LAJME
Home / Intervista / “SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (6)

“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (6)

Intervistë ekskluzive: Afrim Morina

Pyetje:  Rrethanat, sa po vinë e po ngushtohen më shumë, në horizonte rajonale e botërore ka zhvillime të paparashikueshme politiko-ushtarake. A mund t’i rezistojmë, në rrethanat ekzistuese, ndonjë “befasie” ushtarake të fqinjëve dinakë përreth dhe të aleatëve të tyre?

Përgjigje:  Lufta! Kohëve të fundit, (për)flitet shumë për Luftën e Tretë Botërore. Kjo nuk ka për të ndodhur, për shkak të potencialit të madh bërthamor. Ta kujtojmë vetëm një rrjedhje të pakët, që ndodhi në Çërnobil. Krahasuar me ngarkesën që kishte ajo, e, të mos flasim për ngarkesën që kanë Fuqitë e Mëdha, me ç‘rast pasojat ishin tepër të mëdha, sa ndihen edhe sot. Kjo është më tepër manovrim i supërfuqive, për t’i frikësuar shtetet të cilat mundohen t’i mbajnë për koloni politike e ekonomike. Këtë, mëse miri e shpjegon Kisinxheri (parafrazim): “Sot, në botë ekzistojnë pesëmbëdhjetë kilogram eksploziv klasik për kokë të çdo banori, sa ka edhe për kokën e Niksonit, edhe për kokën e Brezhnjevit” (1978).

Te ne, është po e njëjta gjë. Bashkësisë ndërkombëtare i ka kushtuar shumë lufta dhe vështirë se mund ta aktivizojnë këtë bombë të kurdisur dhe mu këtu ka qenë dashtë të mbështeten politikëbërësit. Pra, gjeopolitika dhe gjeostrategjia na jep përparësi për realizimin e të drejtës tonë, shtetkomb. T’i marrim vetëm dy shembuj, atë të Palestinës dhe të Bosnjës. Në Palestinë, ende bëhen eksperimente të supërfuqive, derisa këtë ta kuptojnë të gjitha palët ndërluftuese, se, e gjithë kjo bëhet për ta treguar forcën amerikanët, rusët dhe paraja. Në Bosnje, kur u pa se situata doli nga kontrolli, sidomos, me masakrën e Srebrenicës, supërfuqitë e ndërprenë dhe u takuan në Dejton, jo për ta zgjidhur situatën, por, për ta krijuar një situatë të re, sepse, këmbëngulja Ruse për një Serbi të Madhe, mposhti interesin e palës tjetër. Ai territor nuk paraqiste interesa globale, mirëpo, u la si fitil detonatori, për çdo rast. Te ne, situata është krejtësisht ndryshe. Këtu, kur u pa se lufta do të merrte përmasa rajonale, ku do të përfshiheshin Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Rumania, Turqia dhe Hungaria, nga të dyja taborret e supërfuqive, u ndërmorën masa të menjëhershme. Pra, Fuqitë e Mëdha e dinin se këtu nuk mund të përdorej loja e Palestinës dhe e Bosnjës, por, duke e falënderuar lidershipin e shqiptarëve në Rambuje, arritën vetëm ta lokalizonin bombën dhe jo ta çaktivizonin atë, duke i dhënë shumë të drejta, me Rezolutën 1244, dhe, sidomos, me Pakon e Ahtisarit, Serbisë.

