Intervistë ekskluzive: Afrim Morina

“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (7)

Pyetje:  Me politikanët që kemi në pushtet (andej e këtej kufirit), populli shqiptar është shumë i pakënaqur, po njësoj i pakënaqur është edhe me opozitën. Cila mund të jetë përgjigjja e tyre rrethanave ekzistuese të kohës, kur kemi parasysh forcën ushtarake të apetitorëve pushtues të trojeve tona etnike?

Përgjigje:  Me të vërtetë, jemi në rrethana shumë të vështira, sepse, misionet e huaja e kanë krijuar shtratin në trojet tona dhe po shihet se po përgatitet edhe shtrati i Prokrustit. Por, edhe gjendja sociale është e mjerë, dy faktorë shumë domethënës, nëse dimë t’i shfrytëzojmë në shërbim të kombit.

Ne, shqiptarët, nuk kemi opozitë. Nuk kemi opozitë, sepse, partitë që kanë ekzistuar, luftojnë për t’i ndërtuar pozicionet në pushtet. Por, është shumë me rëndësi se populli, në masë të madhe, është opozitë, treguesi më i mirë janë zgjedhjet anekënd trojeve shqiptare, që, në masën deri në 55% nuk u përgjigjen thirrjeve shterruese të liderëve. Shikuar së mbari, për ta bërë një analizë të thuktë, shkencore dhe politike, merrini parametrat e viteve të nëntëdhjeta dhe të sotmet, shihet dukshëm rënia e votuesve. Kjo e ngacmon faktorin ndërkombëtar, sa edhe ai përfshihet në fushata elektorale, paraprake apo edhe të drejtpërdrejta. A nuk është edhe ky një tregues, bukur i fuqishëm, se misioni i të gjithëve është shpëlarja e trurit, që shqiptarët të mos mendojnë njësoj, të mos veprojnë njësojë, të mos e shikojnë njësoj të ardhmen, por, në vend të pasqyrës, institucionalistëve ua kanë dhënë syrin e kalit, për t’i shikuar veprimtarët e rezistencës kombëtare.

Ka përpjekje për një opozitë në Kosovë, por, që nuk e ka të qartë vizionin për çështjen kombëtare. Vizioni kombëtar ka shumë parametra, që nga thithja e energjisë mendore, e deri te ajo vepruese. Ekziston frika te këta, qoftë për të dalë nga gëzhoja e krijuar, qoftë për të qenë të hapur, qoftë për ta dalluar potencialin mendor kombëtar dhe kjo e bën të varfër dhe të pafuqishme në luftën titanike me të gjithë këta mekanizma. Opozita, ajo çfarë është, i ka lëvizur pakës gurët nga vendi, duhet pranuar rezultatet, por, sigurisht, ju shoku Tafil, keni menduar për një opozitë (tok me Tiranën shqiptare) që do ta përmbyste klasën politike, për ta marrë në duar flakadanin e ecjes përpara, deri në kryerjen e misionit kombëtar.

Opozitës, vetëm po ia kujtoj (nëse dikush prej tyre e lexon këtë intervistë), blerjen e trurit prej hebrenjve, ndërsa, këta e kanë falas trurin e shqiptarëve dhe nuk dinë ta shfrytëzojnë, ky është mjerim dhe largim nga misioni, nëse ia kanë caktuar vetes misionin e çështjes kombëtare. Kjo, thjesht, se akëcili mendimtar, nëse nuk ka teserë partie, nuk e vlen të merret mendimi i tyre, si dikur te themeluesit e UÇK-së!

Pyetje:  Ndërkombëtarët, këtu, sa nuk e njohin dhe sa nuk duan ta njohin realitetin e hidhtësisë së shqiptarëve me trojet e tyre etnike, duke qenë rast unik në botë trojet e një populli dhe qenia e tij njerëzore ndarë në gjashtë shtete antishqiptare. Çfarë duhet të bëjë BE dhe bota, me në krye SHBA, që t’i përmirësojnë gabimet e veta në kurriz të Shqipërisë dhe në kurriz të shqiptarëve?

