Home / Lajme /

Mekuli Press

Mediat shqipe në Prishtinë nuk janë themeluar për ta ndihmuar, e as për ta informuar qytetarin. Ato, padallueshëm, janë industri, fabrikëza, puntori, klube e kafeteri publiko-private: ashtu kot, sa për “të nxjerrë ca lek”.
Fillimisht, RTK, u themelua për interese të politikave të UNMIK-ut. Prodhimet e RTK’së, kishin karakter ideologjik dhe ishin në shërbim të rretheve të huaja politike, ekonomike dhe ideologjike. Nëse ju kujtohet, pas luftës së Kosovës, institucioni i parë, që u themelua dhe u investua në Kosovë, ishte Radio Televizioni  (i ashtuquajtur), publik, RTK. Ky medium propagandistik u themelua para spitaleve që ishin jashtë përdorimit, para shtëpive të shëndetit që ishin të bombarduara e të stërvjetëruara, para shkollave e qerdheve të fëmijëve të shkatërruara. A ju kujtohet kjo, të nderuar lexues? Mua po!

RTK kishte dhe ka një detyrë të ngutshme: shpërlarjen e trurit të qytetarëve të Kosovës. Të jem më i saktë, RTK, kishte për detyrë shpërlarjen e trurit të shqiptarëve të Kosovës, e jo të pakicave të Kosovës. Tek Mendja, tek Gjuha, tek Kultura, tek Historia, tek Identiteti, këtu ishin të drejtura shigjetat helmuese të gazetarisë së RTK-së.
E gjithë kjo bëhet e mundur sepse nuk kemi demokratizim të mendimeve as të poltikave. RTK, e bënë këtë që po e bënë, sepse Kosova, shqiptarët e Kosovës apo/dhe aktorët politik të Kosovës janë të varur. Nuk ka pavarësi: as vetjake, as politike, as arsimore, as kulturore dhe aq më pak as shtetërore.

Përse kaq shumë propagandë në mediat shqipe?

Të nderuar lexues,
Për të arritur deri te një gazetari e kënaqshme dhe etikëplote, do të duhej të kemi edhe një demokratizim të politikave të medieve. Politika demokratike e medieve shqipe në Kosovë do të duhej të kishte, ndër të tjera, këto qëllime dhe synime:

– Politikat (Ambasadat dhe Brukseli) në pushtet duhet të krijojnë një ambient të këndshëm për lirinë e të shprehurit dhe shumëllojshmërinë e mendimeve. E, kjo do të bëhej, ndër të tjera, me rregullimin e ligjit për mbrojtjen e gazetarëve dhe për funksionimin e infrastrukturës institucionale.
– Politikat (Ambasadat dhe Brukseli) duhet të njohin kërkesat e medieve për pavarësi redaksionale në raport me fuqinë në pushtet, duke lejuar kështu një kritikë cilësore /gjithsesi të guximshme/ në shoqërinë tonë.

– Njëkohësisht dhe gjithashtu, mediet duhet të njohin dhe të pranojnë fuqinë e tyre mbi mundësinë e ndikimit dhe të përcaktimit të temave politike të rendit të ditës. (Agenda setting) E, kjo kërkon si aftësi, ashtu edhe vullnet të mirë për mosvarësinë gazetareske dhe për vetëkritikën.

– Gjuha shqipe duhet të kultivohet e të përdorët mirë e saktë nga këto media: Vecanërisht kjo, është detyrë, obligim e mision i medias publike, e më “pak” i atyre private!
Debati mbi politikën mediatike të përdorimit të gjuhës shqipe duhet përforcuar dhe zhvilluar me vullnet e përkushtim, sepse për një kulturë dhe për një gjuhë që i takon një numri të vogël të njerëzve, të shpërndarë në një hapësirë e territor relativisht të madh, për mediet e sotshme do të thotë obligim, por edhe kërkesë për përgjegjësi më të lartë dhe profesionalizëm më cilësor.

– Dhe, së fundi, është shumë e domosdoshme dhe e rëndësishme që mediet e të gjitha profileve të flasin “më shqip”, pa fjalë të huaja, pra pa “okej” e ”najs, najs”-e. Për shembull në median publike, në televizionin kombëtar norvegjez, NRK, përforcimi dhe ruajtja e gjuhës, identitetit dhe kulturës norvegjeze është detyrë dhe obligim i mbrojtur me ligj. Kjo është e potencuar në statusin e televizionit publik, në nenin § 3.3. Dhe ky ligj e ky status rrespektohet nga NRK norvegjeze.

Globalizimi dhe dominimi i madh i gjuhës angleze vërehet kudo. Arsimimi i lartë dhe teknologjia telekomunikative bëjnë të mundshëm një shkëmbim më të mirë informativ dhe komunikativ. E, kjo bën që detyrë e medias të jetë e folmja e bukur amtare dhe kjo obligon medien që të jetë një ”qen roje” e kulturës. Ja për shembull në statusin e televizionit publik norvegjez, NRK, thuhet: Televizioni publik NRK ka si detyrë dhe obligim që edhe gjuha e vjetër norvegjeze, ”Nynorsk”, të jetë 25 për qind prezente në programin televiziv. Muzika të jetë së paku 35 për qind prodhim vendor dhe prodhimet televizive të jenë së paku 75 vendore dhe të jene në gjuhën norvegjeze ”Bokmål”, Neni § 3-5, Vendim datë, 14. qershor 2004.

Të mos harrojmë, mediet tona duhet të kujdesen që gjuha e drejtë shqipe të depërtojë edhe jashtë hapësirave të kulturës shqiptare, pra të jetë e pranishme edhe në rrafshin ndërkombëtar. Është e qartë se kultura dhe gjuha shqipe nuk mund të jenë gjithnjë të ngurta. Andaj, mediet e mira këtu do të shërbenin edhe si një opinion i hapur për përparimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi.

– Politikat (Ambasadat dhe Brukseli) duhet të dinë se mediet, gjithashtu, janë aktorë të rëndësishëm të sociales. Është shumë me rëndësi për një sistem politik demokratik që të trimërojë mediet për zhvillime dhe iniciativa të reja, në vend se t’i kërcënoj e ti frikësoj ato.

Për në fund shtrohet pyetja: Si është gjuha shqipe në mediumin publik të Kosovës, RTK; medium që shpeshë hapë programin me fjalinë e shkruar në gjuhën e huaj, “Made in Kosova!?”
Kokëfortë për të arritur tek një sqarim asnjënës e  publik: Cilën gjuhë përdorin udhëheqësit e emisioneve në RTK? Ka rregulla gjuhësore? Dinë të flasin gjuhën e njësuar shqipe gazetarët e gazetaret e mediumit publik RTK?
Unë dyshoj!

( Marë nga afjensia informative mekulipress.info)

About admin

x

Check Also

INTERVISTË ME ENVER DUGOLLIN, ISH-OFICIERIN USHTARAK TË FSK-SË, SOT ANËTAR I LËVIZJES VETËVENDOSJE!

Intervistë me Enver Dugollin. (mar nga MekuliPress) Ish oficeri ushtarak, sociologu dhe ...