Home / Intervista / “SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (3)

“SHQIPËRIA, DESHËN S’DESHËN TRADHTARËT, DO TË BËHET!” (3)

Intervistë ekskluzive: Afrim Morina

Pyetje: – Mos është shkaktare përzgjedhja negative e kuadrove për një shekull rresht, që ka bërë Serbia e Jugosllavia pushtuese, e, më parë edhe Porta e Lartë, ngase, ne, shqiptarët, qemë dhe jemi ende nën pushtim të trefishtë, serbo-jugosllav, shqiptaro-titist dhe ndërkombëtar? Cila është e vërteta?

 Përgjegje: – Më herët e kam përmendur mentalitetin e robit dhe shkollat e huaja. Nisur nga këto dy elemente, del përkufizimi i Juaj, shoku Tafil, për robërinë që ekziston jashtë Shqipërisë londineze. Shkollat e huaja, e kanë rrënjosur edhe mentalitetin e robit. Jemi dëshmitarë, kur në fillim të luftës dëgjonim zëra të çjerrë, që mundoheshin t’i frikësonin shqiptarët dhe pjesëtarët e UÇK-së, “se Serbia, nga Nishi, për dy orë, mund të na bëjë shkrumb e hi!”. Poqëse i referohemi kësaj motoje, shumë lehtë mund të përfundojmë, me logjikë të shëndoshë, se këtë propagandë, në kokat e lidershipit, e ka rrënjosur, në këtë pjesë të atdheut, përmes shkollës së saj të Prishtinës, shkolla e Beogradit, por, edhe te një pjesë e lidershipit në Shqipërinë londineze, e ka kultivuar po të njëjtën gjë, përmes shkollarëve të Athinës e të Prishtinës servile. Këtë fenomen e kemi pasur që nga demonstratat e vitit 1968. Mirëpo, u doli e kundërta.

Sot, në këtë kanë ndërhyrë edhe shkollat sllave e pansllave, për të na e humbur dinjitetin kombëtar dhe për ta fshirë çdo gjurmë shqiptare nga trupi dhe shpirti i ynë, për të na paraqitur të vegjël e të padijshëm, për të na bërë të dukemi se nuk kemi forcë ekonomike, për të na paraqitur se te ne dominon feja e jo kombi dhe këtë mentalitet të asaj politike e ka pranuar lidershipi, në gjithë këtë hapësirë kombëtare. Ne, nuk jemi duke e vlerësuar veten dhe potencialin tonë kombëtar, si vlerën e vetme reale që e kemi, atëherë, si do të na vlerësojnë të tjerët? Misioni i armikut është: Përçaj e sundo! Me ndihmën e “miqve” ndërkombëtarë, ia kanë arritur qëllimit. Në disa përgjigje, më lart, e kam thënë këtë. Sepse, ne jemi vetëmohues të historisë dhe misionarët e tipit të Halil Matoshit, të Migjen Kelmendit dhe të Nexhmedin Spahiut, etj., dalin dhe e mbrojnë shkollën e Beogradit, me “filozofinë” për “kombin Kosovar” e “shtetësinë kosovare”. Shikuar më thellë, kësaj i ka paraprirë edhe Rugova, me pacifizmin e tij, me flamurin e prezentuar me qen sharri, me t’lyem buallice e me Darkën e Lamës(!), që nuk është aspak dardan, sepse, ai dardan valon në institucionet e Maqedonisë, i ka yshtur pinjollët sheshelianë për ta elaboruar “kombin Kosovar”. Kohëve të fundit, janë dëgjuar edhe zëra histerikë, si ai i Mehmet Krajës, në emër të ASHAK, se, Kosova, po pushtohet përmes kulturës nga Shqipëria. Ai, më me për qejf e ka të jetë i pushtuar nga Serbia, Mali i Zi e Maqedonia, sesa ta kemi një kulturë kombëtare, e cila do të na prezentonte në botën e qytetëruar si komb i lashtë dhe i dinjitetshëm. Në kurthin e ASHAK ka rënë edhe politika e Kosovës, që e bën një hap më tej, kur kërkohet që Edi Rama të mos e mbrojë Kosovën, se ajo ka gardianët e vet SHBA-në dhe Evropën! Mjerimi akademik e politik, është rezultat i gjendjes në të cilën gjindemi, të pushtuar trefish!