Nëse shqiptarët këmbëngulin në të drejtën historike, nëse shqiptarët këmbëngulin në të drejtën e popullimit, nëse këmbëngulin në të drejtën e konventave ndërkombëtare për referendum, ne, jo vetëm se mund t’i shmangim kërcënimet deri në luftë, por, edhe mund ta realizojmë betimin e dëshmorëve të të gjitha kohëve. Ne, nuk e njohim vetveten, ne nuk e dimë sa banorë jemi, ne nuk e dimë se çfarë pasurie kemi, që, të tjerët, ëndrrojnë të flenë mbi këtë pasuri, të zgjohen në këtë pasuri, për të qëndruar përballë çdokujt me nder e guxim, dhe, Serbia, për këtë e quan sy (sepse, përmes pasurisë sonë mund të jetë ballëhapur në Evropë e gjetkë), vesh, (sepse, do t’i dëgjonte mbështetjet që do i jenin të tjerët, falë kësaj pasurie), zemër, (sepse ajo do të rrahte më normalisht, kur do të kishte me çka të hynte në marrëdhënie ekonomike me të tjerët). Dëshmia më e madhe është Trepça, që, në kreditime, Jugosllavia, e, edhe Serbia, e linte garanci pasurinë e saj. Këto janë arsyet pse Serbia e di çka do, por, ne, ende nuk e kemi zgjidhur këtë enigmë, sepse, shkollat e Beogradit dhe të Athinës, kanë pasë mision të vetin, gjatë gjithë kohëve, njëra për det, e, tjetra për tokë.

Po ta kuptojmë këtë forcë, që e kemi në këtë pjesë të Mesdheut Iliro-shqiptar, (që të tjerët e quajnë Ballkan), si komb, si gjeostrategji e gjeopolitikë, si fuqi ekonomike, atëherë, nuk do të ziheshim në zgripc, por, sidoqoftë, çdo e papritur, do të na e jep mundësinë e bashkimit, ngase, lufta na detyron të veprojmë të gjithë, si komb, dhe, ajo, menjëherë, do t’i shtinte në luftë edhe shtetet që mbajnë të robëruara tokat tona. Nuk do të lejohen lojërat e fundshekullit të kaluar, se, edhe veprimet me bashkëpunëtorë të armikut nuk do të jenë toleruese, sepse, ata janë shkaktarë të një lufte të mundshme, gjë që, unë, kam besim të plotë se nuk do të ndodhë. Faktori ndërkombëtar, nuk do të goxojë të hyjë në këtë aventurë, se do ta përflakë edhe veten!

Këtë e dinë mirë, të gjithë që merren me ne, prandaj, edhe e forcojnë politikisht e materialisht elitën kujdestare, për të qenë në shërbim të misionit sllavoortodoks.

Pyetje:  Me këtë kokë “politike” e “ushtarake”, “patriotike” e “kombëtare”, të së shkuarës shqiptaro-titiste, ku mund të vëmi? A, pak po na zgjatë amullia, gati dy dekada të plota pas luftës së lavdishme të UÇK-së?

Përgjigje:  Mu këto koka misionarësh na kanë pru në këtë gjendje. Në Shqipërinë londineze patëm shkatërrimin e ushtrisë, në njerëz dhe teknikë ushtarake, nga Sali Berisha dhe sorollopi i tij, sa, në vitin 1998, na paraqiten, bashkë me Lekën (me uniformë mbretërore) në parakalim për ta marrë pushtetin, kur, në Kosovë, bëhej luftë shqiptare për jetë a vdekje. Në Shqipërinë e robëruar krijohet ushtria nga populli, ani se udhëheqësit e dikurshëm, ata që janë gjallë, bashkë me meritat kanë marrë edhe “mandatin” për të folur në emër të saj.

Këtu, kemi të bëjmë me paletaxhinjtë dhe kalemxhinjtë e sotëm, të asaj lufte, që dikur e shanin dhe atë na e kujtojnë vargjet e Nolit për Gurakuqin. Të sharët e asaj kohe harruan dhe sot duhet të shahen për bëmat që i bënë në emër të saj dhe që nuk i lë të mendojnë vet, të veprojnë vet, por, gjithçka mundohen ta arsyetojnë, se ata janë meritorët, që, në realitet, janë meritorët e marrisë.

Kategoria e dytë po ia kalon të parës, sa jam i bindur se zonj. Ollbrajt, e pyet veten, jam apo nuk jam duke vërejtur se këta ia kaluan Rugovës, nëse ai i shau dikur si udhëheqës të UÇK-së, e, sot, këta, po e përbaltin dhe ia kanë humbur dinjitetin shqiptar për liri dhe bashkim.

Amullia do të zgjasë deri sa ta kuptojnë familjet e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të kombit, bashkë me intelektualët dhe qytetarët, se, të merituarit po merren nëpër këmbë dhe në emër të tyre po flasin argatët e misionarëve, që zbatojnë politikën e misionit sllavoortodoks, pra, atë të boshtit kryesor antishqiptar.

