil Hoxha e herë Enver Hoxha, pavarësisht se asnjëri e as tjetri nuk kishin ama aspak dijeni për rastin në fjalë në kohën kur ajo kishte ndodhur. Ishin pikëpamjet ideologjike ato që reflektonin në këto konkluzione të gabuara të një lagje autorësh në këto pothuajse tri dekada të fundit. Janë të paktë ata që në studimet e tyre janë të bazuar në dokumente dhe realitet faktik. (Shih: Azem Hajdini – i mbijetuari i masakrës,  Hakif Bajrami, Maringlen Verli, Uran Butka …) Ky i fundit, madje, si një mazohist, ia kalon në gjykimin e tij për këtë tragjedi edhe Aleksandër Rankoviqit.

 

Motivet politike për të cilësuar kolaborator të Gruevskit personin që një jetë të tërë ia ka kushtuar çështjes kombëtare dhe çlirimit të hapësirave të pushtuara të Atdheut, çka mund të cilësohen, përveçse shprehje e injorancës dhe naivitetit politik.

 

5.

Ukshin Hoti duke qenë plotësisht i bindur se rreshtimi i shqiptarëve në krahun e demokracive liberale vetëm në rrafshin deklarativ nuk do të mjaftojë, ishte angazhuar që rezistenca jonë politike paqësore e viteve nëntëdhjetë të pajiset edhe me krahun e forcës. Shih për këtë ai në esenë e tij të jashtëzakonshme “Bëje ose vdis për ta vrarë vdekjen!” bën thirrje për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Ai e bënte këtë në një çast të jashtëzakonshëm, kur kishte kolauduar se “viti 1981 kishte përfunduar më 27 janar të vitit 1990”, kur në Brestovc të Rahovecit kishin rënë katër dëshmorë në mbrojtje të Republikës. ndërkaq në Prishtinë “vetëdija e deformuar mbi realitetin, duket se i kishte mjegulluar gjërat. Edhe Republika, edhe Demokracia, akoma mbahen peng”, konstatonte me dhimbje Ukshin Hoti. [6]

Në këtë përfundim ai kishte ardhë meqë ishte një nga mendjet më të ndritura të mendimit politik dhe, për rrjedhojë, ngase i njihte mirë kundërthëniet gjeostrategjike që do të mund të ngjallte procesi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Rreshtimin aktiv pro demokracive perëndimore ai e shihte edhe si kontribut që do të jepte populli shqiptar në transformimin, respektivisht shpërbërjen e Jugosllavisë, pa provokuar ndërhyrjen e Rusisë në rajon. Shih për këtë ai kishte elaboruar qartë dy skenarët tashmë të njohur, atë për Republikën e Kosovës si pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave dhe skenarin për bashkimin e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, pjesë e natyrshme e së cilës ishte.

Për skenarin e parë, ai ishte shprehur se do të merrte përgjegjësi, duke qenë në krye të kësaj beteje politike, ndërkaq për të dytin ai do të ishte vetëm një ushtar. Rezervën që kishte rreth skenarit të dytë ai e ndërlidhte me pasojat e mëdha që mund të kishim, në rast se pala serbe dhe faktori ndërkombëtar që mbështeste interesat serbe në rajon, do të mund të hidheshin në ofensivë në çastin e shpërthimit të luftës, duke shkaktuar çarjen e NATO-s. Këta skenarë ai i konvergonte në harmoni të plotë me rolin e faktorit ndërkombëtar në rajon. .[7]

 

6.

Po, çka mund të thuhet për konceptin politik të Rugovës në këtë rrafsh?

 

Rugova ishte në krye të LDK-së si forcë politike që pretendonte të kontrollojë çdo gjë në Kosovën e viteve nëntëdhjeta. Në një masë të madhe mund të thuhet se edhe e bënte. Ai, pra Rugova, ishte edhe kryetar i forumit gjithëshqiptar që quhej Këshilli Koordinues i Forcave Politike Shqiptare në Jugosllavi. Ky Këshill atëbotë kishte hartuar edhe një platformë politike që obligonte partitë politike të silleshin në raport me zhvillimin e ngjarjeve në rajon. Ajo platformë potenconte faktin se, në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë, forcat politike shqiptare do të angazhoheshin për rikonfigurim të hartës politike të rajonit dhe rrjedhimisht edhe për bashkimin me Shqipërinë.

Si u soll Rugova në raport me këtë platformë politike në çastet kur lufta kishte marrë hov në Kosovë dhe shpërbërja e Jugosllavisë ishte tashmë fakt i kryer?! Nga këndvështrimi i sotëm, rezulton se ai është sjell edhe më keq se mbreti Zog në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

E kundërta kishte ndodhur me Ukshin Hotin. Ai i ishte bashkuar idealistëve që po vepronin në kuadër të LPK-së & UÇK-së. Po ndante fatin e tij bashkë me këtë krah idealistësh edhe në burg. Por, edhe prej andej, ai mbështeste ata që po angazhoheshin në forcimin e UÇK-së. Shih për këtë unë jam me Ukshin Hotin dhe kundër Ibrahim Rugovës.

Komente

Share This:

About admin

x

Check Also

Albin Kurti, Hasan Prishtina i kohëve moderne

Bosnjëzimin e Kosovës, privatizimin neoliberal, plaçkitjen, nigerizimin  e vendit dhe gjendjen e ...