Përgjigje:  Një gjë duhet ta kemi parasysh, në relacion me BE-në. Ajo është e vetëdijshme dhe e ka të njohur gjendjen e shqiptarëve, jo vetëm sot, por, në vazhdimësi, që nga Kongresi i Berlinit (1878). Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka arritur që edhe Bizmarkun ta detyrojë ta ndryshojë mendimin dhe ta pranojë realitetin shqiptar. Shqipëria londineze, që nga viti 1945, ia ka bërë të ditur Evropës problemin kombëtar, e, këtë e ka ngritur në nivelin më të lartë, gjatë periudhës 1972-1974, në Helsinki, kur nuk pranoi t’i nënshkruajë kufijtë me fqinjët. Po këtë, e ka bërë të njohur në vitin 1990, në OKB, edhe Ramiz Alia. Siç del nga këto, BE-ja është në rrjedhë të gjithë ecjes së problemit shqiptar, prandaj, edhe e mbështetë misionin sllavoortodoks. Ajo, edhe e stimulon faktorin turk, në shumë projekte të saj, në trojet shqiptare, madje, duke i dhënë edhe përparësi, sepse, është e sigurtë se ajo po e luan rolin shumë bukur, për pasivizimin e shqiptarëve, në njërën anë, dhe, shkatërrimin e ekonomisë shqiptare, në anën tjetër.

BE-ja dëgjon dhe kupton, vetëm kur ne ta ngrisim çështjen tonë në nivel të përgjegjësive tona, në kohë dhe hapësirë. Kishte demonstrata, kishte burgosje, vrasje dhe shumë fenomene tjera nga pushteti i Beogradit, i Shkupit e i Podgoricës, por, ajo u mor me ne vetëm kur buqitën armët e luftëtarëve të lirisë – të UÇK-së.

Ne, mbajmë përgjegjësi për mundësitë e manipulimit të BE-së me ne. Pushtetarët, nuk ka qenë dashtë ta pranojnë asnjë misionar të saj, kur dërgon pjesëtarë të shteteve që ia bëjnë argatin Serbisë pushtuese dhe gjenosidale e etnocidale, në të gjitha planet, siç janë rusët, grekët, spanjollët, sllovakët, etj. Sikur ta kishin ndërmarrë një veprim të tillë, BE-ja, ndryshe do të kishte menduar e vepruar në relacion me ne. Kur ajo sheh që heshtet rasti i Ulqinit, i vetmi vendim i marrur në Kongresin e Londrës, se, pas 99 vitesh i kthehet Shqipërisë, e, shqiptarët nuk e kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim, prandaj, BE dhe Brukseli, këtë na e kthen si bumerang gjithë kombit. Ne, nuk duhet të befasohemi me qëndrimet e saj dhe të Brukselit ndaj nesh, sepse, ajo sillet me ne duke na injoruar pafundësisht, siç vepron edhe Brukseli, duke u tallur me injorancën e pushtetarëve, duke u tallur me paaftësitë e pushtetarëve, duke u tallur me bërien e politikave dhe mu për këtë kërkon që edhe më tej ta përfillim mendimin e saj (tij) prej mentori. Duke i pasur të gjitha këto parasysh, BE-ja, ka aritur që problemin e serbëve ta ngritë në nivel të Brukselit, e, të bisedohet për probleme tokësore e qytetare të Kosovës, e, jo ta detyrojë Serbinë, që të ulet, dhe të bisedohet, siç ndodhë rëndomë me shtete të dala nga lufta.

Kemi harruar se mentorët tanë ishin rilindasit, që vështirë se njeriu ta gjejë ndonjë komb me kaq program të qartë dhe të mundshëm për përmbushje.