Pyetje: – Në kohën kur po e bëjmë këtë intervistë, ndodhi edhe riciklimi “patriotik” e “shqiptar” i radhës(!): Dënimi i “Grupit të Drenicës” dhe një luftë tjetër “parimore” e “mediale”, madje, edhe zyrtare, kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama, për fjalimin e tij dhe qëndrimin drejt, në krah të Kosovës shqiptare,  në Beograd, si mund të vlerësohen e kualifikohen veprime të tilla antishqiptare?

 Përgjigje: – Dhënia e dënimit të formës së prerë, për rastin e “Grupit të Drenicës” është pritur dhe kjo nuk ka qenë dashtë të na befasojë, aq më tepër, t’i befasojë ata të cilët edhe ia kanë dhënë mandatin për gjykim, një gjykate që nuk ta njeh luftën dhe shtetin. Në këtë formë, i kanë lënë pa mbrojtje të dinjitetshme dhe pa u thelluar, se në këtë proces po dënohet lufta shlirimtare, pa marrë parasysh kush janë protagonistët, aq më tepër, kur kemi të bëjmë me Komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimin. Kemi pasur procese të shumta gjyqësore gjatë historisë, atëherë kur e ka ngritur zërin populli, gjykimet kanë qenë më të ulta, ndoshta, edhe janë liruar (rasti i Avni Rustemit, në Paris) dhe e kundërta, atëherë kur qeveritarët kanë tumirë politikën e pushtuesit, dënimet kanë qenë më të larta (rasti “Drenica një dhe dy”). Në këtë rast, zëri i popullit nuk është dëgjuar, zëri i Shoqatave të dala nga lufta nuk është dëgjuar dhe heshtja e institucioneve ka qenë e skajshme, çfarë mund të kemi pritur, lirimin, jo, kurrë!!!

Ky proces gjyqësor, që pas shumë kohësh, pothuaj u përmbyll, nuk ishte vetëm lojë e EULEX-it, por edhe e analistëve oborrtarë, të cilët, paraprakisht, e kishin shpallë dënimin, sikurse në sistemin amerikan: Janë fajtorë! E, lartësia e dënimit është çështje tjetër, me rëndësi se këta e përgatitën opinionin dhe gjykatën, të parën për të heshtur, e të dytën, të mos ketë frikë për dhënien e dënimit.

Analistë oborrtarë i kam quajtur gjithëherë, që kur kam filluar të merrem me publicistikë, sepse, këta janë misionarë të (para)paguar të klaneve dhe, tërthorazi, varësisht nga animi i klanit, anojnë edhe këta dhe përfundimi është, ujin e dërgojnë në mullirin e armikut të vjetër dhe të ri, kundër shlirimtarëve e kundër shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë londineze, z. Edi Rama, e ka kryer detyrën që i ka dhënë Kushtetuta dhe nuk ka bërë asgjë më tepër. Sharlatanët politikë, gazetarë të orientimeve kundërshqiptare, qoftë të shkollës së Beogradit, Athinës apo edhe të Brukselit, u munduan që, nga këndi i argatëve të misioneve të huaja, të na e prezentonin realitetin e ndodhur në Beograd. A ka më shuplakë të madhe diplomatike, që i dha Vuçiçit, kur i tha (prarafrazim): “Nuk mund ta marrësh Trepçën në thes, e, ta sjellësh në Beograd, ajo i takon Kosovës dhe qytetarëve të saj!” dhe këtë në sy të gjithë botës dhe, tash, të interesuarit do të pyesin ku gjindet Trepça? Këtë nuk e kanë parë vetëm ata të mentalitetit të robit, se ai mentalitet nuk është mësuar të dëgjojë shqip, këtë e kam spjeguar në një përgjegje më lart, se, nuk u tha anglisht, për ta pranuar dhe kuptuar më mirë edhe mentaliteti i përgojuesve, se, në këtë cilësi i kemi analistët oborrtarë dhe gazetarët misionarë.