Pyetje:  A janë këto pasoja të pacifizmit shqiptaro-titist të LDK-së&Co, apo, janë pasoja të paaftësisë politike e oragnizative të partive që përgatiten, organizuan dhe e bënë luftën për bashkim kombëtar?

 Përgjigje:  Pasojat?! Shoku Tafil, ne jemi dëshmitarë okularë të gjithçkaje që ka ndodhur në historinë më të re. Jo vetëm dëshmitarë në kuptimin e vrojtuesit me tejkqyrës, por, edhe aktivë në të gjitha zhvillimet politike e ushtarake të dhjetëvjetëshit të shekullit të kaluar, e, edhe më herët. Në kohën kur duhej bërë përgatitjet e njëmendta ushtarake dhe, kur kishin filluar ato, shumica ishin të frikësuar, se, mos po e nervozojnë Serbinë dhe ajo na bën hi e pluhur për dy orë, nga Nishi. Ta kujtojmë vetëm një intervistë të Ramush Tahirit, kur përmend dy çelësa deposh të armatimit (dyshoj dhe droj, që, si misionar i Ibrahim Rugovës, ka marrë pjesë në shitje), në Fushë Arrëz. Ato, Sali Berisha, përmes Bashkim Gazidedës, i shiti dhe nuk ishte sasi e vogël, bëhej fjalë për 300.000 (treqindmijë) komplete këmbësorie, më modernet në Botë. Këtu, kishte gisht edhe rugovizmi pacifist, përmes emisarëve të vet, kudo në Shqipërinë londineze. Djemtë dhe vajzat tona, shlirimtarët, mbetën me armët që kishin rënë në duart e qytetarëve, në vitin 1997, dhe, shumë pak ka pasur armë të reja. Qeveria e Bukoshit, në njërën anë, dhe rugovizmi, në anën tjetër, të mbështetur nga propaganda e verdhë, arritën t’i koordinojnë veprimet, duke vrarë e burgosur ushtarët e lirisë, dhe, në fund, duke ua ndalur bukën dhe municionin, e, për FARK-un, i cili sorollatej në Laprakë e në Malësi të Tropojës dhe gjithandej Evropës, i pat shndërruar në mercenarë, përmes pagave mujore. Për herë të parë, në luftërat shlirimtare, ndodhë të paguhen një pjesë e ushtarëve dhe e ushtarakëve, e, pjesa tjetër, që qëllim kishin lirinë dhe bashkimin, të nëpërkëmbët e të poshtërohet kësisoji.

Pra, rugovizmi i bëri këto tri gabime, e para, ndodhi zhdukja e armatimit, e dyta, burgosja dhe vrasja e luftëtarëve të lirisë në fronte lufte dhe e treta, minimi i misionit për shlirim e bashkim kombëtar. Këto tri pasoja ishin qenësore dhe kur këtyre ua shtojmë edhe të katërtën, që e bëri LPK-ja, me moton “vetëm bartësit e taserave të saj mundën për ta udhëhequr luftën”, gjë që mundësoi që të bëhej një shpërputhje aritmetiko-gjeometrike, që e mundësoi krijimin i zbrazëtirës për farkistët, sepse, përmasat e hapjes së frontit nuk mund të kontrolloheshin, dhe, erdhën ata që, në fillim e shanin, dhe, së fundmi, e minuan luftën.

Thënë shqip, që të dyja ishin fajtore, e para, sepse e kishte mision për ta ruajtur qetësinë në Mesdheun Iliro-Shqiptar dhe, e dyta, pse nuk mori masa me kohë. Po të mos vepronte dhe ta pushtonte terrenin embema e UÇK-së, që gjeti mbështetje te masat e gjëra, FARK-u, do ta linte popullin në mes të rrugës, siç ndodhi me veprimet e qëllimshme të Tahir Zemës, kur i çarmatosi ushtarët dhe i deportoi nëpër Mal të Zi (aleat i Sllobodan Millosheviçit në luftë), duke e lënë në mëshirën e armikut spitalin ushtarak, me të plagosur. Ky ishte misioni i rugovizmit, sikurse ndodhi në vitin 1993, kur e krijoi ushtrinë dhe e burgosi po vet, për ta frikësuar popullin, se, ne, si parti më e madhe, me Qeveri, me mjete financiare, me strukturë akademike ushtarake, nuk ia dolëm në krye, prandaj, mos u merrni me Serbinë, se ajo, jo vetëm se është më e fortë, por, i ka mundësitë edhe të na burgosë kur të dojë!