Gjithë këtë bashkëbisedim që e zhvilluam, qenësorja ishte se ne nuk jemi duke vepruar në kuadër të mundësive, në kuadër të përceptimeve të problemeve që na dalin përpara, në kuadër të forcës mobilizuese kombëtare, por, politikën e kemi bërë pronë feudësh dhe sillemi në rrethin e saj vicioz. Këtë, duhet, sa më shpejtë, ta ngritim në nivelin e rrethit të Arkimedit, fillimin e dimë, duhet të lëvizim, duke u shtrirë në hapësirën tonë kombëtare dhe kur t’i arrijmë cepat e atdheut, siç i kishim arritur më 1990, mund të bëhemi partnerë të BE-së për bisedime, në rrafshin kombëtar dhe nga loja do të binin shtete artificiale, të cilat, fatkeqësisht, ende i mbajnë gjallë shqitarët, Maqedonia dhe Mali i Zi. Beteja ndaj Serbisë është shumë e lehtë, kur të fillojnë të parashtrohen argumentet, në planin kombëtar, territorial, fetar, etj.

Pyetje:  Si po ecën politika dhe diplomacia shqiptare, karshi bëries së vetvetes, në kohë dhe rrethana të kështuzme?

Përgjigje:  Duhet ndarë diplomacinë e Shqipërisë londineze nga kjo e Kosovës, sepse, nuk janë në harmoni, ose në bashkëveprim njëra me tjetrën, jo sot, por, kjo është shndërruar në fenomen, gjatë viteve të nëntëdhjeta e këtej. Kjo është e qëllimshme, sepse Bukseli e kushtëzon diplomacinë e Kosovës për të ecur ndaras nga ajo e Shqipërisë londineze (e, kësaj ideje antishqiptare i ka paraprirë rugovizmi dhe berishizmi), gjë që nuk duhet të ndodhë më, me asnjë kusht a kushtëzim të BE-së, etj.

Diplomacia e Shqipërisë londineze ka filluar të konsolidohet, sepse viteve të nëtëdhjeta ajo ka qenë diplomaci kursantësh në Indonezi, me nga gjashtë muaj, ndërsa, shtetet tjera kanë pasur diplomaci profesionale. Llogarite se sa ka humbur diplomacia e jonë në rafshin kombëtar ato vite, dhe, e kemi shumë të vështirë ta marrim hapin, në hapësirë e kohë.

Kjo ndarje e diplomacisë na kushton shtrejtë dhe këtë tagër e paguan i gjithë kombi, se e kemi edhe segmentin tjetër diplomatik nga Maqedonia, ku janë të përfshirë edhe diplomatë shqiptarë, të cilët, në asnjë moment, nuk flasin dhe nuk veprojnë shqip (në kuptimin politik e diplomatik).

Tirana e ka për detyrë dhe obligim Kushtetues të depërtojë në diplomacinë e vendeve të rajonit, Evropës, Azisë dhe përtej Atlantikut, për ta trajtuar çështjen  shqiptare në vija të drejta dhe për ta shkurtuar rrugën e realizimit të saj.

Nuk do të thotë diplomaci, kur Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, i thotë zv. Ministrit të po asaj Ministrie të Kosovës, se Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi dhe neve na servohet si lajm shumë me peshë! Kjo është diplomaci folklorike, për të cilën nuk kemi nevojë as të dëgjojmë, e, të ngjajshme kemi pothuaj nga të gjitha shtetet. Se sa është efikase kjo diplomaci, duhet parë realitetin në terren, kur pjesa dërrmuese e shteteve që e kanë njohur Kosovën, pak sosh e kalojnë formalitetin.

Nëse nuk vetëdijesohen institucionalistët, për t’i ndarë detyrat me përgjegjësi kombëtare, për të paraqitur gjendjen reale me akcilin shtet, për ta plotësuar njëra-tjetrën me materiale të domosdoshme, për ta plotësuar stafin e vet diplomatik me profesionalizëm, edhe më tej do të kemi probleme në artikulimin e gjërave që duhet trajtuar si parësore, të dorës së dytë, e kështu me radhe, në njërën anë, e, në anën tjetër, të dalim qesharak para shteteve tjera, me dikush thumbit e dikush patkoit.

Diplomacia e shqiptarëve, jashtë Shqipërisë londineze, duhet konsoliduar dhe bashkëvepruar me Tiranën në radhë të parë, sepse, sikurse dora e jote nuk të kruan asnjë dorë tjetër.

