Home / Lajme / PARADOKSI SHQIPTAR

PARADOKSI SHQIPTAR

Shkruan: Medai Shaholli

AktualeOpinion

Nga temat pak ose aspak të trajtuara në Maqedoni është edhe ajo profilizimit dhe pozicionimit të partive politike në spektrin politik.

Të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoni, janë pozicionuar djathtas. Nuk ka asnjë asnjë parti politike të profilizuar si parti e majtas.

Kjo ndodh mbase nga alergjia që kanë shqiptarët për komunizmin ose si rezultat i ndonjë arsyeje tjetër. E majta dhe e djathta janë dy alternativat që mbeten si opsione të pranueshme në Europë. Ekstremet e njërës apo tjetrës anë nuk janë të pranueshme, pasi ato praktikojnë metodat jo demokratike në realizimin e qëllimeve të tyre.

-Paradoksi shqiptar në Maqedoni qëndron pikërisht në këtë se, mijëra shqiptarë siç thuhet nga mediet e ndryshme paskëshin aderuar në partinë maqedonase LSDM ! Në njërën anë shumë shqiptarët të Maqedonisë , kanë urryer dhe vazhdojnë ta urrejnë të majtën shqiptare siç është PS e Shqipërisë si pasardhëse e ish-PPSH-së, ndërsa në anën tjetër janë treguar shumë miqësor me LSDM-në , dhe të gatshëm që të aderojnë në këtë parti maqedonase derivat i ish LKJ-së !

Pra,subjekti politik i majtë maqedonas është i pranueshëm për një pjesë të shqiptarëve të Maqedonisë si alternativë,ndërsa e majta shqiptare është e papranueshme si preferencë politike në Shqipërinë mëmë pasi kjo është e majtë shqiptare !

-Paragjykimi filloi me vendosjen e pluralizmit .

Këtij paragjykimi I parapriu fushata e madhe propagandistike e liderit të atëhershëm të Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha, se e djathta dhe PD-ja do të angazhohen për bashkim kombëtar të trojeve shqiptare në një shtet. Ky ishte mashtrimi më i madh kohës.PD-ja dhe Sali Berisha luajtën me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve jashtë Shqipërisë administrative. Mbase kjo ishte goditja e madhe e përçarjes shqiptare .Fakte të pakundërshtueshme dëshmojnë të kundërtën e qëndrimeve të Sali Berishës dhe PD-së, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Mund të përmend këtu qëndrimin e zbehtë që mbajti Sali Berisha dhe PD-ja ndaj fushatave anti-shqiptare të autoriteteve maqedonase në Bit Pazar, Gostivar, Ladorisht, sulmi vandal mbi godinën e Universitetit të Tetovës etj. Këto janë vetëm disa raste ku vërtetojnë të kundërtën e asaj që kishte deklaruar ish komunisti Sali Berisha, për çështjen shqiptare.Karta e nacionalizmit fals e luajtur nga lideri PD Berisha, zuri vend mendjet dhe zemrat shumicës dërmuese të shqiptarëve në Maqedoni. Për shqiptarët e kësaj treve Sali Berisha dhe PD-ja ishin shpëtimtarët!

-Ky është paradoksi dhe absurdi shqiptar. Filozofia politike dhe ideologjike e një subjekti politik nuk është domosdoshmërisht e varur nga liderët e saj. Ideologjinë dhe programin politik nuk e harton dot lideri, ato janë krijuar dhe profilizuar shumë dekada më parë. Meqë s’bëhet fjalë për të majtën shqiptare në Maqedoni, ajo përkundrazi është shëndoshë e mirë në Shqipëri .

-Një nga partitë e majta në Shqipëri nga shpallja e pluralizmit e këtej është edhe PS, megjithëse nga fillimet e saj PS e Shqipërisë ka qenë e rreshtuar majtas por që ka rrëshqitur djathtas sot ,nga djathtisti neoliberal Edi Rama,i cili e ka konvertuar PS djathtas me forcën e parasë që merr nga bosët e tij,por kjo çështje nuk është objekt i temës për të cilën po shkruaj këtë opinion.

-Kush janë e majta dhe e djathta ç’farë përfaqësojnë ato?

Nga origjina ato ndahen në të majtë dhe të djathtë për nga programet dhe ideologjia .Në filozofinë politike të së djathtës e mbizotëron fryma neoliberale që do të thotë ndërtimi i kapitalizmit në marrëdhëniet e tyre me shoqërinë.