Pyetje:  Çfarë çoi te dështimi i betimit të UÇK-së? Kush dhe cili subjekt politik a ushtarak mban përgjegjësi reale para atij betimi të dhënë, të bërë publik menjëherë pas daljes publike të UÇK-së, më 28 Nëntor 1997, në Llaushë të Skënderajt, në varrimin e mësuesit Halit Geci?

Përgjigje:  Janë shumë faktorë që i kanë (para)prirë dështimit të betimit të UÇK-së. Faktori qenësor është, tkurrja e veprimtarisë vetëm në Kosovën administrative, e, jo në Kosovën ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Për këto dhe shumë gjëra të tjera do të flasë historia. Në asnjë epokë historike, faji nuk mbetët jetim, por, duhet pasur guxim ta pranosh, apo, nëse nuk ka gaditshmëri, duhet ta adresosh. Përgjegjësinë e kanë ata që e themeluan UÇK-në, sepse, ua vunë përpara shlirimtarëve një betim, i cili, pa marrë parasysh rrethanat politike, edhe të mëtejme, nuk guxon të shkelet. Ata që e shkelën, në emër të demokracisë, në emër të pluralizmit, etj. dhe shkuan aq larg, në fillim të veprimit politik, se ishin parti e luftës, ishin shkelësit e parë, duke mos e llogaritur si të parën tkurrjen e territorit. Këta, jo vetëm që e shkelën betimin, jo vetëm e gënjyen elektoratin, gjoja se janë parti e luftës, por, tash, me mjete politike, e rehabilituan djallin e të birin, kryesisht, njerëzit me dosje, që t’ua bënin argatin, me të gjitha mundësitë, me para, me logjistikë dhe me grumbullimin e votave.

Humbja e parë dhe e dytë në zgjedhje parlamentere dhe shumë herë në ato lokale (në disa komuna) ishte çmimi që ia dha qytetari, që ka ndodhur për herë të parë, që fituesi i luftës, t’i humbasë zgjedhjet nga bashkëqytetarët e vet.

Pyetje:  Mos po na përsëritet historia e dhimbshme kombëtare, si në kohën e principatave shqiptare, që e kishin në dorë ta bënin Shqipërinë në kufijtë e saj natyrorë?

Përgjigje:  Kohët kanë ndryshuar edhe në këtë këndvështrim. Principatat kishin qëllimin e tyre, jo vetëm ndaj perandorisë, por, edhe për qytetarët e vet. Princat u munduan ta krijonin mëvetësinë për feudat e tyre, për t’i bërë zap bujkërobërit, në emër të lirisë së sundimit, ndërsa, detyrimet për otomanët i kryenin, në një masë. Sot, kemi feudë, por këto janë më tepër të karakterit tagrambledhës, për t’i siguruar mjetet e domosdoshme për të bërë politikë. Pra, këto janë të karakterit ekonomok, ndërsa, ato, të karakterit politik, nuk besoj se kanë jetë të gjatë. Kjo, për arsye se kemi ndërgjegjësimin e popullit, në gjithë hapësirën kombëtare, por, në një pozitë më të vështirë qëndrojnë çamët. Ky ndërgjegjësim vërehet te dy probleme që janë ngritur në Kosonë, në atë të Zajednicës dhe të shenjëzimet e kufirit me Malin e Zi. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse, kanë filluar të gjithë ta shohin “Hanibalin te porta” dhe, domosdo, se, do të veprojnë të gjithë, me përjashtim të nënshkruesve dhe sorollopit të tyre, për t’i mbrojtur këto çëshje. Shqiptarët, do t’ia kthejnë Hanibalin, Hazrubalit!