Pyetje:  Pyetje mund të bëjmë pa fund dhe, natyrisht, se, nuk do mungojnë as përgjigjet, por, nëse nuk ju kemi pyetur për diçka që duhet ta thoni, thujeni për lexuesit tanë. Apo, mjafton që porosi për të gjithë të jenë intervistat e imagjinuara me amanetin bazik: bëjeni Shqipërinë – Shqipëri?

Përgjigje:  Shoku Tafil, u mundova të përgjigjem në pyetjet tuaja me sinqeritet, jo për ju, por për lexuesin dhe në kuadër të njohurive që kam.

E vërtetë është se përmes intervistave të imagjinuara, jam munduar t’i kapë kohët dhe njerëzit që e kanë bërë historinë tonë kombëtare. Ata na e kanë lënë një mesazh të forte, të mbarë dhe të mirë, që, ne, ende nuk po mundemi, të paktën, politikisht, ta trajtojmë në një formacion më të gjerë dhe t’ia lëmë gjeneratës së re, që ta zbatojë. Ju dhe unë kemi lexuar për platforma kombëtare nga individë, nuk dua t’i nënçmoj aftësitë e tyre, por, një gjë duhet pasur parasyshë, secili që hyn në këtë lojë, gabon, platformat duhet të krijohen nga një grup bukur i madh njerëzish, me pedigre kombëtare, me aftësi profesionale nga të gjitha fushat e jetës, duke ua përshtatur rrethanave dhe kohës për zbatim. Këta, e kanë bërë për kapuç të madh, për të thënë se unë jam dikushi. Kemi fusha të caktuara ku duhet treguar veten, por, në radhë të parë, duhet pasur guxim dhe logjikë të shëndoshë, në kohën kur ndërmerr veprime.

Në këto intervista, jam munduar t’i përfshijë: burrështetasit, shkrimtarët, veprimtarët, ushtarakët, të cilët kanë lënë emra në historinë tonë kombëtare, dhe, për mua, veprimtaria e tyre politike është alfabeti politik i shqiptarizmës, që na mungon shumë, sot. Ata, njëri pas tjetrit, e vunë nga një shkronjë politike në themelet tona kombëtare, që, ne, sot, përtojmë, nuk dimë, apo nuk duam ta pranojmë, që ta vazhdojmë punën e lënë përgjysmë, për shkak të kohës. Ata na e caktuan hartën kombëtare dhe shtetin shqiptar e vunë në binarë të vet, ndërsa, ne, veç po shkojmë duke e shqyer atë e duke e minuar shtetin shqiptar, që, edhe është rreziku më i madh që na ka ndodhur dhe po na ndodhë para syve tanë.

Bëjeni Shqipërinë – Shqipëri, a ka mesazh më të fuqishëm? Ata, tërë jetën ia kushtuan kësaj motoje dhe ne nuk i përfillim qëndrimet e tyre teorike e praktike, por, më shumë na joshin historitë e huaja, liderët e huaj, dhe, fitohet përshtypja sikur ka humbur sensi për të qëndruar në këmbët tona, në truallin tonë, si Anteu.

Të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare, duhet t’u drejtohen atyre, sikurse ne dikur, për ta mësuar, nga përvojat e tyre, veprimtarinë e tyre, për të ditur se si ndahet shapi prej sheqeri, jo vetëm përbrenda kombit, por, edhe në relacion me ndërkombëtarët. Kjo është shkolla shqipe, me bazament në Tiranë, sepse, hë për hë, Tirana është edhe Kryeqyteti i kombit.

Në këto intrervista të imagjinuara, më vjen keq që nuk kam mundur t’i përfshijë të gjithë meritorët, emra, që, kur kanë vdekur, i ka vajtuar i gjithë kombi, por, kjo ishte mundësia ime, hë për hë.

Shoku Afrim, faleminderit!

Faleminderit edhe prej jush, shoku TafilPër portalin shqiptar artexd.webnode.com(artex.al-dritare shqiptare) , intervistoi: Tafil Duraku

Tiranë, Tetor 2016

(Fund)

Intervistoi: Tafil Duraku

 

About admin

x

Check Also

Sabit Brokaj: Rrënjët e një krize

February 26, 2019 Për politikanin e njohur Sabit Brokaj, rrënjët e krizës ...