Pyetje: – Lufta e UÇK-së po denigrohet e shantazhohet prej bijve dhe bijave të atyre shqiptaro-titistëve që shantazhuan Luftën e Drenicës dhe i vranë udhëhqësit e saj, Shaban Palluzhën e Mehmet Gradicën dhe i përndoqën për një gjysmë shekulli bashkëluftëtarët e tyre. Si ndodhi kështu, që të mos mësojmë asgjë prej pësimeve?

 Përgjigje: – Titizmi ishte filozofi në vete. Nxënësit e asaj filozofie dhe vasalët, janë dy kategori. Por, që të dyja kanë plotësuar njëra-tjetrën, njëra palë me dëshirë dhe tjetra për interesa personale e farefisnore, apo, edhe nga frika. Kategoria e dytë është marrë me shqiptarët nëpër të gjitha kohët. Nisi me Shabanin, i cili, kur e pa se tradhëtia i kishte arritur majat e vrasjeve, ia ktheu pushkën tradhtisë, dhe, është edhe sot në proces të gjahut të shlirimtarëve të luftës shlirimtare. Ky mision ka qenë në vazhdimësi, duke mos zgjedhur mjetet. Sot, e kanë më lehtë të arsyetohen, sesa dje. Sot, flasin në emër të të drejtave të njeriut, se, kështu e lypë Brukseli. Ata, nuk arrijnë ta kuptojnë nocionin komb, sepse, komb për ta ishte Jugosllavia dikur, e, sot është Kosova. Prandaj, të gjithë duhet punuar e ruajtur këtë, e, jo të ndahet në barrikada, pushtues-shlirimtar, shqiptar-kosovar, shqip-anglisht, patriot e tradhtar, etj. Këta janë misionarë, për t’i zhdukur barrikadimet dhe të marrin sa të duan serbët, maqedonët, malazezët, turqit, e djalli me të birin, atë që i premton Brukseli, sepse, ky është kryeqyteti për këta mjeranë dhe kryeqyteti nuk di të mendojë, siç mendojnë shqiptarët, por siç mendojnë kosovarët dhe serbët, etj.

Mirëpo, në anën tjetër, sa kemi punuar për t’i bindur qytetarët, se këta matrapazë të njëqind flamujve, janë të parët që e përbuzin flamurin kombëtar dhe atë e marrin si një leckë, ndërsa, flamujtë e të tjerëve, janë flamuj shtetërorë, të shteteve dhe kombeve të respektuara! Kushdo që del në mbrojtje të së vërtetës dhe i vë bllokadë mendimeve misionare, tash, të Brukselit, do të trajtohen, se nën këtë nënqiell po kërkohet luftë. Luftën e bëmë, por, atë e bëmë me armë, ndërsa, shtypin e verdhë dhe kolonën e pestë nuk arritëm t’i luftojmë dhe mu për këtë, kemi njohje formale të kontributit kombëtar, që nga Avdullah Kraishnica, Shaban Palluzha e deri të luftëtarët e UÇK-së.

Kjo na detyron të punojmë e mësojmë edhe më tepër, ta respektojmë shkollën e Tiranës, se dikur, si kundërpeshë, na i vënin shkollat e Beogradit dhe të Athinës, e, sot, na e vënë atë të Brukselit. Këtë njohuri, me dëshmi të fuqishme, duhet ta shpërndajmë te populli dhe t’i tregojmë secilit, kush janë këta si kategori, se emrat e përveçëm vështirë t’i shkëpusim, për kë punojnë, nga kush paguhen, pse e shtrembërojnë të vërtetën dhe pse i arsyeton elita politike.