Sot, edhe mundësitë e artikulimit të çështjes kombëtare janë më të mira, e, më të mundshme. Jemi vetëdijesuar për forcën që kemi në rrafshin njerëzor, në rrafshin e popullit, në rrafshin e pasurisë, në rrafshin e përgatitjes shkollore dhe,  para së gjithash, në rrafshin e gjeopolitikës dhe tëgjeostrategjisë shtetërore e kombëtare. Jam i sigurt, që, me gjithë këtë potencial që e kemi, nuk do të shkojmë në shkapërderdhjen e energjisë kombëtare, por, në njësimin e saj për bashkëveprim, edhe pse mundohen ta nxjerrin kokën hienat, me misione të sallavoortodokësve, siç është çështja e kombit, çështja e gjuhës, rishkruarja e historisë së Kosovës, që nga Rilindja e jonë kombëtare e deri mësot. Këto janë tema që do t’i nxjerrin në pah shumë lojëra politike, që po bëhen në këtë hapësirë kombëtare dhe do ta kenë efektin e kundërpërgjegjës, shumë të fuqishëm.

Mund të përsëritet përballja, jo e ndarë nga tërësia, por, jo edhe mudësitë e krijimit të principatave!

Pyetje:  E dimë, se Porta e Lartë i armiqësoi ekstremisht dy principatat tona që mund ta bënin Shqipërinë-SHQIPËRI. Po, partitë tona kush dhe cili shtet “mik” po na i armiqëson kësisoji?

Përgjigje:  Ortodoksizmi sllav dhe pansllav, që, herët, e ka misionin e caktuar për trojet tona, t’i zhbëjë, t’i zbrazë dhe t’i kolonizojë, madje, në mungesë të popullatës sllave përreth nesh, janë të gatshëm të sjellin edhe nga Karpatet, vetëm e vetëm të mos frymojnë shqiptarët në këtë nënqiell këtë nënqiell autokton e gjeoautokton. Kjo, paksa, duket e çuditshme si shprehje, por, ne kemi përjetuar situata të tilla. Miqtë tanë, e kanë në ndërdije këtë, sepse, Leo Freundlich u ka treguar që në vitin 1913, për politikën e re serbe, në “Golgota shqiptare”. Ua kam dërguar të gjitha përfaqësive të zyrave informative, edhe Soren Jessen Petersenit, e, përmes tij, Kofi Ananit, bashkangjitur edhe një letër dëshmi, për po të njëjtën politikë serbe të vitit 2005, e cila, sa vjen e po konsolidohet, gjithnjë, për fat tonin të keq, me mbështetjen ndërkombëtare.

Shtetet mike e dinë këtë, sepse, shërbimet sekrete të tyre nuk janë vetëm sot në trojet tona. Ata kanë edhe departamente që e kanë studiuar, madje edhe sot merren me studimin e problemit shqiptar e të sllavoortodoksizmit karpatian. Mos të flasim për shtetet me të cilët jemi në zgripc të konfliktit, jo me dashjen tonë, por, jemi të detyruar ta mbrojmë qenien tonë dhe tokën tonë, si në mbarim të shekullit të kaluar, po e kërkoi nevoja.

Nuk është edhe në interesin e Fuqive të Mëdha të ketë një shtet të konsoliduar shqiptar në këtë pjesë të Evropës, se, nuk do të luhej loja e aeropagut në mes të dy supërfuqive, sepse, jemi ndër katër kombe me ndikim në Evropën lindore. Për të na copëtuar në gjashtë shtete kanë qenë edhe miqtë tanë dhe këtë e ka dëshmuar Edward Grey dhe Woodrow Villsoni. Vetëm të marrët nuk e kuptojnë, sikur nuk kanë dashur ta kuptojnë, se liria nuk vjen në pjatë, pra, edhe bërja e Shqipërisë-Shqipëri nuk vjen nga dëshira e askujt, por nga vet puna e jonë.