Pra, e djathta angazhohet për rend ekonomiko-shoqëror kapitalist të ekonomisë së tregut. Ajo përfaqëson shtresën e lartë të një shoqërie. E djathta shqiptare në Maqedoni, në këtë rast përfaqëson pakicën sepse shtresa e lartë e borgjezisë së re shqiptare përbën afro një përqind të popullatës. Kurse, pjesa më e madhe është shtresë e ulët që përbëhet nga punëtorët, bujqit, blegtorët dhe tregtarët e vegjël. Pjesa tjetër, si shtresa më stabile për një shoqëri përbëhet nga shtresa e mesme që përfaqësohet nga tregtarë të mesëm ,administrata shtetërore, punonjësit e shëndetësisë, profesorët universitar deri diku dhe arsimtarët etj.

-E majta dhe programi i saj angazhohet për një ekonomi të lirë dhe sociale të tregut, për një shtet social.

Le të kthehemi tashti te partitë më të mëdha politike shqiptare si DUI dhe DPA tashmë janë profilizuar djathtas. Ndërsa,  paraqiten si të tilla, njëra thirret në vlerat e luftës së UÇK-së, me të cilën abuzon dhe nuk përfaqëson më atë ideologji, tjetra thirret në vlerat e së djathtës nacionaliste shqiptare.

-Elektorati nga i cili i kërkojnë votat është shtresë së mesme dhe të ulët dmth.klasa punëtore.

Çfarë e lidh DUI-n dhe DPA-në me shtresën e ulët që janë punëtorë dhe bujq  blegtorë dhe fshatarë, të cilët përbëjnë shumicën e shqiptarëve në këtë vend?!

Paradoksi shqiptar i radhës është se “borgjezi” kapitalist, kërkon votat e të varfërve  Shtresën e ulët që e përfaqësojnë në parlament dhe qeveri janë kapitalistët e rinj shqiptar?!!!

-E djathta shqiptare përmes këtij përfaqësimi, ”do të mbrojë ” interesat e shumicës së shtresës së mesme dhe të ulët që në një farë mënyre është e majtë.

Kemi një shumicë të majtë që heziton t’i përfaqësojë interesat e saj përmes një partie të majtë Ky është kontrasti shqiptar.

-Për arsye nga më absurdet, e majta shqiptare “nuk ka guxuar, ”të paraqitet si subjekt politik.

-Por,në rastin kur subjekti politik është i majtë maqedonas  dhe me rast fushatash elektorale u shpërndanë sheqerka “demokratike”  trushpëlarëve shqiptarë, ajo bëhet e pranueshme .LSDM-ja dhe Zaevi nuk kanë dhënë prova se janë distancuar nga qëndrimet dhe veprimet anti-shqiptare që kryen falangat e policisë së Fërçkovskit dhe Cërvenkovskit ndaj shqiptarëve që të besojnë në premtimet e tyre të “sinqerta”.

-Vetëm nëse LSDM-ja distancohet nga bëmat dhe gjëmat e shkaktuara ndaj shqiptarëve në të kaluarën dhe angazhohen për një barazi të plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve si shtet binacional ose federal, atëherë mund të ketë premisa për një koalicion qeverisës me shqiptarët të bashkuar.

-Në bllokun shqiptar nuk ka të djathtë dhe nuk ka të majtë, ata janë thjeshtë pa bindje ideologjike, pra, janë  të etur vetëm për pushtet .

Në vend që partitë politike shqiptare të reflektonin për të kaluarën e tyre të hidhur dhe të hiqnin dorë nga taktikat mafioze përkundrazi, ato nuk kanë reflektuar të paktën një nga këto subjekte politike shqiptare ende po vazhdon me “avazin ” vjetër të formave korruptive të blerjes së votës.

Nga burime të ndryshme bëhet e ditur se këto ditë në pikun e fushatës zgjedhore, dyshohet se partnerët e pandashëm të koalicionit VMRO – DUI, kanë mbledhur afro 800 mijë euro për t’i blerë votat në rrethin e Strugës. Merrni me mend ç’mund të ndodh në rrethet e tjera. Fatkeqësisht, shqiptarët në Maqedoni ende nuk kanë një forcë politike të besueshme atdhetare,  ku para interesit partiak do të kenë interesat kombëtare .Edhe këtë radhë shqiptarët po gabojnë, ata po ua hedhin ujkut mëlçitë në qafë. Ndërsa, ujqit e uritur këtë ditë kanë pritur!

3 Dhjetor, 2016

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...