Pyetje: – Shpërthimet e “reja patriotike dhe kombëtare”, antiTiranë dhe antiShqipëri, këto të ricikluarat e “reja” të “patriotëve” e të “shqiptarëve” në pushtetin e mediave, u panë edhe në debatin me kryeministrin Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Prizren dhe në Prishtinë, me të ftuarit e zgjedhur gjithmonë në emisionet “debatuese” të Baton Haxhiut, tek Klan-Kosova, si i komentoni?

 Përgjigje: – Ishte debakël i elites “analitike” të shtypit të verdhë!

Kjo nuk është e re në gazetari e publicistikë. Përsëri po na dalin dy shkollat, por, ajo e Beogradit na del më e fortë, në këto njëzetegjashtë vjetët e fundit, sepse, edhe Sali Berisha erdhi nga kjo shkollë. Duke mos e llogaritur të kaluarën, atë të paraluftës së Dytë Botërore, shkolla e Beogradit ka dhënë kuadro të forta në politikë, diplomaci, gazetari dhe krijon mision në bashkëveprim me kishën ortodokëse serbe, të mantalitetit të mesjetës, për shpërndarjen e kësaj fryme, duke e shtrirë rrjetin me devotshmëri, pa llogaritur mjetet financiare. Paratë e harxhuara e dhanë frytin e vet, nga gjenerata në gjeneratë, duke filluar me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Azem Vllasin, Halil Matoshin e Nexhmedin Spahiun, në njerën anë, e në anën tjetër me Koçi Xoxën, Panajot Plakun, Xhavit Mustafën, Sali Berishën dhe mentorët e misioneve të huaja.  Këtij sorollopi, sa herë t’i vjen ndoresh, do ta ngritë kokën, pa hezituar, madje, nganjëherë, edhe duke e humbur toruan se po zbulohen, siç doli në rastin e Edi Ramës, në Klan-Kosova. Ata, ethshëm e kanë pritur këtë përballje, për ta përmbushur misionin serb, se, ai, midis Beogradit, i dha shuplakë diplomacisë serbe, por, “kosovaristët”, nga fukarallëku në tru, dolën humbës.

Nuk ka se si spjegohet ndryshe, se Serbia thotë, Shqipëria nuk ka nevojë të përzihet në punët e brendëshme të saj (do të thotë në Kosovës, sepse, me Kushtetutë e ka kësisoj); Serbia thotë, se ne do të dialogojmë në Bruksel për Trepçën dhe kjo nuk lejohet të diskutohet jashtë Brukselit; Serbia thotë, ne i kemi fituar të gjitha luftërat dhe nuk do të humbim as në luftën diplomatike, ndërsa, Edi u tha, Serbia e ka humbur përfundimisht luftën dhe, atë, tri herë, që nënkupton, se ju ende ëndërroni për te, por, kot e keni. Madje, ata shkuan aq larg, sa u munduan ta akuzonin edhe për politikën në Shqipërinë londineze, se, kështu, siç u pa te Klan-Kosova, është mbjellë mentaliteti nga shkolla e Beogradit. Në fund doli si doli dhe duhet kuptuar njëherë e mire, se Enver Hoxhaj dhe “analistët oborrtarë” duhet t’i tumirin të gjitha mendimet dhe veprimet mbështetëse të Tiranës. Edi Rama e tha këtë me lakoni brilante dhe besoj se të gjithë e kanë kuptuar, pos disa kodoshëve që ishin në përballje me te, të cilët, nuk dinë t’i zbërthejnë mendimet e njerëzve të kalibrit të Kryministrit shqiptar.