Derisa kemi programe qytetare, në gjithë hapësirën kombëtare, që garojnë për marrje pushteti përbrenda territorit veprues, ne, as që duhet menduar se mund të ecim përpara. Fryma e bashkimit duhet të jetë në dukje, në të gjitha kuvendet ku i kanë shqiptarët kuvendarët e vet. Kjo nuk po ndodhë, se ende është e fuqishme politika e Sali Berishës andej kufirit dhe e Ibrahim Rugovës këtij kufirit shqiptaro-shqiptar. Edhe para lufte e kam thënë, kur është i robëruar një komb, nuk ka nevojë për pluralizëm, por, në fund të fundit, ata që kanë dëshirë t’i plotësojnë apetitet e pushtetarëve (në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë), madje, edhe në Kosovë, le ta luajnë lojën me ta, por, zëri i arsyes dhe situata e krijuar kërkon të orientohen kah kushtrimi për shtetkomb. Shembull po e marrim vetëm Malin e Zi, shqiptarët janë shtatë përqind, sipas qeverisë malazeze, dhe mëzi arritën ta kenë një deputet. Në Kosovë, serbët, nuk e kanë as një përqind dhe kushtëzojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh, që ata të njihen kategori kushtetute, se vetëm ashtu mund ta kenë një kuvendar.

Pyetje:  Krahut të luftës për liri e për Shqipëri, shqiptaro-titistët&Co ia kanë futur brirët nga të gjitha anët. Çfarë pritet dhe çfarë duhet të ndodhë në skenën tonë kombëtare, që të këndellemi dhe ta bëjmë Atdheun me kufijtë natyrorë që ka?

Përgjigje:  Të cilës luftë? Luftës që bëjnë në vazhdim veteranët e rezistencës kombëtare, për ta emancipuar popullin dhe për ta përgatitur për një marsh drejt bashkimit, apo luftës që ka zhvilluar UÇK-ja? Nëse është fjala për të dytën, me mbarimin e saj, mbaron edhe krahu i luftës. Po të ishte vazhdim i luftës së njëmendt politika, se në politikë janë të njohura, lufta vazhdim i politikës, por edhe politika vazhdim i luftës, së pari, nuk do të kishin lejuar të nëpërkëmbën bashkëluftëtarët e tyre, nuk do të mbeteshin në mëshirën e fatit të jetës, nuk do të vonohej merita e akëcilit në luftë, nuk do të lejohej të bëhet pazar me gjakun e dëshmorëve, e shumë gjëra të tjera, të pamira.

Titistët e kanë pjellë rugovizmin dhe, për këtë kategori, kam folur më lart. Këta kanë marrë për mision zhbërjen e rezistencës kombëtare dhe nuk u është dashur të përpiqen shumë, se, i kanë pasur dosjet dhe dikënd nuk e kanë lënë të eci me ta, se, kanë dyshuar pse janë me ta, e dikë e kanë përcjellë për të mësuar, pse nuk është me ta. Shembulli i parë është Ukshin Hoti dhe Bislim Elshani, të cilët, edhe pse kishin fituar për kuvendin e parë të LDK-së, nuk i lejuan të shkojnë. Shembulli i dytë jam unë, kur në vitin 1995, një polic më afrohet dhe më jep një akt zyrtar nga sindikata e policisë (rugoviste), në të cilin figuronin tre policë për përcjellje të aktivitetit tim, që nga gjysma e dytë e vitit 1990. Në mesin e tyre edhe ai vetë, i cili, edhe ma dha dorëheqjen që e kishte bërë, pas tre muaj përcjelljeje. Shembuj të tillë, me siguri, ka shumë. Mu për këtë, unë, nuk jam i mllefosur te kjo kategori dhe me gjithë forcën i jam kundëvu kësaj filozofie vrastare për kombin. Por, me ata të cilët edhe kishim një bashkëudhtim, me shumicën prej tyre kam bashkëvepruar në kohë dhe rrethana të ndryshme dhe, në fund, u desht për t’i ndarë rrugët politike. Motoja, ne jemi krahu i luftës, për ta përdorë atë për shumë fëlliqësira që i kanë bërë, jo ish-ushtarëve të vet, sa çështjes kombëtare, që, edhe më shumë janë zhytur në batakun e tradhtisë.