Pyetje: – Kur e dimë, dhe e di edhe Tirana, që edhe sot janë në pushtet ata që u kanë përpiluar e përgatitur dosje shqiptarëve, në Kosovë e “Metohi”, në Serbi dhe në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të Serbisë e Jugosllavisë, a po ndodhë e njëjta dukuri edhe në “mbrojtje” dhe nën “protektorat” ndërkombëtar? Pse janë trimëruar kaq shumë bashkëpunëtorët e Jugosllavisë e të Serbisë, pushtuese e fashiste?

 Përgjigje: – Me vendosjen e UNMIK-ut, në Kosovë, dhe krijimit të sistemit gjyqësor, janë tre veta që i emëruan gjyqtarët dhe prokurorët: Nekibe Kelmendi, Tadej Rodiqi (ky ka dënuar për politikë rreth 700 të burgosur) dhe Riza Smaka. Që të tre, duke menduar se u ka ardhur dita për ta sjellë drejtësinë në Kosovë, me kutin e bashkëveprimit të dikurshëm me pushtetin serb, përzgjodhën kuadrot, të cilat do t’i përmbushnin apetitet e Beogradit, që do t’i funksionalizojë UNMIK-u. Kjo garniturë e ndante, e ndanë drejtësinë në Kosovë dhe gjenerata e re, në këto dy fusha, nuk ka arritur të depërtojë, pos atyre që kanë dosje gjatë punës së vet, ose që ishin servilë të pushtuesit, ose të pushtetarëve të sotëm, duke mos e përjashtuar edhe akraballëkun. Edhe sot, kjo kategori vranë e kthjellë! Shembull po e marr vetëm Kryeprokurorin, Aleksandër Lumezin. Kush ishte ai dhe babai i tij gjatë viteve të nëntëdhjeta?

Për të qenë të lirë në veprime të mëtejme, duke përdhosur gjakun e dëshmorëve të kombit, edhe garnitura e re politike i pranoi, madje, edhe i forcoi me kuadro shtesë, (vetë)kuptohet, me ata që kishin dosje, për të vepruar shlirë në krim të organizuar dhe për ta mbajtur pushtetin. Këtu qëndron forca e tyre dhe qëndrueshmëria në skenë, edhe të gjyqësorit, të pushtetarit, të gazetarit, të kuvendarit, sa, tash, janë lidhur personalitetet e dy kohëve, si vëllezërit siamezë.

Edhe më herët e kam thënë, se, sot, nuk kemi ndryshime në mentalitete të qeverisjes nga e kaluara dhe kjo ka bërë që në shënjestër të gjenden veprimtarët e çështjes kombëtare. Po t’i shikoni kuvendarët, kemi të tillë që janë në kuvend që nga 1992, por, me një ndryshim të vogël, ndryshimi i teserave të partisë, deri në  legjislaturën e kaluar, ndërsa, sot, kemi një grup deputetesh diletantë, që nuk dinë as kur duhet dhënë mendimin dhe pse duhet dhënë. Duke qenë një përbërje e tillë kuvendarësh, që nga paslufta, lehtë mund të përfundojmë, se këta janë të etshëm t’i luftojnë partitë me orientim kombëtar dhe personalitetet që, në asnjë moment, nuk i bëjnë iso politikës ditore e partiake, antishqiptare.

Kjo politikë, e cila e ka vënë interesin e vet para asaj të përgjithshmes (kombëtarës), duke e rehabilituar gjithë sorollopin antikombëtar, ka bërë që kuadrot e elitës së vjetër titiste dhe asaj të re, rugoviste, dhe, të kësaj më të resë, brukseliane, të kenë fuqi dhe të mos përkulen para të vërtetave kombëtare, sepse, e kanë krah shtypin e verdhë, i kanë dosjet e përgatitura dhe e kanë forcën e nxjerrjes së vendimeve.

Pyetje: – Edhe në të ashtuquajturin Kuvend i “Republikës së Kosovës”, u debatua ashpër e me zë për dënimin e “Grupit të Drenicës”, për denigrimin dhe shantazhin zyrtar të atij “Kuvendi” që po i bën, në vazhdimësi, luftës së lavdishme të UÇK-së dhe bartësve të saj. Madje, u shkua aq larg, sa u drejtohej gishti njerëzve të asaj lufte, më zi e më për t’keq sesa ia drejtoi Dick Marty. Si mund të komentohen dhe të emërtohen mëse drejti sjelljet e tilla të “kuvendarëve tanë”?

 Përgjigje: – Inicuesi i këtij debati të kuvendarëve e ka ditur se kjo është një farsë, sepse, kjo u thirr pas aktit të kryer. Këtë e ka thirrur për të hapur fushatë elektorale për zgjedhje të parakohshme, mirëpo, kjo iu kthye si bumerang dhe, përsëri, dolën më të palagur  rugovistët, sepse, ata nuk u munduan të jepnin deklarata, për të hapur debat kundërshtues, lavdëruese, përçmuese, por, sa për ta ndezur fitilin ishin aty dhe këtë e bënë me mjeshtri e finokëri të madhe.

Pse ishte pas aktit të kryer thirrja për debat dhe nxjerrja e një rezolute?

Qëndronin dy arsye thelbësore. E para, sepse gjykata e kishte dhënë vendimin e prerë dhe mbledhësit e nënshkrimeve u munduan të bëheshin sikur nuk kishin dorë në këtë vendim. Pra, ta shfajësonin veten. E dyta, kur shtrohet pyetja se kush e kishte formuar këtë trup gjykues? Na del EULEX-si. Pra, ky mekanizëm e kishte marrë pëlqimin e shumicën absolute të kuvendarëve, edhe për zgjatjen e mandatit të tretë. Prandaj, edhe nuk kishte kuorum për të nxjerrë rezolutë për rastin, sepse, në sallë nuk kishte më shumë se 70 kuvendarë.

Vetë mënyra e thirrjes ishte një farsë dhe domosdo se debati do ta merrte kahun e stërkeqjes, sepse, thirrësve u mungonte argumenti qenësor, kundërshtimi i veprimeve të EULEX-it. Këta, nuk kishin mandat ta zhvleftësonin vendimin e gjykatës, atëherë, përse u nxenë gjakrat?! Kujt u munduan t’i spjegonin dhe t’i lënë fajësinë për dënimet e dhëna?!

Duhet dalluar folësit: Rexhep Selimin, Fatmir Limën, Glauk Konjufcën,  Albin Kurtin dhe Daut Haredinajn (fillimi i debatit), sepse, ata spjeguan, se nuk duhet bërë lojë me luftën shlirimtare, me luftëtarët e lirisë, sidomos, me komandntët, deri te ai i UÇK-së. Këto fjalime ka qenë dashtë t’i marrë për bazë Kryekuvendari dhe duhet ta mbyllte debatin, se, nuk jemi në situatë të qahemi e të lavdërohemi.

E gjithë kjo u shfrytëzua për elektorat! Kjo i gjasonte një parafushate elektorale! Dhe, në fushatat elektorale, nuk kursehen fjalët, nuk kursehen gjestet, nuk kursehen moshat. Në kësi lloj rastesh dallohen edhe të pamerituarit, që kanë zënë ulësen e kuvendarit, madje, edhe ata që duhet linçuar e larguar. Sidoqoftë, tagrën e paguajnë bashkëpartiakët, sepse, qytetarët i kanë përcjellë me vëmendje, pak me anime partiake dhe kjo le të jetë si shembull për të ardhmen, se, nuk e meritojnë të gjithë ata që kanë para, ulësen e kuvendarit.

(Vijon)

Intervistoi: Tafil Duraku

About admin

x

Check Also

Sabit Brokaj: Rrënjët e një krize

February 26, 2019 Për politikanin e njohur Sabit Brokaj, rrënjët e krizës ...