Lufta nuk mbin në kopsht, sikurse trandofili, por, ajo, duhet kultivuar dhe duhet ta ushqesh vazhdimisht me fakte historike, për bindjen e gjeneratave, se, ende nuk e kemi përfunduar atë, arsyet pse kjo nuk është e përfunduar dhe mënyrën se si duhet përfunduar. Këta që janë të rreshtuar në këtë front dhe ata që do ta kuptojnë drejtë këtë mesazh, mund të quhen krahu që përgatitë luftën, nuk merret gjithnjë vetëm si përdorim arme, për çështje kombëtare, që, para se të na pranojë Evropa, ne, të takohemi në Bruksel, si komb, e, për këtë kemi kohë, të paktën, edhe shtatë vjetë.

Duhet ta përmbysim gjithë skenën politike dhe ta krijojmë krahun e vetëdijesuar për çëshjte kombëtare dhe as që duhet lodhur se si do të gjenden të dy krahët politikë në trojet shqiptare, sepse, që të gjithë, me përjashtime, e kanë ngulfatur krenarinë e kombit, e kanë zhbërë angazhimin e veprimit kombëtar, i kanë njollosur veprimtarët e çështjes kombëtare, duke menduar se paraja dhe pozita krijojnë personalitete, përkundrazi, dhe, i japin të drejtë vetes, sikur janë baballarë të kombit, në krye me Sali Protopapën e titorugovistët.

Nuk duhet kthyer kokën prapa, për të parë, se, prapa shkurreve është miu apo lepuri, se përballë e kemi një qen, sado i zhubrosur që është, në këtë huti, do të na mundë përfundimsht në histori. Humbja, nuk guxon të ndodhë.

Pyetje:  Serbia po e rrethon kufirin me Kosovën shqiptare me armatim të të gjitha llojeve, kuptohet, me ndihmën e nënës së saj të madhe, Rusisë së Putinit; çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi dalëzotësit e vërtetë të Atdheut tonë?

 Përgjigje:  Ky armatim, në trojet tona dhe përreth nesh, nga pala serbe, është më tepër një manovër ushtarake, një gogol, që tash i takon së kaluarës, sepse, nuk do të vjen në shprehje ta përdorë. Jo pse ne i dhimbsemi, por, për shkak të pasojave që do t’i ketë vet. Ne, edhe para lufte, pothuaj, të njëjtin arsenal e kishim përbrenda. E kam thenë edhe më lart, se, Evropa nuk është e gatshme ta lejojë një luftë të armatosur në gjiun e saj, Këtë e di edhe Serbia, por, duhet ta dinë edhe shqiptarët. Këtë rrethim me fabrika, poligone dhe kazerma, politikanët tanë e shfrytëzojnë për të na frikësuar dhe na e paraqesin gogolin Serbi. Ne nuk jemi më shpërgej, duke dëgjuar ninulla, se këtë e kemi tejkaluar, por, tash, jemi në kohën kur duhet vepruar në planin kombëtar dhe këtu hynë edhe investimet për forcimin e ushtrisë. Viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta, Serbia ishte një pulë e nuktë dhe këtë e mbanin larot e tipit të Mahmut Bakallit, me një “liberalizim”, por, të mos harrojmë se edhe ky, me politikën e tij, e “zbuloi” shtabin e irridentës në Krye me Adem Demaçin, sikurse dikur Lazar Mojsovi, me 1989, që e “zbuloi” shtabin e armatosur të irridentës. Çfarë dallimi ka në mes këtyre dyve?!

Duhet punuar, e thashë edhe më lart, për ta ndërgjegjësuar kombin, ndër ato që duhet spjeguar është edhe kjo manovër serbe, për ta zhveshur plotësisht  propagandën për gogolin, që na e transmetojnë liderët aktualë të politikës shqiptare. Punët duhet koordinuar dhe duhet t’i kthehemi Tiranës, si shkollë kombëtare, duke lënë menjanë Beogradin, Athinën, besa edhe Brukselin, se, ka kohë kur i kthehemi asaj.

(Vijon)

Intervistoi: Tafil Duraku

About admin

x

Check Also

Sabit Brokaj: Rrënjët e një krize

February 26, 2019 Për politikanin e njohur Sabit Brokaj, rrënjët e krizës ...